Hermes Nika: Në jetë është bukur të provosh gjithcka
E shohim çdo mëngjes në Tv Klan, në emisionin e mëngjesit, “Aldo Morning show”, ku në lidhjet direkte me Tiranën informon publikun me lajmet urbane. Gazmor, pozitiv dhe mjaft i kuruar estetikisht, Hermes Nika ka ditur ta bëjë për vete publikun me batutat e momentit dhe sjelljen krejt ndryshe nga gazetarët e tjerë të terrenit që jemi mësuar të shohim. Në intervistën e mëposhtme, ai na tregon për eksperiencën e tij në lidhjet direkte me tv Klan, atë çfarë do të donte të bënte më së shumti në jetë, përditshmërinë e tij, si dhe na flet për jetën private, dashurinë e fortë që ndjen për partneren, Angjela, me të cilën bën dy vite sëbashku.
Hermes, ju shohim çdo ditë në ekranin e TV Klan me “Aldo Morning”. Sa i realizuar ndjeheni në këtë format televiziv ?
Përshëndetje të gjithë lexuesve të gazetës KJ. Ndjehem shumë mirë në programin ku bëj pjesë, një format i cili më përshtatet dhe falenderoj produksionin, të cilët më besuan drejtimin për kronikën e Tiranës, në veçanti regjisoren e mirënjohur Edlira Baholli.
Si është një ditë me Hermesin ?
Një ditë me mua është plot energji dhe plot me punë të planifikuara. Zgjohem rreth orës 5:00 të mëngjesit, ndërkohë që pi kafen dhe lëngun e portokallit, pastaj vishem dhe dal nga shtëpia. Rreth orës 6.45 më duhet të jem gati, pasi filloj transmetimin në “Aldo Morning”. Pjesën më të madhe të ditës e kaloj në Klan, duke planifikuar temat e emisionit. Megjithëse jam i zënë, gjej kohë edhe të takoj miqtë e mi herë pas here për drake, ose për kafe. Kthehem në shtëpi rreth orës 17:00, shkoj në palestër dhe pastaj e kaloj kohën me partneren time. Fundjavave dalim për darkë për të pirë dicka, ose shkojmë në club.
Sa e vështirë është të bësh atë që bën ti, gazetarin e lajmeve urbane që në mëngjes? Ka pasur ndonjë moment që keni menduar të hiqnit dorë?
Nuk është e thjeshtë. Pa dyshim që, pjesa e planifikimit dhe organizimit është më e vështirë sesa të prezantuarit të emisionit, por më ndihmon fakti që emisioni tashmë është i afirmuar dhe shumica e njerëzve e njohin dhe e vlerësojnë. Ka plot momente frustrimi, stresi dhe tensioni. Mund të them me plot gojën që, asnjëherë nuk më ka shkuar nëpër mend të heq dorë.
Sa i suksesshëm ishte ky sezon për ju? Arritët t’i realizonit të gjitha synimet që kishit përcaktuar ?
Unë e konsideroj të suksesshëm. Kam arritur shumë nga gjërat që kam synuar. Për sa i përket punës qëllimi im ka qenë që emisioni të afirmohet më shumë, të flitet për të dhe të shtohen njerëzit që frymëzohen prej tij. Ndërsa për sa i përket jetës përtej punës, jam i lumtur në lidhjen time 2-vjeçare me Angelën, krenar për veten që kam nisur seriozisht palestrën dhe i kënaqur gjithashtu që kam udhëtuar mjaftueshëm për të ushqyer shpirtin dhe relaksuar mendjen.
“Aldo Morning Show” është një program që përfshin një audiencë të gjerë, po vetë emisioni a i drejtohet një target grupi të caktuar?
Mbase një target grup i caktuar kupton më mirë aspektin material dhe vanitoz te emisionit, por unë u drejtohem të gjithëve atyre që duan të informohen e të argëtohen me kronikat e kuruara në detaje.
Keni prekur disa profesione të ndryshme si balerin , model e prezantues. A ka ndonjë profesion tjetër që do të dëshironit të provonit?
Jam shumë i lumtur për çdo mundësi që më është dhënë në jetë.Mendoj se në çfarëdo profesioni të isha, do të bëja më të mirën time që të arrija sa më lart dhe të isha i suksesshëm. Duke qenë natyrë ambicioze, asnjëherë nuk jam kënaqur me mediokritetin. Baletin e kujtoj si një pasion të vegjëlisë. Ndërsa modelingu dhe televizioni besoj se do të jenë pjesë e imja për një kohë të gjatë në të ardhmen. Unë mendoj për një karrierë afatgjatë dhe me ndikim e jo për diçka të shkurtër vetëm për të rënë në sy.
Sa i rëndësishëm është një imazh i mirë për ju? Me kë këshilloheni përpara se të dilni në ekran?
Imazhi është tejet i rëndësishëm, sidomos kur je person publik. Unë nuk mendoj vetëm për veten time, por mendoj edhe për të gjithë ndjekësit që mund të frymëzohen nga stili im. Mundohem që në çdo dalje të jem i kuruar në detaje, i veshur me shije dhe pa devijuar nga stili im modern. Sigurisht që këshillohem edhe me stilisten time, Senida Divintari, të cilën gjej rastin ta përshëndes.
Të ndalemi pak te historia me Angelën, si nisi kjo histori, nga u njohët?
Jemi njohur nga një mikesha jonë e përbashkët, Andja. Kështu u takuam me Angelën, e cila më tërhoqi me thjeshtësinë e saj, më pas gjërat erdhën krejt natyrshëm.
Cila është pika më e fortë e marëdhënies suaj?
Dashuria, kjo është pika më e fortë.
Çfarë të tërheq më tepër te Angela?
Çiltërsia, është e thjeshtë, bujare, e sinqertë dhe e përkushtuar në gjithçka.
A mendon se ke gjetur njeriun, me të cilën mund të kalosh jetën?
E ku i dihet jetës, unë preferoj më mirë t’ia lë kohës.
Keni ndonjë peng në jetë?
Peng?! Në jetë fatmirësisht nuk kam pasur ndonjë peng. Jeta ime ka rrjedhur ashtu siç e kam dashur. Sigurisht qe ka gjëra të vogla të parëndësishme, por po të mos kishin qenë këto gjërat e vogla do të thoja që nuk kam jetuar. Në jetë është bukur të provosh gjithçka!