Ian Bradshaw: Ja avantazhet e Shqipërisë nga TAP-i
Ian Bradshaw, drejtuesi menaxhues i gazsjellësit Trans Adriatic Pipeline (TAP), për herë të parë në një intervistë ekskluzive për Monitor sjell detaje mbi një nga projektet më të mëdha që do të furnizojë me gaz Europën nga fushat e Shah Deniz, në të cilin bën pjesë edhe Shqipëria.
Vetëm disa vite më parë (pavarësisht të gjitha përpjekjeve) ishte pothuajse e pamundur për Shqipërinë që të mendonte se do të bëhej pjesë e një projekti gjigant të këtij lloji, me një rëndësi kaq të madhe gjeopolitike dhe ekonomike. Nisur nga perspektiva juaj, si mund ta ndryshojë TAP-i pozicionin e Shqipërisë në rajon?
TAP-i është një nga projektet më të mëdha në sektorin energjetik, jo vetëm për Europën Juglindore por për gjithë Europën në tërësi, falë kontributit të tij në diversifikimin e burimeve energjetike dhe sigurisë së furnizimit për Europën. TAP-i do të ketë disa ndikime pozitive në Shqipëri.
Pikë së pari, Shqipëria do të jetë pjesë e hartës energjetike europiane. Ajo do të zhvillojë dhe do të modernizojë infrastrukturën e saj për gazin natyror, që do të integrohet me rrjetin rajonal.
Do të përmirësohet gjithashtu edhe siguria e energjisë për furnizimin e Shqipërisë.
TAP-i do ta lidhë Shqipërinë njëkohësisht me dy tregje gazi duke mundësuar akses për furnizim me gaz natyror nga lindja dhe furnizime nga tregu italian i gazit. Aktualisht, Shqipëria është një importuese e energjisë elektrike dhe prania e gazit do të kontribuojë në përmirësimin e kësaj situate.
Zbatimi i suksesshëm dhe funksionimi në të ardhmen i Projektit TAP do të fuqizojë gjithashtu pozitën e Shqipërisë si një vend shumë tërheqës për Investimet e Huaja Direkte.
Në të njëjtën kohë, pozita gjeopolitike e Shqipërisë do të përmirësohet, po ashtu edhe qëndrueshmëria e gjithë rajonit. Shumë biznese vendase do të përfshihen në projekt dhe shumë banorë do të punësohen gjatë procesit të ndërtimit.
Përveç përfitimeve direkte do të ketë gjithashtu edhe shumë efekte pozitive për bizneset që ndodhen afër, duke përfshirë akomodimin, transportin, kateringun, etj.
Së fundmi, dua të theksoj se TAP-i aplikon standardet më të larta përsa i përket shëndetit, sigurisë teknike në punë, të ndikimit social dhe të ruajtjes së mjedisit për zbatimin e projektit, si edhe trajnime për kontraktorët e tij vendas. Ne shpresojmë se kjo do të kontribuojë pozitivisht, në përgjithësi, për praktikat e sigurisë në industrinë e ndërtimit në Shqipëri.
Rreth katër dekada më parë, Shqipëria prodhonte një sasi të konsiderueshme të gazit natyror vendas, ndërsa prodhimi aktual është mospërfillës; sipas pikëpamjes suaj, mungesa e tregut të vërtetë, a është më shumë një avantazh apo disavantazh për Shqipërinë? A do të ishte një mundësi e mirë që të rindërtohej sistemi nga e para apo do të ishte më mirë që të përdorej infrastruktura ekzistuese/e gatshme që mund të mbështesë transportin e brendshëm të gazit?
Shqipëria ka një rrjet të brendshëm tubacioni prej 400 km të ndërtuar shumë vite më parë. Megjithatë, situata aktuale e infrastrukturës ka nevojë që të vlerësohet për të parë nëse ky rrjet mund të përdoret ende edhe sot për transportin ose shpërndarjen e gazit.
Teknologjia në industrinë energjetike ka bërë përmirësime në vitet e fundit, për sa i përket projektimit, ndërtimit dhe sigurisë operacionale. Sot, teknologjitë e përdorura për të ndërtuar tubacione gazi garantojnë ndikim të pakët mbi mjedisin, shëndetin dhe sigurinë e komunitetet dhe shoqërinë në tërësi.
Ajo çfarë ka shumë rëndësi është fakti se Shqipëria është duke e përmirësuar tashmë kuadrin ligjor mbi gazin natyror, bazuar në përvojën dhe legjislacionin e Bashkimit Europian. Qeveria zvicerane po e mbështet Shqipërinë me studimin për zhvillimin e Master Planit për Gazin dhe TAP-i ka ofruar ekspertizën e tij në këtë fushë, nëse një gjë e tillë kërkohet nga qeveria shqiptare. Rezultatet e këtij studimi do të ofrojnë të dhëna shumë të dobishme, jo vetëm për nevojat aktuale të Shqipërisë, por edhe për nevojat e saj në të ardhmen.
Cilat janë planet afatshkurtra dhe afatmesme të TAP-it në Shqipëri dhe në dy shtetet e tjera, Itali dhe Greqi?
Projekti TAP ka kaluar tashmë në fazën e ekzekutimit përgjatë tre shteteve pritëse dhe progresi i përgjithshëm po vazhdon sipas planit.
Në fund të këtij viti, fillimi i vitit 2016, TAP-i do të ketë dhënë shumicën e kontratave për shërbimin e Prokurimit dhe Ndërtimit Inxhinierik (EPC) dhe pjesën më të madhe të kontratave për mallrat Artikuj të Ofruar nga Kompania. Ndërtimi dhe rehabilitimi i rrugëve hyrëse dhe urave në Shqipëri; valvulat e rrumbullakëta me diametër të madh dhe motorët shtytës, dhe kompresorët turbo dhe pajisjet montuese; nyjat izoluese dhe tubat filtrues, tubat dhe bërrylat në sipërfaqe janë përcaktuar, dhe ndërtimi dhe prodhimi është në proces.
Procesi ynë për blerjen dhe marrjen me qira të tokës është gjithashtu në proces. Ky është një aktivitet i rëndësishëm dhe shumë i madh. TAP-i do të ketë akses në rreth 18,200 ngastra toke përgjatë gjurmës së gazsjellësit (10,000 në Greqi, 8,000 në Shqipëri dhe 200 në Itali). Kjo do të thotë se TAP-i do të sigurojë marrëveshje me përafërsisht 45,000 pronarë dhe përdorues tokash. Për pasojë, TAP-i do të kompensojë plotësisht të gjithë individët e prekur, në kohën e duhur dhe aty ku është e mundur përpara fillimit të ndërtimit.
Në Shqipëri, aktivitetet e shumta për ndërtimin janë tashmë në proces për ndërtimin dhe përmirësimin e rrugëve dhe urave ndihmëse, që filloi më herët gjatë këtij viti. Ashtu siç edhe ju mund ta dini, TAP-i duhet të kalojë në terrenin sfidues të zonave malore shqiptare, me pikën më të lartë të ngritjes së tubacionit prej 1,800 metrash. Tubat e parë do të mbërrijnë në Shqipëri në fillim të vitit 2016, në mënyrë që puna për ndërtimin e gazsjellësit të fillojë nga mesi i vitit 2016. Ndërtimi do të fillojë në të njëjtën kohë në të tria shtetet, në po të njëjtën periudhë.
Kur mendoni se investimi i TAP-it do të fillojë të ketë një ndikim direkt ose indirekt në ekonominë shqiptare? Dhe si?
TAP-i ka filluar tashmë të kontribuojë në mënyrë direkte në ekonominë shqiptare. Që prej fillimit, TAP-i ka kontraktuar një numër të madh ekspertësh shqiptarë për të përgatitur studimin mbi fizibilitetin për realizimin e projektit.
Ashtu si edhe projekti po përparon drejt zbatimit të tij, ndikimi mbi punësimin do të jetë me shumë siguri më i madh. Për shembull: sipërmarrja e përbashkët për ndërtimin e rrugëve dhe urave ndihmëse për TAP-in po udhëhiqet nga një kompani shqiptare,
“Gener 2”. Ne kemi mbetur të kënaqur me performancën e tyre, si edhe me angazhimin për respektimin e standardeve tona më të larta për sigurinë.
Ekonomitë vendase dukshëm mund ta ndiejnë ndikimin direkt në mënyra të ndryshme, pasi ndërtimi i gazsjellësit sjell më shumë mundësi për bizneset vendore, etj. Këto përfshijnë punësimin, përmirësimin e infrastrukturës së transportit.
Për shembull: TAP-i po ofron shërbim me autobus në një fshat, ndërkohë që është duke punuar atje. Në zona të tjera ka asistuar komunitetet vendore me përmirësimin e shkollave (siç është rikonstruksioni i palestrës në gjimnazin “Andon Profka” në Seman), si pjesë e programit tonë për investime sociale.
Deri tani, rreth 440 individë janë punësuar për proceset e rrugëve hyrëse dhe urave, ndërsa 260 të tjera po punojnë për aksesin në toka. 50 individë të tjerë ose më shumë janë përfshirë në mundësimin e aktiviteteve inxhinierike dhe në projektimin e rrugëve dhe urave.
TAP-i ka mbështetur gjithashtu punësimin dhe ekonomitë vendase në mënyra të tjera, duke kërkuar shërbime vendore për akomodimin, strehimin, fjetjen dhe transportin, etj. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me ato biznese që rrisin dhe shtojnë numrin e personelit të tyre, duke pasur një ndikim pozitiv në punësim.
Për sa i përket përmirësimit të infrastrukturës rrugore vendore, punimet në gjurmën Çorovodë-Potom kanë reduktuar kohën e udhëtimit me rreth një orë që në muajin e parë.
Duke filluar në nga viti tjetër, duke qenë se fillon edhe faza e ndërtimit, ne presim që ndikimi mbi kompanitë shqiptare dhe komunitetet vendore të rritet ndjeshëm.
Në terma gjeostrategjik, kur TAP-i të ndërtohet, përfundojë dhe të jetë funksional, si pritet të ndryshojë konfigurimi i furnizimeve me gaz për Europën? Si do të ndryshojë varësia nga gazi që vjen nga Rusia?
Europa ka nevojë për burime të reja gazi për të përmbushur kërkesën e saj afatgjatë, për të garantuar diversifikimin e furnizimeve dhe për të përforcuar sigurinë e furnizimit. Në të njëjtën kohë, gazi natyror është lënda djegëse më e pastër, kështu që roli i saj do të jetë kyç në arritjen e një përzierjeje energjetike të balancuar nga pikëpamja mjedisore
Korridori i ri energjetik nga Kaspiku redukton rrezikun e të qenit i varur nga një burim i vetëm energjetik, duke hapur një rrugë të re transportimi dhe duke ofruar një burim të ri gazi për Europën.
Kontributi i TAP-it në sigurinë dhe diversifikimin energjetik ndoshta mund të jetë shumë i rëndësishëm në Europën Juglindore, ndërsa TAP-i mbetet i angazhuar për të lehtësuar lidhjet me disa projekte për infrastrukturën. Si pasojë, 1bcm/a e gazit Kaspik do të mbërrijë në Bullgari nëpërmjet Interkonjeksionit Greqi – Bullgari (IGB), që do të plotësojë përafërsisht 40% të nevojave të Bullgarisë për gaz. TAP-i mund të lidhet gjithashtu edhe me Gazsjellësin Adriatik-Jon (IAP) duke krijuar kështu mundësinë për të depërtuar në tregje të ndryshme në Ballkanin Perëndimor.
Zërat se Statoil do të shesë aksionet e tij të TAP-it u konfirmuan javën e kaluar. Si mund të ndikojë kjo në projektin në tërësi?
TAP-i është një projekt që është mbështetur nga shumica e kompanive energjetike.
Jam shumë i gëzuar që Snam S.p.A do t’i bashkohet projektit TAP. Sipërmarrja e përbashkët TAP ka qenë gjithmonë e hapur për partnerë të rinj strategjikë dhe kam kënaqësinë të mirëpres SNAM S.p.A tek TAP-i. Kjo është vazhdimësi e modelit tonë të suksesshëm të sipërmarrjes së përbashkët, ku bëhen bashkë prodhues, aktorë të ndërmjetëm, dhe blerës të gazit me qëllim zhvillimin e këtij projekti të rëndësishëm. Me SNAM-in në këtë projekt, vazhdon të forcohet pozicioni strategjik i TAP-it si një projekt me të vërtetë europian, i cili do të sjellë një burim të ri gazi në tregjet e energjisë së kontinentit.
Në fund të vitit 2013, aksionerët e TAP-it kanë ndërmarrë projektin “Zgjidhje për të Ndërtuar” (Resolution to Construct) dhe aktualisht vendimin përfundimtar për investimin e projektit. Kështu që, edhe nëse mund të ndodhë një ndryshim në strukturën tonë të aksioneve, TAP-i do të vazhdojë të përparojë në linjë me planin tonë.
Ka pasur shumë diskutime për projekte të tjera për gaz që do të fillojnë ose do të zhvillohen më tej në rajon duke u lidhur me TAP-in. Cilat janë projektet më të mundshme dhe si do të ndikojnë ato në gjithë rajonin?
Prania e TAP-it në Europën Juglindore do të ketë një ndikim të rëndësishëm në zhvillimin e mëtejshëm të infrastrukturës së gazit, siç është IAP (Gazsjellësi Adriatik-Jon) dhe IGB (Interkonjeksioni Greqi-Bullgari). TAP-i ka hyrë në shumë Memorandume Mirëkuptimi dhe Bashkëpunimi (MoUC) me sipërmarrësit e gazsjellësit të propozuar Adriatik-Jon (IAP), që do të sjellë furnizime me gaz në Shqipëri, Mal të Zi, Bosnje dhe Hercegovinë dhe Kroaci.
Në janar të vitit 2014, TAP-i nënshkroi një MoUC (Marrëveshje Mirëkuptimi dhe Bashkëpunimi) me sipërmarrësit e Interkonjeksionit të planifikuar Greqi-Bullgari, që do të mundësojë që gazi Kaspik të përshkojë rrjetin bullgar të gazit dhe të shkojë më tej në Europën Juglindore.
Si një strukturë transportimi, a do ta ofrojë TAP-i shërbimin e tij vetëm për qeveritë apo mund ta përdorë edhe sektori privat këtë lehtësi?
Pikë së pari, TAP-i është zhvilluar për qëllimin e transportimit të gazit natyror nga faza e dytë e fushës Shah Deniz në Azerbajxhan deri në tregjet europiane, 10bcm/a në fillim të vitit 2020. Megjithatë, TAP-i është projektuar për t’u zgjeruar në një kapacitet total prej 20bcm/a, që mund të zbatohet lehtësisht vetëm duke instaluar dy stacione kompresorësh shtesë përgjatë gjurmës.
Për sa iu përket subjekteve të interesuara në transportimin e gazit nëpërmjet TAP-it, gazi i pasanksionuar mund të transportohet nëpërmjet projektit. Që nga fillimi i punimeve, TAP-i do të kryejë ankande për kapacitetin afatshkurtër në linjë me rregullat e BE-së për alokimin dhe do të kryejë Testime Tregu të rregullta, sipas të cilave mund të kërkohet shtimi i kapaciteteve.
Vetë TAP-i nuk është pronar i gazit që do të shpërndahet nëpërmjet gazsjellësit dhe kjo do të thotë se ai nuk mund të shesë gaz. Si mund të sigurojnë gaz qeveritë ose kompanitë private? Cilët janë hapat e duhur për t’u ndjekur?
Në të vërtetë, ashtu siç edhe ju e theksuat, TAP-i është një zgjidhje për transportimin e gazit dhe nuk është përfshirë në procesin e shitjes së gazit. Prandaj, të gjitha palët e interesuara në sigurimin e gazit duhet të kontaktojnë direkt dhe të angazhohen me furnizuesit e gazit natyror në TAP, ose transportuesit e gazit natyror nëpërmjet TAP-it.
Kapacitetet e TAP-it janë shumë të mëdha, duke u klasifikuar nga 10 bcm deri në maksimumin prej 20 bcm. Për tregjet e vogla në Ballkan këto janë sasi të mëdha. A ka ndonjë sasi minimale që duhet siguruar në mënyrë që të fillojnë negociatat për sigurimin e gazit nëpërmjet TAP-it?
10 bcm/a e para të gazit janë kontraktuar plotësisht tashmë, por nuk ka një sasi minimale për furnizim me gaz që të kërkohet për një palë që dëshiron të ketë kapacitet për të transportuar gaz nëpërmjet TAP-it për 10 bcm/a e dyta. Kapaciteti afatshkurtër do të ofrohet nëpërmjet ankandeve që fillojnë shumë afër fillimit të funksionimit në vitin 2020 dhe TAP-i do ta zgjerojë kapacitetin e tij nëse kërkesat e paraqitura në fazën e testimit të tregut janë të pranueshme nga pikëpamja ekonomike dhe teknike.
Avantazhi
Pikë së pari, Shqipëria do të jetë pjesë e hartës energjetike europiane. Ajo do të zhvillojë dhe do të modernizojë infrastrukturën e saj për gazin natyror, që do të integrohet me rrjetin rajonal.
Interesimi
Për sa iu përket subjekteve të interesuara në transportimin e gazit nëpërmjet TAP-it, gazi i pasanksionuar mund të transportohet nëpërmjet projektit. Që nga fillimi i punimeve, TAP-i do të kryejë ankande për kapacitetin afatshkurtër në linjë me rregullat e BE-së për alokimin dhe do të kryejë Testime Tregu të rregullta, sipas të cilave mund të kërkohet shtimi i kapaciteteve.
Punësimi
Deri tani, rreth 440 individë janë punësuar për proceset e rrugëve hyrëse dhe urave, ndërsa 260 të tjera po punojnë për aksesin në toka. 50 individë të tjerë ose më shumë janë përfshirë në mundësimin e aktiviteteve inxhinierike dhe në projektimin e rrugëve dhe urave.
Ndërlidhja
Prania e TAP-it në Europën Juglindore do të ketë një ndikim të rëndësishëm në zhvillimin e mëtejshëm të infrastrukturës së gazit, siç është IAP (Gazsjellësi Adriatik-Jon) dhe IGB (Interkonjeksioni Greqi-Bullgari).
Maratona mes katër shteteve
TAP është padyshim një sipërmarrje gjigante dhe përfshirja në të kërkon një angazhim tejet serioz. Kur Ian Bradshaw u caktua në krye të këtij projekti në shkurt të këtij viti e dinte se sfidat nuk do të ishin aspak të lehta dhe aspak të vogla në numër. Për të TAP-i është shumë më shumë se sa një gazsjellës dhe kjo ishte një nga gjërat që e tërhoqi me të vërtetë, kur filloi bisedën për t’iu bashkuar organizatës.
“Është së pari dhe mbi të gjitha një projekt i madh europian me një rëndësi sociale, duke sjellë një burim të ri oferte përmes një rruge që ndihmon diversifikimin e energjisë dhe sigurinë e energjisë në Europë. TAP-i është gjithashtu një sfidë shumë-kulturore dhe shumë-dimensionale dhe detyra kaq komplekse dhe të ndërlikuara kanë qenë gjithmonë tërheqëse për mua”, thotë z.Bradshaw.
Kohën gjatë së cilës është në drejtim të këtij projekti tepër të rëndësishëm e konsideron emocionuese dhe me shumë energji. Fillimisht kishte shumë dëgjime dhe nevojë për të kuptuar sfidat e projektit dhe mënyrën se si organizata ishte duke iu përgjigjur atyre. Tregon se janë bërë disa ndryshime në “mënyrat e punës” së TAP-it për të përforcuar performancën, në krijimin e rezultateve dhe ekselencën funksionale. Përvoja e tij mbi mënyrën sesi organizata i ka integruar këto ndryshime ka qenë pozitive. Aktualisht, TAP-i është duke lëvizur drejt një fazë të ndryshme, por shumë emocionuese, drejt ndërtimit.
Por, cilat janë pritshmëritë e tij? “Sigurisht jam shumë i emocionuar për fazën tjetër të ardhshme, por gjithashtu pranoj se kjo nuk do të vijë pa sfidat e saj. Siç edhe u përmend, aksesi ndaj tokës dhe marrja e lejeve dhe miratimeve kyçe janë prioritetet kryesore për ne në javët dhe muajt që do të vijnë ndërsa i drejtohemi fillimit të ndërtimeve në mesin e vitit 2016. Për mua, kryerja e një projekti në mënyrë të sigurt, në kohë dhe sipas buxhetit është e një rëndësie të madhe, si dhe mbrojtja e mjedisit, ndërsa jemi duke përparuar drejt aktiviteteve të ndërtimit. Me shumë rëndësi gjithashtu është që në përfundim të sigurojmë funksionimin afatgjatë të impianteve që ne ndërtojmë për të qenë të forta për 30 vitet (ose më shumë) që do të vijnë”, thotë drejtori menaxhues i TAP-it
Angazhimet e tij janë të shumta, udhëtimet po kështu për të koordinuar shumëçka.
Tregon se e viziton shpesh Shqipërinë fizikisht, por edhe vizualisht. “ Përveç vizitave mjaft të shpeshta në Shqipëri, unë kam telefonata, video-konferenca dhe takime me Menaxherin e TAP për Shqipërinë dhe me menaxherët kyç në skuadrën Shqiptare të TAP-it. Padyshim Shqipëria, ashtu si dhe Italia dhe Greqia, ka një rëndësi të barabartë në projekt, duke qenë se gazsjellësi TAP do të jetë një mik në të gjitha këto vende për shumë vite që do të vijnë”, thotë ai.
Në Shqipëri, thotë se i ka bërë shumë përshtypje përkushtimi dhe profesionalizmi i skuadrës, në veçanti i specialistëve që merren me projektin TAP, me autoritetet dhe ministritë përkatëse, kompetencat e kontraktorëve dhe nënkontraktorëve, që punojnë aktualisht për rehabilitimin e rrugëve hyrëse dhe urave.
Nuk ka asnjë dyshim që TAP-i është një projekt tejet i rëndësishëm për vendin dhe kjo vihet re më shumë në marrëdhëniet me grupet e interesit në Shqipëri.
Por, cila janë sfidat më të mëdha që Ian Bradshaw ka për projektin dhe veçanërisht për Shqipërinë?
“Unë mendoj se sfida më e madhe është harmonizimi me 3 projektet e tjera në rrjedhën e sipërme dhe koordinimi i të gjithëve për të qenë gati për të shpërndarë gaz në kohë dhe sipas buxhetit kur ai të fillojë të rrjedhë. Në lidhje me Shqipërinë, unë mendoj se terreni që ne jemi duke kaluar është teknikisht një prej më të vështirëve dhe si rrjedhojë do të ketë nevojë për ekspertizë të madhe teknike dhe inxhinierike, të cilën ne e kemi përdorur në projekt. Siç edhe e përmenda më herët, një fushë kyçe, që për mua ka një prioritet shumë të lartë, është shëndeti dhe siguria e çdo personi që punon në projektin TAP, si dhe shëndeti dhe siguria e komuniteteve në të cilat TAP-i do të kalojë përmes si projekt. Sfida jonë është të sigurojmë që kjo fushë të mbetet gjithmonë një prioritet dhe një pikë përqendrimi.
Padyshim njerëzit janë forca kryesore shtytëse e këtij projekti. Pa individë shumë të kualifikuar, me përvojë dhe të përkushtuar, ky projekt nuk do të ishte ndërtuar – kjo është arsyeja përse kjo përbën një nga vlerat e TAP-it. Së fundmi, organizuam në Durrës një takim me të gjithë punonjësit e kompanisë sonë, ku bashkuam staf nga më shumë se 20 kombësi të ndryshme nga zyrat tona në Itali, Greqi dhe Zvicër për të diskutuar sfidat dhe mundësitë e projektit me homologët e tyre shqiptarë, të cilët kishin filluar tashmë punë. Shpirti i skuadrës, bashkëpunimi dhe kooperimi midis të katërta kulturave ishte mbresëlënës dhe shkëmbimi i informacionit dhe të mësuarit ishte intensiv. Shumë faleminderit për skuadrën shqiptare për pritjen e këtij aktiviteti të rëndësishëm”, thotë z. Bradshaw.
Por, a ka ai një “formulë magjike” për ndarjen e kohës midis punës dhe jetës personale. Zoti Bradshaw thotë se ndërtimi i një projekti i kësaj shkalle dhe madhësie është shumë i ngjashëm me një maratonë, jo me një vrap të lehtë. “Kam një familje shumë të bashkuar, kështu që ia kaloj mirë më ta. Jam gjithashtu i dhënë pas sporteve, veçanërisht golfit (të cilin e luaj shumë keq) dhe notit. Por, gjithnjë e më shumë ecja më duket si ushtrimi më efikas që unë mund të bëj. Peizazhi në të “katërt” vendet e TAP-it, Shqipëri, Greqi, Itali dhe Zvicër, e bën ecjen një kënaqësi të shtuar”.
Libri gjithashtu është një mik i mirë i tij dhe nuk ngurron që të këshillojë për lexuesin e “Monitor” edhe disa tituj. “ Do të doja të kisha kohë të lexoja më shumë. Kur udhëtoj jam një simpatizant i madh i John Le Carre. Është një arratisje e pastër në një botë që ma merr mendja nuk ekziston më, por novelat e tij të spiunazhit në luftën e ftohtë të dikurshme ofrojnë një pushim të mirëpritur nga bota e inxhinierisë, planifikimit dhe ndërtimit. Duke shkuar pas në histori, nëse lexuesit tuaj dëshirojnë një lexim mbi atmosferën e murgjve dhe manastireve përzier me “histori detektivësh”, atëherë “Emri i Trëndafilit” i Umberto Ekos, është një lexim shumë i mirë. Në të kundërt tendencat janë drejt novelave detektivësh që kanë pak vlerë”, rrëfen ai.
Një pasion tjetër janë edhe aplikacionet telefonike, që na i tregon pa shumë rezerva. “Kam disa aplikacione për sigurinë shëndetësore. Një prej të cilave unë e përdor rregullisht është International SOS, një aplikacion për siguri mjekësore dhe siguri në udhëtimi, e cila është e integruar në një infrastrukturë të asistencës globale. Tjetra është Echo 112, të cilën shpresoj të mos e përdor kurrë në inat e sipër, por ju mundëson të telefononi shërbimet e emergjencës vendore pa e ditur numrin e tyre dhe u dërgon atyre koordinatat tuaj GPS në rast se jeni në një situatë shqetësuese. Gjithashtu njërin sy e kam te mediat sociale, veçanërisht te Twitter si edhe te lajmet, veçanërisht përmes aplikacioneve të ndryshme të BBC-së. Përdor What’s App (ose “Ç’kemi” siç edhe e quaj unë atë) për të qenë në kontakt me tre djemtë e mi, të cilët janë të rritur, por gjithsesi është mirë të di se si ia kalojnë. Dhe diku në telefonin tim është gjithmonë aplikacioni i Mançester Citit, në mënyrë që të ndjek skuadrën time të preferuar angleze të futbollit kudo ku mund të ndodhem”. Kështu e mbyll rrëfimin e tij, jashtë “kostumit zyrat” të menaxherit, z.Ian Bradshaw.