Greta Koçi: Jeta ime midis politikës dhe muzikës

 

Këngëtarja Greta Koçi rrëfen detajet e këngës së saj më të fundit “Mas Miri”

Greta Koçi: Jeta ime midis politikës dhe muzikës

Intervistoi: Sidorela Lepri

Pas një mungese relativisht të gjatë në tregun muzikor, ajo është rikthyer fuqishëm me këngën “Mas Miri”. Kësaj radhe këngëtarja Greta Koçi vjen në bashkëpunim me reperin nga Kosova Gold Ag. “Kjo këngë është pritur si asnjë herë tjetër. Kam marrë pafund mesazhe, email-e, covera të këngës që mi kanë sjell të rinj apo të moshave të ndryshme. Kjo tregon një lloj suksesi të këngës.”, rrëfen Greta.
Në një intervistë për “Koha Jonë”, ajo tregon sesi lindi ky bashkëpunim, planet e ardhshme në muzikë dhe angazhimi në fushën politike.

Nuk ka shumë kohë që keni publikuar këngën tuaj më të fundit “Mas Miri” në bashkëpunim me Gold Ag. Si është pritur deri tani kjo këngë?

Kjo këngë është pritur si asnjë herë tjetër. Kam marrë pafund mesazhe, email-e, covera të këngës që mi kanë sjell të rinj apo të moshave të ndryshme. Kjo tregon një lloj suksesi të këngës. Ne e kemi pritur deri diku që do të ishte një këngë e mirë dhe do të pëlqehej, por në këto përmasa nuk e kishim menduar. Jam shumë e kënaqur me mënyrën sesi është pritur kënga.

Si lindi ideja për të bashkëpunuar me Gold Ag?

E gjitha ka qenë rastësore. Ne kemi qenë në një tavolinë duke biseduar rreth projekteve tona dhe në një moment Goldi më thotë: “Greta, bëjmë diçka të bukur bashkë”? Sigurisht i them, pse jo. Unë pata një demo gati nga DE Vox dhe Gramoz Kozeli, ia dhashë ta dëgjonte, e pëlqeu dhe filluam nga puna. Nuk e kemi zgjatur shumë me këngën dhe ndodhi që kjo këngë goditi shumë shpejt tek publiku (qesh).

Cilët janë bashkëpunëtorët e klipit?

Klipi është realizuar nga Max Production, këngën Gramoz Kozeli me De Vox, ndërsa tekstin e ka shkruar Goldi.

Keni qenë shumë aktive në tregun muzikor dhe tashmë riktheni pas një pauze relativisht të gjatë. Përse kjo zgjedhje?

Kam qenë e impenjuar në politikë dhe prandaj jam stepur pak. Por edhe kam pushuar, sepse e kam gjykuar të nevojshme. Por di të them që gjatë kësaj periudhe unë kam qenë aktive në plot koncerte.

Përveçse angazhimit politik, koncertet sikurse e thatë, jeni marrë me diçka tjetër gjatë kësaj kohe?

Jo, kam qenë totalisht e fokusuar tek politika, takimet e përditshme, fushata dhe lëvizjet në të gjitha rrethet.

Po të heqim paralele midis politikës dhe muzikës, duket se ato ecin në drejtime të ndryshme. Nëse për një çast do të ju duhej të zgjidhnit midis tyre, ku do të fokusoheshit?

Më shqetëson shumë kjo që mund të duhet të zgjedh, sepse e kam shumë të vështirë të zgjedh midis muzikës dhe politikës (qesh). Të punosh me të rinjtë është shumë punë e bukur, unë e bëj me shumë përkushtim dhe dashuri. Por aq sa janë të ndryshme këto profesione, janë edhe të ngjashme. Sepse tek të dyja ke të bësh me njerëz. Ndoshta kjo është arsyeja që edhe unë kam hyrë në politikë. Besoj se njerëzit që i futen politikës, janë njerëz të suksesshëm në një fushë të caktuar. Pjesa e të pasurit publik dhe dashamirës më ka ndihmuar që këta njerëz të më ndjekin edhe në politikë.

Raporti yt me koncertet?

Pothuasje çdo fundjavë jam në koncerte. Në këtë periudhë më shumë koncerte kam pasur në diasporë.

Do të merrni pjesë tek Kënga Magjike?

Jo. Do kisha pasur dëshirë, por intensiteti i punëve ndonjëherë të rrëmben.

Me cilin artist do të donit të bashkëpunonit në vazhdim?

Ka shumë këngëtarë që i preferoj, por nuk dua të veçoj emra. Ndonjëherë bashkëpunimet vinë edhe në mënyrë rastësore, sikurse ishte në këtë rast me Gold Ag. Qëlluam rastësisht, ramë dakort për këngën dhe doli diçka e bukur. Shumë bashkëpunime të suksesshme janë më tepër rastësore.

Muzika për ju është profesion apo pasion?

Është profesion. U bënë tashmë plot 15 vite që merrem me të.

Shpeshherë ndodh të spekulohet me jetën privatë të artistëve. Po në rastin tuaj?

Kanë spekuluar edhe pse jo shumë. Kjo ndoshta sepse as unë vetë nuk i kam dhënë shkak. Jam ndjerë keq edhe kur mund të kem lexuar lajme krejtësisht të pavërteta.

Keni diçka nga jeta juaj private për të ndarë me publikun?

Për momentin asgjë konkrete. Por edhe në momentin që do të kem diçka, nuk dëshiroj që të jetë publike. Unë si natyrë jam shumë tradicionale. Nuk e konceptoj dot një lidhje sa për të kaluar kohën. Konceptimi im për një lidhje është krijimi i familjes. Në momentin që kjo do të ndodhë, sigurisht që do të merret vesh (qesh).

Miqtë më të mirë i keni në politikë, muzikë apo jashtë saj?

Nga të dyja fushat. Kam miq shumë të mirë artistë, po ashtu edhe politikanë.

Ambiciet e ardhshme në politikë?

Jam angazhuar në politikë për një qëllim të përbashkët. E para është një lloj ideali. Ti e ndjen, beson në atë program dhe i bashkangjitesh. Kam dhënë kontributin tim në Forumin Rinor me aq sa unë kam patur mundësi. Nuk mund të them ambicie, por di të them që do punoj fort dhe do përkushtohem. Në PD secili merr atë që meriton. Por nuk e kam tek shpërblimi, më shumë sesa tek ajo që unë dua të jap në atë parti.

Dhe së fundmi, planet e ardhshme artistike?

Kam në plan për të realizuar një këngë tjetër. Mund të jetë solo, por mund të jetë edhe një bashkëpunim me disa këngëtarë. Nuk do të zbuloj më shumë se kaq (qesh). 

SHKARKO APP