Filonid Aliu, një mjek altruist në këngëtarin “egoist”

Intervistoi: Albina Gjergji  – 

 “Egoist” titullohet kënga që do të lançohet nga këngëtari këto ditë, një kompozim i Lambert Jorganxhi dhe tekst të Florian Hykës –

Është diplomuar në Fakultetin e Mjekësise në Shkup dhe tani është mjek i licencuar. Por veçmas këtij profesioni, të cilin e konsideron të shenjtë, Filonid Aliu nuk lë mbrapa as pasionin e jetës së tij, muzikën, për të cilën ka dhënë shumëçka nga vetja. E ndërsa në Maqedoni njihet për vokalin brilant, mbrëmjet live, si dhe natyrën sociale, në Shqipëri njihet më së shumti si lider i grupit “Free Spirit”, krijuar nga spektakli i talenteve, “X Factor Albania”. Aktualisht, mjeku këngëtar sapo ka përfunduar projektin më të veçantë të tij, të cilin ka preferuar ta titullojë, “Egoist”. Një këngë me fabul mjaft interesante kjo, e cila duket se do të shënojë një sukses në karrierën e shqiptarit nga Maqedonia. 

 

 

Fillimet në muzikë i keni pasur me një bandë gjimnazistësh, por pas përfundimit të garës së talenteve në X Factor, jeni angazhuar edhe me këngë solo, sigurisht pa u shkëputur nga grupi “Free Spirit”. Na flisni pak për projektin solo Filonid, i cili pritet të lançohet shumë shpejt?

Ashtu është , fillimet e para me muzike live para publikut i kam pasur me bandën time kur ishim ende gjimnazistë dhe na mjaftonte një cep sa për të vendosur instrumentet dhe mbushnim lokalin. Pastaj erdhi koha e XF, ku takova shumë entuziastë të tjerë të zhanreve të ndryshme të muzikës, por eksperienca me “Free Spirit” më la përshtypje të veçantë. Kënga ime solo nuk do të thotë largim nga grupi, por vetëm realizim i një ëndrre të kahmotshme. Ideja ka qenë gjithmonë këtu, ka qenë gjithmonë me mua diku vërdallë, në çdo live që kam bërë ka pasur nga një grimcë motivimi që ka ushqyer ëndrrën që tani e kam bërë realitet.

 

Titulli i këngës, teksti, bashkëpunëtorët dhe mesazhi i fabulës?

Kënga quhet “Egoist” edhe pse aspak s’jam i tillë. Por prapë asnjë pijanec nuk e pranon që është tapë. Tregimin e kisha imagjinuar si film, me skena të ftohta me dozë vuajtjeje dhe melankolie, gjëra që tingëllojnë të errëta, por ky është rock-u, i merr ndjenjat më të thella dhe nuk i maskon, por t’i përplas në fytyrë. Fabula ka të bëjë me një ndarje, ndarje kjo që është totalisht e justifikuar nga të dyja palët dhe këngëtari e di që ai vetë është arsyeja, domethënë mangësia në karakterin e tij, por prapë nuk do ta pranojë dhe është kjo betejë që zhvillohet brenda tij mes dhimbjes dhe refuzimit të tij të pajtohet me realitetin. Revoltën dhe energjinë që doja të përcjellë kënga e përktheu në nota kompozitori i shquar dhe miku im Lambert Jorganxhi, ndërsa mesazhin dhe “filmin” tim e shndërroi në poezi Florian Zyka.

 

Kur do të lançohet në treg dhe mendoni që do të ketë sukses, duke marrë parasysh që në këtë sezon të gjithë artistët kërkojnë suksesin?

Plani është që të lançohet me datë 22 korrik. Premierën e kam planifikuar të jetë si akti final, kurorë e një live mbrëmje në lokalin e preferuar në qytetin tim së bashku me të gjithë bashkëpuntorët dhe dashamirësit e mi. Sa i përket suksesit mendoj që koha do ta tregojë. Edhe gjatë pjesëmarrjes sime në XF, por edhe në përgjithësi në lidhje me muzikën, prioritet e kam pasur të jem unë i kënaqur me materialin dhe me mënyrën si e sjell deri tek publiku, me të tjera fjalë të jem vetvetja në atë që bëj. Kjo padyshim sjell suksesin e mirëfilltë dhe mendoj që publiku me shumë e çmon një artist që ju tregon gjëra të reja dhe të bukura, sesa dikë që sjell “limonada”.

 

Çfarë e bën të veçantë këtë këngë sipas jush?

Sipas mendimit tim, që është subjektiv sigurisht, është me rëndësi që artisti me të vërtetë ta mendojë dhe ndjejë atë që transmeton. Që kur bën një këngë ai ka një arsye, sepse ka dëshirë të thotë diçka, të ndajë diçka me publikun, kurse nga ana e publikut sigurisht që do jetë dikush që e kupton, sepse të gjithë jemi njerëz dhe kemi të njëjtën barrë. Kjo këngë është pikërisht ajo. Është realizim përplot energji, përplot nerv dhe revoltë ndaj realitetit. Është film, në të cilin secili prej nesh ka luajtur ndonjëherë ndonjë rol.

 

Do të shoqërohet me videoklip kënga?

Fillimisht kur e kompletova këngën isha i kënaqur shumë edhe me mënyrën se si erdhi si instrumentale, por edhe sesi përputheshin fjalët e poezisë me fabulen dhe ky ishte momenti kur vendosa ta sjell me videoklip. Në fillim isha skeptik, sepse të gjithë i kemi parë klipet që bëhen sot, ku dominon “mishi” dhe zhveshja, kurse mungon misherimi i vertete mes fabules dhe skenarit. Por do ishte fyerje dhe qesharake nga ana ime po i kategorizova të gjithë si të tillë, sepse ka përjashtime dhe njëri prej tyre është një produksion filmi që quhet, FrameIn. Klipi është realizuar nga ana e tyre në bashkëpunim të ngushtë në çdo etapë me mua dhe anëtarët e tjerë të bandës dhe do të thoja që me punën që kanë bërë i kanë justifikuar mbi 18 çmime që kanë marrë në festivale ndërkombëtare të filmit. Fabulen e transmeton deri te publiku në mënyrë të shkëlqyeshme aktorja e njohur, Mona Mustafa, kurse e tëra kjo është kapur në cilësinë më të lartë filmike – 4K.

 

Pas X Factor, ju Filonid jeni kthyer në Maqedoni, ndërsa dy anëtaret e tjera të grupit në Shqipëri. Takoheni shpesh dhe mendoni se do të ketë jetëgjatësi grupi “Free Spirtit”?

Po me grupin takohemi shpesh, ne jemi bërë miq shumë të mirë gjatë XF dhe kemi mbetur të tillë dhe jo vetëm me grupin, por me pjesën e madhe të pjesëmarrësve të tjerë dhe stafit të XF. Largësinë fizike e zbut komunikimi në rrjetet sociale dhe vizitat e mia në Tiranë çdoherë që më jepet rasti. Tani në gusht do t’i kem mysafirë edhe në Maqedoni, sepse miqësia është rrugë dykahëshe (qesh).

 

Mendoni se më sukses kanë këngëtarët solo, sesa në grup kohët e fundit dhe pse?

Mendoj që publiku shqiptar ende nuk është i përgatitur për një grup të tipit të “Frë Spirit”. Muzika jonë fatkeqësisht ka pushuar evoluimin e saj dhe tani (shumica) kopjojnë trendet e huaja dhe bëjnë paralele me atë që ndodh në botë. Si rrjedhojë e kësaj, sukses komercial mund të kenë pop-bandet dhe solo-artistët.

 

Si e shikoni nivelin e artistëve sot, në këndvështrimin e një të riu, por plot talent si ju? Çfarë fenomeni ju bezdis më së shumti në tregun artistik?

Niveli i artistëve shqiptarë, përkundër mendimit të përgjithshëm është shumë i mirë. Ne edhe pse popull i vogël, kemi artistë si Genc Salihu, Eugent Bushpepa, Dren Abazi, Vlashent Sata që janë shumë të veçantë në atë që bëjnë dhe në rend të parë nuk vënë suksesin komercial, por vlerën artistike të asaj që bëjnë, gjë që unë e respektoj shumë. Për muzikë komerciale nuk kam koment, sepse aty padyshim jemi udhëheqës në Ballkan dhe Europë. Por këtu gjithmonë ka një top 10-she që janë brenda zhanrit të tyre dhe i qëndrojnë besnik. Tragjedia fillon aty, kur dëshira për sukses nuk njeh mjete. Atëherë kur përdoren motive të ndryshme muzikore që nuk na përkasin neve dhe janë për t’u turpëruar kur si popull kemi shumë muzikë brenda vetes. Atëherë kur videoklipet bëhen filma për të rritur. Aty degjenerohet çdo gjë dhe si artist dëshpërohesh, kurse si teleshikues detyrohesh t’i censurosh disa programe me fjalëkalim. Më së shumti më bezdis ky makijavelizmi i artistëve sot, që ndjekin suksesin e çastit, por kalojnë si gripi – për 1 javë me, apo pa ilaçe. Qëllimi i artistit duhet të jetë të arrijë te publiku, të përcjellë mesazh dhe të mbahet mend. E gjithë kjo e mbuluar me modesti dhe sjellje shembullore për rinine, e cila e ndjek.

Keni qenë i angazhuar me muzikë pas përfundimit të X Factor, ku dhe me çfarë konkretisht?

Pas përfundimit të XF një periudhë iu dedikova studimeve dhe me sukses në kohë rekord u diplomova Fakultetin e Mjekësisë në Shkup dhe tani jam mjek i licencuar. Me muzikë jam marrë me live, me bandë, apo akustikë. Ka pasur raste kur kemi organizuar live të përbashkët me miken time, artisten Laura Krliu.

 

Ndonjë projekt tjetër pas këtij?

Për momentin kam edhe 4 këngë, të cilat presin t’ju kushtohet vëmendje dhe eventualisht të shohin dritën dhe të arrijnë tek publiku. Të gjitha janë shumë specifike, diçka e padëgjuar deri tani nga publiku shqiptar, të krijuara me synim që të mbesin në mendjen dhe zemrat e dëgjuesve.

SHKARKO APP