Hafizi: Parti e re? Jam gati të angazhohem

“Unë e di që është një forcë kolosale, e di që nuk është e kollajshme në kontekstin shqiptar, unë për vete do të isha gati të angazhohesha”. Deputetja e Partisë Socialiste, Mimoza Hafizi, ka zbardhur bisedën e zhvilluar me përfaqësues të partive të majta evropiane. Ajo theksoi se takimi ishte bërë me kërkesë të tyre të posaçme, përpara se të mbërrinin në Shqipëri dhe në fund, siç theksoi Hafizi, mesazhi ishte i qartë prej tyre: Mos u ndalni!

 

***

A i druheni faktit se mund të keni një përjashtim eventual?

Për t’u druajtur, s’i druhem fare, sepse nuk e kam kushtëzuar qëndrimin në Partinë Socialiste me asnjë shkelje të lirisë personale dhe as shkeljes së normave themelore të bashkëjetesës, shkeljen e dinjitetit as timin as të dikujt tjetër. Këtu nuk ka fare droje! Do të më kishte gëzuar fakti nëse gjithë kjo betejë të kishte një impakt brenda Partisë Socialiste, të kishim një shpresë që kjo parti të ishte e socialistëve dhe jo një parti personale e një njeriu ose një grupi njerëzish.

Mendoni se ka një impakt?

Deri më tani shenjat janë negative. Sa më shumë e kemi rritur presionin, aq më tepër arrogancë kemi ndeshur nga ana tjetër. Situata nuk është aq optimiste.

Të shtunën zhvillohet mbledhja e Asamblesë për strukturat e saj…

Unë do të kisha dashur të dija rendin e ditës së Asamblesë, siç na është dhënë gjithmonë. Unë dua të di nëse ka vetëm zgjedhje, apo edhe debat. Të parashtrojmë disa kërkesa, apo do të shkojmë thjesht për të votuar. Kur duam ta dimë rendin e ditës? Në momentin e fundit?

A ka shpresë në Partinë Socialiste apo mos po synohet një parti e re e majtë, e formuar nga elementë me shumë zë në Partinë Socialiste?

Këtë nuk mund ta parashikoj dhe nuk mund ta nis me paragjykime. Ne këtë periudhë 4-mujore e kemi shpenzuar me bazën për të marrë opinionin e tyre.

Nëse qytetarët do ta kërkojnë një forcë të re politike?

Unë e di që është një forcë kolosale, e di që nuk është e kollajshme në kontekstin shqiptar, unë për vete do të isha gati të angazhohesha. – “Ora News”.

SHKARKO APP