Genci Fuga: “Ejani…ku i dihet”, rastësi, pasiguri dhe humor


“Ejani… Ku i dihet”, shfaqja, e cila do të jepet në Akademinë e Arteve nga e shtuna deri të martën

Genci Fuga: “Ejani…ku i dihet”, rastësi, pasiguri dhe humor

Intervistoi: Sidorela Lepri

Ai ka një jetë në skenë. Njihet për rolet e tij të shumta në teatër dhe film. Por jo vetëm kaq, Genci Fuga është edhe pedagog në Akademinë e Arteve.
“Ejani…ku i dihet”, është shfaqja e fundit që aktori do të interpretojë, e cila do të jepet nga dita e shtunë deri të martën në sallën e madhe tek Akademia e Arteve dhe më pas në datat 17 dhe 18 në Fier. Por cili është mesazhi i kësaj shfaqjeje?
“Nisur nga titulli “Ejani… Ku i dihet?!”, flasim për një aspekt të jetës tonë të përditshme. Është një shprehje që na shoqëron dhe lidhet me relativitetin e jetëve tona, me rastësinë në jetën tonë, me pasigurinë, mungesën e informacionit dhe përpunimit të tij. Dhe kështu do të vazhdoja gjatë. Fatkeqësia qëndron, se për të gjithë të tjerët (kombet e tjera) dihet”, rrëfen Fuga.
Në një intervistë për “Koha Jonë”, Genci Fuga tregon për rolin e tij në komedinë “Sex, Përrallë dhe Celular”, personazhet që ka interpretuar si edhe planet e ardhshme artistike.

“Ejani… ku i dihet”, është shfaqja që ju do të interpretoni së fundmi, titulli i së cilës duket tepër intrigues. Na tregoni disa detaje më shumë për shfaqjen dhe zhanrin?

Bashkë me regjisorin Donard Hasani, po mendonim për mënyra e forma të reja të qasjes së publikut. Menduam që të krijonim një komunikim më të drejtpërdrejtë me publikun dhe zgjodhëm formën artistike të one man shovv, apo stand-up-it. Filluam të marrim në shqyrtim (lexime e përkthime) të aktorëve amerikanë, anglezë e francezë dhe arritëm në përfundimin që të shkruajmë diçka vetë. Një pjesë e mirë e këtyre materialeve të lexuara kishin një humor mbështetur në sisteme shoqërore të konsoliduara (SHBA, Angli, Francë) dhe gjithnjë linin diçka mangët për realitetin tonë! Kështu vendosëm të shkruajmë së bashku të gjithë materialet humoristike.

Cili është mesazhi që përcjell kjo shfaqje?

Nisur nga titulli “Ejani… Ku i dihet?!”, flasim për një aspekt të jetës tonë të përditshme. Është një shprehje që na shoqëron dhe lidhet me relativitetin e jetëve tona, me rastësinë në jetën tonë, me pasigurinë, mungesën e informacionit dhe përpunimit te tij. Dhe kështu do të vazhdoja gjatë. Fatkeqësia qëndron, se për të gjithë të tjerët (kombet e tjerë) “Dihet”.
Kjo shprehje vlen edhe për strukturimin tonë shoqëror. Në rast se do të quajmë shkallë, një i ri në rrugën e jetës (apo hapa), këto shkallë në organizime shoqërore të tjera (kombe të tjera) janë shumë herë më të definuara (të qarta). Para viteve ‘90, ne kishim karrocierë që drejtonin kombin. Pas viteve ‘90 kishim gomistë që drejtonin dikastere të tëra. Në momentin e emërimit të militantëve partiakë, kemi demitizimin e shkollimit dhe “aftësive të trajnuara”, pra shkollës. Dhe gjendemi përballë situatës konfuze: Përse i kërkojmë fëmijëve të ndjekin shkollën?! Pra, shoqëria nuk ka më “shkalle të qarta” përpara brezit të ri (apo të ardhmes). Kjo ka kultivuar tek ne Kultin e “Ku i dihet?!”

A kishit bashkëpunuar me herët me regjisorin Donard Hasani?

Me Donardin kemi bashkëpunuar edhe më parë. Lidhja jonë është e ngushtë edhe për faktin e mësimdhënies (të dy jemi pedagogë në Universitetin e Arteve). Prandaj zgjodhëm që këtë përballje me publikun ta vendosim në “shtëpinë tonë”, Universitetin e Arteve (Salla e Madhe e Universitetit të Arteve).

“Ejani… ku i dihet”, por përse publiku duhet të vi dhe të mos e humbasë këtë shfaqje?

Se do të jetë një bashkëbisedim mbi realitetin tonë, gjithnjë me humor dhe shumë dashuri! Sepse kemi nevojë, që të mendojmë më gjatë për veten tonë dhe dimensionet që kemi në komunitet. Sepse duhet të jemi qytetarë më të mirë! Sepse jemi të mbingarkuar dhe duhet të argëtohemi e qetësohemi! Sepse është bekim kur dhuron dhe merr buzëqeshje! Sepse, bërtitjet dhe loti krijon “ushtarë”, ndërsa buzëqeshja e shakaja krijojnë qytetarë që bashkëbisedojnë. Sepse, jo të gjitha i gjejmë në internet, android e televizor. Sepse do të jetë nga e shtuna e deri të martën në Tiranë, dhe në datat 17 dhe 18 në Fier. Me pak fjalë: Nxitoni! Ku i dihet?

“Sex, Përrallë dhe Celular” është komedia që po jepet këto ditë në kinema, ku ju interpretoni. Si u ndjetë në këtë rol?

Kam shumë fjalë për të thënë edhe për këtë projekt që po shfaqet dhe po ndiqet në kinematë e Tiranës e më gjerë! Doja të falënderoja Erion Kamën (autorin dhe regjisorin e komedisë “Harroje Dashurinë” dhe më pas bashkëskenaristi i “Sex, Perrallë dhe Celular”). Ai ishte iniciuesi i krijimit të karakterit të Kujtimit në skenë dhe më pas në ekran. Doja të falënderoja Genc Përmetin, si producent e bashkëskenarist. Doja të falënderoja Erion Bubulliment për regjinë e filmit! Doja të falënderoja Royal Elezin për kamerën (fotografinë) e filmit. Doja të falënderoja të gjithë kastin e aktorëve dhe njëkohësisht miq të mi, për orët e zgjatura të momentit të xhirimeve e punës profesionale që të gjithë bashkë bëmë. Të gjitha të tjerat janë në dorë të publikut dhe ndjekjes së filmit. Është një film që nuk u bë me shumë buxhet, por me shumë dashuri!

Në petkun, e cilit personazh jeni ndjerë më shumë vetvetja?

Kur dal në skenë e në ekran jam gjithnjë petku i personazhit të përcaktuar, i veshur me shumë dashuri. Sa për veten time, vetvetja është gjatë përgatitjeve të premierave të ndryshme (provave), tek serioziteti dhe dashuria e çdo roli.

Keni interpretuar në teatër dhe film. Nëse do të hiqnim paralele mes tyre, cilën preferoni më shumë?

Janë dy forma të ndryshme komunikimi me publikun. Dhe janë shumë të dashura të dyja për mua. Për mua nuk ka rëndësi forma e komunikimit, por vetë komunikimi me publikun. Kjo është gjëja më e rëndësishme për mua! “Kur ka një dëshirë, gjendet një formë”, thotë anglezi. Në emër të kësaj dëshire, fillon edhe kalvari i sakrificave për profesionin.

Një jetë duke aktruar. A ka diçka tjetër që do të dëshirojë të bëje në vend të aktrimit?

Më pëlqeu fjala “një jetë”! Kam dalë në skenë në moshën 6 vjeç. Jam përpjekur të bëj gjatë jetës edhe gjëra të tjera. E ndjej që mund të bëj edhe gjëra të tjera. Por jam i bekuar me një familje që sakrifikon bashkë me mua, për këtë profesion. Jam i bekuar që të bëj atë që dua, mësimdhënie e krijimtari artistike. Për këtë i falënderoj të gjithë (familje e shoqëri), dhe mundohem t’ua shpërblej me përkushtim.

 Dhe së fundmi, planet dhe projektet e ardhshme artistike?

Është një fundvit shumë intensiv. Po punohet njëkohësisht në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, për një komedi britanike shumë të bukur dhe intensive, që duhet të dalë brenda datës 23 dhjetor. Është një komedi e Anthony Nelson, me regji të Qendrim Rijanit, me partnerë Met Xhelilin, Sotiraq Bratkon, Ermira Gjatën,Adriana Tolkën, Andi Begollin e Dasara Xhangollin.
Mendoj se do të arrij të pushoj e të rri me familjen pas datës 25 dhjetor. Për momentin jam shumë i zënë.  Më besoni më ka marrë malli për vajzat. Ngushëllohem vetëm me faktin që fle në shtëpi dhe i shoh në mëngjes! Falënderoj Enin (bashkëshorten) dhe i kërkoj ndjesë se e kam lënë shumë vetëm me vajzat, në një kohë që edhe ajo ka qenë shumë intensive këtë fundvit. Do të ngre një dolli për mirëkuptimin në familje këtë Vit të Ri! Gëzuar! 

SHKARKO APP