Gjermeni: Këto vitet e politikës kam mësuar shumë
Shoqëria civile apo politika, cila ju ka motivuar më shumë dhe pse?
Shoqëria civile, politika, mësimdhënia, secila në mënyrën e vet më ka motivuar për t’i bërë gjërat gjithmonë e më mirë. Mësimdhënia të duket sikur prek një grup relativisht të vogël studentësh, duke i dhënë mësim, por ndërkohë grupi i tyre rritej nga viti në vit dhe për më tepër, puna e tyre me njerëzit në nevojë ka patjetër ndikim direkt në jetën e të tjerëve. Gjithmonë marr kënaqësi të veçantë nga ish studentët e mi, që janë profesionistë të zotë dhe i takoj kudo. Shoqëria civile më bënte të ndjehesha e dobishme, me studimet, trajnimet, projektet që realizonim bashkë me koleget, përcillnim ndryshim në jetën e grave dhe vajzave. Ndërsa, politika është një fushë kaq e gjerë dhe prek jetët e kaq shumë njerëzve. Rritet përkushtimi, përgjegjësia, angazhimi dhe padyshim kënaqësia apo motivimi kur arrin të kontribuosh në mirëqënien e qytetarëve.
A mbani ditar, apo shënime?
Jo, nuk mbaj ditar. Nuk mbaj as shënime dhe më vjen keq për këtë gjë. Do të doja që vite më pas t’i rikthehesha për të kujtuar, reflektuar mbi ç’ka kam punuar apo përjetuar.
Koha që mbart për ju kujtimet më të veçanta.
Fëmijëria është një periudhë interesante, që bart kujtime të veçanta për mua. Periudha kur kam kryer studimet për “Master” në SHBA, në vitet 1997-1998, kohë gjatë së cilës ishte bashkë me mua edhe djali im 5 vjeçar. Angazhimi në politikë dhe takimet me shumë njerëz, më sjellin në mendje kujtime dhe mesazhe të veçanta prej tyre.
Historia që do të donit ta kishit harruar, por s’ja keni dalë dot….
Nuk kam ndonjë histori, që do të doja ta harroja. Ka momente, të cilat sa herë i kujtoj mbase më pështjellojnë, por janë pjesë e jetës dhe vështirë t’i harroj. Sado të vështira apo të dhimbshme mund të kenë qenë këto momente, kanë lënë gjurmë në atë që unë jam sot.
Njerëzit që ju kanë lënë kujtimet më të bukura…
Gjyshërit që më kanë rritur me dashuri dhe dhembshuri, ashtu siç vetëm gjyshërit dinë ta bëjnë, më kanë lënë kujtime të bukura. Po kështu, miq e mikesha që jetojnë në vende të ndryshme të botës, me të cilët kam ndarë momente të veçanta, më kanë lënë mbresa e kujtime të bukura, aq sa vështirë të harrohen.
Kush është njeriu që i besoni gjithçka?
Bashkëshorti im, për hir të marëdhënies që kemi krijuar ( 30 vite që njihemi edhe 24 vite që jetojmë bashkë). I besoj shumë tim vëllai, i cili megjithëse disa vite më i vogël se unë në moshë, di të jetë një shok shumë i mirë. Kam edhe disa mikesha apo miq prej vitesh, me të cilët ndaj gjëra të rëndësishme për mua.
A ju kanë zhgënjyer?
Po, jo rrallë më kanë zhgënjyer. Nuk e di pse zhgënjimi është diçka që dhëmb dhe që të prek sa herë që ndodh. Ka raste që edhe fajësoj veten kur zhgënjehem nga dikush, qoftë për mosnjohjen mirë të tij apo saj, qoftë për besimin e tepruar apo dhe pritshmëritë e larta që mund të kem pasur për të.
A ju kanë lënduar?
Po, edhe më kanë lënduar. Edhe lëndimi dhëmb, dhe është i vështirë të harrohet. Besoj se bota do të ishte shumë më e mirë, po qe se njerëzit do të ofronin më shumë dashuri dhe të kish sa më pak lëndim. Të paktën unë vetë përpiqem fort, që edhe të mos i zhgënjej njerëzit duke dhënë maksimumin tim, por edhe të mos i lëndoj ata/ato duke u përpjekur të jem empatike dhe shumë e kujdesshme. Mbase jo gjithmonë ia dal mbanë me sukses, por të paktën jam e sigurtë për diçka, që unë vetë, nuk do të doja kurrë që qëllimshëm të lëndoja apo zhgënjeja dikë.
Kush ju ka rritur, edukuar që në vogëli e më tej?
Padyshim prindërit e mi, por për hir të disa rrethanave familjare, një pjesë të fëmijërisë time e kam kaluar me gjyshërit nga mami. Të dy gjyshërit nuk jetojnë më, por di të them që më kanë rritur me shumë dashuri dhe përkujdesje. Kam mësuar edhe jam edukuar nga prindër dhe gjyshër, të cilëve ju jam shumë mirënjohëse për gjithçka më kanë mësuar, edukuar edhe më kanë bërë kjo që jam sot.
Çfarë nuk ju pëlqen tek vetja?
Natyra njerëzore është e tillë, që kur e dallon çfarë nuk të pëlqen te vetja, përpiqesh ta përmirësosh. Shpesh e gjej veten që merakosem shumë për çdo gjë, apo që kërkoj perfeksionin në gjërat që bëj. Hera herës besoj e teproj, duke u marrë edhe me detajet më të vogla.
Çfarë ju pëlqen?
Vështirë të flasësh për gjërat që të pëlqejnë të vetja… Gjithsesi, nëse duhet patjetër të them diçka, mund të them se më pëlqen mënyra se si komunikoj me njerëzit, si i dëgjoj dhe çdo gjë që bëj për t’i ndihmuar.
Libri që po lexoni, apo keni lexuar së fundmi….
Leximin e kam pasion dhe më vjen keq që nuk kam kohën, që do të doja, për të lexuar më shumë. Këto ditë kam filluar të lexoj librin që është botuar kohët e fundit në SHBA “Originals” ( se si jo-konformistët lëvizin/ndryshojnë botën), i autorit Adam Grant. Ka libra, të cilët edhe pse i kam lexuar më parë u rikthehem, sepse sa herë i lexoj më japin një ndjesi të re. Një prej tyre është “Të bëjmë përpara” ( Lean in) i drejtores operative të Facebook, Sheryl Sandberg.
Muzeu që ju ka mahnitur……
Muzeu i Luvrit në Paris, për mua ishte një mrekulli. Jam mahnitur nga pikturat e piktorëve të mëdhenj, që janë perla edhe të pikturës botërore.
Vendi që keni shijuar më shumë e ku do të donit të ktheheshit gjithmonë…
Të them të drejtën, sado patetike që mund të dukem, vendi që do të doja të kthehesha gjithmonë është Shqipëria. Kam udhëtuar në vende të ndryshme të botës. Padyshim, që më pëlqejnë shumë, i shijoj udhëtimet, kulturat e tyre, rregullin, perfeksionin që mbizotëron në shumë prej tyre, por i shijoj dhe kënaqem vetëm duke i vizituar.
Vendi që ju ka trishtuar më shumë…
Para disa vitesh kam vizituar Indinë, me një grup kolegesh nga shoqëria civile nga rajoni dhe vizituam disa lagje me kasolle (slums), ku jetonin familje të tëra. Jam trishtuar nga varfëria e tejskajshme, mungesa e shpresës dhe e dëshirës për jetën.
Seriali televiziv që keni ndjekur ndonjëherë….
Në përgjithësi nuk shoh shumë televizor, madje këto vitet e fundit shoh akoma më pak. Serialet televizivë, e kam më të vështirë t’i shoh apo ndjek, për shkak të angazhimevë që kam. Por dikur kam ndjekur serialin shqiptar “Njerëz dhe fate”, që më ka pëlqyer shumë. Kam ndjekur disa seri të filmit amerikan “Shtëpiake të dëshpëruara”, duke parë me kujdes dinamikat e ndryshimet kulturore në marëdhëniet njerëzore.
Filmi më i dashur…..
Kam disa filma të preferuar. “Harku i Triumfit” është njëri prej tyre.
Aktori ose aktorja e preferuar…
Julia Roberts dhe Meg Ryan janë artistet e mia të preferuara.
Muzika që dëgjoni….
Më pëlqen muzika e lehtë dhe e dëgjoj me kënaqësi.
A keni një listë këngësh që mbani në telefon apo makinë?
Kam disa CD me këngë italiane, amerikane, franceze, shqiptare, të cilat i dëgjoj me kënaqësi në makinë apo kur merrem me punë në shtëpi.
Pasioni më i fortë……
Në përgjithësi gjërat që bëj, i bëj me dashuri dhe përkushtim. Mbase nuk kam ndonjë pasion shumë të fortë për diçka, por ka disa gjëra që i pëlqej më shumë. Më pëlqen shumë të udhëtoj me familjen time, të lexoj, të dëgjoj muzikë, të dal me miq e mikesha.
Dëshira e parealizuar…
Tani që e mendoj kam pasur një dëshirë kur isha gjimnaziste: të studioja për drejtësi dhe të bëhesha avokate, për të mbrojtur njerëzit që kishin nevojë. Të drejtat e studimit atëherë caktoheshin nga tjetërkush, kështu që nuk më është plotësuar kjo dëshirë. Megjithatë mendoj, që rolin e avokates, përfaqësimit apo marrjes në mbrojtje të një individi apo grupi në nevojë, mund ta bëjmë edhe pa studiuar në Fakultetin e Drejtësisë.
Palestër, ecje apo dietë..
Ecje, kur kam mundësi. E bëj më dëshirë ecjen. Në palestër nuk kam shkuar ndonjëherë. Dietë nuk kam mbajtur ndonjëherë, por tani e shoh që me kalimin e viteve, më duhet të jem pak më e kujdesshme me ëmbëlsirat dhe brumrat ( që realisht i pëlqej shumë).
Ndonjë sport i frekuentuar apo thjesht i preferuar…
Volejbolli është një nga sportet që unë e pëlqej më shumë.
Ku jetoni, në ç’ zonë të Tiranës?
Jetoj në zonën e ish-bllokut, që prej gati 15 vitesh.
A do të donit të jetonit diku tjetër?
Ka momente që jam e kënaqur këtu ku jetoj, sepse mund të eci në këmbë edhe t’i arrij lehtësisht vendet ku dua të shkoj. Ndërkohë, shpesh për shkak të zhurmës apo pluhurit do të më pëlqente periferia e Tiranës për të jetuar, ku ka më shumë gjelbërim dhe qetësi.
Kafja afër shtëpisë, më e preferuara e mëngjesit….
U bë të paktën 3 vite që kafen e pi në zyrë. Më parë, këtu pranë pallatit ishte një kafe simpatike, që më shijonte duke e pirë me disa mikesha të miat.
Restoranti më i frekuentuar, afër shtëpisë….
Ka goxha restorante interesante pranë shtëpisë time, por njëri që preferojmë më shumë familjarisht është “In Puglia”. Kanë një kuzhinier italian dhe gatuajnë kuzhinën puglieze të shijshme edhe interesante . Vajza ime, Megi, sidomos e ka mjaft të preferuar.
Kuzhina që ju shijon më shumë….
Kuzhina italiane është një nga më të preferuarat për mua. Kuzhina meksikane po ashtu. Sa i përket gatimeve, ato që më gatuan mami im, nuk i ndërroj me asgjë tjetërJ
Stilisti apo stili që ndiqni e preferoni…
Unë përpiqem që edhe në veshje të kem stilin që më përshtatet, qoftë personalitetit tim, qoftë edhe pozicionit që kam. Mendoj, që kam krijuar një stil timin të veshjes, që më pëlqen dhe me të cilin ndjehem mirë. Kam shumë vite që veshjet e mia i stilon një mikesha ime, Valbona Karaboja. Ndërkohë, këto vitet e fundit, disa nga veshjet e mia janë stiluar nga stilistja dhe mikesha ime, Mirela Nurçe.
Për çfarë shpenzoni pa fre?
Në përgjithësi jam shumë e kujdesshme në gjërat që bëj. Nuk di të bëj ndonjë gjë pa fre. Për më tepër në shpenzime, mendohem mirë para se të marr një vendim. – Revista MAPO.