Igli Totozani: Ka një shtim të varfërisë dhe të papunësisë

Zoti Totozani, keni pothuajse tre vjet në krye të institucionit të Avokatit të Popullit. A keni arritur ju në krye të këtij institucioni ato që keni synuar kur morët detyrën? 

Në punën tonë ka dy elemente të rëndësishme: A bëri institucioni jonë atë që unë kisha paraqitur në platformë dhe a pati suksesin e duhur puna jonë. Si institucion mendoj që ka arritur të jetë një zë i rëndësishëm në spektrin politik, ekonomik, social dhe në mbrojtje të qytetarëve që nuk kanë zë, në zgjidhjen e çështjeve individuale që shqetësojnë qytetarët. Por, mbetet administrata publike, Qeveria, Parlamenti që vendosin nëse do t’i pranojnë rekomandimet e Avokatit të Popullit. Prandaj puna jonë është vështirësisht e matshme dhe varet nga ndryshimet e shumë institucioneve të tjera, por gjithsesi jam i kënaqur me arritjet e deritanishme.

Si është Shqipëria e parë në sytë e Avokatit të Popullit? Ju keni jetuar edhe jashtë vendit dhe mund të bëni një krahasim me cilët vende ne ngjasojmë në mënyrën e funksionimit të shtetit?

Gjatë këtyre viteve të mandatit kam marrë shumë nga institucioni i Avokatit të Popullit, kam mësuar shumë sesi jetojnë shqiptarët. Më parë nuk e njihja jetën e shqiptarëve në këto përmasa që e njoh tani. Sfida më e madhe e Avokatit të Popullit janë njerëzit e vuajtur që përbëjnë shumicën e këtij vendi. Për lidhjen shpirtërore Shqipërinë nuk e krahasoj me asnjë vend. Kam njohur shtete si Franca, Zvicra, Italia dhe nuk mund të bëj krahasime me Shqipërinë. Shqipëria krahasohet me vende si Kosova, Serbia, Mali i Zi, pasi me to afrohen shumë në problematika.

Pas dy vitesh si ju duket Shqipëria, A jetojmë më mirë? A kemi shpresë se gjërat po rregullohen?

Nuk ka pësuar ndonjë përmirësim të dukshëm, por ka vështirësi të mëdha të cilat nuk janë krijuar sot, por janë të shtrira në kohë. Ka qytete që kanë vetëm një orë ujë në ditë dhe ky nuk është problem i qeverisë së majtë apo i qeverisë së djathtë. Mendoj se shqiptarët nuk jetojnë më mirë se dy vjet më parë.

Përse mendoni se situata është e tillë? Institucionet nuk zbatojnë ligjet apo kjo qeveri nuk po na mundëson ekonomi më të mirë?

Konstatohet që ka një shtim të varfërisë. Besoj që ka një shtim edhe të papunësisë, sidomos në zonat rurale. Kjo u ka hequr shpresën shqiptarëve, duke i detyruar të largohen nga Shqipëria.

A ju rezulton ju ajo që ka thënë kryeministri Rama se shumica e shqiptarëve që kanë shkuar në Gjermani janë nisur nga Greqia?

Nuk më rezulton kjo. Ne kemi pasur indikacionet tona dhe për ne ky lloj emigrimi ka qenë i parashikuar. Herë pas herë kemi pasur raporte të cilat i kemi bërë prezente institucioneve në të cilat vihej re një shtim i numrit të të varfërve dhe njerëzve me problem. Kështu që kjo valë emigracioni ishte e parashikuar për ne.

Cilat janë problemet e Qeverisjes së majtë në pikëvështrimin e Avokatit të Popullit?

Institucionet shtetërore kanë për detyrë të jenë neutrale dhe të mos shprehin opinione politike në punën e një politikani e një ministri dhe preferoj të jem i kujdesshëm në këtë drejtim.

Cilat janë vështirësitë të cilat keni hasur gjatë punës si Avokati i Popullit?

Ne vuajmë nga mungesa e përgjigjeve për rekomandimet tona. Nga 176 rekomandime të drejtuara në institucionet shtetërore, 59 prej tyre kanë qenë pa përgjigje. Një çështje për të cilën nuk kemi marrë përgjigje është shpërthimi i pusit në Marinzë dhe nga matjet e bëra rezultoi që ka pasur shfaqje të gazrave djegës e helmues. Ka pasur dhe 250 qytetarë që kanë marrë ndihmë mjekësore. Ne kemi kryer hetime dhe rekomandimi ynë ende nuk ka marrë përgjigje.

"Channel One" – Roland Qafoku

SHKARKO APP