Fehmi Abdiu: Presidenti s’ka të drejtë të bllokojë punën e qeverisë

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Fehmi Abdiu, shprehet se as Presidenti dhe as Kuvendi nuk mund të bllokojnë punën e qeverisë. Sipas tij, edhe pse Presidenti i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese, ai nuk mund të justifikohet me këtë fakt për të bllokuar dekretet e emërimit të ministrave. Ai tregon dhe precedentin e vitit 2002, kur Kushtetuesja ka marrë një vendim brenda 24 orëve nga paraqitja e kërkesës nga deputetët e opozitës për programin dhe përbërjen e qeverisë “Majko”.

***

Si ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese, si e shikoni krizën në marrëdhëniet mes Ekzekutivit dhe Presidencës?

Jemi përpara një praktike të njohur që Presidenti i vendit shpall dekretet e veta për shkarkimin e dy ministrave të qeverisë, dhe Parlamenti që duhet të mblidhet që të votojë dekretet e presidentit për shkarkim dhe dekretet e Presidentit për emërimin e ministrave. Unë mendoj se për aq kohë sa Presidenti nuk e ka ezauruar afatin maksimal kohor sipas nenit 98, paragrafi i parë, pra, afatin 7-ditor, nuk duhet dhënë alarmi dhe nuk duhen ngritur lloj-lloj versionesh dhe variantesh që e çojnë luftën deri në mendime për shkarkimin e presidentit. Për aq kohë sa Kuvendi nuk është shprehur për shqyrtimin e dekreteve, sepse është brenda afatit të tij kohor, edhe këtu nuk ka vend për alarm. Por duhen nxitur faktorët që kanë të bëjnë me këtë problematikë, kryeministri për pjesën e vet, presidenti për të tijën dhe Kuvendi për pjesën e tij, i cili duhet të mblidhet dhe t’i shqyrtojë dekretet. Rregullisht, sipas mendimit tim, kur Presidenti i Republikës nuk shprehet brenda afatit 7-ditor, ai natyrisht nuk përmbush detyrimin kushtetues. Me dashje apo pa dashje, ai shkel një përcaktim kushtetues. Po kështu, kur Parlamenti nuk shqyrton dekretet e Presidentit brenda 10 ditësh, edhe ky i fundit bën të njëjtën gjë, por sot të dyja palët brenda afateve të tyre kohore. Fakti që edhe jashtë këtyre afateve mund të gjenden zgjidhje kushtetuese dhe ligjore, siç është një interpretim i bërë nga Gjykata Kushtetuese e vitit 2002, më bën optimist dhe të them se faktorët politikë dhe shtetërorë të gjithë duhet të jenë më të matur e të mos aprovojnë ngjarje krizash.

Mosnxjerrja e dekreteve të emërimit nga ana e presidentit përben shkelje?

Kushtetuta në thelbin e vet përmban dy lloj afatesh, një kategori afatesh janë ato të cilat nëse nuk përmbushen brenda tyre, mund të sjellin pasoja juridike, siç janë aktet normative, të cilat kanë afat 45-ditor. Përtej këtij afati ato nuk kanë fuqi ligjore. Një kategori tjetër afatesh janë ato që edhe pse nuk zbatohen, apo shkelen, mund të riparohen duke u shqyrtuar edhe pas mbarimit të afatit. Kjo kategori është parashikuar enkas qëllimisht, sepse qeverisja nuk mund të krijojë me vend dhe pa vend kriza. Për të evituar krizat, është menduar që kjo kategori afatesh të përmbushet edhe në tejkalim të tij. Dekretimi i ministrave hyn në këtë kategori afatesh. Kuvendi i Shqipërisë ka shqyrtuar dhe nuk ka pengesë të shqyrtojë edhe jashtë afateve kohore dekretet e Presidentit sipas këtij vendimi të Gjykatës Kushtetuese. Në mënyrë përjashtimore, Presidenti mund të përgjigjet për shkeljet e rënda të Kushtetutës, për krime të rënda etj., por doktrina kushtetuese të çon në përfundimin se nuk mund të kërkosh shkarkimin e Presidentit për gjëra të zakonshme duke ia vlerësuar si gabim. Por jo çdo shkelje përbën arsye për shkarkimin e Presidentit.

Meqenëse Presidenti i Republikës i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese, çfarë duhet të bëhet me dekretet?

Si rregull, Presidenti ka të drejtë në çdo kohë t’i drejtohet kësaj gjykate. Por në rastin konkret, Presidenti edhe pse i është drejtuar Gjykatës, nuk ka të drejtë ligjërisht të pezullojë nxjerrjen e akteve, me justifikimin se unë po pres të marr një interpretim nga Gjykata Kushtetuese për këtë çështje. Qoftë Presidenti, qoftë Kuvendi nuk mund të pengojnë qeverisjen normale të vendit, sepse kërkojmë të sqarojmë një çështje x apo y. Pra, ata domosdo duhet të respektojnë afatet. Faktorët duhet të gjejnë mirëkuptimin për zgjidhjen sa më shpejt të këtij problemi.

Ka arsye presidenti që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese kur të gjitha palët janë brenda afateve kushtetuese?

Presidenti mund t’i drejtohet, por ajo çka mund të bëjë Gjykata Kushtetuese i përket së ardhmes, nuk lidhet me praktikën e gjetjes së zgjidhjes për një rast emergjent. Nuk mund të presë Parlamenti dhe qeverisja derisa të shprehet Gjykata, e cila ka një proces shumë të gjatë shqyrtimi. Kjo do të krijonte deficite të mëdha qeverisëse të pajustifikuara.

Nëse Gjykata Kushtetuese nuk merr vendim deri në fund të kësaj jave që vjen, çfarë ndodh?

Kam përshtypjen se kjo çështje nuk është depozituar ende në Gjykatën Kushtetuese. Mos t’i shkojë mendja askujt se Gjykata Kushtetuese do të mblidhet dhe do të shqyrtojë këtë çështje që kërkon interpretim kushtetues, apo interpretimin e nenit 98 që nuk është interpretuar më parë. Kjo nuk bëhet as për 5, 8, apo 10 ditë. Ajo është një punë e vështirë dhe me shumë përgjegjësi. Nga ana proceduriale çfarë ndodh? Gjykata ka procedurat e veta që mendoj se do t’i zbatojë besoj si çdo praktikë tjetër ligjore dhe procedurat e qeverisjes së vendit, e nxjerrjes së dekreteve dhe shqyrtimit të tyre janë procedura të veçanta që nuk presin Gjykatën Kushtetuese. Presidenti dhe Kuvendi duhet të respektojnë detyrimet kushtetuese.

Në vitin 2002, ju, në krye të Gjykatës, keni dhënë një vendim brenda 24 orëve nga paraqitja e kërkesës. Pse kjo urgjencë?

E kemi shqyrtuar çështjen brenda 24 orëve dhe pothuaj kemi fjetur në zyrë. Brenda një dite kemi përfunduar një interpretim, duke pezulluar rendin e ditës deri në dhënien e vendimit përfundimtar. Pandeli Majko, i emëruar si kryeministër, po shpallte programin e qeverisë në Kuvend. Opozita e asaj kohe me Sali Berishën solli një kërkesë ku kërkoi të interpretohej dispozita ku bëhej fjalë që Kuvendi miraton programin e qeverisë dhe përbërjen e saj. Opozita pretendonte se programi i qeverisë duhet miratuar më parë, pastaj të miratohet përbërja e qeverisë. Gjykata Kushtetuese u vu në vështirësi të mëdha, sepse për 1 orë Majko do të paraqiste programin e qeverisë në Kuvend. Gjykata u mblodh në orën 14:30 dhe vendosëm, meqenëse ishim në kushte shumë të vështira dhe vendimi që mund të merrej më vonë, mund të kishte pasoja të mëdha juridike për qeverisjen, kemi vendosur pezullimin e shqyrtimit të kësaj pike të rendit të ditës, pra, prezantimit të programit dhe kabinetit qeveritar deri në marrjen e vendimit. Gjykata i çoi atë ditë Kuvendit vendimin e pezullimit. Namik Dokle, kryetar i Kuvendit, nuk e kuptoi si duhet këtë vendim, sepse e interpretoi si pezullim të Parlamentit nga Gjykata Kushtetuese dhe dha dorëheqjen. Gjykata e shpalli vendimin e saj të nesërmen dhe të arsyetuar e tha që përbërja dhe programi i qeverisë mund të shpallen njëherësh, por nuk ka pengesë edhe nëse bëhet veç e veç. Majko të nesërmen vijoi me prezantimin e programit dhe qeverisë. – “Panorama”

 

SHKARKO APP