Guvernatori i BSH-së: Kriza greke nuk na rrezikon

 

“Shqipëria dhe bankat në vendin tonë nuk janë të rrezikuara nga një faliment i Greqisë”. Kështu deklaron guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, në një intervistë për Top Channel.

Ai thotë se mund të ndihet një ulje e remitancave dhe shkëmbimeve tregtare, por këto fenomene kanë ekzistuar edhe më parë.

Sa është masa e kredive të këqija dhe çfarë efekti po japin ato në ekonominë shqiptare?

Kreditë e këqija janë pengesë për rritjen e kreditimit. Përfaqësojnë një pjesë të portofolit të bankave, e cila është e konsiderueshme. Janë 22.8% e totalit të gjendjes së kredive në sistemin bankar. Janë mjaftueshëm që të krijojnë një gjendje pesimizmi në funksion të kreditimit dhe rritjes ekonomike.

Të enjten u mbajt forumi i tretë financiar. Çfarë u diskutua dhe a ishin kreditë e këqija në fokusin e këtij forumi?

Pati një diskutim mjaft frytdhënës duke iu referuar të gjithë problemeve që lidhen me kreditë me probleme në Shqipëri.

Me çfarë rekomandimesh doli ky forum?

Ne dolëm me një plan aksioni ku u përcaktuan më qartë strategjitë për adresimin e problematikave për kreditë e këqija. Problematikat konsistonin me ristrukturimin vullnetar të borxhit të kredive të këqija. Kjo do të thotë që vetë bankat, në bashkëpunim me klientët, të dakordësohen për një ristrukturim të borxhit, në mënyrë që t’i japin frymëmarrje biznesit për të vazhduar ecurinë në mënyrë pozitive dhe për të shmangur trajtimin e tyre nga gjykatat.

Në forum u diskutua gjithashtu edhe për kolateralet, për ato raste që janë në pikën e fundit, që nuk kanë shpresë për ristrukturim.

U trajtuan probleme që kanë të bëjnë me fshirjen e kredive nga bilanci dhe me trajtimin fiskal të kredive nga bilanci. Ka probleme në shtyrjen e rasteve për ekzekutimin e kolateraleve në drejtim të arkëtimit dhe të zgjidhjes së problematikës për kreditë e këqija.

Ne shpresojmë që do të ketë një adresim pozitiv nga sistemi gjyqësor në raport me kreditë e këqija.

Po Greqia, a ka shanse për një zgjidhje të shpejtë?

Politika dhe populli grek po ballafaqohen me dy opsione. Një opsion është pranimi i ofertës së kreditorëve me planin e masave që kanë të bëjnë me pensionet dhe taksat. Opsioni i dytë është mospranimi i planit të masave dhe kjo do ta çonte Greqinë në një kolaps politik dhe ekonomik.

A kanë arsye qytetarët shqiptarë të jenë të shqetësuar? A do të ketë efekt negativ në ekonominë shqiptare skenari grek?

Ndikimet janë dhënë këto 5 vite dhe ndikimi kryesor është në aktivitetin e import-eksporteve dhe në rënien e mëtejshme të remitancave që do të ishte e papërfillshme, pasi kryesisht ato kanë rënë. Dua të theksoj që sistemi bankar shqiptar është i imunizuar, pasi Banka e Shqipërisë prej disa vitesh ka marrë disa masa rregullative dhe mbikqyrëse që nga nisja e krizës greke për të krijuar një funksionim sa më normal të bankave greke në vend. Bankat shqiptare me kapital grek janë filiale, nuk janë degë të bankave greke. Kemi marrë masa që nga pikëpamja ligjore dhe organizimi i tyre, të kenë një pavarësi nga bankat greke. Bankat shqiptare me kapital grek në Shqipëri janë me tepricë likuiditeti dhe me tepricë kapitali. Pra, janë të mirëkapitalizuara. Raporti i kapitalit për bankat greke është mbi mesataren. Është rreth 17%, kundrejt 12% që ne e kemi si kërkesë rregullatore. Gjithashtu, bankat greke e kryejnë operimin e tyre pothuajse me 100% depozita të shqiptarëve. Duhet theksuar se një situatë mosbesimi nga ana e depozituesve është e pranishme, por ne kemi marrë masa që të jemi me tepricë likuiditeti dhe nuk parashikojmë asnjë problematikë. Mund të ketë dhe zhvillime pozitive në ekonominë shqiptare, pasi kthimet e emigrantëve do të shoqërohen edhe me flukse kapitali. Kemi vënë re që në fillimet e krizës greke ka pasur hyrje të kapitaleve nga Greqia, pasi emigrantët i kanë tërhequr kursimet e tyre nga bankat greke duke i sjellë në ato shqiptare. Ky fenomen po vihet re edhe gjatë këtyre ditëve. Ka rritje të depozitave në bankat shqiptare nga situata e mosbesimit në Greqi./ Top Channel

SHKARKO APP