Felaj: Ligji për dekriminalizimin do ketë fuqi prapavepruese
Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin flet për reformën në drejtësi dhe anti-korrupsionin
Mazhoranca do të kalojë shumë shpejt në Kuvend variantin e saj për ligjin e dekriminalizimit. Ministrja e e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ermonela Felaj, tha dje në emisionin “Debati në Channel One”, se brenda këtij muaji do të paraqitet dhe miratohet ligjin për ndalimin e hyrjes në funksionet publike të zgjedhur apo të emëruar të personave që janë të dënuar për krime të qëllimshme, apo për krime të rënda me dashje, të formës së prerë.
Intervistoi: Roland Qafoku
Zonja ministre, si e mendoni ju dekriminalizimin e parlamentit? Në pikëpamjen time, deputetët janë përfaqësuesit e shoqërisë sonë. Ne kemi nevojë për dekriminalizimin e shoqërisë, që më pas të arrijmë dekriminalizimin e parlamentit. Në një mënyrë apo tjetër ne i meritojmë ata që janë në parlament?
Roland, unë dua të them që në fillim që se unë nuk jam dakord me shprehjen dekriminalizim. Aq më pak dekriminalizim i parlamentit dhe aq më shumë dekriminalizim të shoqërisë. Sepse çfarë do të thotë kjo? Që do të thotë se të gjithë individët që janë aty janë kriminelë? A kemi ne nevojë që të ndalojmë që njerëz të dënuar të zgjidhen apo të emërohen në funksione publike, qofshin këto të zgjedhura apo të emëruara. Përfitoj nga rasti që nga pozitat e ministrit të shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, t’ju konfirmoj edhe në emër të qeverisë që ne jemi të gatshëm që brenda këtij muaji të paraqesim dhe të miratojmë ligjin për ndalimin e hyrjes në funksionet publike të zgjedhur apo të emëruar të personave që janë të dënuar për krime të qëllimshme, apo për krime të rënda me dashje, të formës së prerë. Këtë gjë do ta bëjmë duke u bazuar në eksperiencën më të mirë ndërkombëtare. Një eksperiencë e tillë është ajo italiane. Kemi patur fatin që bashkë me kryeministrin të takojmë edhe hartuesin e ligjit në parlamentin italian dhe kemi marrë përgjigje për të gjitha pyetjet dhe shqetësimet tona. Ky tekst do të shqyrtohet dhe do jetë prezent në komisionin e posaçëm të ngritur për reformën në drejtësi. Dhje kjo nuk është e lidhur me vetëm me ata që kryejnë detyra të larta shtetërore por në të gjithë kapilarët e shtetit.
Zonja ministre, për cilët nivel bëhet fjalë?
Për të gjithë ata që kanë statusin e nëpunësit civil.
A do ketë efekte prapavepruese ligji?
Sigurisht që do ketë efekte prapavepruese.
A do ketë largime nga parlamenti dhe detyra të tjera të larta shtetërore?
Kjo ka qenë një pikë që kemi diskutuar më shumë me hartuesit e ligjit italian. Kështu, nuk ka vend për të gjykuar mazhorancën, sepse mazhoranca ka qenë në krye të herës e gatshme ta realizojë këtë. Dhe këtë proces ta realizojë bashkë me opozitën. Këto ditë opozita ka depozituar në kuvend dy projektligje, një për ndryshimet kushtetuese dhe një për largimin e këtyre personave që ne folëm nga institucionet shtetërore. Të dyja janë të ndryshme nga njëra-tjetra. Ne jemi të detyruar të zbatojmë rregulloren e Kuvendit për një procedurë të posaçme. Kemi arritur në limitet e kohës dhe ne do të bëjmë përpjekjet maksimale për konsenus. Por, qeveria me apo po konsensusin e opozitës, ne do ta arrijmë të miratojmë këtë ligj.
Zonjë, në parlamentin e parë shqiptar në 1921 dhe më pas, ne kishim deputetë disa nga korifenjtë e mendimit shqiptar si Fan Noli, Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Luigj Gurakuqi, Eqrem bej Vlora, Ali Këlcyra etj. Kur do kemi në parlament deputetë të këtij kalibri?
Prandaj e kemi thënë se reforma në arsim është nga më të rëndësishmet, sepse arsimi i popullit është ai që sjell figura të mëdha.
Në atë kohë zonjë nuk kishte as shkollë të mesme në Shqipëri dhe këta që unë përmenda kishin studiuar jashtë vendit.
Megjithatë gjithçka lidhte me arsimin.
A keni gjetur ju konsensusin me opozitën që kjo të jetë një luftë frontale për dekriminalizmin e kuvendit?
Ne kemi bërë një bisedë të parë me opozitën dhe me ata që janë angazhuar drejtpërdrejtë me këtë çështje. Do kemi një ballafaqim të hapur të qëndrimeve të secilit. Por, gjërat që ne nuk do t’i kishim të negociushme ka të bëjë me atë që njihet si prezumim të pafajësisë.
Zonja ministre, dita e enjte është kthyer në një propagandë politike përpara ekranit nga foltorja e kuvendit. Si mundet të ndryshohet kjo sepse nëse nuk ka kamera, ndryshe do të ishte situate?
Kur ne ishim në opozitë kryetari i grupit parlamentar nuk kishte gjasa të fliste ndonjëherë sa ish-kryeministri Berisha. Ndërkohë që, jo vetëm që kryetari i kuvendit u jep fjalën përfaqësuesve të PD dhe kushdo që e merr fjalën prej tyre e kalon në kohë edhe kryeministrin e vendit. Çdo vit bëjmë një bilanc të kohës që deputetët kanë në kuvend për fjalën që ata marrin. Nga bilanci që u bë vitin e shkruar, e bëmë edhe ne si ministër i shtetit për Marrëdhëniet me parlamentin dhe ka modele në botë për këtë. Na rezultoi se deputetët e opozitës kanë folur më shumë se ata të mazhorancës. Po i drejtohem opozitës, që të fillojë të kuptojë që aty ku njerëzit nuk kanë interes të dëgjojnë dhe të përsëritjes së gjërave që nuk ka lidhje fare me rendin e ditës. Për shembull, në seancën e fundit diskutohej për borxhin një gjë shumë e rëndësishme, por ata që folën nga opozita shumë pak gjëra thanë për aktin normativ. Buxheti është një nga çështjet më të rëndësishme sepse ka planifikim të ardhurash e harxhimesh.
Zonja ministre, lidhur me operacionin kundër informalitetit ju jeni për penalitete juridike, apo edhe për një rrugë të mesme duke ndihmuar biznesin?
Unë jam për të dyja. Unë konstatoj, në lagjen ku jetoj, me shitësit e vegjël rreth e rrotull që shpesh herë më thonë që shumë mirë që po e bëni këtë gjë, sepse kemi ne këtu në zonën tonë që punojnë pa kupona dhe askujt nuk i vjen mirë të niset nga kjo rrethanë dhe të kenë avantazh duke përdorur rrugë të shkurtra. A ju duket juve normale që një nga rrugët më të rëndësishme të Tiranës, në rrugën “Myslym Shyri” që shumica e dyqaneve kanë mbyllur qepenat? Ajo është rruga më e shtrenjtë në Tiranë, si ka mundësi, si kanë punuar në këto vite? Kjo do të thotë se kanë punuar në kurriz të ligjit. Nuk duhet të funksionojmë ndryshe nga si funksionohet jashtë shtetit. Nuk çuditemi ne kur blejmë diçka dhe shitësja na jep kuponin, ndërsa këtu nuk ndodhe kështu.
Zonja ministre, më 10 shtator mbushën dy vjet nga dekretimi i kryeministri Rama. Si ka punuar qeveria në këto dy vjet? Dhe a jemi ne shqiptarët më mirë se dy vjet më parë?
Çdo qytetar e thotë nga situate e vet. Unë them se ka një mënyrë për t’iu përgjigjur kësaj pyetje. Ka qenë dita e zgjedhjeve të 21 qershorit. Shqiptarët e kanë dhënë përgjigjen e tyre. Nëse janë dakord me çfarë ata prisnin nga qeveria shqiptare. Nëse qeveria shqiptare është duke plotësuar pritshmëritë e tyre, apo është në një drejtim krejt të kundërt me atë që u intereson shqiptarëve. Përgjigjja e 21 qershorit ishte shumë e qartë për të gjithë ne. Shqiptarët janë po të gjithë atyre reformave që janë anatemuar me reformën e ndërtimeve pa leje, reformës së ndarjes së re territorial, të reformave në polici, reformave në arsim e të tjera.
Duke qenë se dikur keni qenë prokurore. Cili është mendimi juaj për punë që ka bërë dhe po bën prokurori i përgjithshëm Adriatik Llalla?
Më kape ngushtë me këtë pyetje. Sepse unë nuk preferoj të bëj komente të punës, për ata që i konsideroj si kolegë. Shpesh herë në kuvendin e Shqipërisë, me humor apo me dashamirësi, më tërheqin vëmendjen se sa herë që flitet për prokurorinë unë reagoj. Është i natyrshëm ky reagim. Kam qenë disa herë kur Prokurori i Përgjithshëm është paraqitur në Kuvendin e Shqipërisë dhe ka raportuar për punën e institucionit të prokurorisë. Jo vetëm zoti Adriatik Llala, por edhe kur ka qenë zonja Ina Rama. Unë mbetem dhe jam që ne duhet ta mbështesim institucionin e prokurorisë. Sepse nëse ka një institucion që përpiqet sadopak që të bëjë punën e vet është pikërisht ky institucion. Sepse, brenda këtij institucion vazhdojnë të ketë njerëz që kërkojnë të punojnë, kërkojnë të japin më të mirën e tyre. Kështu, duke u nisur nga ky arsyetim, unë mendoj se prokuroria meriton të mbështetet. Prokuroria ka nevojë të ketë kapacitetet të shtuara njerëzore dhe kjo gjë quhet ti jepet asaj.
Po si kontrollohet prokuroria?
Një është nga Kuvendi. Prokurori raporton në kuvend, megjithëse ka kohë që kjo nuk ka ndodhur. Nuk janë bërë çdo vit raportime. Unë nuk e mbaj mend se kur ka qenë hera e fundit që Prokurori i Përgjithshëm ka raportuar në kuvend. Nuk e mbaj mend. Gjithsesi, unë mendoj se shumë gjëra duhet të përmirësohen. Nëse do të bëhen rekrutime në staf, ato bëhen mbi bazën e jetëshkrimeve. Por në këtë aspekt, sipas meje, duhet të bëhen sipas punës konkrete që ata prokurorë bëjnë. Pra, ne duhet të ruajmë këtë model, pro brenda modelit duhen përmirësime. Duhet të ndërhyjmë që ta çojmë prokurorinë atje ku duhet.
Një nga kuajt tuaj të betejës qeverisëse ka qene lufta ndaj korrupsionit. Sipas shifrave që unë disponoj, nga arkivi im, nëse krahasohen dy vitet tuaja të para qeverisëse me dy vitet e para të qeverisjes së Berishës, në vitet 2005-2007 ishin arrestuar 140 policë, oficerë policie shumica e të cilëve për korrupsion. Pra një shifër që veçon më shumë qeverisjen e Berishë se sa tuajën. Cili është komenti juaj?
Unë mendoj ndryshe.
Nuk është dëshirë e madhe ta shprehim, por nuk quhet luftë ndaj korrupsionit kur arrestohen njerëz për 5 mijë lekë, por kur arrestohen zyrtarë të lartë, deri ministra për miliona euro?
Lufta ndaj korrupsionit nuk matet me numrin e atyre që arrestohen. Arrestimeve, një ditë u ikën buja. Harrohen. Çfarë ndodh me këta njerëz?
Marrë me shkurtime nga “Debati në Channel One”