Fatos Hoxha: Humbja e PD-së, faji i gjeneral Bashës dhe marshall Berishës
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Fatos Hoxha, disa ditë pas humbjes së zgjedhjeve lokale nga partia më e madhe e opozitës, ka lëshuar një lumë akuzash ndaj lidershipit të Partisë Demokratike. Teksa ka analizuar zgjedhjet lokale të 21 qershorit, ai thotë se kjo është humbja më e turpshme që ka pësuar ndonjëherë PD-ja. Për këtë, ai sjellë në vëmendje gjendjen ku ishte PDja katër vite më parë dhe ku është tani. “Në vitin 2011 koalicioni ynë fitoi 218 komuna e bashki, nga 384 gjithsej, d.m.th. 57 përqind. Në harkun e katër vjetëve jemi më shumë se përgjysmuar. Numërimi i deritanishëm i votës proporcionale tregon për një distancë të frikshme me partinë e parë, Partinë Socialiste, distancë që nuk e kemi pasur kurrë. Ky numërim po na bën konkurrentë të LSI-së”, thotë Hoxha. Ish-deputeti demokrat, duke komentuar deklaratën e kryeministrit Rama pas zgjedhjeve, Bashën e quan “gjeneral të ushtrisë së vdekur”. Ai thotë se vërtetësia e kësaj deklarate e dhunon në shpirt dhe besoj se kjo dhunon çdo demokrat, të cilit i dhimbset partia e tij. Për këtë, thotë ai, nuk e bën fajtor Ramën, pasi sipas tij, fajin e ka Gjenerali i PDsë dhe, pas tij, faji bie dhe mbi Marshallin, të cilët, po e çojnë PDnë me zor drejt vdekjes politike. “Nëse gjërat nuk ndryshojnë me urgjencë, unë dhe çdo demokrat me ndjenja për PD-në do të duhet t’i themi, si Gjeneralit, ashtu dhe Marshallit, me soj sorollop, haram e paçi mbështetjen dhe sakrificën e demokratëve, që ua futët në dhe Partinë”, u shpreh në një intervistë për “Shekulli”, ish-deputeti Fatos Hoxha.
Zoti Hoxha, numërimi i votave për zgjedhjet lokale po shkon drejt fundit. Keni një vlerësim për rezultatin për aq sa dihet, apo është ende herët?
Nuk është herët për të dalë në një konkluzion themelor, për të thënë nëse PD ka humbur apo i ka fituar këto zgjedhje. Nga ana tjetër është herët për t’u futur në detajin e gjësë, për të shpjeguar çdo bashki, çdo lagje, çdo fshat.
Eksponentë të PDsë kanë deklaruar se shifrat tregojnë rritje për PD. Ju jeni dakord me këtë konkluzion?
Eksponentët që thoni ju, unë i kam ndjekur me shumë vëmendje dhe interes. Unë jam dakord dhe pajtohem plotësisht me deklaratën se administratorët zgjedhorë të PDsë janë treguar në lartësinë e detyrës dhe kanë numëruar me përgjegjshmëri votat dhe se kjo është arritje. Ata i kanë rezistuar në mënyrë shembullore thirrjes dinake për të mosnjohur zgjedhjet dhe për të prishur procesin, që u lëshua me tërbim nga zërat më me influencë brenda gardhit blu. Kjo është arritje, sepse përndryshe PDja do të ishte varrosur dhe nuk do ta ngrinte dot kokën për një kohë të gjatë. Përçmimi popullor nuk do t’i ishte ndarë për disa mandate. Por e gjitha kjo ka lidhje me rezultatin e zgjedhjeve, aq sa ka lidhje ngjyra e fustanit të zëdhënëses me votën e shqiptarëve. Rezultati i zgjedhjeve matet me atë që kemi fituar apo që kemi humbur, me aq sa jemi rritur apo jemi zvogëluar. Unë besoj se, pavarësisht se rezultati nuk është ende i plotë, sot mund të konfirmohet me siguri fakti se PD ka pësuar një humbje historike. E vërteta nganjëherë dhemb, por kur dhemb, shëron. Prandaj ta lemë mënjanë hipokrizinë dhe papërgjegjshmërinë dhe t’i qëndrojmë si burrat përballë realitetit. Të pranojmë dhimbjen dhe të vërtetën: Humbja është historike. E tillë është dhe përgjegjësia dhe faji i lidershipit ndaj demokratëve. E tillë duhet të jetë forca dhe dëshira për t’u ringritur. Lidershipin e PDsë në këto vite shumë zëra publik e kanë akuzuar si të papërgjegjshëm. Një provë tjetër flagrante e papërgjegjshmërisë nuk na duhet. Na duhet e kundërta. Ndaj unë do të ftoja publikisht liderët dhe zëdhënësit e tyre të heqin fustanin që veshën në këto zgjedhje dhe të veshin pantallona. Është koha të tregojnë burrëri. Është koha të tregojnë përgjegjshmëri. Është koha të nxjerrin e të mbajnë përgjegjësi.
Kaq i rëndë ju duket rezultati? Nuk është pak i ashpër ky prononcim?
Koalicioni i PD-së ka konkurruar për kandidatët e bashkive dhe nga 61 bashki ka fituar vetëm 15 d.m.th, vetëm 25 për qind të tyre. Në vitin 2011 koalicioni ynë fitoi 218 komuna e bashki nga 384 gjithsej, d.m.th. 57 përqind. Në harkun e katër vjetëve jemi më shumë së përgjysmuar. Tjetër, numërimi i deritanishëm i votës proporcionale tregon për një distancë të frikshme me partinë e parë, Partinë Socialiste, distancë që nuk e kemi pasur kurrë. Ky numërim po na bën konkurrentë të LSIsë. Mbase për lidershipin tonë kjo e dhënë nuk është dëshpëruese. Ai është lidership i rritur dhe edukuar me miqësinë me LSInë. Por nuk duhet harruar se LSIja rezultatin e saj e ka rezultat në rritje. Ne e kemi rezultat në pikiatë. Po vazhduam kështu, udhëheqësit tanë pas dy vjetësh duhet të paguajnë që ta quajnë shok Ilir Metën (më falni që po flas për lekë në kontekstin e LSI). Mua rezultati më duket ekstremisht i rëndë. Fituesi i këtyre zgjedhjeve, kryeministri Rama, ma quajti dje kryetarin e partisë sime “gjeneral të ushtrisë së vdekur”. Kjo deklaratë më dhunon në shpirt. Besoj se dhunon çdo demokratë që i dhimbset partia e vet. Por unë nuk bëj dot budallain dhe të bëj fajtor Ramën për këtë dhunë. Fajin ma ka Gjenerali im dhe, pas tij dhe mbi të, Marshalli, të cilët po na çojnë me zor drejt vdekjes politike. Nëse gjërat nuk ndryshojnë me urgjencë unë dhe çdo demokrat me ndjenja për PD do duhet t’i themi si Gjeneralit, ashtu dhe Marshallit, me soj e sorollop, haram e paçi mbështetjen dhe sakrificën e demokratëve, që ua futet në dhe Partinë!
A keni ju një shpjegim për humbjen? E gjeni dot psenë e saj?
Shkaqet e humbjes do të analizohen gjatë. Jam i sigurtë se shumë njerëz do të shprehen për to. E mira e do që të dëgjohen të gjithë, edhe pse midis tyre do të ketë plot që do të përpiqen t’i mbulojnë të vërtetat e të na çojnë në qorrsokak. Unë në këtë reagim të nxehtë po them vetëm një pjesë të asaj që modestisht shoh si shkak, atë që quaj themelore dhe që nuk dua të na e fshehin. Zgjedhjet e vitit 2013 PD i humbi për shkak të arrogancës më të cilën trajtoi elektoratin, i paraqiti një ofertë politike fyese dhe u tha; nuk keni nga shkoni, do të votoni ushtarët e mi. Listat e kandidatëve të PDsë u përpiluan pa kriter politik. Në to u përfshinë njerëz të diskredituar politikisht apo me probleme të mprehta korrupsioni, ishtitullarë institucionesh me emër të zi sterrë, eksponentë historik të PSsë ose kundërshtarë të dhunshëm kundër demokratëve dhe qeverisjes demokrate, njerëz apolitike dhe pa lidhje në bazën demokratike, personazhe me lidhje të forta me krimin dhe të kamufluar një pjesë e tyre edhe në listat e aleatëve, individë që ditën e zyrtarizimi të listave, mesazh të parë elektoral në çdo tavolinë kishin mburrjen për shifrën e eurove apo dollarëve me të cilin kishin blerë kandidimin. Elektorati i tregoi se ai di t’i përdorë instrumentet që demokracia i ka dhënë për t’u mbrojtur nga horrat. Mua më duket se PD në këto zgjedhje u fut me të njëjtin mentalitet, stil dhe platformë, me të njëjtën ofertë fyese. Sigurish që do të merrte të njëjtën përgjigje nga populli. Populli nuk përtypi dot platformën antikrim të fushatës, jo se është tolerant ndaj krimit, por sepse ajo platformë ishte përpunuar dhe po artikulohej nga autorët e kriminalizimit të politikës, të cilët edhe në këto zgjedhje nuk hoqën dorë nga aleanca me krimin dhe kandidimi i kontingjentit kriminal. Populli demonstroi se di të gjykojë dhe të zgjedhë. Njerëzit me integritet dhe personalitet të fortë fituan në tërësi edhe në bastionet e së majtës. Populli i votoi ata pa dallim ngjyre.
Përjashtimet e rralla, kur kandidatë me cv të dyshimte kanë fituar erdhën kryesisht nga dy shkaqe: ose denoncimi i tyre nuk ishte i vërtetë, serioz dhe i qartë, ose oferta e krahut tjetër ishte më zi se oferta e kriminalizuar e PDsë. Por populli mbi të gjitha ndëshkoi hipokrizinë e lidershipit të PD me këtë platformë. Nuk doli kundër mesazhit, por kundër mesazherit. Ky është për mua shpjegimi i parë për rrënimin e votës proporcionale të PDsë. Shpjegimi i dytë është i ngjashëm si dy pika uji me të parin, prandaj dhe e përforcon akoma më shumë efektin negativ të tij. Lidershipi i PDsë artikuloi në këto zgjedhje luftën kundër oligarkisë, kur i madh e i vogël në Shqipëri e di skllavërimin e PDsë nga oligarkia. PD ra nga pushteti për shkak se shtetin qeveria e saj ia nënshtroi oligarkisë dhe krimit. Autorit të këtij akti të pashembullt tradhtie politike nuk i hyri gjemb në këmbë. Përkundrazi, vazhdon dhe drejton fijet e politikës së djathtë, vazhdon e na cakton përfaqësuesit, vazhdon e na përpunon platformat. Edhe në këtë rast shqiptarët nuk patën asgjë kundër mesazhit, por refuzuan mesazherin. Këto janë dy të vërteta që të gjithë analistët afër lidershipit të PD do të përpiqen t’i fshehin, t’i kamuflojnë, t’i kundërshtojnë. Por këto janë nga ana tjetër dy të vërteta, pa njohjen dhe pranimin e të cilave, nuk ka analizë të vërtetë, nuk ka mësim, nuk ka shërim. Ndaj po nxitoj t’i them një orë e më parë. Ngritja e PDsë nga varri varet shumë prej tyre. Demokratët nuk duhet të pranojnë më kompromis. Nga ky qëndrim varet jeta dhe e ardhmja e tyre politike.