Haradinaj: E keqja e Kosovës prej atyre që qeverisin, jo nga AAK
Nga Jonida Hitoveizi
Temat e nxehta në Kosovë dhe qëndrimi i partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kanë qenë në fokus të pjesës së parë të intervistës me Ramush Haradinaj për TemA Tv. Kryetari i AAK-së deklaron se e keqja Kosovës i ka ardhur nga ata që kanë qeverisur deri tani, ndërsa shprehet se partia e tij ka të gjitha shanset që të marrë sërish besimin e qytetarëve të Kosovës dhe nga 10% që është aktualisht të arrijë në 18% të votave. Për Haradinaj nuk do të ketë asnjë kompromis për temat nacionale, ndërsa sa i takon ekstremizmit fetar në Kosovë, Haradinaj thotë se ai mund të jetë kërcënim, nëse Kosova nuk i qartëson orientimet e veta.
Zoti Haradinaj keni një ashpërsim të gjuhës politike së fundmi. Kujtoj këtu deklaratat për kufirin ndarës me Malin e Zi dhe cilësimin që keni bërë ndaj një zyrtari të qeverisë të cilin e keni quajtur homoseksual. Çfarë ka ndodhur me ju?
Zakonisht në politikbërje, në opozitë mënyra si e dramatizon një temë është prej asaj që bën një bën një institucion deri tek mobilizimi qytetar. Rasti i fundit ishte ofendim direkt, kur u provua të kalohej në Komisionin për Politikën e Jashtme një raport i komprometuar, i një zyrtari të komprometuar për kufirin. Bazuar në këtë raport Kosova mund të humbë mbi 12 mijë hektarë territor. Nëse i ndjamë këta hektarë në metra katrorë për një shtëpi apo pshimore në vjeshtë kishte mjaftuar për gjithë Kosovën. Meqë është në pikëpyetje kaq vlerë për vendin tim nuk do kursej as fjalorin as veprimet as çfarëdoqoftë. Kosova nuk është vend pa zot, që disa matrapazë ose përdhora të besojnë se kanë të drejtë të veprojnë kështu m epronat e kosovës
Nuk mendoni se për një politikan kjo gjuhë e përdorur është e tepruar?
Le ta vlerësojnë të tjerët. Dhembi im dhemb tek ajo që po i ndodh Kosovës, jo tek gjuha ime.. Atyre që u dhemb tek gjuha ime, punë e madhe. Kur dikush provon të manipulojë me vendin tim, t'i humb 12 mijë hektarë territor, jo gjuhën, por çkadoqoftë e nevojshme, gjithë arsenalin do t'ia drejtoj atij.
Nuk është se keni humbur kontrollin, qetësinë tuaj?
Po e kam humbur. Dhe do ta humb prap sa herë është nevoja për tema të tilla dhe ndjeshmërie e tillë. Nuk bëhet fjalë për kurrëfarë korrektesë në gjuhë apo etike morale kur dikush para syve të tu provon të të humb territorin e vendit mos mendoj kush se do ta ruaj kontrollin.
Ka pasur dhe një reagim nga komunitetit LGBT lidhur me fjalën që keni përdorur për të fyer një zyrtar të lartë, keni një koment?
Kam dëgjuar për këtë dhe i kam adresuar një kërkesë për falje komunitetit LGBT. Arsyeja është e thjeshtë, nuk kam komuminkuar me ta, por ka qenë shpjegimi për karakterin e dikujt që po bën një dëm për popullin në Kosovë. Ndërsa sa i përket LGBT është e drejtë e tyre, nuk përfshihem në një debat të tillë.
Meqë jemi tek qetësia ku pohuat se do ta humbisni sërish, a ka të bëjë kjo me rënien e AAK-së? Kujtoj se keni humbur Pejën, Gjakovën. A është e ndikuar kjo nga gjendja e partisë tuaj?
Kur kam humbur Pejën e Gjakovën kam ruajtur kontrollin dhe i kam uruar ata që kanë fituar. Po kur humb territor të vendit tim, për të cilin kam luftuar dhe kam qenë gati të vdes mos të kërkoj dikush të ruaj kontrollin. Sa herë është diçka në pikëpyetje situatë e tillë jo luftë për pushtet e vota dhe kur dikush manipulon në dëm të Kosovës, duhet të presin gjithë arsenalin e nevojshëm.
AAK njihet si një parti që bastion të saj ka Dukagjinin, por edhe si parti me lidhje nepotike. Mendoni se mund t'ia dalë AAK të qëndrojë në kohë dhe të fitojë besimin me votë të qytetarëvë të Kosovës?
Nuk është si thoni ju. Aleanca qeveris në tre komuna, njëra prej të cilave është Obiliqi, bashkëqeverisim në Ferizaj, në Lipjan dhe në Gjilan. Pra Aleanca është e shtrirë në gjithë Kosovën. Më shumë është e shtrirë jashtë Dukagjinit, Në Dukagjin fare nuk kemi pushtet tani, hiq Deçanin.
Ekziston një tendencë për ta shpjeguar Aleancën,në mënyrën si dhe ju e keni dëgjuar dhe nuk ju fajësoj. Ne jemi parti e cila ka pasur gjithmonë 10 përqind nga viti 2000 në çdo zgjedhje dhe vetëm një herë ka pasur 18%. Si do të jetë e ardhmja e Aleancës, populli e di. Pa marrë parasysh sa popullore do jenë temat, po për temat nacionale, nuk do të bëjmë kompromis.
Po për një parti që funksionon me njerëz të afërt familjarë?
Është e vërtetë, mëse e vërtetë. Ka njerëz të familjes sime pjesë e partisë, por ata janë qytetarë të vendit tim, me vlera aq sa unë. Janë formuar prej vetes nga e kaluara dhe sot janë të respektuar në shoqëri, jo prej meje.
Mund të duket familjare, por nuk është ashtu. Vëllai im p.sh Daut Haradinaj me secilën parti politike po të kanddidoj,p.sh me PDK bëhet deputet, po ashtu me LDK-në, Vetëvendosjen bëhet deputet.
Për të mos u quajtur që nuk jemi familje, ai ka pasur dy zgjidhje; ose mos të kandidojë ose të kandidojë me një parti tjetër. i ka ardhur më mbarë të kandidojë me AAK-në.
Kohët e fundit po përpiqeni të fitoni një indentitet si një ndër politikanët që jeni prerazi kundër radikalizmit fetar…
Nuk po përpiqem fare. Ja shihni çfarë ka në zyrën tonë. Kjo është figura jonë nga viti 2000, Nënë Tereza dhe Skënderbeu., Identiteti ynë është shqiptar, jemi të respektueshëm ndaj besimit ndaj fesë, besojmë që toleranca fetare, e bëjnë shqiptarin atë që është, por nuk jemi araab dhe ky është një pozicion i qartë.
Sa mbështetje mund të keni realisht në publik, duke qenë se në Kosovë ka shumë praktikantë të besimit islam?
Kjo është diferenca. Nuk e bëjmë gjithçka për votë, ju thashë më herët. Mbrojmë atë që kemi trashëguar mijëra vjet që jemi shqiptarë dhe mbesim të tillë.
Shihni rrezik real për Kosovën nga ekstremizmi fetar?
Nëse Kosova nuk i qartëson orientimet e veta, mundet, por besoj që jo. Sepse në Kosovë ka një orientim të qartë pro Europë-Nato. Ne kemi respekt dhe tolerancë për gjithë popujt në botë, por jemi europian.
Si mund të bëhet AAK një parti më e madhe. Çfarë po përpiqeni t’i shtoni kësaj partie në vlerat e saj për të fituar besimin e qyetarëve të Kosovës?
Aleanca është një parti e madhe, është më e madhja që ekziston.
Flasim për një parti me vota…
Vota nuk është dhe aq treguese, sepse ne nuk kemi rendur pas votës në dëm të vendit.
Ne kemi pasur një trend të dyfishimit njëherë. Në vitin 2009 Aleanca ka shkuar nga 10% në 18.3 %.
Unë kam shkuar në Hagë, hera e dytë dhe jemi kthyer prap në 10 përqind. Kemi atë 10% tani. Gjendja që ka Kosova sot, nuk jemi ne shkaktarë të mossuksesit. Nuk jemi në qeveri, por jemi mandati i tretë në opozitë. Sot nuk na adresohet neve e keqja e Kosovës. Askush nuk mund të thotë që falë qeverisjes së Aleancës Kosova nuk është mirë. Ne kemi parametra reale tani të marrim besim, të na kthehet besimi, ai 18% në zgjedhjet që vijnë.
Cilat janë këto parametra?
Pikërisht fakti që nuk e kemi shkaktuar ne të keqen. Kemi mbajtur qëndrime parimore, jo populiste, jo lakmitare për votë, por kemi mbrojtur atë që kemi menduar se është vlerë e jona afatgjatë, e patregtueshme. Kjo na bën më të besueshëm në proceset që vijnë…..