Imami i xhamisë së Tabakëve: Feja s’duhet përdorur politikisht
Kush është roli i Komunitetit Mysliman Shqiptar dhe bashkëpunimi për të biseduar edhe me shtatë xhami që nuk janë në juridiksionin e saj. A ka rrezik që ISIS të veprojë në vendin tonë?
Sulmet në Francë, edhe pse në distancë janë me mijëra kilometra larg, nuk e bëjnë imun vendin tonë, madje është më mirë një kambanë alarmi sot, se një përgjakje nesër. Thënia e pak ditëve më parë e kreut të shërbimit sekret se janë 140 shqiptarë që dyshohet se bëjnë pjesë aktive në organizatën terroriste ISIS, nuk është për t’u anashkaluar. Pikërisht në emër të fesë islame, disa të rinj shqiptarë kanë marrë në duar armë dhe flamurin e ISIS. Pa e kuptuar se atje ku po shkojnë dhuna, tmerri, vrasjet makabre dhe krimet i kalojën përmasat e imagjinatës së tyre para se të niseshin në të ashtuquajturin Xhihad, por që tashmë është kthyer në organizatën më të dhunshme që po trondit mbarë botën. Ndonëse nuk ka ndodhur që të ketë mirëfillti akte terroriste nga anëtarët e ISIS, sërish problemi ekziston, sidomos kur grupe të ndryshme radikale, të financuara në mënyrë të dyshimta nga shoqata të ndryshme që veprojnë jashtë vendit, mund të jenë preh e lehtë e rekrutimeve. Ata mesazhe në internet të dhëna drejtpërdrejt nga qytetarë shqiptarë që janë pjesë e ISIS, nuk janë për tu lënë krejt në oazin e tyre të dyshimtë. Drejtor i Mesazhit Islam në Komunitetin Mysliman, njëkohësisht edhe Imam i Xhamisë së Tabakëve në Tiranë në një intervistë për gazetën “Mapo”, ka komentuar ngjarjet e rënda të ndodhura në Francë pesë ditë më parë dhe qëndrimin e KMSH-së në lidhje me çështjen e ISIS dhe disa xhamive që nuk janë nën juridiksionin e saj.
Z.Naçi, të premten e kaluar në Francë ndodhën disa sulme të përgjakshme që u morën përsipër nga organizata ISIS. Si do e komentonit këtë ngjarje dhe çfarë mendimi keni që në emër të fesë islame, këta njerëz kryejnë sulme të tilla me pasoja të rënda mbi popullsinë?
Padyshim ngjarja e Francës ishte një ngjarje shumë e rëndë dhe ngushëllimet më të sinqerta janë për familjet e viktimave dhe popullin francez, çdo njeri me zemër të dhembshur ndjehet shumë keq kur shikon akte makabre që ndodhin në Francë apo Turqi e Liban dhe viktima të pafajshme bëhen pre e terroristëve të cilët nuk kane fe, kombësi dhe racë megjithëse ato përdorin kopertinën e fesë. Organizata terroriste e ISIS manipulon në emrin e fesë por veprimet dhe qëllimet e tyre janë vetëm djallëzore dhe krimet e tyre janë për të lënduar njerëzit, për të krijuar kaos dhe mbi të gjitha për të krijuar përplasjen e qytetërimit perëndimor dhe atë islam, fatmirësisht kjo dëshirë djallëzore e tyre është kuptuar qartë nga elitat intelektuale respektive dhe nga njerëzit me arsye objektive dhe me gjykim të ftohtë.
Ju jeni shprehur se një problem kryesor janë edhe financimet e dyshimta në vendin tonë. Për çfarë bëhet fjalë më konkretisht dhe a ka rrezik real që këto financime nëpërmjet shoqatave të ndryshme të kthehen në baza ku tentohet të krijohen kushte për rekrutimin e shtetasve tanë, që edhe nëpërmjet manipulimit të bëhen pjesë e ISIS?
Siç e theksova dhe në përgjigjen e mëparshme se mendimet dhe ligjërimet ekstreme janë starti i problemit do theksoja se edhe financimet janë një problem tjetër i cili duhet shikuar me kujdes, në Shqipëri janë shumë shoqata myslimane e jomyslimane që financohen nga jashtë, por ne po ngremë shqetësimin për shoqatat myslimane. Financimet e shoqatave janë një e drejtë ligjore dhe ne nuk kemi të drejtë të diskutojmë ligjshmërinë e tyre, por ajo që po theksojmë është transparenca dhe përdorja e tyre për manipulimin dhe injektimin e ekstremizmit, kjo gjë kërkon transparencë dhe mendoj jo vetëm si detyrim ligjor por edhe si një amanet hyjnor, ne myslimanët duhet të jemi shembull i transparencës dhe përdorimit të këtyre financave në dobi të vendit dhe qytetarëve tanë, në qoftë se me financimet ne do të rezultojmë në rregull dhe do të ndalojmë mendimet dhe ligjërimin ekstrem, ku shpeshherë përdoret për interesa të çdo lloji përveç fetare, ne do të jemi imun nga çdo faktor ekstremisto-terrorist. Duke falënderuar shumë shoqata bamirëse dhe kulturore për kontributet e tyre uroj që përgjegjshmëria në këto kohë të vështira të jetë në nivelin maksimal.
Çfarë qëndrimi po mban Komuniteti Mysliman Shqiptar për situatën aktuale për të ndërgjegjësuar individë të veçantë që të mos bien preh e manipulimeve dhe a ka bashkëpunim me organizmat ligjzbatuese shtetërore për të parandaluar krijimin e organizatave apo celulave që kanë prirje drejt kryerjes së akteve terroriste?
KMSH prej kohësh po përpiqet për të ruajtur traditën e mrekullueshme që na lanë të parët tanë dhe brenda mundësive po përpiqemi t’i shpjegojmë njerëzve islamin real, i cili mbështetet mbi dashurinë, moralin, tolerancën, mëshirën dhe mbi të gjitha arsyen, po mundohemi që sa më qartë të shpjegojmë rrugën e besimit tek Zoti e cila konkretizohet me vepra të mira dhe të moralshme, po përpiqemi ta asfaltojmë ku fara e ekstremizmit mos të ketë vend për të mbirë. Lus Zotin të na ndihmojë në këtë qëllim i cili është në dobi të gjithë popullit tonë dhe vendit tonë gjithashtu. Për bashkëpunimin me organizmat ligjzbatuese, ne jemi të hapur për bashkëpunim me qëllim frenimin e ekstremizmit dhe veprave terroriste, dua të sqaroj se mundësia e KMSH është vetëm karta morale dhe shpjegimi teologjik, kurse organizmat ligjzbatuese kanë një sërë mekanizmash në funksion të parandalimit të veprave terroriste, gjë e cila lus Zotin në vendin tonë të mos ndodhë.
Një numër xhamish nuk janë nën juridiksionin e KMSH-së, a përbëjnë ato një problematikë ku persona të ndryshëm abuzojnë nën emër të fesë dhe rekrutojnë persona të cilët më vonë mund të jenë kontingjent i mundshëm për t’u bërë pjesë e organizatave fundamentaliste?
Është e vërtetë, janë 7 xhami të cilat nuk janë në juridiksionin e KMSH, kjo është një çështje e cila në të ardhmen duhet të rregullohet dhe qartësohet më shumë me anë të ligjit. Ajo që ne po bëjmë aktualisht është dialogu me përfaqësuesit e këtyre xhamive për të qenë pjesë e KMSH dhe ku Imamët e këtyre xhamive të emërohen nga KMSH dhe gjithë përgjegjësia të jetë e jona për gjithçka ndodh aty, në të kundërt këto përfaqësues janë vetë përgjegjës dhe këtu mbaron roli jonë. Ajo që po synojmë gjithmonë e më shumë është pavarësia e mendimit teologjik për mos t'u ndikuar nga vende që përpiqen fenë ta përdorin politikisht dhe në disa raste deri në faza ekstreme, dhe në fakt nuk po bëjmë asgjë më shumë se dijetarët dhe hoxhallarët shqiptarë si Vehbi Dibra, Hafiz Ali Korça, Hafiz Ibrahim Dalliu, të cilët në situata kritike për vendin tonë zgjodhën me një besim të sinqertë te Zoti të mirën e Shqiptarëve dhe të Shqipërisë.
A ekziston rreziku që në vendin tonë, në mos tani, më vonë mund të shtrohet “rruga” që eksponentë të tillë me prirje fundamentaliste të veprojnë edhe në Shqipëri, duke kryer akte të dhunshme?
Në vendin tonë nuk duket se ka një rrezik evident, por duke parë psikologjinë e kësaj organizate, asnjëherë nuk mund të flasësh me siguri absolute, megjithëse rreziku nuk duket i afërt kjo gjë nuk duhet të na humbë vigjilencën dhe seriozitetin në përpjekjet për të minimizuar akoma më shumë këtë fenomen dhe mbyllur të gjitha rrugët dhe shtigjet nga mund të rrezikohemi, eksperienca ka treguar se çdo gjë fillon nga mendimet ekstreme dhe fatkeqësisht në vendin tonë kjo gjë tolerohet në mënyrë të habitshme, duhet qartësuar ligjërisht koncepti i diversitetit të mendimeve e cila konsiderohet pasuri dhe e çon përpara qytetërimin njerëzor nga konceptet, mendimet dhe ligjërimit të cilat shkaktojnë urrejtje fetare dhe më pas në fazën e lavazhit të njerëzve të ndryshëm ku përgjithësisht bëjnë pjesë të rinjtë pa eksperiencë të jetës dhe manipulimeve, në këtë aspekt për të qenë korrekt ne kemi ngelur në klasë dhe shpeshherë të krijohet ideja se në vend që të hapet shikimi jashtë normales sytë mbyllen dhe situata tolerohet. Unë e them me bindje se në qofte se ne sot nuk tregohemi të vëmendshëm në të ardhmen jemi të rrezikuar, fakti është i pakundërshtueshëm se kur i mbyllëm sytë në të kaluarën, e tashmja na mbuloi me turp, kur sot e shikojmë veten të përmendemi se në organizatën terroriste ka shqiptarë jemi koshientë se me pak kujdes dhe vizion situata do të ishte totalisht ndryshe. Shpresoj shumë që gabimet e së kaluarës të jenë leksioni i të ardhmes. Organizata terroriste e ISIS, me gjuhë përmend Zotin dhe si justifikim për krimet përmend realitetin e mjerë në Lindjen e Mesme, por veprimet e tyre janë të urryera tek Zoti i Gjithësisë dhe janë të dashura vetëm tek djalli. Ato nuk mund t’i shmangen dot teksteve të qarta kuranore: “Kush e vret një person sikur ka vrarë të gjithë botën, dhe kush e ngjall një njeri sikur ka ngjallur të gjithë botën. Myslimanët e vërtetë ishin roja i stadiumit i cili e hetoi terroristin dhe nuk e lejoi të hynte në stadium ku katastrofa do ishte shumë me e madhe dhe myslimani tjetër që shpëtonte të lënduarit kur terroristët kryenin terror.