Gjergj Frashëri: Kjo që po ndodh me trashëgiminë shqiptare quhet masakër arkeologjike

 

Intervistoi Ben Andoni

Inxhinieri, arkeologu dhe restauratori Gjergj Frashëri prej kohësh është antagonist me strukturat e trashëgimisë shqiptare. Për hir të së vërtetës, në çdo moment ka mundur të përshfaqë mendimet e tij, por edhe të kritikojë me gishtin tregues, ata që ai mendon si përgjegjës të kësaj rrëmuje që po ndodh, dhe që po e pengon realisht evidentimin e trashëgimisë sonë.

Akuzon gërrmuesit klandestinë, Ministrinë e Kulturës, ASHA, Institutin e Monumenteve por edhe Forumin e Trashëgimisë (intervistuesi ka qenë vetë anëtar i saj në muajt e fundit). “Pasuria arkeologjike po vritet edhe nga dhjetëra ekspedita vjetore që po kryejnë arkeologët e Institutit Arkeologjik (IA) në mbarë vendin.

Ka një parim themelor për ruajtjen e pasurisë arkeologjike shkencore (jo të shpëtimit), ku askush nuk lejohet të kryejë gërmime arkeologjike, në se nuk do të sigurohet më pas konservimi dhe ruajtja e përhershme e substancës që del nga gërmimi. Shikoni si janë katandisur rrënojat e Manastirit të 40 Shenjtorëve mbi Sarandë, të gërmuara nga IA para disa vjetësh – dokument i lënë në mëshirë të fatit që po shkatërrohet dita ditës”, akuzon ai.

Për të arkeologjia nuk ka nevojë për buxhete speciale. Sa më pak buxhete të ketë arkeologjia në Shqipëri për gërmime, aq më pak do gërmohet, domethënë aq më shumë do të ruhet pasuria e saj në nëntokë, thotë Frashëri. Shteti duhet të ketë aq fonde sa të paguajë strukturat e veta që merren me ruajtjen e pasurisë arkeologjike… Dhe akuzon hapur ASHA për ndarje tenderash dhe sesi po e katranosin të gjithë strukturën…

Duket se arkeologjia edhe me ndryshimet e premtimeve për të pasur frymëmarrje ka mbetur në vend. Buxhetet e pamjaftueshme, politika kakofonike dhe painteresi duket se na kthyer sërish pas. Mendoni se është thjesht çështje e paprofesionalizmit apo dëshmi e një mungese vizioni të strukturave të kulturës së qeverisë?

Fillimisht dëshiroj të paraqitem, se jam diplomuar si inxhinier ndërtimi dhe kualifikuar e promovuar si arkeolog dhe restaurator në Shqipëri në dekadat 70’ dhe 80’. Pas punës 25 vjeçare (1990-2015) në disa universitete të Gjermanisë, kam udhëhequr vetë në krye të institucionit tim privat, gërmime arkeologjike nga më të mëdhatë në historinë evropiane (përfshirë edhe restaurimet) në disa qendra qytetesh të Gjermanisë. Prej vitit 2010 kam ndjekur me vëmendje, se si shteti ynë po sillet me ruajtjen dhe mbrojtjen e pasurisë arkeologjike dhe të monumenteve të kulturës. Kam ngritur pareshtur zërin në mediet për dëmet dhe shkatërrimet e tyre. Tashmë ka ardhur koha për shpëtimin e kësaj pasurie. Sepse ajo tashmë ka mbetur më keq se kurrë, e braktisur në mes të udhëkryqit, e sulmuar keqas në njërin krah nga bandat shtetërore grabitëse, ndërsa në krahun tjetër pritet dikush ta shpëtojë nga stuhia e papërmbajtur e anarkisë shtetërore. Nuk mund ta shpëtojë atë askush tjetër veç Ministrisë së Kulturës dhe institucioneve të saj përgjegjëse si Instituti i Monumenteve të Kulturës (IMK), Agjencia e Shpëtimit Arkeologjik (ASHA) dhe ato vartëse si DRKK-të nëpër rrethe, të cilat i ngarkon ligji me përgjegjësi, pa harruar edhe muzetë si hallka ndihmëse…

Dhe të kthehemi te arkeologjia…

Ju pyesni në veçanti për arkeologjinë. Janë tre vrasës sot që e kanë kapur për fyti pasurinë arkeologjike në Shqipëri dhe po ia presin gjymtyrët një nga një deri sa ta zhdukin nga nëntoka e Shqipërisë. Të parët janë gërmuesit klandestinë, ata që gërryejnë dhe plaçkitin tokën arkeologjike me skrepera dhe buldozerë para syve tanë, ata që zhdukin dokumente pa arritur kush t’i shohë e t’i dokumentojë. Këta janë anembanë vendit dhe kanë tunele lidhës me nëpunësit shtetërorë përgjegjës për kontrollin e kësaj veprimtarie. Ka një finale kjo punë. Janë paratë nga trafikimi i objekteve të gjetura. Ministria e Kulturës është brenda në këtë kasaphane.

Dëme po i shkakton pasurisë arkeologjike humbja e orientimit të vetë strukturave drejtuese dhe diletantizmi i punonjësve të Ministrisë dhe i institucioneve vartëse të saj, të cilët në vend që të jenë në rolin e policit për ruajtjen e kësaj pasurie, sillen si shkencëtarë dhe angazhohen vetë me gërmime arkeologjike. Në vend që të ushtrojnë detyrën e tyre për të kontrolluar aty ku ka aktivitete ndërtimore që prekin nëntokën arkeologjike, të hartojnë dokumentacione për kallëzimin e keqbërësve, të ndërtojnë rrjetin e informatorëve deri në thellësi të vendit, marrin vetë vendime dhe bëhen vetë gërrmuesa. Ministria nuk është institucion shkencor për të kryer gërmime, por polici i ruajtjes së vlerave kulturore kombëtare, polici me ligjet në dorë. E njëjta situatë është edhe për Institutin e Monumenteve të Kulturës dhe punonjësit restauratorë të saj.

Pasuria arkeologjike po vritet edhe nga dhjetëra ekspedita vjetore që po kryejnë arkeologët e Institutit Arkeologjik (IA) në mbarë vendin. Ka një parim themelor për ruajtjen e pasurisë arkeologjike shkencore (jo të shpëtimit), ku askush nuk lejohet të kryejë gërmime arkeologjike, në se nuk do të sigurohet më pas konservimi dhe ruajtja e përhershme e substancës që del nga gërmimi. Shikoni si janë katandisur rrënojat e Manastirit të 40 Shenjtorëve mbi Sarandë, të gërmuara nga IA para disa vjetësh – dokument i lënë në mëshirë të fatit që po shkatërrohet dita ditës. Janë me dhjetëra edhe në kohën në vijim. Asnjë qëllim “shkencor” nuk e legjitimon nxjerrjen në dritë të dokumentit  arkeologjik in situ dhe më pas lënien e tij të shkatërrohet për çfarëdo arsye qoftë. Për këto leje është përgjegjëse KKA-ja e Ministrisë së Kulturës….

Po a nuk janë realisht të pamjaftueshme buxhetet?!

Ju pyesni në se mungojnë buxhetet në arkeologji. Arkeologjia nuk ka nevojë për buxhete speciale. Sa më pak buxhete të ketë arkeologjia në Shqipëri për gërmime, aq më pak do gërmohet, domethënë aq më shumë do të ruhet pasuria e saj në nëntokë. Shteti duhet të ketë aq fonde sa të paguajë strukturat e veta që merren me ruajtjen e pasurisë arkeologjike, pra nëpunësit e dikasterit, të IMK-së, ASHA-s dhe ato të DRKK-ve në rrethe. Sipas udhëzimeve evropiane bashkëkohorë, gërmimi arkeologjik parashikohet për rastet e ndërtimeve të reja që prekin tokën me përmbajtje arkeologjike. Shpenzimet për këto gërmime i paguan vetë investitori (ndërtuesi) nga fillimi deri në fund. Shteti nuk paguan gjë. Ai vetëm drejton dhe administron me ligje praktikat, merr vendime për ruajtjen apo mosruajtjen e asaj që del nga gërmimi, koordinon dhe kontrollon tërë aktivitetin dhe palët. Po të bëhen mirë këto detyra, buxhete të tjera për tu shënuar nuk kërkohen.

Ka një konstatim të KLSH-së për mungesë reale të vizionit të Ministrisë së Kulturës sa i përket Trashëgimisë. Ku mendoni ju si specialist nuk është punuar mirë me trashëgiminë?

Nuk kam dijeni se si KLSH-ja ka arritur në këtë  përfundim mbi punën e MK-së mbi trashëgiminë kulturore. Por unë do të përgjigjem vetëm për dy sfera të trashëgimisë, për   pasurinë arkeologjike dhe për monumentet e kulturës.

Dëgjoj të thuhet se Ministria e Kulturës po bën përpjekje për të hartuar një strategji kombëtare dy vjeçare, diku tjetër është njoftuar strategji për periudhën deri në vitin 2020. Mediokriteti jeton midis nesh. Ku ka strategji kombëtare me afate të tilla? Me afate janë vetëm planet dhe detyrat. Strategjitë kombëtare bëhen njëherë përgjithmonë, bëhen me mendjen dhe zemrën më të ndritur të kombit, nga profesionistët më të mirë, marrin vulën e ajkës shkencore akademike të vendit dhe mbahen nën lupën e tyre brez pas brezi. Pastaj atë e aprovon politika  dhe vihet në zbatim. Shqipëria i ka hedhur themelet e kësaj strategjie kombëtare të trashëgimisë kulturore qysh në epokën e Sami Frashërit. Ajo e ndërtoi atë në kohën e diktaturës, me institucionet e duhura, edhe për ruajtjen dhe mbrojtjen e monumenteve të kulturës dhe të pasurisë arkeologjike, si pasuri kombëtare.  Për çfarë është fjala tani, të bëhet një strategji që të mos ruhen më monumentet e kulturës dhe të dhunohet nëntoka arkeologjike, me qëllim që të mos ndëshkohet ministri apo drejtori?

Po a nuk e ngadalëson disi procesi i reformave…

“Ndoshta e keni fjalën se MK po kërkon të bëjë reformën e radhës. Kjo pritet prej dy vjetësh, sepse u premtua se ishte gati qysh në fushatën e zgjedhjeve. Por nuk kemi parë ndonjë koncept deri tani. Pa koncept nuk ka reformë. Konceptin nuk e sjell ministri dhe as nëpunësi i shtetit, as deputeti. Idenë e përparuar e sjell profesionisti, sepse ajo është vijim i evolucionit historik profesional, mbështetet në burimet e përhershme të vendit, mbi nivelin real të zhvillimit tekniko-organizativ të shoqërisë, mbi përvojën dhe preferencat tradicionale që ekzistojnë në vend, mbi mundësitë reale që ka shoqëria jonë drejt kualifikimit të përparuar bashkëkohor, mbi kapacitetet mendore profesionale aktuale që do mund ta përballojnë hopin e reformës, etj. Është si puna e reformimit nga një model i Mercedesit në modelin tjetër. Konceptin e këtij hopi e sjellin të argumentuar specialistët për çdo pjesë të makinës. Pas kësaj, bëhet projekti, shpallet reforma dhe vendoset për prodhimin e modelit të ri në praktikë.

Duke u mbështetur në rezultatet e derisotme, mund t’ju përgjigjem, se MK-ja nuk është në gjendje sot të bëjë një reformë progresive në ruajtjen dhe mbrojtjen e pasurisë arkeologjike dhe të monumenteve të kulturës. Në këto dy drejtime, ajo ka mungesa të theksuara profesionalizmi, ka mungesë të theksuar profilimi (orientimi) të strukturave tekniko-organizative shtetërore të ngarkuara me përgjegjësinë ligjore për kryerjen e një detyre të tillë. Ka mungesë alarmante punonjësish të kualifikuar jo vetëm si profesionistë, por edhe në shinën paralele të përgatitjes së tyre juridike për luftuar dëmtuesit e arkeologjisë dhe të monumenteve. Nuk janë vetëm këto mungesa. Por është edhe lufta pa skrupull që titullarët e Ministrisë i bëjnë individëve shumë të pakët me kualifikim dhe përvojë evropiane në këto dy fusha. Vetë zonja Mirela Kumbaro dhe drejtoresha e saj Arta Dollani u angazhuan në një fushatë skandaloze kundër personit tim, për të hequr  licencën time individuale të restaurimit dhe licencën e Firmës restauruese “AKeR shpk” ku unë punoja si drejtues teknik. Nuk i hoqën ato pse u shkel ndonjë nga pikat e parashkruara në rregullore. Por i hoqën me vendim tejet arbitrar, politik. Jo vetëm i hoqën të dy licencat mbrapa shpine brenda një nate (30.05.2014), por unë e mora vesh aktin e tyre rastësisht pesë muaj e kusur më vonë (07.11.2014). Edhe pse Gjykata Administrative dha vendimin kundër tyre (Nr. Vendimit 1462, dt. 20.03.2015), ministresha e kulturës vazhdon në instanca më të larta gjyqësore, ku ende qëndron prej muajsh atje në pritje (natyrisht atje mund të qëndrojë edhe deri mbas vdekjes time. Ministrja ia heq licencën një kompanie apo një individi brenda një nate, kurse gjykata jonë ta lë të hequr deri pas vdekjes. Amanetin e zotit Neritan Ceka dhe zotit Apollon Baçe më 11.06.2010 (Dueti Ceka-Baçe, Pasuria arkeologjike e Shqipërisë në rrezik, Tiranë 2014, f.122-145 ) e realizoi ministrja e kulturës Mirela Kumbaro më 30.05.2015. Shumë bashkëpunuese dhe konsekuente janë këto bandat blu-mavi e të tjera ngjyrime në shërbim të pushtetit në këtë vend). E tregova këtë thjeshtë si shembull se si punon MK në përgjigje të pyetjes për reformën.

Tani çfarë mbetet për t’iu thënë për fjalët vizion, programe vizionare për shfrytëzimin muzeor edukativ, turistik, patriotik, etj. të monumenteve të kulturës? Sa mund të besoni ju, se MK ka bërë një plan të përgjithshëm kombëtar në fushën e  ruajtjes dhe të mbrojtjes së monumenteve të kulturës së kombit? Më mirë të sjell një shembull. Shikoni ju lutem “restaurimin” më të freskët të dalë nga dora e IMK në Shqipëri, domethënë Shpërfytyrimin e monumentit të Hamamit në Kalanë e Krujës në mënyrë makabre nga e vërteta e tij dokumentare. Rast i pashembullt bashkëkohor i zhvleftësimit të monumentit. Duket sikur jemi në Evropën e  viteve 1820-1830. Kaq mjafton të kuptoni se çfarë “reforme” të vlerësimit të monumenteve të kulturës pritet të dalë nga ndërtesa tashmë makiazh (jo e restauruar) e Kinostudios së Vjetër.

Vini nga një përvojë e mirë e huaj sa i përket arkeologjisë së shpëtimit por idetë tuaja të shpëtimit të siteve të arkeologjisë nuk janë marrë shumë parasysh. Pse Shqipëria mbetet gjithmonë pas zhvillimeve moderne?

Arkeologjia e Shpëtimit në Shqipëri nuk e shfrytëzoi rastin të themelohej në vitin 1992, kur në Valletta të Maltës u nënshkrua Marrëveshja Arkeologjisë së Shpëtimit. Qëllimi i kësaj marrëveshje ishte që të shpëtohej pasuria arkeologjike e nëntokës, e cila parashikohej se do të prekej nga Boom-i i ndërtimeve që do të shpërthente në Evropë dhe sidomos në vendet e ish-Bllokut të Lindjes. Marrëveshja e Valletas rregullon interesat e ndërtuesit (investitorit) për të ndërtuar në sheshe me nëntokë arkeologjike, duke e detyruar kategorikisht atë me ligj, që të përballojë paraprakisht të gjitha shpenzimet për kryerjen e gërmimit arkeologjik, të dokumentimit të tij, konservimeve të nevojshme, të përpunimit të gjetjeve deri në dorëzimin dhe publikimin e raportit të rezultateve. Padyshim në kushte të tilla ishte edhe Shqipëria më 1992. Por ajo e ratifikoi këtë marrëveshje vetëm në vitin 2008, pra 16 vjet me vonesë. Tani ju më pyetët pse Shqipëria mbetet gjithmonë pas zhvillimeve moderne të arkeologjisë. Nganjëherë është me të vërtetë e pakuptueshme. Qysh prej vitit 1992 ne kemi pasur qeveri demokratike, madje me kryeministër që ishte profesionist i ruajtjes dhe i mbrojtjes së monumenteve dhe i nëntokës arkeologjike. Po të ishte ratifikuar kjo marrëveshje qysh në vitin 1992, do ishin hartuar ligjet përkatëse, pra të paktën do të ishte dokumentuar nëntoka arkeologjike në shumë qytete e fshatra të Shqipërisë të gërmuar nga Boom-i ndërtimor. Pra do të kishte shpëtuar e gjithë ajo pasuri arkeologjike që u zhduk pa u dokumentuar. Pra edhe tash e 23 vjet që jemi në liri dhe demokraci përsëri zgjohemi me vonesë.

E megjithatë ka shumë e shumë struktura që merren me trashëgiminë…

Ajo që e administron shpëtimin e nëntokës arkeologjike në Shqipëri është prej vitit 2008 Agjencia e Arkeologjisë së Shpëtimit (ASHA) dhe Këshilli Kombëtar Arkeologjik (KKA) pranë MK. Unë e kam ndihmuar seriozisht dhe gratis MK të vitit 2008-2009 për ngritjen e tyre me konsultat dhe hartimin e rregulloreve sipas standardit evropian. Këtë e kam bërë krejtësisht me shpenzimet e mija, madje duke bërë me dhjetëra herë rrugën Gjermani-Shqipëri, të cilat nuk kishte mundësi gjithkush t’i bënte. U krye edhe një gërmim shpëtimi në “Lulishten 1 Maji” në Durrës në vitin 2010 për t’u parë si shembull se si realizohet një gërmim i këtij standardi evropian.

Në vend që arkeologët e prapambetur profesionalisht të këtij vendi të mësonin atëherë si kryhej një gërmim dhe dokumentim i këtij niveli, i hodhën gurë kësaj pune pa filluar akoma, me në krye zotin Ceka dhe z. Baçe dhe disa profesorë servilë të tyre. Sepse ata, ngaqë nuk ishin dhe nuk janë në gjendje ta bënin, iu trondit kulti i Korifeut. Gërmimi i “Lulishtes 1 Maji, është gërmimi i parë i shpëtimit në Shqipëri dhe më domethënësi i kryer në standardin up-date evropian në të gjitha aspektet e tij. Unë me stafin tim e kam paraqitur atë në mjediset më profesionale evropiane të arkeologjisë së shpëtimit dhe kam marrë konfirmimin e nivelit të tij. Pas një muaji, monografia shkencore prej 800 faqesh e botuar do të dalë nga shtypi në Gjermani dhe do të shpërndahet në të gjithë qendrat shkencore dhe universitare të botës. Do të promovohet edhe këtu, sepse këtu i takon. Mua m’ë vjen mirë që mjedisi ndërkombëtar do të mësojë nga një shembull i praktikës, se në Shqipëri janë vënë në jetë nga dikush udhëzimet dhe metoda e gërmimit arkeologjik evropian të shpëtimit. Besoj se kjo do ta nderojë vendin. Përsa i përket çështjes së ruajtjes in situ, vendimi i takoi Ministrisë së Kulturës, askujt tjetër. Kjo ishte një përvojë që i takonte të ardhmes, pikërisht reformës që pritet në horizont. Por edhe kësaj përvoje i hodhën përsëri gurë katër vjet më vonë në fushatën e zezë mediatike të mirënjohur të muajit maj-qershor 2014, e kërcyer nga trupa e Mëkatarëve të Forumit Famëkeq të Trashëgimisë Kulturore dhe me koreografi titullarësh të Ministrisë së Kulturës.

E megjithatë ekspeditat punojnë në vend…

Mjerisht prej vitit 2010 dhe deri më sot, me përjashtim të dy gërmimeve të vogla shpëtimi, është e pafund masakra që i është bërë nëntokës arkeologjike në vendin tonë prej vetë mungesës së përgjegjësisë së ASHA-s. Ministria e Kulturës e vitit 2013 nuk i afron më specialistët arkeologë të kësaj fushe, natyrisht as mua dhe stafin tim tejet të kualifikuar. Nuk na japin as punë, nuk na afrojnë as në këshillat, as për konsultime. Duket se nuk kanë nevojë për mendime profesionale. Ose kanë frikë, se mos i sheh dikush për ato që bëjnë dhe vendosim. Çfarë arsye tjetër mund të ketë? Nuk na japin as punë, që t’i japin të rinjve mundësi të kualifikohen. Nuhasim se punonjësit e ASHA-s kanë krijuar një rreth vicioz nën hundën e ministres dhe ndajnë tenderat në mënyrë të parregullt midis njëri tjetrit. Bëjnë “pakte” me licencat e arkeologëve të zgjedhur të jashtëm të licencuar, për t’i dhënë projekte dhe për të ndarë paratë. Diku nuk kryhet asnjë punë dhe shkruhet se u krye. Askush prej tyre nuk ka kohë të merret me mbikëqyrjen, me organizimin e informacionit të dëmeve të pasurisë arkeologjike, me kontrollin në terren, me denoncimin e dëmtuesve. Një shpikje e re “albanese” janë dhënia projekteve arkeologjike firmave të ndërtimit me nga një arkeolog të punësuar,  pjellë e mendësisë së kusarëve shtetërorë. Shpresohet se biznesmeni ndërtues i këtij vendi plot kulturë qytetare do të pengojë ndërtimin e vet, po qe se i del arkeologji në sheshin e ndërtimit!? ASHA është transformuar në pesë vjetët e fundit në organizatë shtetërore me vulë dhe firmë të shkatërrimit të nëntokës arkeologjike.

A mendoni dhe a keni sugjerime reale sesi mundë të punohet ndryshe me Trashëgiminë?

Me këta nëpunës dhe “specialistë” të arkeologjisë së shpëtimit dhe restauratorë nuk kam asnjë shpresë. Nuk është vetëm mungesa e theksuar e profesionalitetit të tyre, por mbretëron edhe dashakeqësia, ose më saktë urrejtja dhe hakmarrja prej paditurisë.

Kudo punohet në Evropë ndryshe me trashëgiminë, në krahasim me atë që punohet këtu. Se si do të punoja unë me trashëgiminë kulturore dhe në mënyrë të veçantë me pasurinë arkeologjike dhe monumentet e kulturës, besoj se kam shkruar mjaft në shtyp në pesë vitet e fundit. Kësaj radhe po ju tregoj një letër që i kam dërguar Zotit Edi Rama më datën 04.03 2013, pra para zgjedhjeve. Atëherë i pata kërkuar një takim për të biseduar për çështjet e mëposhtme. Citoj:

“- për një perspektivë të re në vlerësimin e trashëgimisë kulturore, e cila është për vendin tonë një burim industrie jetike shpirtërore dhe materiale;

– për planifikimin dhe zhvillimin e saj, sipas standarteve evropiane;

– për reformimin e institucioneve shkencore shtetërore ekzistuese të kësaj sfere, të cilat e kanë humbur bazën ligjore dhe sociale të kohës kur u krijuan dhe kanë dalë jashtë efikasitetit për mbrojtjen dhe shpëtimin e trashëgimisë kulturore;

– për ndërtimin e strukturave ekzekutive shtetërore të afta në marrjen e vendimeve efikase dhe kontrollin e aktivitetit privat në fushën e arkeologjisë, monumenteve dhe turizmit, në përputhje me kushtet aktuale politike, ekonomike dhe mbi të gjitha, të mendësisë dhe problemeve sociale të sotme të qytetarit dhe të investitorit të këtij vendi.”

Nuk mora përgjigje./Javanews

SHKARKO APP