“Harrojeni antikorrupsionin pa drejtësi të pastër”
“Një prokurore, e cila flet pak, por në Rumani ka shkaktuar një ‘tërmet’, duke u kthyer në simbolin e luftës pas kompromis të antikorrupsionit”. Kështu e nis një artikull të gjatë prestigjiozja “The New York Times” për gruan e hekurt të drejtësisë rumune, Laura Codruta Kovesi, e cila ka çuar pas hekurave kryeministrin e vendit, ministra dhe senatorë.
Vladimir Tismaneanu, profesor i politikës në Universitetin e Maryland, thotë për “The New York Times” se “Laura Codruta Kovesi tani është kthyer në gruan që e kanë frikë të gjithë, madje edhe si më e urryera në Rumani”. Sipas tij, “ajo ka shkaktuar “tërmetin më të madh politik të ndodhur ndonjëherë në Rumani, që nga viti 1989”.
Por ata të cilët ajo i ka dërguar pas hekurave për afera korruptive e kanë etiketuar si “staliniste” dhe drejtoria e saj, me përgjimet dhe filmimet, përdor të njëjtat metoda si ato të shërbimit sekret në kohën e Çausheskut. Të tilla akuza, prokuroja i ka hedhur poshtë si absurd, duke deklaruar se metodat e ekipit të saj në mbledhjen e provave përdoren në të gjithë botën.
Kritiku i saj më i egër për t’i njollosur punën e Drejtorisë Kombëtare të Antikorrupsionit është një grupim mediatik, i udhëhequr nga Dan Voiculescu, politikan njëkohësisht edhe biznesmen i dënuar me 10 vite burg për korrupsion.
Zonja Kovesi, një ish-basketbolliste në rininë e saj, është prokurore karriere që ndoqi profesionin e babait. Ajo do të gradohej në Universitetin e Cluj për drejtësi. Pas gradimit në vitin 1995 do të niste serinë e detyrave të ndryshme në drejtësinë rumune, që atë kohë Komisioni Europian do ta cilësonte si të “nënshtruar nga ndërhyrjet politike dhe korrupsioni”. Më pas, drejtoi Departamentin e Hetimit të krimit të organizuar dhe terrorizmit.
Në tetor të vitit 2006, ajo do të emërohej Prokurore e Përgjithshme e Rumanisë, duke u bërë femra e parë që mbante këtë post. Atë kohë 33-vjeçe, Kovesi shënoi një tjetër record; atë të Prokurores së Përgjithshme me moshën më të re në historinë e drejtësisë së këtij vendi.
Drejtoria Kombetare e Antikorrupsionit në Rumani, e krijuar në vitin 2003, nisi të hetonte zyrtarë të niveleve të ulta, larg pritshmërive të BE-s në luftën kundër korrupsionit. Kthesën e madhe kjo drejtori e mori kur në krye të saj u emërua prokurorja Kovesi, e cila nisi të hetonte pa dallim zyrtarë të niveleve të larta. 90% e dosjeve që ajo dhe ekipi i saj kanë çuar në gjykatë kanë qenë të suksesshme, mes tyre edhe 18 gjykatës tashmë të dënuar.
Në muaj prill 2015, ndër 400 kandidate, revista “Forbes” e renditi në krye të listës prokuroren Kovesi si gruan më me influencë në Rumani.
Më poshtë vijon e plotë intervista e saj për Top Channel
Top Channel: Nga informacionet që keni, cili është perceptimi juaj për drejtësinë shqiptare?
Laura Codruta Kovesi: Është shumë e veshtirë të bëj një vlerësim për mënyren se si funksionon drejtësia në Shqipëri, por unë jam këtu në kuadër të një programi të organizuar nga EURALIUS, ku u lancua një raport në të cilin kishte disa pika. Në raport tregohej mënyra se si janë të organizuar dhe funksionojnë institucionet e sistemit gjyqësor. Mund të them vetëm se ka disa probleme që lidhen me legjislacionin, me mënyrën e organizimit të strukturave që luftojnë korrupsionin në nivel të lartë.
Top Channel: Nëse i bëjmë një bilanc antikorrupsionit në Shqipëri, 25 vitet e fundit kemi vetëm dy gjyqtarë të dënuar, asnjë prokuror dhe asnjë zyrtar të nivelit të lartë. Sipas jush, përse ndodh kjo?
Laura Codruta Kovesi: Në të vërtetë numri i personave të dënuar është një kriter vlerësimi i eficencës së luftës kundër korupsionit. Mund ose të themi se nuk ekziston korrupsion, gjë që është e vështirë për t’u besuar; ose të themi se institucionet që luftojnë korupsionin nuk janë shumë eficientë në hetimin e këtij fenomeni. Për të luftuar në mënyrë eficente korupsionin duhet eliminuar, në radhë të pare, korupsioni nga sistemi i drejtësisë. Nëse nuk keni një drejtësi të pastër, nuk mund të pastrosh sistemet e tjera të aktivitetit. Mendoj se në këtë perspective, një nga problemet thelbësorë është mentaliteti. Edhe në Rumani, para disa vitesh ekzistonte nje mentalitet, sipas të cilit “nuk hetojmë kolegët tanë, ose lëri ata që bëjnë pjesë në sistemin e drejtësisë, nuk duhet t’i hetojmë”. Totalisht false! Ashtu fillon pastrimi, duke vendosur në radhë të parë rregull në institucionin që si detyrë parësore ka luftën ndaj korrupsionit, duhet identifikuar një trupë prokurorësh profesionistë, korrektë, të cilët të hetojnë raste të tilla. Më pas, një premisë shumë e rëndësishme është sigurimi i pavarësisë dhe stabilitetit të prokurorëve në detyrë. Në qoftë se nuk kë garancinë që në momentin që bën një hetim për një ministër ose një deputet, do të mund ta mbash vendin e punës dhe mund të kryesh i qetë hetimin, ateherë do të ishte shumë e vështirë të hetoje dosje të tilla.
Top Channel: Ekziston një perceptim publik se njerëzit e drejtësisë në Shqipëri mbrojnë njëri-tjetrin, madje ka nga ata që besojnë se gjykatësit apo edhe prokurorët kanë krijuar një kartel. Si mund të zhbëhet ky kartel? Si mund të largohen njerëzit e koruptuar nga drejtësia shqiptare?
Laura Codruta Kovesi: Po, ekziston një farë solidariteti në sistemin e drejtësisë dhe që ndoshta ekziston në çdo kategori zyrtarësh. Por në Rumani ky problem u zgjidh nëpërmjet krijimit të një strukture të specializuar në luftimin e fenomenit të korupsionit. Të gjitha hetimet që u bëhen prokurorëve ose gjykatësve kryhen nga Drejtoria Kombëtare e Antikorupsionit, e cila është e vetmja strukturë që mund të bëjë hetime te tilla. Mendoj se, në radhë të pare, kompetenca duhet t’u jepet ekskluzivisht prokurorëve; në radhë të dytë, kjo strukturë që ka nën hetim këto vepra të formohet nga prokurorë profesionistë, të cilët dëshirojnë të bëjnë punë; dhe në radhë të tretë, besoj se afrimiteti/komunikimi me qytetarët është tepër i rëndësishëm. Dua t’ju them se të paktën gjatë vitit të fundit në Rumani, 90% e dosjeve të hapura ndaj gjykatësve ose prokurorëve nisën si pasojë e njoftimeve të marra nga ana e qytetarëve. Në shtatë vitet e fundit në Rumani janë dërguar në gjykatë më shumë se 110 prokurorë dhe gjykatës, nga të cilët pothuajse gjysma janë dënuar dhe disa prej tyre vuajnë dënimin në burg. Mendoj se një përqasje më e madhe me qytetarët, një transparencë në aktivitet do të ndihmonte shumë sistemin e prokurorisë të hetonte raste të tilla.
Top Channel: Ka një debat në Shqipëri për reformën në drejtësi se kush duhet ta udhëheqë. Presidenti i Republikës, si kreu Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Parlamenti, Ministria e Drejtësisë apo Komisioni Venecias. Cili mendoni duhet të ketë rol udhëheqës në këtë reformë?
Laura Codruta Kovesi: Mendoj se nuk ka një përgjegjës të vetëm për reformën në drejtësi. Mendoj se ekzistojnë më shumë institucione, që sëbashku duhet të gjejnë një mënyrë komunikimi, të identifikojnë zgjidhjet më të mira ligjore dhe t’i aplikojnë. Një rol të rëndësishëm e ka Parlamenti për përshtatjen e një legjislacioni të duhur. Është tepër e rëndësishme që prokurorët të kenë instrumentët e nevojshëm për kryerjen e hetimeve; është tepër e rëndësishme për KLD-në dhe Presidentin të garantojnë pavarësinë dhe qëndrueshmërinë në detyrë të prokurorëve dhe, më e rëndësishme është që prokurorët të fillojnë të bëjnë hetime proactive, ndërsa gjyqtarët të gjykojnë në afate të pranueshme. Kështu që, për të pasur rezultate në luftën me korupsionin nuk mjafton që një person i vetëm të bëjë diçka, por duhet që të përfshihen më shumë institucione. Në radhë të pare, është tepër i rëndësishëm vullneti politik që të dëshirojë të ndryshojnë këto gjëra, dhe në radhë të dytë, është tepër i rëndësishëm presioni publik që mund ta bëjnë qytetarët e Shqipërisë, në mënyrë që të mund të ndryshohen gjërat edhe në këtë vend.
Top Channel: Ju drejtoni DNA-në, Drejtorinë Kombëtare të Antikorrupsionit. Diçka të ngjashme, qeveria aktuale kërkon të ndërtojë, atë që njihet si Byroja Kombëtare e Hetimit, me fokus hetimin e rasteve korruptive të nivelit të lartë, evazionin fiscal, përfshirë krimin e organizuar. Si ju duket kjo iniciativë, e cila ka gjetur përkrahjen e FBI-së amerikane dhe Qeverisë Britanike?
Laura Codruta Kovesi: Është e rëndësishme ekzistenca e strukturave të specializuara, sepse në këtë mënyrë, prokurorët do të jenë të specializuar në kategori të ndryshme shkeljesh. Me të vërtetë fenomeni i korupsionit mund të lidhet me krimin e organizuar ose evazionin fiscal, por pavarësisht mënyrës së organizimit ose të legjislacionit është tepër e rëndësishme që prokurorët të jenë të vetëdijshëm për rolin që kanë dhe të bëjnë hetime efektive dhe proaktive. Kot ndërtojmë institucione, kot ndërtojmë ligje, nëse nuk ekziston një përqasje proaktive në luftimin e këtyre fenomeneve. Jam e bindur se në Shqipëri ka shumë prokurorë, të cilët dëshirojnë ta bëjnë këtë gjë, dhe një strukturë e organizuar do t’i ndihmonte po aq shumë sa do t’i ndihmonin edhe disa instrumentë legjislativë modernë, që i përdorin dhe kolegët në Amerikë, Angli dhe shumica e vendeve të BE-së, ashtu siç mund të jetë “Institucioni i Hetuesit të Fshehur”, përdorimi i dëshmitarëve me identitet të mbrojtur, përfshirë verifikimin e llogarive bankare.
Top Channel: Drejtoria Kombëtare e Antikorrupsionit që ju drejtoni, e krijuar në vitin 2005, sa prokurorë ka?
Laura Codruta Kovesi: Momentalisht, në DNA punojnë rreth 110 prokurorë, rreth 190 policë dhe 60 specialistë në fushat ekonomike, doganore e fusha të tjera të rëndësishme. Ajo që diferencon sistemin rumun dhe atë shqiptar është fakti se hetimi i shkeljeve për korrupsion është në kompetencën ekskluzive të prokurorëve. DNA ka nën varësi një trupë policësh gjyqësore të formuar prej 190 policësh, të cilët nuk janë pjesë e Policisë së Shtetit, nuk janë në varësi të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë ose ministrit të Brendshëm. Ata janë në varësi të drejtpërdrejtë të drejtuesit të DNA. Ata kryejnë vetëm ato aktivitete që u urdhërohen nga ana e prokurorëve të DNA. Duket se kjo është një recetë suksesi në pasjen e hetimeve tepër serioze, jo për faktin se prokurorët dinë më shumë se policët, por për faktin e vetëm se policët nuk janë në varësi të një politikani, siç është ministri i Brendshëm, por në varësi të një prokurori i cili është i pavarur në aktivitetin e tij.
Top Channel: Për gjashtë vite ju keni qenë Prokurore e Përgjithshme e Rumanisë dhe ndërkohë mbani një detyrë shumë të rëndësishme në njësinë antikorrrupsion. Kush ju ka emëruar në këtë detyrë fillimisht si kryeprokurore dhe tani në detyrën që mbani?
Laura Codruta Kovesi: Procedura e emërimit në detyrë në Rumani është pak e ndryshme nga ajo në Shqipëri. Propozimi për emërim në detyrë bëhet nga ana e Ministrit të Drejtësisë, ky propozim i shkon Këshillit të Lartë të Magjistraturës, Seksionit të Prokurorëve ku bëjnë pjesë gjashtë prokurorë të zgjedhur në radhët e të gjithë prokurorëve të tjerë në Rumani, ky Këshill lëshon një mendim, i cili është konsultativ dhe më pas propozimi i shkon Presidentit të Rumanisë. Në çdo emërim në detyrë, fillimisht në atë të Prokurorit të Përgjithshëm, rinovimin në të njëjtën detyrë dhe më pas emërimin në detyrën e tanishme, propozimin e ka bërë ministri i Drejtësisë. Në të gjitha rastet ka qenë një ministër i ndryshëm dhe më pas i është dërguar Presidentit të Rumanisë.
Top Channel: Në detyrën e Prokrurorit të Përgjithshëm ju propozon ministri i Drejtësisë, pra qeveria. Do të ishte me interes të dinim se ku e keni gjetur kurajon të hetoni politikanë, të cilët ju kanë zgjedhur për detyrën që mbani?
Laura Codruta Kovesi: Në radhë të pare, kurojën e gjen tek ligji. Në faktin që respekton ligjin dhe në faktin që bën atë që duhet të bësh në atributet që të jepen në Kushtetutë dhe në ligjet e organizimit. Kurajoja vjen nga fakti që e ke të garantuar pavarësinë. Në shumë raste në këtë detyrë kemi hetuar persona, të cilët kanë qenë miq me ministrin e Drejtësisë ose bënin pjesë në të njëjtën parti me të, ose kemi hetuar persona që bënin pjesë në formacionin politik të afërt të Presidentit të Rumanisë, por fakti që jemi të pavarur në aktivitetin tonë na determinoi të çojmë deri në fund këtë luftë. Kurajoja vjen dhe nga dëshira për të bërë atë që je caktuar të bësh dhe, atëherë kur respekton ligjin dhe bën një hetim në përputhje me ligjin, nuk ke përse të trembesh.
Top Channel: Kur keni arrestuar zyrtarë të lartë që kanë qeverisur vendin tuaj, çfarë keni ndjerë, a jeni sulmuar politikisht?
Laura Codruta Kovesi: Sigurisht, çdo herë. Në çdo hetim ka pasur politikanë, të cilët kanë kritikuar, ose mua personalisht, ose prokurorin e çështjes ose institucionin. Në të gjitha rastet kur është hapur një dosje për një politikan është thënë që është dosje politike. Por të dhënat statistikore vërtetojnë faktin se kemi hetuar politikanë nga të gjitha partitë; në shumë raste ka pasur politikanë, të cilët kanë denoncuar njëri-tjetrin ose dosjet kanë ardhur si rrjedhojë e kallëzimeve të marra nga qytetarët. Numri i madh i personave, të cilët janë dënuar në këto dosje – kemi më shumë se 24 persona të niveleve të larta në Rumani të dënuar, u referohem këtu senatorëve, ministrave, deputetëve që janë dënuar dhe një pjesë e tyre vuajnë dënimin në burgje, – vërtetojnë faktin se hetimet nuk janë bërë në bazë të spekulimeve politike, por janë mbështetur në prova. Për fat të mire, në Rumani, pavarësia e Prokurorit garantohet me ligj. Asnjë politikan nuk mund të më telefonojë dhe të më thotë ‘hap një hetim, mbyll një hetim, jep këtë lloj zgjidhje’. Nuk ia lejon vetes, sepse në momentin kur u zgjodha në këtë detyrë kam thënë se çdo lloj ndërhyrje do të bëhet publike dhe besoj se gjëja më e rëndësishme është se në aktivitetin tonë kemi patur qytetarin si aleatin tonë më të mirë dhe jo politikanët. Qytetarët janë ata që na vlerësojnë aktivitetin. DNA gëzon një besim prej 77% nga ana e qytetartëve, 77% e qytetarëve mbështesin hetimet tona. Sipas një kërkimi sociologjik të bërë këtë vit, asnjë politikan nuk gëzon një besim të tillë. Fakti që ekziston kjo mbështetje nga ana e qytetarëve na ndihmon shumë të vazhdojmë aktivitetin.
Top Channel: Do të ishte me interes të dinim si nisin hetimet për zyrtarë të lartë? Sa e thjeshtë apo e vështirë është të gjesh faktet?
Laura Codruta Kovesi: Duke u nisur nga fakti se në periudhën e fundit besimi i qytetarëve është rritur së tepërmi për punën që bëjmë, një numër prej 95% e hetimeve tona kanë nisur si pasojë e kallëzimeve nga qytetarët ose institucionet publike. Kemi shumë dosje, në të cilat janë të përfshirë parlamentarë, ministra, kryetarë bashkie dhe dosjet janë hapur si pasojë e njoftimeve të marra nga ana e qytetarëve. Në vitet e kaluara, nëse i referohem vitit 2006 ose 2007, shumica e dosjeve hapeshin si rrjedhojë e kallëzimeve të bëra nga ana e Shërbimeve Informative. Në Rumani është e detyrueshme për të gjitha institucionet publike, pavarësisht faktit se janë Shërbime Informative, Polici, Institucione Financiare me atribute kontrolli, në momentin që kanë të dhëna ose informacione në lidhje me kryerjen e korrupsionit janë të detyruar me ligj të na njoftojnë. Në vazhdim na vijnë njoftime nga Shërbimet Informative, por jo në një përqindje aq të madhe. Momentalisht, aktiviteti ynë bazohet shumë në kallëzimet që vijnë nga qytetarët.
Top Channel: Përpara hyrjes në BE, nëse nuk gabohem Rumania nuk ka patur ndonjë nivel të lartë për të ndëshkuar zyrtarë të korruptuar, madje ka patur një presion të fortë nga BE-ja rreth kësaj çështjeje. Çfarë ndryshoi? Pasi tani keni zyrtarë të lartë pas hekurave të burgut…
Laura Codruta Kovesi: Po. Përpara 10 vjetësh në Rumani korrupsioni ishte tepër i përhapur, ishte një problem sistematik. Në radhë të par,ë u krijua kjo strukturë antikorrupsioni që performon shumë mirë. Në radhë të dytë, ndryshoi ligji. Prokurorët u bënë të pavarur, ashtu si edhe gjykatësit; u modifikuan ligje të rëndësishme nëpërmjet të cilëve u ofruan instrumentë të rëndësishëm në luftën ndaj korrupsionit. Hyrja në BE ishte një element tepër i rëndësishëm që ndihmoi sistemin gjyqësor të reformohej. Fakti që u vendos një mekanizëm bashkëpunimi dhe verifikimi nga ana e Komisionit Europian, i cili çdo vit verifikonte rezultatet në luftën me korupsionin, verifikonte progreset e bëra nëpërmjet ekspertëve, nëpërmjet furnizimit të të dhënave dhe informacioneve nga ana e institucioneve të sistemit gjyqësor, ndihmoi shumë që reforma në sistemin gjyqësor të progresonte, të ndryshonte në shumë drejtime, në mënyrë të veçantë në luftën ndaj korrupsionit. Ky mekanizëm vazhdoi, ekziston dhe është prezent. Nga këndvështrimi im, ky mekanizëm përbën një element shumë të rëndësishëm në arritjen e rezultateve, në identifikimin e prioriteteve në aktivitet; ai përfaqëson në fakt një analizë objektive që bëhet çdo vit nga ana e disa ekspertëve të pavarur. Në shumë raste, në Rumani është përpjekur modifikimi i ligjit të organizimit për DNA-në, u përpoq zvogëlimi i kompetencave; ka pasur situata në të cilat është përpjekur që parlamentarët të hiqeshin nga efekti i ligjit. Në të gjitha rastet ka reaguar Komisioni Europian, kanë reaguar ambasadat e huaja. Ka pasur një presion të jashtëm ndaj disa politikanëve, të cilët ndiheshin të përfshirë në hetimet tona dhe që dëshironin të ndryshonin ligjin. Pra, mbështetja e jashtme nga ana e Komisionit Europian, nga ana e ambasadave të huaja ishte tepër e rëndësishme në këto 10 vite për reformimin e sistemit. Por më e rëndësishme është se dhe vetë sistemi i drejtësisë dëshiroi të ndryshonte. Në sistem hynë shumë prokurorë dhe gjykatës të rinj, kurajozë, të cilët dëshiron të jetonin në një shtet ndryshe dhe të cilët punuan për të ndryshuar këtë perceptim për korupsionin në Rumani.
Top Channel: Cili është çelësi i suksesit në hetimin dhe dënimin për korrupsion të 52 funksionarëve rumunë, me tyre një kryeministër, një ish-zv.kryeministër në funksion, 9 ministra, 30 deputetë dhe 8 senatorë?
Laura Codruta Kovesi: Shumë e thjeshtë. Duhet të duash të bësh hetime të tilla në radhë të pare, e në radhë të dytë, të mund të bësh hetime të tilla. Një strukturë e specializuar është tepër e rëndësishme. Në radhë të dytë, garantimi i pavarësisë së personave, të cilët bëjnë hetime të tilla ose të personave që gjykojnë hetime të tilla, dhe në radhë të tretë, një legjislacion i përshtatshëm. Këto janë tre elemnetë të nevojshme për të pasur sukses në luftën me këtë fenomen. Nuk është e lehtë të hetosh një ministër, të hetosh një person që ka një funksion të rëndësishëm, por nëse e ke të garantuar pavarësinë dhe stabilitetin, besoj se mund t’ia dalësh. Jam e bindur se edhe në Shqipëri ka prokurorë korrektë, profesionistë, të cilët duan të bëjnë punë. Ata duhen identifikuar, duhen ndihmuar me një legjislacion të përshtatshëm dhe duhet të lihen të bëjnë punën. Në qoftë se nis një hetim dhe dikush i urdhëron ta mbyllin atë hetim, nuk do të mund të ndryshohet asgjë.
Top Channel: Ishte Drejtoria Kombëtare e Antikorrupsionit që hetoi ish-kryeministrin. Mund të na tregoni si nisi ky hetim? Çfarë indiciesh kishit?
Laura Codruta Kovesi: Sipas Kodit Etik, nuk mund të komentoj një rast të veçantë, mund vetëm të them se ky rast nisi nga kallëzimi i marë nga një person fizik. U administruan të njëjtat prova që administrohen në çdo dosje penale; u bë marrja në pyetje e disa dëshmitarëve; u bënë raporte konstatimi; marrja në pyetje e disa personave. E rëndësishme është që kjo dosje u dërgua në gjyq, u gjykua dhe u dha një dënim.
Top Channel: Për vet detyrën që ju mbani, sapo thatë që e kini të vështirë të flisni për çështje konkrete. Pa dashur të hyjmë në detaje, do të doja të dija sa e vështirë ishte të hetonit një ish-kryeministër?
Laura Codruta Kovesi: Ekziston një presion në momentin që ke një dosje, ku përfshihen persona të rëndësishëm. Flasim për ministra, senatorë, deputetë, gjykatës, prokurorë. Nga rëndësia që kanë funksionet e personave që i heton, sigurisht që mund të ekzistojë një farë presioni, më shumë një presion i jashtëm. Publiku dëshiron të dijë se përse një senator, një kryetar bashkie thirret në DNA, përse hetohet. Mund të them vetëm se prokurorët e DNA janë mësuar me hetime të tilla. E rëndësishme është që këto raste trajtohen të gjitha njësoj, ligji është i barabartë për të gjithë qytetarët, dhe në momentin kur publiku shikon se, pavarësisht pozicionit shoqëror që ka personi ose rëndësia e funksionit, DNA heton njësoj zbaton ligjin në mënyrë të barabartë… kjo është tepër e rëndësishme. Fitimi i besimit të publikut është tepër i rëndësishëm në një reformë të drejtësisë.
Top Channel: Kur gjykata dha dënimin me dy vite burg për ish-kryeministrin, ai tha se çështja e tij ishte e motivuar politikisht. Cila ishte përgjigja juaj?
Laura Codruta Kovesi: Në përgjithësi nuk komentoj atë që thonë politikanët. Në shumë raste në dosjet ku përfshihen politikanë kemi lloje të ndryshme sulmesh. Në shumë raste, pasi dalin nga marrja në pyetje në DNA, thonë se është një hakmarrje politike, është një dosje politike. Besoj se një vendim përfundimtar me dënim vërteton se dosja bazohet në prova dhe jo në çështje të shpikura. Nuk kemi asnjë lloj marrëdhënie me politikanët. Çdo person në Rumani mund të dërgojë një kallëzim dhe ne jemi të detyruar ta regjistrojmë. Mund t’ju them se kemi hetuar politikanë nga të gjitha partitë dhe ne nuk na intereson partia ose pozicioni që ka në parti një person. Ne hapim dosje për shkeljet, për të cilat kemi kompetencë dhe për persona që kanë pozicione të rëndësishme në shtet dhe që janë të parashikuara në ligj. Ne nuk bëjmë dosje në bazë të bërjes pjesë në një parti politike ose formacioni politik. Sigurisht dëshirohet që në momentin që një person del nga marrja ne pyetje të thotë që ‘jam i pafajshëm’, por në shumicën e rasteve, kur bëhet fjalë për politikanë të akuzuar për korrupsion dëgjojmë të thuhet se ‘është një urdhër politik’. Mund t’ju them se institucioni ynë është i pavarur, prokurorët e emëruar në DNA janë të pavarur, janë kurajozë, kryejnë detyrën në përputhje me ligjin dhe sigurisht që ato deklarata që bëhen për të intimiduar ose për të impresionuar, nuk kanë ndikim tek ne.
Top Channel: Drejtoria juaj çoi përpara drejtësisë dhe dy ish-ministra për ryshfet. Si arritët të gjenit prova se ata kishin marrë ryshfet, një fenomen masiv në Shqipëri?
Laura Codruta Kovesi: Ka më shumë raste ku janë të përfshirë persona me funksione të rëndësishëm, të cilët marrin ryshfet për të bërë detyrën e tyre; në shumë raste në këto dosje kemi deklaratat e disa personave, të cilët e dinë këtë gjë. Në disa raste kemi patur dhe filmimet e momenteve kur kërkohet ose merret ryshfeti; në disa raste përdorim regjistrimet audio/video që janë të autorizuara nga gjykatësi; përdorim raportet e disa specialistëve, në përgjithësi kjo lloj shkelje vërtetohet nëpërmjet mjeteve të provave klasike, marrje në pyetje, regjistrime, raporte ekspertize. Nuk është më e vështirë, përshembull, të hetosh një ministër se një prokuror ose çdo person tjetër, i cili ka një pozicion publik. Ligji është i njëjtë për të gjithë.
Top Channel: Sa bashkëpunues janë qytetarët rumunë në denoncimin e rasteve korruptive dhe a janë të gatshëm ata të dëshmojnë në gjykatë? Në Shqipëri kemi një portal antikorrupsioni, qytetarët denoncojnë, por kanë frikë t’i shkojnë deri në fund, pra të dëshmojnë…
Laura Codruta Kovesi: Për shembull, vitin e kaluar numri i personave që erdhën të denoncojnë në DNA u rrit me 75% krahasuar me vitin 2013. Në shumë raste janë persona, të cilët vijnë dhe kallëzojnë kërkimin e ryshfetit ose të të mirave të tjera meteriale nga ana e personave me funksione të rëndësishme. Njerëzit kanë marrë kurajon të bëjnë këtë gjë, sepse kanë besim te DNA. Nëse nuk ke besim tek një institucion nuk i drejtohesh. Për këtë arsye është tepër e rëndësishme për prokurorinë të fitojë besimin e njerëzve. Kur njerëzit kanë besim vijnë dhe njoftojnë. I njëjti problem besimi ka qenë dhe në Rumani. Para 10 vjetësh, kur u krijua DNA, nuk vinte çdokush në DNA të denonconte korupsionin. Ky është një proces që u shtri në kohë. Dënimi i disa personave të rëndësishëm, hapja e disa hetimeve serioze bëri që njerëzit të kenë besim te ajo që ne bëjmë. Fitimi i besimit çon automatikisht edhe tek rritja e numrit të kallëzimeve të marra nga persona, të cilët vijnë dhe denoncojnë korrupsionin. E?htë e rëndësishme që çdo njoftim, çdo denoncim të marrë nga qytetarët ta trajtosh shumë seriozisht.
Top Channel: Çfarë karekteristikash duhet të ketë një prokuror që heton rastet korruptive në nivele të larta?
Laura Codruta Kovesi: Në radhë të pare, të jetë profesionist, të jetë kurajoz, të jetë proaktiv dhe të punojë në ekip.
Top Channel: A mund të hetohet një ish kryeministër, një ministër si një qytetar i thjeshtë? Përse kjo nuk ndodh në vende të tjera të ish-Lindjes, përfshirë edhe Shqipërinë?
Laura Codruta Kovesi: Çdo person brenda një shteti mund të hetohet në përputhje me ligjin. E rëndësishme është të mos bësh diferencime në rastet kur heton një ministër ose një ish-ministër dhe kur heton një polic ose çdo person tjetër me funksion publik. Së paku, në Rumani nuk i bëjmë këto diferencime. Prokurorët janë mësuar me çdo lloj hetimi, janë shumë profesionistë dhe kanë kurajo t’i bëjnë këto hetime. Mendoj se një element tepër i rëndësishëm në një shtet për të pasur hetime të tilla është të identifikosh prokurorët profesionistë, prokurorët korrektë, t’i organizosh në një strukturë të specializuar, t’u japësh burime të mjaftueshme njerëzore dhe ligjore dhe, jo në radhë të fundit, t’u garantosh pavarësinë dhe qëndrueshmërinë. E?htë tepër e rëndësishme që në momentin kur një prokuror nis një hetim për një politikan të dijë që të nesërmen nuk do të hiqet nga puna, nuk do të sanksionohet. Është tepër e rëndësishme të ekzistojë një organizëm, i cili të garantojë pavarësinë e drejtësisë, ashtu si në Rumani ekziston Këshilli i Lartë i Magjistraturës. Për shembull, as Prokurori i Përgjithshëm, as unë si kreu prokurorëve të DNA, nuk kemi të drejtë t’i themi një prokurori kur të nisë një hetim ç’zgjidhje të japë ose kur duhet ta mbyllë një hetim. Zgjidhjet e dhëna nga ana e prokurorëve mund t’i verifikoj vetëm për motive ligjshmërie. Nëse është një zgjidhje e jashtëligjshme vetëm atëherë mund të ndërhyj dhe ta motivoj me shkrim përse një zgjidhje e një prokurori nuk është e mirë. Mendoj se në momentin në të cilin ke një trupë prokurorësh profesionistë, të cilëve u garantohet pavarësia dhe lihen të bëjnë punën, atëherë arihen rezultatet.
Top Channel: Ndodheni në Shqipër për të ndarë përvojën e suksesshme rumune me kolegët shqiptarë. Çfarë u keni sugjeruar atyre?
Laura Codruta Kovesi: Të bëjnë punën me kurajo. Në radhë të dytë, të marrin pjesë në mënyrë aktive në çdo proces reforme, sepse është tepër e rëndësishme për sistemin gjyqësor që personat brenda sistemit të mundohen të ndryshojnë gjërat, e më tej, të luftojnë për një legjislacion më të mire, një legjislacion që t’u ofrojë intrumentaë. Perspektiva ime është se duan të bëjnë punë, por duhet të ndihmohen si nga ana ligjore, ashtu dhe me mjete.
Top Channel: A besoni se edhe Shqipëria do të mund të hetojë me sukses ish-kryeministra, ish-ministra apo ish-deputetë, të cilët mund të jenë përfshirë në akte korruptive? I ka Shqipëria mundësitë për të bërë hetime të këtij niveli?
Laura Codruta Kovesi: Nëse dëshiron ta bëjë këtë gjë, sigurisht mundet. Në qoftë se dëshiron të ketë një legjislacion të përshtatshëm, me siguri mundet. Në qoftë se Prokurori i Pergjithshëm, së bashku me prokurorët e tjerë, dëshirojnë ta bëjnë këtë gjë, me siguri munden.
/ Top Channel