Flet Donald Lu para takimit te Edi Ramës me Obamën
Pak orë para zhvillimit të takimit mes kryeministrit Edi Rama dhe presidentit amerikan Barack Obama në Shtëpinë e Bardhë, ambasadori Donald Lu ka shpërndarë një mesazh përmes faqes në Facebook të ambasadës amerikane në Tiranë.
Lu shprehet i lumtur për këtë takim në frymën e 25-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, ndërsa në fund të mesazhit të tij nuk harron të përmend edhe reformën në drejtësi. Më poshtë mesazhi i tij i plotë:
“Jam i lumtur që Presidenti Barack Obama do të takohet me Kryeministrin Edi Rama në Uashington sot. Në frymën e 25-vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike, dhe pas vizitës shumë të suksesshme të Sekretarit Kerry në Tiranë, kjo vizitë paraqet një tjetër mundësi për të shprehur vlerësimin për të gjithë shqiptarët për miqësinë e fortë dhe bashkëpunimin e palëkundur midis qeverive tona dhe popujve tanë në lidhje me një gamë të gjerë çështjesh të rëndësishme, të tilla si kundërvënia ndaj ekstremizmit të dhunshëm, koalicioni kundër ISIS dhe reforma historike në drejtësi.” – shkruan Donald Lu.