Intervista e Berishës tek RTK e Kosovës

Themelimi i Partise Demokratike si parti e interesit kombetar,

Marredheniet e mia me presidentin Rugova,

Marredheniet e mia me UÇK,

Qendrimi im ndaj luftes,

Mbeshtetje e Shqiperise per pavaresine e Kosoves,

Zhvillimet aktuale ne Kosove,

Zhvillimet aktuale ne Shqiperi,

Keto dhe ceshtje te tjera do te gjeni ne intervisten time me kryeredaktorin e RTK, Rdvan Berisha. Ketu me poshte per ata qe jane te interesuar keni tekstin e plote intervistes dhënë kryeredaktorit te RTK, Ridvan Berisha për emisionon politik “Debat”. sb

PYETJE: Jemi këtu në Tiranë për të intervistuar një nga figurat qëndrore të politikës shqiptare, që identifikohet me shëmbjen e komunizmit, transformimin e madh të qeverisjes nga një sistem i egër diktatorial në atë pluralist, zotin Sali Berisha. Mirëmbrëma zoti Berisha dhe faleminderit për këtë intervistë.

BERISHA: Ju falenderoj unë ju dhe përshëndes me këtë rast të gjithë teleshikuesit e televizionit tuaj në mënyrën më të përzemërt.

PYETJE: Siç e thashë në fillim, ju identifikoheni me shëmbjen e komunizmit, një periudhë mjaft e egër për shqiptarët në Shqipëri, identifikoheni me periudhën e transformimeve të mëdhaja politike, sikurse identifikohet dhe i gjithë Ballkani Perendimor me transformimin e përgjakshëm që ndërmori ish regjimi Millosheviçit me luftrat që ndërmorii, flasim për periudhën e pluralizmit në gjithë Ballkanin Perendimor. Sot jemi gati 30 vite pas shëmbjes së komunizmit, si në ish Jugosllavi dhe Shqipëri. Shohim një përpjekje aktive të rusve për ta rikthyer ndikimin ende në Ballkan. Cka ju kujton ajo kohë? Cili është leksioni i asaj periudhe të reformave të mëdhaja politike demokratike, dhe, sot, ballafaqimi me temat e mëdha që e presin rajonin siç janë integrimi evropian etj.

BERISHA: Së pari, dua të them se shqiptarët, përmbysjen e komunizmit ia dedikojnë, para së gjithash, atyre studentëve që u ngritën mbi shtypjen më të egër, mbi mjerimin më të madh mbi zenitin e guximit njerëzor dhe që me protestat e tyre gjunjëzuan diktaturën dhe çelën portat e pluralizmit në Shqipëri. Duke thënë këtë, unë kam ardhur në vitin 90 si një intelektual që kisha arritur të paraqesë një platformë të tërë e cila fillonte me lirinë e mendimit, me çdemonizimin e kundërshtarit, me dënimin e censurës por dhe të autocensurës, dënonte izolimin, burokracinë, priviligjet, pabarazinë ligjore. I kërkova Ramiz Alisë të heqë nga Kushtetuta, atë që i kërkoi Saharovi, Gorbaçovit, nenin i cili i jepte fuqi hegjemone PPSH-së dhe partia të marrë atë që meriton. I kam thënë se Stalini është armik i kombit shqiptar dhe i kam kujtuar në atë takim se çfarë shkruan Gjilasi në bisedat me Stalinin, i kam kërkuar në shkrime të tjera që të hapet pluralizmi politik meqë nuk po zhvillohet pluralizmi mendimit. Shqipëria ishte vendi i monizmit total më ekstrem që ekzistonte. Por, duhet t’ja u dimë të gjithë për nder studentëve. Në mënyrë absolute nuk kisha menduar kurrë se do shihja një ditë të lirë dhe nuk isha angazhuar për asnjë qëllim tjetër por për të bërë si intelektual atë që s’kisha bërë për të dalë nga konformizmi im si intelektual dhe për të treguar veten time pavarësisht nga çmimi që unë do paguaja. Në dhjetor, sa mora lajmin u nisa fluturim dhe jam nisur tek studentët. Ndonëse thashë se isha i bindur se nuk do shihja një ditë të lirë, për vete, por isha i bindur se një ditë do vinte, kur 700 mijë të rinj që kishte Shqipëria të flisnin me zërin e tyre për ta ndryshuar situatën, por Sali Berisha, atë ditë, mendoja unë se nuk do ta arrinte.

PYETJE: Pse është me rëndësi ta kujtojmë këtë moment të jashtëzakonshëm të transformimit shoqëror?

BERISHA: Moment i jashtëzakonshëm sepse pluralizmi hapi dy mundësi. Hapi mundësinë e vendosjes së standarteve demokratike të njeriut dhe hapi mundësinë e zgjidhjes së çështjes kombëtare. Në takimin tim të parë me Azem Hajdarin, kur unë kam shkuar për t’u bashkuar te demostrata e tyre, më tregon një listë kërkesash, ishte ndër to dhe krijimi i një organizate rinore intelektuale të pavarur. I them se krijimi i pluralizmit politik është interesi jetik i Shqipërisë, ky është interesi jetik i Kosovës, se nuk ka Kosovë të lirë pa një Shqipëri të lirë dhe se ne na takon të bëjmë gjithçka duke patur parasysh këtë, se çështja e Kosovës nuk mund të zgjidhet me një Shqipëri të pushtuar nga brenda.

Dy ditë pasi u themelua partia, dy miq të mi vijnë e më thonë: “Sali tani t’u themi mirupafshim e të vazhdojmë punën tonë ne, ti lëmë këta”. Jo, i them, për dy arsye. E para sepse unë jam gjakftohtë, mua këta që janë në pushtet nuk më impresionojnë për asgjë sepse unë i kam marrë vendimet e mia me kohë, dhe së dyti, është çështja e Kosovës dhe unë do të qëndroj për çështjen e Kosovës. Dhe në mitingun e parë të legalizmit të PD-së kam deklaruar se PD ka për detyrë zgjidhjen e çështjes kombëtare, ylli ynë polar do të jetë çështja kombëtare dhe se PD ka për detyrë bashkimin e kombit shqiptar dhe proceset integruese europiane. Kjo ka qënë deklarata e javës së parë të Sali Berishës.

PYETJE: Zoti Berisha po i referohesh pluralizmit dhe vështirësisë së këtij procesi kaq të vështirë jo vetëm në Shqipëri por për të gjitha vendet e Ballkanit Perendimor. Cilat kanë qënë tre momentet më të vështira si president republike? Mbaj mënd atë kohë kur paga juaj ishte 25 dollarë…

BERISHA: Në fakt, po të korrigjoj pak, ishte 16 dollarë, dhe kur unë jam ulur në Shtëpinë e Bardhë dhe në krahun tjetër të oxhakut kisha Xhorxh Bushin unë isha presidenti me rrogë 16 dollarë. Por përsëri unë kisha besim të pathyeshëm tek liria e individit. Ridvan, që të dish ti se ku ishim ne me njohuritë për tregun, në tetor të 1990, unë pyes një profesore të ekonomisë politike që më solli nipin për t’ja vizituar dhe i them se “a ka ndonjë syth tregu ky fjalimi i Ramiz Alisë” dhe më thotë “doktor, unë tezën e bëj për anti tregun, kundra tregut”. Pra kjo ishte një përgjigjë si për të thënë që, të lutem mos më provoko me këtë pyetje. Dhe, kur në një tryezë me Fatos Nanon, Alfred Uçin që e organizoi Zëri i Popullit unë kërkoj që të hapet debati për ekonominë e tregut, unë të garantoj se kisha zero njohuri për ekonominë e tregut por kisha parë se ajo kishte bërë magji në shoqëritë e lira dhe bësoja se ajo do bëntë magji edhe në Shqipëri.

PYETJE: Cilat ishin tre problemet më të mëdha që u ballafaquat në vitet e para?

BERISHA: Varfëria më ekstreme. Shqipëria renditej sipas BB si vëndi i tretë më i varfër i planetit me Ugandën dhe Angolën, por mos harro se këto dy vende ishin të vendosura në kontinentin në atë kohë më të varfër që ishte Afrika, kurse Shqipëria ishte e vendosur në kontinentin më të pasur dhe nuk ka gjë më të trishtueshme sesa të jesh i varfër midis të pasurve siç ishim ne. E dyta, psikologjia moniste. Shkalla e indoktrinimit të shqiptarëve nga regjimi komunist ishte e jashtëzakonshme. Nuk duhet të harrojmë, se vërtet Enver Hoxha nuk ja doli të vendoste kultin e tij në vend të kultit të Zotit, por vendosi gjenerata të tëra ateiste, dhe këtu s’është se nuk pati sukses. Vërtet krijoi kolektivizmin total, por krahas tij zhduku absolutisht nocionet e pronës tek shumica dërrmuese e shqiptarëve.

PYETJE: Sot Shqipëria ka ende probleme të pronës…

BERISHA: Sot ka Shqipëria probleme shumë të mëdha sepse më gjithë përpjekjet që janë bërë për të zgjidhur, dhe mbi 80% e saj është zgjidhur, përsëri ka me mijëra dosje të pazgjidhura për shkak të zhvillimeve shumë të shpejta që ndodhën në vitet 90. Shqipëria në vitet 90, fshati shqiptar shëmbëllente me një rezervat njerëzor. Po të jap vetëm shëmbullin e familjës time direkt. Aty ku unë kisha lindur ishin vetëm tre familje, kurse në vitin 90 aty ishin 13 familje, dhe imagjino që po ajo tokë ishte. Kjo pra ishte lëvizja, sepse nuk lejohej që të ikje nga vendi i banimit. Pra ishte psikologjia moniste…

PYETJE: Keni jetuar dy periudha, atë të diktaturës dhe atë të demokracisë. A është përmbledhur gjithë ai rrëfim për shikuesit dhe lexuesit e rëndomtë? A është njohur opinioni në Shqipëri dhe kudo me rrënjët e këqija që ka lënë diktatori Hoxha?

BERISHA: Jo absolutisht nuk është njohur. Së pari, shumë e shumë gjëra në atë kohë nuk janë njohur. Unë kam qënë pedagog në universitet, kam punuar me kolegët e mi, por unë jam bërë president republike dhe nuk e kam ditur se ishin qindra e qindra shqiptarë të ndryrë në spitalet psikiatrike për motive politike. Unë këtë e kam zbuluar, dosjen e kam gjetur vetëm pasi jam bërë president por dersa kam gjetur dosjet, ishin jo të paktë të huajt që më pyesnin nëse kishim patur ndryrje në spitalet psikiatrike dhe unë u thoja se nuk ka patur, sepse nuk e dija. Verndi jetonte me një lëvizje tmerrësisht të bllokuar dhe të ngadaltë. Duhet të kishe lidhje direkte dhe familjare që të dije se çpo ndodhte në periferi. Shqipëria ishte një bunker, në kuptimin absolut, ku të merrje vesh se ç’ndodhte në bizat e bunkerit ishte absolutisht e vështirë.

PYETJE: Ju identifikoheni me figurat qëndrore që lidhen me transofrmimet më të mëdha që ka pësuar Shqipëria, që nga diktatura në sistem pluralist. A e keni përdorur pushtetin dhe besimin publik, për sa kohë që keni qëndruar, për ti demonizuar kundërshtarët politik? Po flas pas vitit 90, si jeni sjellë me kundërshtarët politik?

BERISHA: Unë mendoj se me kundërshtarët politik, përveç arrestimit të Fatos Nanos, arrestim i cili, dosja e të cilit nuk kishte absolutisht asnjë element të shtuar nga Sali Berisha. E kishte pregatitur vetë PS në pushtet dosjen e Nanos. Unë nuk them se ishte fajtor apo jo sepse ështe çështje gjykate, por arrestimi i tij në atë kohë në avancë ishte një hap shumë i gabuar që në mënyrë kategorike s’kishte të bënte me Sali Berishën. Por Sali Berisha përgjegjësisë nuk i ikën, nuk thotë se nuk isha president. Unë isha president dhe ajo ndodhi. Në raste të tjera kam bërë gjithçka për të gjetur gjuhën me kundërshtarët politikë në çdo moment. Fakti që ata erdhën në pushtet me rebelim komunist, ata erdhën në pushtet duke gjuajtur me armë presidencën dhe unë ndodhesha brenda në detyrë, duke menduar se mund të pushtonin presidencën, dhe unë i largova me votë nga pushteti, kjo dëshmon besimin tim të madh tek ato parime që unë kisha shpallur.

PYETJE: Duke iu referuar dhe Kosovës dhe problemit të shqiptarëve në rajon, çështjen e integrimit që ju e keni artikuluar që në atë kohë, zoti Rugova e ka përfaqësuar lëvizjen më të madhe politike në Kosovë, Lidhjen Demokratike të Kosovës në rrethana mjaft të egra në atë kohë. Ca bashkëpunimi keni patur me Rugovën, a ka ekzistuar koordinimi i mirëfilltë midis jush dhe zotit Rugova?

BERISHA: Dua të theksoj se Rugova, është në vlerësimin tim një nga tre gjenitë e kombit shqiptar. Në letra, është Ismail Kadare; në humanizëm, është Nënë Tereza; në politikë, është Ibrahim Rugova. Bashkëpunimi ynë, që nga data 21 shkurt që Ibrahim Rugova ka shkelur në Shqipëri, ku ka ardhur për vizitë duke deklaruar që në aeroport që vinte me ftesë të Sali Berishës, ka qënë një bashkëpunim i ngushtë dhe intensiv, një bashkërendim i ngushtë i të gjitha përpjekjeve për të promovuar dhe për të çuar drejt zgjidhjes problemin e Kosovës. Do të të tregoj një gjë interesante. Asokohe këtu stërviteshin grupe luftëtarësh, kishin filluar nga gjysma e dytë e vitit 91 dhe vazhduan dhe gjatë vitit 92’. Që të jem i sinqertë ishin që të gjithë nën patrinazhin e qeverisë së Kosovës. Në pranonim një lloj kuverture por ajo ishte e tëra nën patronazhin e qeverisë së Kosovës. Një ditë më kërkon takim një grup prej tyre dhe i pres në presidencë, 48 apo 50 prej tyre. Nuk i njihja. U fola për Shqipërinë dhe për Kosovën dhe në fund pasi fola 40 min sa ngrihet njëri dhe thotë: “tani na thuaj se çfarë do bësh për Kosovën”. I them se “unë të garantoj ty dhe të gjithë këta se 50% e kohës time unë do ja kushtoj Kosovës dhe 50% të kohës sime do ja kushtoj Shqipërisë”. Dhe këta, pasi diskutuam aty dolën dhe bën ënjë mbledhje për të analizuar takimin me mua dhe në fund konkluduan që janë në rregull sepse unë i kisha dhënë fjalën se 50% të kohës do ja kushtoja Kosovës. Sepse unë u thashë që në luftë me Millosheviçin ne nuk hapim sepse jemi për zgjidhje.., por nëse ai ndërmerr veprime, ne absolutisht, e kishim thënë, që do reagojmë si një komb i vetëm. Kështuqë, me presidentin Rugova ne bashkërendonim në tërësi qëndrimet dhe bashkëveprimet. I një rëndësie të madhe për mua ishte promovimi i personalitetit të tij dhe që të kishte takime sa më të shumta. Dhe më kujtohet që kryeministri parë që e ka pritur në takim ishte ai grek, Mitsotaqis, sepse i thashë në Stamboll kur e takova që “ti shkon dhe takon Millosheviçin gjaksor dhe nuk takon njëriun paqësor Ibrahim Rugovën”. Po pse ta takoj më tha? Si pse ta takosh, – i them, – po pse, për dy milionë shqiptarë në Kosovë, Millosheviçin do takosh? Dhe e priti ç’është e vërteta.

PYETJE: A ka patur midis jush dhe presidentit Rugova telefonata javore?

BERISHA: Jo telefonata nuk ka patur, kemi komunikuar me takime dhe me njerëz që vinin dhe shkonin por jo me telefonata. Kështuqë, u arrit një hap i madh shumë në rrafshin ndërkombëtar, në Helsinki. Në samitin e Helsinkit, diplomacia shqiptare ia doli të vendosi në dokumentin e samitit një paragraf të veçantë për Kosovën pasi deri në ato momente Kosova futej në kuadrin e Serbisë. E nxorrëm nga kuadri Serbisë, e nxorrëm si të ishte entitet, si të ishte republikë. Kjo i tërboi rusët, kjo çeli rrugën e veprimit të pavarur të ndërmjetësve ndërkombëtar. Se në atë paragraf, pasi dënuam politikën e Millosheviçit, se edhe ata politikën e Millosheviçit e dënonin, por problemi ishte se çështjet duhet të zgjidheshin ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës në praninë e një pale të tretë, me një ndërmjetës, këtu ishte gjithë kleçka por rusët nuk e pranonin kurrësesi praninë e palës së tretë. Prania e palës së tretë, dhe amerikanët më thonin ta hiqja praninë e palës së tretë, jo i thoja, sepse pala e tretë ju do jeni, nuk do jetë Shqipëria. Dhe pas kësaj Lordi Ouen dhe Cyrus Vance bënë vizitën e parë të rëndësishme në Kosovë, pasi erdhën një herë në Shqipëri dhe në fakt ja u sugjerova, ku më kërkuan që të bisedoja me Rugovën për ti thënë të hynin në zgjedhje. I thashë se edhe po t’ja thëm Rugovës, le që nuk ja them kurrë, por dhe po ti them, dhe po tu thotë Rugova shqiptarëve, ata nuk i dalin, dhe ju nuk keni asnjë interes sepse ju diskretitoni në këtë mënyrë të vetmin interlokutor dhe lider që keni në Kosovë. Por i këshillova të shkonin dhe ti bënin një vizitë në selinë e tij dhe të bisedonin me të. E pranuan në fakt dhe kur u kthyen më thanë që kisha patur të drejtë. Patën një aksident atje sepse i tha Panic që do i shoqëronte ai, ndërkohë Millosheviçi lajmëroi serbët e Kosovës, ata vetëm sa nuk u shndërruan në trupa , tek Ibrahimi shkuan dhe gjetën një personalitet kret tjetër nga ç’mund tu ishte thënë dhe u ndanë shumë të kënaqur dhe më thanë se kisha të drejtë. Dhe Beogradi, Millosheviçi më pas nuk donte ti priste ata, sepse u thoshte se ju nuk mund të veproni në mënyrë të pavarur, mirëpo ata kishin mbrojtjen ndërkombëtare.

PYETJE: Cilat janë momentet që mund ti cilësojmë ndoshta të pakëndshme me zotin Rugova?

BERISHA: Ka patur momente nga vitet 96 ku unë kam qënë për një radikalizim të veprimeve, të jem i hapur. Fhe këtë e kam shprehur. Ai është gjeni në politikën shqiptare dhe ne nga koha e Skëndërbeut, një politikan që të ketë bërë me forcën e ideve atë që ka bërë ai me armë ne nuk kemi patur. Ai është gjeni, por përsëri duhet të jemi realist se zgjidhja përfundimtare nuk vinte vetëm në rrugën paqësore.

PYETJE: Keni patur dallime?

BERISHA: Kemi patur dallime. Unë kam qënë për protesta në Kosovë, nga viti 95-96 kam qënë për nxitje protestash. Kemi qënë plotësisht dakort me ndërmjetësimin që bëri Vatikani për arsimin dhe rikthimin e arsimit, dhe ky ka qënë një qëndrim i bashkërenduar midis Tiranës dhe Prishtinës. Rugova kishte një dashuri të pakufishme për Kosovën dhe nëqoftëse ai i përmbahej vendosmërisht linjës paqësore ndofta e bënte se ai besonte se në këtë linjë do vinte momenti të zgjidhej dhe që Kosova të mos shkatërrohej. Ky besoj ka qënë qëndrimi i tij. Në fakt jam përpjekur edhe gjatë luftës, në mënyrë shumë insistuese, që të mbështesë luftën mirëpo këta bënin lista të papranueshme dhe ndonjëherë detyrohesha ti dënoja si akte terroriste…

PYETJE: Ka patur humbje raportesh midis jush dhe zotit Rugova apo jo?

BERISHA: Kishte në këtë moment, vetëm në 96, por gjatë luftës jo. Ai mbeti Ibrahim Rugova siç ishte, mbeti një njëri, vetja e tij. Ka ardhur këtu nga Rambuje dhe Kosova ishte në flakë dhe u fut drejt e në Kosovë ndërkohë që kishte mundësi të rrinte këtu, kishte mundësi të rrinte kudo.

PYETJE: C’thotë bashkëpunimi juaj me drejtuesit e lëvizjes popullore të Kosovës, lëvizjes ilegale politike e cila kishte shfrytëzuar dhe parë Shqipërinë si adresë të vetme për mobilizim dhe pregatitje ushtarake në mënyrë që kur ti vinte momenti i ballafaqimit ushtarak të ishin të gatshëm për të hyrë në luftë?

BERISHA: Eshtë ashtu siç thoni ju por pak më ndryshe. Unë i njihja këta të LPK-së dhe e vërteta është se unë vlerësoja shumë sakrificat e tyre, më mërziste shumë kur i shihja flamurin me drapër dhe çekan por ata ishin ama për qëndresë ishin. Dhe i them Rugovës se, tani Shqipëria është e lirë dhe se ne duhet të vazhdojmë ti ftojmë ata të vijnë si në vendin e tyre por dhe ti do hapesh ndaj tyre dhe kush të dojë të anëtarësohet në LDK se pavarësisht ata janë atdhetarë dhe njerëz që sakrifikojnë. Dhe ç’është e vërteta jo një por disa degë të tyre kaluan me LDK-në, janë me emër dhe mbiemër ata drejtues. Ata u mobilizuan për luftën dhe unë kam mbajtur qëndrim, jam distancuar shumë me ta dhe me ato listat që bënin të cilat ja shfrytëzonin shtypi ndërkombëtar për ti paraqitur si marksistë leninistë por pavarësisht nga kjo unë kam mbajtur lidhje me të gjithë ata që kanë qënë në Tiranë sikundër kam mbajtur lidhje shumë të ngushta me Bujar Bukoshin dhe me Farkun, kam mbajtur lidhje edhe me të tjerë si psh me zotin Demaçi. Kam mbajtur me Demaçin takime konstante dhe të ngushta dhe takimi im i fundit me të është bërë në Tiranë nga mesi i konferencës së Rambujesë dhe unë kam qënë i hapur dhe jam përpjekur me të gjithë mundësitë e mia..

PYETJE: Afërsia juaj me LDK dhe zotin Rugova ju ka bërë objektiv në trajtimin e krahut tjetër që po e shfrytëzon Shqipërinë për tu pregatitur për luftë?

BERISHA: Problemi është ky. Rugova ka meritën e madhe që themeloi partinë e parë antikomuniste në Ballkan dhe këtë argument i kam dhënë Mitsitaqisit ku i kam thënë që ti nuk takon atë që ka themeluar partinë e parë antikomuniste në Ballkanin e diktaturave komuniste. Ishte partia e parë opozitare e Shqipërisë dhe natyrisht bashkëpunimi deri sa janë krijuar partitë e tjera në Kosovë. Kosova kishte si parti LDK-në dhe kishte një shoqëri civile. Krijimi i partive të tjera, ne kemi vendosur marrëdhënie me partitë e tjera, kemi vendosur bashkëpunim. Edhe zoti Demaçi i cili në ato vite ka ardhur shpesh në Shqipëri dhe me të kemi bërë diskutime të zgjeruara, nuk është se ka qënë kaq kritik ndaj Rugovës. Të gjitha veprimet, ose shumica e veprimeve janë diskutuar me Adem Demaçin në Shqipëri, si psh hapat politike që ndërmerreshin dhe ai ishte i informuar për zhvillimet sepse ai ishte një institucion për mua në atë periudhë, vetë Demaçi ishte një Mandelë. Dhe kur në takimin e fundit i kërkova që të nisej në Rambuje, sepse doja që të kishim në përfaqësim Gandin dhe Mandelën dhe ta bënim sa më impresionant takimin, ai nuk shkoi dhe më vjen keq por nuk shkoi.

PYETJE: Jeni përballur nga prespektiva e një burrështetasi me pushtet të fuqishëm në rrethanat e kohës, por a ka mundur të bëhet më mirë nga viti 94 e tej?

BERISHA: Duke i parë gjërat në tërësi, unë çlirimin e Kosovës e konsideroj mrekullinë më të madhe shqiptare që nga luftërat e Skënderbeut, sepse unë jam i vetëdijshëm se çfarë vështirësie të jashtëzakonshme kishte të lëvizje statusin në Evropë. Europa është kontinenti i konservatorizmit, është kontinenti i kodeve të forta. Lëvizja e këtij statusi nga shqiptarët përbën mrekullinë e tyre më të madhe në histori dhe është faqja më e ndritur e nacionalizmit shqiptar, nacionalizëm i cili ka qenë për fatin tonë jo të mirë në momente të rëndësishme edhe difiçitar. Nacionalizmi shqiptar, në betejën për Kosovën, mposhti nacionalizmat e egra sepse ishte në të drejtë dhe e vendosi çështjen e Kosovës si çështje të Perëndimit, çështje të botës. Në vitin 1994 ka një rezolutë të OKB për Kosovën, të votuar nga 137 shtete, në të cilën kërkohet, pasi dënohet në faqe të tëra aparteidi dhe segregacioni i Millosheviçit në Kosovë, kërkohet ti njihet popullit të Kosovës e drejta për vetvendosje. Dhe ai dokument ndërkombëtar ka qenë dokument që nuk mund të hidhej më poshtë. Në draftin e parë të Rambujesë ka qenë plotësisht i mishëruar dhe në draftin e dytë me nënkuptim e la. Merita tjetër ishte se Ibrahim Rugova, nga ato barake ku ishte, nga një politikan që gazetarët edhe pa shkuar në konferencë shtypi shkruanin se çfarë po thotë, se ishte misionar ai e shpërndante mesazhin me katër fjali. Ibrahim Rugova e ngriti atë çështje nga ajo barake, në dhomën ovale të Bill Klinton, dhe në bisedën e fundit me Klinton, ai i thotë, -Ibrahim çfarë do ti të bëjmë po për pavarësi nuk mund të behet fjalë, – dhe ky që rri pak dhe i thotë, – zoti President përveç pavarësisë asgjë nuk e zgjidh problemin. E ka Ollbrajt në memorie këtë.

PYETJE: Z. Rugova pas vitit 99 u ballafaqua me rivalin e tij serioz le të themi, z. Thaçi tashmë president i zgjedhur nga kuvendi i Kosovës. Çfarë tensioni patët me zotin Thaçi dhe ku u shtensionua ajo situatë nga viti 96?

BERISHA: Unë nuk kam pasur asnjë tension me z. Thaçi. Asnjëherë. Nëse janë kryer veprime, çështje të zbatim ligjit, por jo të qëllimta, sepse nuk e ka ditur kush se ky është udhëheqës i kësaj lëvizje apo asaj lëvizje. Në ’97 unë kam takuar pothuaj rregullisht Xhavid Halitin, Azem Sylën, i cili rrinte ne Tropojë, unë kam mbajtur lidhje konstante dhe ata e dinë mirë që unë, se unë isha në opozitë por i kam pyetur se çfarë mund t‘ju ndihmoj. Nuk kanë kërkuar asgjë. Unë ju kam bërë thirrje të gjitha degëve t’ju japin armë falas sa më shumë. Shqipëria ishte plot armë. Depot ishin të hapura dhe duhet t’ju jepeshin armë. A e kontrolloja unë këtë? Jo absolutisht jo, aty nuk futesha unë, por direktiva ime për degën e PD ishin të mblidhnin dhe t’ju jepnin armë sa të mundeshin. Kurse në shesh, kur është bërë mitingu, kam shkuar unë me Rexhep Mejdanin e Fatos Nanon që kam hedhur kushtrimin “një komb një qëndrim”, motiv që e kisha përdorur edhe përpara qoftë në zyrën e George Bush. I vetmi moment nervozizmi që kam pasur me ta ishte kur bënë listat. Jo se futën Sali Berishën në listë pro kjo nuk shkonte sepse mua më vinin miq nga perëndimi dhe ishin shumë të tërbuar me ta për shkak të kësaj praktike por jo se më futën apo s’më futën mua në listë…

PYETJE: Kosova përjetoi një periudhe të tranzicionit pastaj me mandat ekzekutiv. Është me rendësi një takim që patët ju me presidentin e SHBA këtu në Shqipëri ku Kosova si rezultat i mbështetjes ndërkombëtare fitoi pavarësinë. Na thoni ndonjë detaj interesant nga ky takim?

BERISHA: E vërteta është se ai ishte një takim shumë historik. E vërteta është se kishte përpjekje të mëdha për ta bllokuar pavarësinë e Kosovës dhe kësaj here për fat të keq jo vetëm nga Rusët, por edhe disa kancelari të tjera të mëdha ndryshuan qëndrim qartësisht. Presidenti George Bush erdhi në Shqipëri dhe në bisedë më thotë se dua mendimin tënd për Kosovën dhe se cilën quan ti si zgjidhjen më të mirë për këtë çështje. U thotë atyre se ky e njeh vendin ndaj dëgjojeni. Më tregoi se ne Gjermani, në grupin G8, se e kishte pyetur Putinin se çfarë mendon për pavarësinë e Kosovës, nuk më ktheu përgjigje tha. Pasi mbaroi ekishte pyetur sërish se çfarë mendon për pavarësinë e Kosovës, nuk më ktheu përgjigje. Pasi mbaroi i kishte thënë se “Vladimir, unë jam për Pavarësinë e Kosovës”. Më tregoi sesi ndërhyri një udhëheqës tjetër jo në favor.

Më thotë mua se: “kur thua ti që të shpallet”, tekstualisht. Unë i them : “president, për sa kohë ju e keni bërë mëndjen, merr kohën që të duhet dhe për pjesën tjetër merrem unë. Aty ishin të gjithë zyrtarët më të lartë dhe atyre ju erdhi fytyra se menduan se mos po ju them pas një jave.

PYETJE: Paraqitja publike pas atij takimi nuk ju duk befasi?

BERISHA: Paraqitja publike ishte “the time is noë”. Jo sepse ju ishte bërë thirrje kryeministrit të Kroacisë dhe Maqedonisë, me qëllimin e vetëm për t’ju shpjeguar se pavarësia e Kosovës është e rëndësishme, prodhon paqe, prodhon stabilitet. Se maqedonasit nisën të thonë se po u shpall pavarësia e Kosovës do të destabilizohet Maqedonia. Unë ju çoj fjalë duke ju thënë se po e thatë këtë unë do t’ju bëj thirrje shqiptarëve të ngrihen kundër jush, sepse ne nuk mund të sakrifikojmë Kosovën për ju. Si mund të destabilizoheni ju se behet Kosova e pavarur!

Në analet diplomatike, sidomos Brankoja e kishte qarkulluar më shumë dhe kjo ishte shqetësuese.

PYETJE:Nga ky takim ishte qartësuar edhe më parë rruga e Kosovës?

BERISHA: Edhe më parë amerikanët kanë qenë shumë të kthjellët. Në takimin tim të parë me Solanën në 2005, i them se pa pavarësinë e Kosovës, faktori shqiptar mbetet fluid në Ballkan. Ai iu qarkulloi të gjitha vendeve deklaratën time dhe ata erdhën dhe më pyetën për këtë. Po, kam thënë të vërtetën u thashë.

PYETJE:Ka qenë një prej përjetimeve më të mëdha?

BERISHA: Më i jashtëzakonshmi për mua. Ai dy gjëra më njoftoi, Kosovën dhe NATO-n. Dy momentet më kulmore për mua.

PYETJE:Kosova tashmë është shtet i pavarur, por Kosova ka probleme të jashtëzakonshme që zemërojnë njerëzit atje, pavarësisht problemeve social-ekonomike, Kosova ka ende probleme të mëdha me Serbinë, veriu i Kosovës mbetet ende brenda territorit. A është Kosova shtet i bërë përfundimisht apo jo?

BERISHA: Unë jam i bindur se Kosova është shtet i bërë. Kosova këto tetë vite, përveç periudhës më të fundit, ka dëshmuar vitalitet si demokraci, ka zgjidhur çdo krizë, dhe i ka patur siç i ka çdo vend, në mënyrën më demokratike. Ka kapërcyer një seri provash me sukses të plotë. Po ndërton një infrastrukturë jashtëzakonisht impresionante. Qytetarët e Kosovës duhet ta dinë se, Sali Berisha me Aleksandër Meksin kryeministër në vitet 1992-1996, në një mandat kemi arritur të ndërtojmë gjithsej 6 km autostradë, se kaq ishte buxheti, kurse Kosova po plotëson një rrjet rrugor modern dhe me perspektivë shumë të madhe zhvillimi. Ka resurse të jashtëzakonshme natyrore, ka potencial shumë të madh njerëzor. Kosova është në një situatë të vështirë shumë dhe këto kohët e fundit si rezultat i një përballje, i një praktike për mua kryekëput të papranueshme që ndjek opozita në parlament. Unë absolutisht, pavarësisht me lidhjet që kam me LDK, pavarësisht me lidhjet që kam me të gjitha forcat politike, si opozitar duhet të isha vetëm në krahun e opozitës, por kështu në këtë formë unë nuk mundem.

PYETJE:Cili është leksioni për situatën që po jep opozita kosovare?

BERISHA: Situatën unë e marr shumë të rrezikshme. Se unë e shoh gjakftohtë këtë punë. Këto veprime, në një kohë kur Kosovën e kanë njohur gjithsej 112 shtete, këto janë veprime toksike për njohjen e Kosovës. Këto janë veprime që dëmtojnë në shkallë maksimale për njohjet e Kosovës, sepse një vend nuk ka pse të vendosë njohje kur në parlament kërkohet të asgjësohet me gaz lotsjellës si në asnjë vend tjetër të botës. Këto veprime bllokojnë tërësisht investitorët e huaj dhe investimet. Por do të shkoj pak më tutje. E kam shumë të vështirë të merrem me konspiracione dhe teori konspirative, por në mënyrë absolute, ky është një skenar i cili i shkon qind për qind për shtat Beogradit dhe nuk mund të mos e them.

Ka bërë gabime kjo qeveri në marrëveshje? Ka bërë gabime. Pra po bëhem me ty le të themi. E dha Gjykata Kushtetuese verdiktin? Atëherë ulu dhe detyro qeverinë të bëjë të gjitha aktet sipas Gjykatës Kushtetuese. Çfarë po bëjmë ne këtu. Vërtet kemi debate, por ama ligjin e dekriminalizimit e hartuam ne, bashkë me mazhorancën, por iniciatorë ishim ne. Ulu dhe harto ligjet dhe të gjitha vendimet në mënyrë që të mos ketë asnjë fuqi ekzekutive shoqata që ti e quan zajednicë. Të mbash Kosovën në këtë mënyrë, ti vetëm sa çon peshë mendjen në Beograd për ndarjen e Kosovës. Unë nuk them se këto porosi vijnë nga Beogradi, por skenari ky është. Kosova dy alternativa ka, le ta dijë çdo qytetar i Kosovës, ose bëhet ose ndahet dhe ndarja e Kosovës është tradhtia më e madhe që mund ti bëhet çështjes kombëtare dhe po të ishte për ndarje në vitin ’93 dhe ’94 Sllobodan Millosheviçi me të tjerë, më dërgonin harta çdo tre muaj.

PYETJE:Daçiç sa ishte kryeministër axhenda e tij ishte vetëm ndarja?

BERISHA: Jo vetëm kaq, po ju them se pasi kam ardhur në pushtet në 2005 kemi qenë në samite ndërkombëtare kur Drashkoviçi më thoshte të ulemi Sali për 24 orë ta zgjidhim problemin. Jo i thoja unë, do e zgjithësh me ata që janë qeveritarët e Kosovës…

PYETJE:Klasa politike po sillet me oportunitet dhe konformimtet më shumë sesa duhet në raport në një raport kompleks siç është ai me Serbinë?

BERISHA: Unë nuk e përjashtoj fuqinë negociuese dhe unë do të thosha se pasi të përshtatet kjo, të shkohet me një fuqi më të madhe negociuese. Ndoshta duhet të shihen mundësi të tjera për të përfshirë si në procesin e Vjenës, sepse edhe komuniteti ndërkombëtar duhet të jetë më i vëmendshëm në proces, por veprimet që bëhen në sallën e parlamentit janë absolutisht të dënueshme dhe janë kundër interesit total të shqiptarëve dhe janë në interes të plotë të Beogradit.

Që të jem i hapur, unë nativisht për VV kam simpati si parti, sepse ata kan proklamuar idealin kombëtar të bashkimit kombëtar dhe ky është një ideal i shenjtë, unë jam rritur me atë ideal, por si do të bëhet bashkimi? Bashkimin duke copëtuar Kosovën e duartrokiste Millosheviçi dhe e bënte atë brenda tre muajve dhe pa ndonjë luftë të madhe. Bashkimi mund të bëhet por në kuadrin e Bashkimit Europian ose, si parti politike që ke marrë këtë moto, dil bindi gjithë qytetarët e Kosovës, hajde bindi dhe qytetarët e Shqipërisë, bind edhe aleatët tanë, se ne me aleatë e arritëm këto që arritëm…

PYETJE:Janë qëndrime të dëmshme këto që po ndodhin?

BERISHA: Janë të dëmshme edhe për ata, nuk më vjen mirë që të demonizohet, të detyrojnë partnerët tanë të sulmojnë haptas opozitën. Këta që e krijojnë një situatë të tillë, këta bëjnë një gabim shumë të rëndë. Mos harro se Enver Hoxha këtë bëri me Shqipërinë, e shkëputi me amerikanët, e shkëputi nga britanikët, e shkëputi nga Perëndimi, e çoi drejt Beogradit e çoi drejt Rusisë. Ne kemi orientimin natyror, kemi perendimin dhe nuk mund të luhet me një orientim të tillë, sado që mund të ketë ndonjëherë deklarata të nxituar apo qëndrime jo të mira por ne jemi borxhli në jetë të jetëve dhe nuk e kemi vetëm çështje borxhi, por çështje vokacioni. Shqiptarët duhet të kujtohen se asgjë nuk ka vuajtur më shumë sesa vokacioni i tyre perëndimor. Vokacioni perëndimor i kombit është mbajtur gjallë me vështirësitë më absolute. Kur u nda Kisha, linja e Teodosit i erdhi gjatësisht në trup kombit, por mbeti prapë unik dhe nuk u nda kombi. Më pas erdhi Perandoria Otomane 500 vjet për t’ia shpërbërë identitetit, më pas erdhi Enver Hoxha me çdo kusht ti shpërbente identitetin. Nuk e dinë njerëzit që ai sulmoi Rilindjen. Një nga sulmet që bëri në ‘67 ishte sulmi ndaj Rilindjes, Enver Hoxha sulmoi frashërllinjtë sepse donte që të mos quhej e orientuar nga Perëndimi.

Me këtë që po ndodh, është absolutisht në një farë mënyrë atak në thelbin e identitetit tonë. Ke ti vërejtje për ndarjen e kufirit për Malin e Zi? Urdhëro, qeveria e Malit të Zi dhe Kosovës ka thënë hajde ta negociojmë. Një gjë të mos harrojmë se këto kufij janë në trojet tona, këto kufij sido që ti ndash, se tokë shqiptare atje e tokë shqiptare këtej, megjithatë negocio me qeverinë, sill deputetë në Komision, merr ekspertë ndërkombëtarë dhe diskuto. Rrugë tjetër përveç dialogut nuk ka. Protesta në të gjitha format, përveç ajo që ndodh në parlament. Ajo nuk pranohet.

PYETJE:Ka pasur sulme edhe ndaj shtëpisë së kryeministrit?

BERISHA: Akt terrorist. Është tjetër protesta, por ai ka qenë një akt i vetmuar.

PYETJE:Ku e çon kjo gjuhë politike opozitën?

BERISHA: Unë e përjetoj me një dhimbje shumë të madhe këtë që bëjnë këta të Vetvendosjes, siç e thash dhe më lart kjo si parti ka një ideal të shpallur por në këtë mënyrë kjo e shkelmon.

PYETJE:Me ta është dhe z. Haradinaj?

BERISHA: Z. Haradinaj ka bërë një akt, dorëzoi mandatin. Më mirë dorëzimi i mandatit se veprime të tilla në parlament, është më burrërore dhe më e përgjegjshme. Zotëri unë nuk dua të rri në parlament me to, dorëzo mandatin, por jo veprime të tilla në parlament, sepse shumica humbet kuptimin. Ke problem dy marrëveshjet? Urdhëro, Gjykata Kushtetuese ka urdhëruar qeverinë të rishikojë pika të tëra të marrëveshjes dhe nuk ka njëri që ti thotë qeverisë mos e bëj atë, sepse edhe ligji ndërkombëtar njeh ligjin e vendit.

PYETJE:Ju sëbashku me kryeministrin Thaçi ndërmorët një nismë për thellim të bashkëpunimit në shumë fushave. Tani që po flasim shkëmbimet tregtare janë në favor të Shqipërisë por kemi një rritje prej 18 mln euro në këtë vit, kemi rreth 143 mln euro import nga Shqipëria dhe eksport me vlerën e vitit 2014. Pjesa politike dhe ekonomike janë dy gjëra të ndryshme…

BERISHA:Unë jam shumë i pakënaqur me intensifikimin e marrëdhënieve. Ne vitin 2012 dhe fillim të 2013 dërguam një delegacion të doganave tona për të parë modelin Slloveni – Austri. Ne duhet të heqim doganat.

PYETJE:Kosova ka eksportuar në Shqipëri më pak se 30 milion euro ?

BERISHA: Ne duhet të heqim doganat. Dy qeveritë, sapo të hiqen vizat për Kosovën, duhet të ulen dhe të përcaktojnë çështjen e shtetësisë. Pa komplekse. Qytetarët shqiptarë në Kosovë dhe në Shqipëri, duhet të zgjedhin shtetësinë që duan. Dy shtetësi, një shtetësi, çfarë të duan dhe si të duan. Kjo i shërben vetëm stabilitetit. Këtë e kanë bërë të gjitha vendet e Ballkanit.

PYETJE:Ju bëtë rrugën …

BERISHA: Tani duhet hekurudha. Kjo qeveri nuk flet, por edhe qeveria e Kosovës duhet të insistojë. Qeveria shqiptare dhe ajo e Kosovës duhet ta kenë të qartë se nuk ka asnjë projekt më fizibël për Shqipërinë, për Kosovën dhe për rajonin sesa hekurudha Tiranë-Prishtinë, e cila është njëqind e ca kilometra sepse në fund të fundit është Milot-Prizren.

PYETJE:Si me e bë klimën e biznesit më miqësor për kosovarët në Shqipëri, sepse në këto momente investimet kosovare këtu mund ti numërojmë me gishta?

BERISHA: Këtu ka një fatkeqësi.. Këtu s’ka klimë miqësore për shqiptarët. Mua do të më vinte për shtat ta akuzoja Edi Ramën se i diskriminon biznesin kosovar por s’mund ta bëj. Ky ka klimë armiqësore ndaj biznesit. Ky është kundër biznesit. Ky çdo muaj, do të lëvizë taksat, do të ndryshojë rregullat, do të lëvizë kontratat. Është në një kundërvënie të madhe biznesit dhe nuk e shoh ketë si një diskriminim që ky u bën biznesmenëve të Kosovës. Jo. Ky ka klientelën e vet. Ky interesohet vetëm për klientelën e vet dhe të tjerët nuk duhet të ekzistojnë. Ndan me Koço Kokëdhimën, ai është një ideolog i mafies i papërmbajtur. Ai ka urrejtje ndaj investimeve të huaja. Ai ndan një mendësi të vjetër, sepse ata do të shfrytëzojnë pasuritë tona dhe e ka bindur edhe kryeministrin dhe kanë krijuar një klimë… Po ikin njëra pas tjetrës bizneset.

PYETJE:Interesat e vendeve janë mbi z. Kokëdhima?

BERISHA: Asnjë përveç Ramës nuk ka mbi zotin Kokëdhima. Merre pak çfarë tha Rama në asamble për ligjin e dekriminalimit. Tha fjalë për fjalë ato që tha Koço Kokëdhima një ditë para në “Opinion”.

PYETJE:Kosova nuk ka liberalizim të vizave, në marrëdhënien Rajonale dhe ndërkombëtare ka probleme, nuk po lëvizin gjërat përsa i përket konsolidimit të shtetit?

BERISHA: Përsa i përket kushteve për vizat unë kam bindjen më të thellë se Kosova i ka plotësuar kushtet. Kam bindjen se Kosova i ka plotësuar në mënyrë shumë serioze dhe unë e quaj një padrejtësi reale mosliberalizimin e vizave me Kosovën. Se po të analizojmë kështu, pellgu i kriminelëve të Evropës është në Serbi, pellgu më i madh i njerëzve që kanë kryer krime ndaj njerëzimit, dhe ata qarkullojnë lirshëm nëpër Evropë, dhe viktimat e tyre, qytetarët e Kosovës nuk qarkullojnë dot dhe kjo nuk qëndron. Unë mendoj se kjo padrejtësi do të marrë shumë shpejt fund. Përsa i përket problemeve rajonale…

PYETJE:Ishte rasti i UNESKO-s…

BERISHA: Unë kam ndjerë shumë keqardhje. Të them të vërtetën të avancojë një mendim që jam në një analizë timen e kam pak të vështirë sepse nuk kam informacionin e duhur. Sepse nëse unë them që nisma duhej marrë vetëm në disa kushte, ndoshta diplomacia shqiptare dhe e Kosovës kanë vepruar pikërisht në atë mënyrë dhe unë i qortoj kot, por dështimi ishte i pamerituar, sepse ne nuk morëm vota të disa vendeve që kanë njohur Kosovën. Qeveria e Tiranës është problematike për Kosovën.

PYETJE:Duke u ndalur ne rajon, kemi një situatë të trazuar edhe në Maqedoni. Ende nuk është përmbushur marrëveshja e Ohrit, apo për shqiptarët në Luginën e Preshevës që përballen po ashtu me probleme fondamentale të drejtave të njeriut?

BERISHA: Kjo që ndodh në Maqedoni, kriza që ne po shohim aty në fakt është krizë ndërmaqedonase, krizë politike ndërmjet maqedonasve. Kriza e madhe e Maqedonisë është kriza e madhe ndër etnike, të cilën përsëri komuniteti ndërkombëtar po e anashkalon dhe mendohet se mund të qetësohet, në një kohë kur ajo veçse zien më shumë, duke zgjidhur kimizmin midis Zahevit dhe kryeministrit.

PYETJE:Cila është porosia juaj për shqiptarët atje?

BERISHA: Unë nuk kam porosi, unë për z. Thaçi dhe Ahmeti kam një gjë. Së pari Kumanova kërkon transparencë. Çfarë ndodhi aty. Është e domosdoshme të bëhet transparenca se kush kishte gisht dhe si ndodhi, përndryshe ai ishte një skenar i shërbimeve te huaja, faturën e të cilës do ta paguanin qytetarë paqësor shqiptar në Kumanovë me qëllim që nga ai qytete të spastrohen shqiptarët. Është shumë e domosdoshme që forcat politike të insistojnë për federalizmin e Maqedonisë.

Nuk është problemi këtu të krijojnë njësi etnikisht të pastërta. Jo. Është problemi të krijojmë njësi vendore, të cilat të kenë një shkallë të gjerë autonomie për të administruar pasuritë e tyre dhe për t’u zhvilluar brenda një shteti, i cili vetëm në absurd që ka ngelur unitar dhe ky është defekti më serioz i Marrëveshjes së Ohrit por kjo nuk do të thotë se ajo nuk mund të rishqyrtohet. E kam theksuar një herë në pranverë të vitit 1992 kur më priti presidenti francëz Miterand dhe natyrisht e gjithë biseda u bë për Kosovën dhe Maqedoninë. Ai kishte pikëpamjet e tij dhe nuk ishte dakort me mua për shumicën por për një gjë ra dakord, kur i thash se kantonizimi i Maqedonisë si puna e Zvicrës do mund të sjellë stabilitet, ai më tha se në këtë pikë ti mund të kesh të drejtë. Nuk them të bëhet si Zvicra por duhet detyrimisht një strukturë…

PYETJE:Po për shqiptarët në Luginën e Preshëvës…

BERISHA: Shqiptarët e Preshevës janë minoriteti më i injoruar në Europë, me më pa të drejta që ekzistojnë në Evropë. Shqiptarët e Preshevës, kanë nevojë të madhe për një vetë organizim. Ata bëjnë gabim shumë nëse bëjnë paralelizëm midis komunave në Kosovë dhe komunave të tyre. Nuk kanë nevojë fare të krijojnë një paralelizëm ata. Janë disa dokumenta. Është Karta Europiane e Minoriteteve që Serbia e ka firmosur, është Karta e Autonomisë Lokale Rajonale që Serbia e ka fimosur, është Kushtetuta e Serbisë që ka hapësirën e vet. Ata duhet të bëjnë gjithçka që ato dokumente ta zbatohen. Në vitin 2013 në ramë dakord, hoqëm veton për Serbinë që të kryesonte bashkë me Zvicrën OSBE, me kushtin e vetëm të cilin e mori përsipër ministri i jashtëm Merkiç, i cili mori përsipër të njohë diplomat e Shqipërisë, dhe deri më sot ata nuk i njohin.

PYETJE:Në lidhje me këtë duket sikur Serbia duket se po luan më dy karta një sy nga Serbia dhe një nga BE…

BERISHA: Serbia është quajtur gjithmonë Rusia e vogël. Ju garantoj se nëse ky term i përshtatej në kohën e Pashiqit nuk i përshtatet më pak në kohën e Nikoliçit. Ky fakt është, por nga ana tjetër proceset integruese euro-atlantike janë të fuqishme dhe ato tentojnë që Serbinë të mos e lënë më Rusi e vogël. A do të mbetet më Serbia një Rusi e vogël, apo do të bëhet shtet pro evropian, pro perëndimor, këtë e përcaktojnë serbët, neve na duhen të drejtat dhe liritë themelore të qytetarëve shqiptarë në Preshëve, Bujanovc dhe Metvegjë. Neve na duhen politikat të cilat burojnë nga dokumentet ndërkombëtare që Serbia ia ka njohur dhe vetë kushtetuta e Serbisë.

PYETJE:Kosova asnjëherë nuk ka dëshmuar krizë bashkëpunimi me institucionet ndërkombëtare megjithëse një ambient tundues ekziston…

BERISHA: Së pari le ta nisim nga vetja jonë. Ajo që po ndodh muajt e fundit në Kosovë është e shëmtuar. Komandantë që delegjitimojnë veten e tyre dhe luftën që kanë bërë. Shkëmbejnë akuza pa u hapur proceset, pa asgjë, por vetëm e vetëm si të faktojnë, si të inkriminojnë njëri-tjetrin dhe ky është një akt jashtëzakonisht i pamençur.

Nuk them unë se brenda kësaj gjykate apo në gjithë këtë histori nuk ka një tendencë. Unë jam për zbatimin e ligjit ndërkombëtar, dhe e kemi firmosur marrëveshjen më të plotë me prokurorin e hetimit të kësaj çështje, si qeveria jonë ashtu edhe qeveria e Kosovës. Natyrisht kur kam parë në raportin e Dik Martit raportin e prokurorit të Beogradit, raport i cili nuk u citua ndonjëherë nga Sllobodani në Hagë, unë nuk mund të them se këtu nuk kemi të bëjmë me një përpjekje të madhe për të nxirë luftën në Kosovë. Duke thënë këtë, unë jam plotësisht për zbatimin e ligjit ndërkombëtar dhe deri tani rekordet më të mira i kanë pasur shqiptarët me qëndrimin e personaliteteve. Ramush Haradinaj për të dytën herë u paraqit në Hagë, burrërisht dorëzoi mandatin edhe si kryeministër dhe nuk shkoi me e fsheh në Alpe apo siç bënë ata të tjerët dhe shkoi duke treguar se respekton ligjet ndërkombëtare. Po këtë ka bërë Fatmir Limaj, po këtë kanë bërë edhe të tjerë. Kosova nuk ka fshehur asnjë person të akuzuar prej saj dhe në këtë drejtim është shembulli më i mirë i respektimit të ligjit. Tani, do ti shohim këto akuza.

Nuk mund të themi se nuk janë bërë gabime, se ajo luftë ka qenë, mund të ketë patur edhe krime, dhe ato duhet të dënohen dhe të zbardhen, dhe ky është absolutisht interesi më i mirë i Kosovës, por beteja publike që mjerisht i bëjnë komandantët njëri- tjetri dhe mediat që lëshohen ndaj tyre në mënyrë të padenjë dhe të pandershme, se në fund të fundit kur ata i thirri atdheu ata u lëshuan në mbrojtje të tij.

PYETJE:Kalojmë tek ambienti politik që ka Shqipëria. Ju shiheni si figura qendrore e opozitbërjes në Kosovë pavarësisht se nuk jeni në mandat të kryetarit të PD. Si po e përjeton Shqipëria këtë periudhë të reformave, si ajo për drejtësi apo ajo e dekriminalizimit?

BERISHA: Shqipëria ka një fatkeqësi. Kjo fatkeqësi quhet qeveri, por përsëri ka ardhur nga zgjedhjet dhe detyra e opozitës është të qëndrojë fuqishëm me të gjitha mjetet legale… Ka një kryeministër që nuk zhvillon dialog me liderin e opozitës, megjithëse lideri i opozitës në mënyrën më të vendosur e fton për dialog. Lideri i opozitës nuk përdor kurrë gjuhën që përdor Edi Rama ndaj tij. Përpiqet që me mjetet më demokratike të arrijë të realizojë axhendën. Kryesoi procesin për dekriminalizimin dhe Rama e shndërron në një letër pa vlerë. Edi Rama po bllokon reformën në drejtësi. Sepse Rama donte të ndërtonte FBI, sepse shifte që Obama ka FBI dhe ky e mendonte veten si Obama por ajo është republike presidenciale ndërsa kjo është republikë parlamentare, nuk mund të ndërtosh ti atë strukturë këtu. Presidenti e ka 4 vjet mandatin, drejtori FBI e ka 7 apo 10 vjet mandatin atje, është krejt sistem tjetër.

PYETJE:Do të gjendet një kompromis?

BERISHA: Ne jemi të gatshëm gjithmonë, të fillojmë të votojmë Byronë. Unë gjithmonë kam qëndruar tek parimet. A ka Shqipëria nevojë për luftën kundër korrupsionit? Ka nevojë aq saç ka nevojë për ajrin. Njeriu duhet të ketë integritet nuk duhet ti masë gjërat e interesit kombëtar me të tijat. Edi Rama kështu e ka. O Byronë që donte vetë, vetë kryehetues dhe vetë kryeprokuror, ose këtë nuk e pranon. Së dyti, cili është parimi i dytë, të mos ketë kapje politike të drejtësisë, nëse biem dakord, nuk ka më asnjë vështirësi. Po pse ke ti vota, ti nuk mund ta kapësh drejtësinë. Së treti, si ta mbrojmë këtë drejtësi nga ndërhyrjet politike. Unë e kam ndjekur me interes të madh, kërkojnë tu regjistrohen telefonat e të tjera, dakord të gjitha këto, por problemi është ndërhyrja politike është më e keqe më shkatërrimtare për drejtësinë. Hajde të bëjmë kaudrin ligjor, çfarë krimi të konsiderojmë ne ndërhyrjen e politikës në drejtësi. Unë them se debati pavarësisht se deri tani jo i frytshëm, shpresoj që ka ngritur lart shkallën e ndërgjegjësimit të qytetarëve shqiptarë për rëndësinë jetike e kësaj reforme.

PYETJE:Cila është afërsia politike e juaj me z. Meta? Shihni ndonjë afrim me të?

BERISHA: Problemi im është ky. Në spektrin politik Meta është po kaq, ndoshta edhe më majtas se Rama. Natyrisht koalicioni i tij me një parti të qendrës së djathtë është një gjë jo normale. Por, ndodhi, sepse midis asaj që, një koalicion me këtë parti apo vendi pa opozitë dhe një koalicion me socialistët, interesi i vendit ishte që socialistët të kenë një opozitë të fortë dhe të ketë një qeveri funksionale. Nuk besoj se PD do të shkojë dhe nuk shkon, jam i sigurt, në zgjedhje në koalicion me këto forca politike, por pas zgjedhjeve PD edhe mund të jetë e detyruar nga rezultati. Në kohën kur unë kam qenë në drejtim, kam qenë i vendosur, nëse qytetarët nuk më jepnin mua shumicën para se të shkoj në zgjedhje do të kërkoja, në përputhje me kushtetuten, shumicën.

PYETJE:Jeni i kënaqur me drejtimin e partisë nga z. Basha?

BERISHA: Lideri i tanishëm, ka arritur të konturojë dhe të kristalizojë opozitarizmin e tij, të stilit të tij, të modelit të tij, i cili, çfarëdolloj vërejtje që kam unë, është për mua shumë herë më i pranueshëm dhe më shumë herë më i dobishëm për PD sesa modeli i Sali Berishës. Pikërisht që të ketë një model tjetër u thash mirupafshim.

PYETJE:Ju shiheni figura kryesore vendimmarrëse opozitare?

BERISHA: Unë qëndroj vetëm në interesin publik. I vetmi moment që ata më japin mundësi, se ata tregojnë që jetojnë në kohën time, se ata fillojnë e mbarojnë me qeverisjen në kohën time, dhe ju them se ju jetoni në kohën time dhe aty ata reagojnë. Unë nuk kam asnjë interes tjetër përveç interesit publik, dhe çdo njëri duhet ta mbrojë ashtu siç e gjykon. Unë nuk kam monopolin e tij, por do ti qëndroj këtij qëndrimi pa asnjë lloj hezitimi me të gjithë mundësitë e mia.

PYETJE:Dua të jepni një këshillë për të gjithë kosovarët?

BERISHA: Unë nuk kam asnjë këshillë, kurrë në distancë dhe në publik, për udhëheqësit e Kosovës, as të Shqipërisë. Në më pyet njëri unë njerëzisht i shpreh miqësisht mendimet e mia. Nëse nuk më pyet, të mos presë kurrë njëri këshillë nga Sali Berisha.

PYETJE:Sot janë shqiptarët faktor në Rajon?

BERISHA: Janë dhe jam i bindur se kanë një të ardhme të shkëlqyer, ne jemi të lirë sot.

Sali Berisha's photo.

SHKARKO APP