Fran Frrokaj: Lezha nuk ka fonde të mjaftueshme nga qeveria

Intervistë me Kryetarin e Bashkisë, Fran Frrokaj

Nga: Majlinda Noka

Z.Kryetar si vit i parë si Kryetar i Bashkisë së Lezhës, cilat janë problematikat me të cilat jeni përballur dhe disa nga arritjet kryesore?

Problematikat në Bashkinë e Lezhës kanë qenë të jashtëzakonshme, sepse ishte një njësi administrative pas një reforme. Lezha ishte përgatitur për një skemë tjetër të reformës jo kaq drastike megjithatë funksionoi mirë,por pjesa post-reformës dhe pjesës në implementimin e projekteve dhe programeve të buxhetit kishte problemet e veta. Lezha është një bashki me një specifikë pothuajse të veçantë sepse ka një turizëm malor, fushor dhe është e rrethuar nga lumenj. Por Lezha ka dhe probleme me kullimin, probleme me vaditjen, probleme me turizmin, probleme me bujqësinë. Në fakt buxheti që na ofroi qeveria është krejt minimal. Ishte një shumatore aritmetike e vlerave të mëparshme, e cila nuk të lejonte asnjë lloj mundësie fantazie në implementimin e problemeve të mëdha që ka Lezha. Megjithatë, unë besoj se do t’ia dal me pjesën më të madhe të tyre. Me gjithë përvojën time përsëri situata është shumë e vështirë. Situata ekonomike është mjaft e rëndë. Ne kemi bërë maksimumin tonë në komunikimin me qytetarët dhe me trajtimin e problemeve të tyre, megjithëse, në fazën që jemi, unë jam në prag të buxhetit të ri. Për vitin 2016 kemi përgatitur paketën fiskale dhe buxhetin në mënyrë që të parashikojmë dhe investimet. Një problem madhor do të thoja është fakti se me ligj janë hequr lejet e ndërtimit dhe si rrjedhojë, kemi një numër të vogël të ardhurash. Nuk është një mënyrë komode mbajtja e bashkisë dhe mungesa e dhënies së lejeve të ndërtimit.

A po i shfrytëzon Lezha në mënyrën e duhur resortet turistike që ka në dispozicion për tërheqjen e sa më shumë turistëve?

Pjesa bazë ekonomike e Lezhës, le të themi se është turizmi, por që në fakt nuk është. Turizmi në Lezhë ka një volum të madh, por ka probleme me cilësinë. Unë po bëj inventarin e gjithë atyre rezervave turistike që ka Lezha qoftë në Shëngjin edhe në pikat malore dhe të bëjmë një guidë korrekte në këtë drejtim. Në këtë moment që flasim është pak problematike sepse i tillë ka qenë zhvillimi. Shëngjini është goxha i shpartalluar në kuptimin e mirë të fjalës në organizimin e resorteve turistike, ka pasur një ngutje më shumë për të dhënë leje sesa për të dhënë leje cilësore, pra thjesht ka qenë tendenca për të populluar me objekte me dhe pa kriter, kryesisht pa kriter. Një nga problemet e Shëngjinit janë ujërat e bardha dhe të zeza. Unë kam ngritur një strukturë, e cila do menaxhojë hapësirën rreth tyre. Megjithatë, resortet që kemi do t’i shfrytëzojmë në mënyrën më të mirë, besoj do kemi edhe një marrëveshje, e cila po përgatitet nga qeveria. Bëhet fjalë për një draft, i cili do të shërbejë për menaxhimin e bregdetit në bashkëpunim me agjencinë e bregdetit. Janë një seri kompetencash, të cilat nuk janë përcaktuar akoma se cila pjesë do t’i mbulojë, pra, ne ose Agjencia e Turizmit, por besoj se do kemi zhvillim më shumë se në të shkuarën.

Si mund ta bindim rininë lezhjane, që Lezha është dhe duhet të jetë një qytet, i cili nuk duhet braktisur?

Lezha është një qytet i mirë, unë kam një debulesë të hershme për Lezhën. Unë së bashku me lezhjanët do ta bëjmë Lezhën, rinia lezhjane ka në fakt pak të drejtë të jetë e thyer ashtu si gjithë rinia shqiptare. Pjesa më diskrete këtu është pamundësia për punësimin e rinisë megjithatë, unë mendoj se edhe turizmi është një rezervë bazë e madhe për punësimin, ndonëse sezonale. Punësimi është problem, por e çuditshmja është se në sezonin e verës ne kemi problem faktin që nuk gjejmë persona për punën që kërkojmë. Nuk është kjo e vetmja mënyrë që lezhjanët duhet t’i rikthehen edhe periferisë. Do ishte mirë ngritja e një industrie brenda qytetit të Lezhës. Lezha është një qytet me porte, kemi bregdetin, dy lumenj, zona malore, kemi me të vërtetë shumë resorse për t’u krenuar së bashku me inteligjencën lezhjane, e cila nuk mungon.

Si është raporti mes premtimeve të bëra gjatë fushatës së kaluar dhe mbajtjes së fjalës së dhënë gjatë vitit të parë që qeverisni Lezhën?

Unë kam dhënë ca premtime në fakt, por kam qenë edhe shumë si rezervuar për shkak të njëfarë instinkti që kisha që të mos bëja premtime, të cilat janë të parealizueshme. Në këtë moment jam në rezervat e bashkisë, por megjithëse bashkia ka një defiçit pothuajse 4.5 miliardë lekësh të vjetra edhe pse buxheti im është më pak se kaq, kam arritur të kryejë disa punë disa ndryshime në infrastrukturë përmirësimin e ca shërbimeve në kanalizimin e ujërave të bardha dhe të zeza, të cilat janë një problem për Lezhën. Kemi arritur t’i mbajmë në një gjendje mjaft të mirë. Koha është e gjatë përpara, shpresoj që në vitin 2017 të kem përkrah edhe Kryeministrin e ardhshëm z.Lulzim Basha, me të cilin do të mbajmë 100% premtimet e dhëna.

Mbështetje nga qeveria për projektet?

Situata është mjaft e dobët, mbase qeveria realisht nuk ka, por ky nuk është justifikim sepse kjo qeveri e ka marrë vet përsipër për të bërë punën e saj. Nëse qeveria do të jetë e ndershme në ndarjen e fondeve mendoj që do i realizojmë projektet tona. Kemi një mungesë korrektësie në ndarjen e fondeve për sa i përket qytetit të Lezhës, as dialog nuk ka pasur, por besoj se me këmbëngulje dhe dashamirësi do të arrijmë të bëjmë shumë për Lezhën.

SHKARKO APP