Intervista e parë e Kryetarit të KMSH, Bujar Spahiu
Nga Lufti Dervishi
Një shkencëtar i njohur politik i quajtur Samuel Huntington argumentoi se pas Luftës së Ftohtë luftërat e ardhshme do të jenë krejt ndryshe nga ato që kish njohur njerëzimi. Nuk do të ketë më luftra mes monarkëve, mes kombeve, mes ideologjive. Burimi kryesor i konfliktit, sipas shkencetarit amerikan, do të ishte identiteti fetar dhe kulturor. Libri i famshëm “Përplasja e civilizimeve” vijon të diskutohet gjatë.
Përplasja mes Perëndimit dhe pjesëve të tjera të botës nuk ndodhi. E megjithatë gjatë 30 vjetëve që përkojnë edhe me tranzicionin tonë- bota ndryshoi, ndryshoi nga luftërat, konfliktet, globalizmi, teknologjia. Shqipëra historikisht është ndodhur në periferi të perandorive dhe shumica e popullsisë i përket fesë islame. Hantigtoni nuk e vendos Shqipërinë në Perëndim! Ani pse politika dhe vetë shqiptarët e kanë shpallur Perëndimin si Mekën e re të shqiptarëve. Bashkëjetesa fetare në Shqipëri, në një kohë ku fitilat e fondamentalizimit fetar janë gjithmonë të ndezur, vlerësohet si aset dhe eksporti më i mirë që Shqipëria mund t’i ofrojë si vlerë Bashkimit Europian.
Por ‘bashkëjetesa fetare” nuk është një dhuratë – stafetë që u përcillet brezave pasardhës. Ajo është e rrezikuar si çdo gjë për të cilën nuk tregon vëmendje. Është e meritë historike e drejtuesve të komuniteteve fetare në Shqipëri që kanë ditur mençurisht të ruajnë tolerancën fetare në një vend ku fjala tolerancë është e huaj jo vetëm në jetën politike.
Merita për këtë i shkon të gjithë komuniteteve fetare e veçanërisht komunitetit më të madh. Kryetari i ri i zgjedhur i komunitetit mysliman në platformën e tij vuri theksin te ruajtja e harmonisë dhe forcimit të dialogut mes feve. Bujar Spahiu, i përket brezit të parë të teologëve të arsimuar pas viteve 90. Ai u lind në vitin 1976 – vit në të cilin Shqipëria sanksionoi edhe me kushtetutë, ndalimin e lirisë së besimit dhe pronës private. Spahiu është nga studentët e parë që komuniteti mysliman i Shipërisë dërgoi për shkollim në medresenë Bejkoz në Stamboll. Ndërsa studimet teologjike universitare e pas universitare Spahiu i ka kryer në universitetin e njohur Ez’herit në Egjipt- në intepretimin e Kuranit.
Për një dekadë Bujar Spahiu ka qenë nënkryetar i komunitetit dhe i angazhuar gjerësisht në mësimdhënie në medresetë dhe universitetet në Shqipëri. Sonte vjen në #Përballë për t’u përballur jo vetëm me kureshtjen e natyrshme, për drejtuesin e ri të komunitetit, por për të dhënë përgjigje për disa pyetjeve jo të lehta që kanë të bëjnë me zgjedhjet, me marrëdhëniet ndërfetare, islamofobinë, radikalizmin e ekstremizmin e dhunshëm, marrëdhëniet me politikën, teknologjinë dhe si mendon të rikthejë dhe të forcojë shpresën dhe besimin në Zot për ata që kanë më shumë nevojë- të rinjtë dhe të pamundurit.
Ju këto ditë keni pritur urime për zgjedhjen tuaj. Në proçesin e votimit ishin të pranishëm vëzhgues nga Ambasada e SHBA-së dhe OSBE. Ishte e nevojshme prania e vëzhguesve të huaj për të zgjedhur drejtuesin e Komunitetit Mysliman në Shqipëri?
Tani dihet që KMSH prej pothuaj një shekull e ka patur traditë zgjedhjen e kryetarëve me një proçes zgjedhor me një afat 5 vjeçar. Mbi këtë bazë, edhe pas vitit ’90 siç dihet ka vijuar e njëjta procedurë. Dhe në këtë rast meqë kemi të bëjmë me komunitetin më të madh fetar, siç është Komuniteti Mysliman Shqiptar pati një vëmendje të veçantë dhe në këtë kohë unë natyrisht isha një prej kandidatëve në garë për kreun e KMSH-së, nëse Këshilli i Përgjithshëm do të më jepte besimin për mandatin 5 vjeçar.
Në mënyrë të natyrshme edhe më parë, Komuniteti Shtetëror i Kulteve ka qenë gjithmonë i pranishëm si vëzhgues për të parë procesin zgjedhor në KMSH, për të parë transparencën dhe procedurën zgjedhore. Në këtë rast edhe Ambasada e SHBA, edhe OSBE patën një kureshjte për të parë nga afër procesin zgjedhur brenda një Komuniteti, gjithmonë në rolin vëzhgues. Dua t’i falenderoj përzemërsisht për pjesmarrjen. Ata e panë vet me sytë e tyre si shkoi procesi në Komunitet, panë rregullat dhe zbatimin e tyre, aq më tepër për zgjedhjen e një kryetari që zgjidhet me votim të fshehtë. Ata shprehën falenderimet e tyre për procesin dinjitoz dhe transparent që u realizua.
Zgjedhjet bëhen në të gjithë Komunitetet, por në Komunitetin Mysliman ka një vëmendje të shtuar…
Ky është Komuniteti më i madh në Shqipëri. Në Komunitetet e tjera vjen lideri i tyre dhe vazhdon mandatin deri në fund të jetës, ndërsa ne e kemi mandatin vetëm 5 vjeçar dhe ka kureshtje si mes besimtarëve, ashtu dhe mes gjithë shqiptarëve. Jo se aty ndodh diçka e mbinatyrshme. është një procedurë normale, por vëmendja është e veçantë. Kemi të bëjmë me një Komunitet që prek ndjeshmëri të njerëzve, që flet për vlerat, për besimin, për zemrat e tyre dhe është e natyrshme që vëmendja të jetë e madhe. Kështu mendoj unë.
Pjesë e debatit për zgjedhjet, herë nën rrogoz e herë në publik, janë edhe ndikimet që vinë nga jashtë, debate gylenist-erdoganist. Sa qëndron ky debat në gjykimin tuaj?
Me thënë të drejtën unë Kryetari i sapozgjedhur në këtë detyrë, normalisht debatet e importuara nga jashtë, nuk do t’i kem pjesë të punës time dhe as në institucion, por gjithmonë KMSH në traditën e tij 100 vjeçare, dhe më përpara, do të vijoj bashkëpunimin me çdokënd, sa herë që këta njerëz, grupime apo vende, kushdo qofshin, nëse janë në transparencë të plotë me ne, në kuadër të statutit tonë, sipas frymës së Kuranit, sipas fjalës profetike dhe mbi të gjitha sipas ligjeve të shtetit tim në Shqipëri. E quaj diçka të tepruar me u marrë me gjëra të kësaj natyre sepse nuk ia vlen. Ne jemi në Shqipëri, kemi problemet tona, kemi hallet tona, kemi shumë gjëra për të bërë përpara. Unë edhe si përfaqësues i një institucioni fetar të pavarur, jo më tani, por si gjithmonë, nuk kam patur dëshirë as unë, as shokët e mi, as paraardhësit e mi, që të merremi me gjëra të kësaj natyre.
Ky debat është vetëm i importuar apo edhe nga brenda komunitetit?
Mund të jetë debat i importuar, por qoftë edhe nga brenda. Nuk ka rëndësi brenda apo jashtë, sido që të jetë, kjo gjë nuk është e pranueshme sipas mendimit tonë dhe filizofisë tonë fetare. Që do të thotë se ne nuk do të jemi përjashtues, ne nuk duhet të jemi njerëz që akuzojmë të tjerët ose të paragjykojmë të tjerët, të spekulojmë apo të shpifim për të tjerët. Kjo bie ndesh me natyrën e fesë islame dhe realisht bie ndesh me çdo fe tjetër. Bazuar nga sa thashë e quaj punë të kotë të merrem me këto gjëra.
Në çdo zgjedhje që bëhet në Shqipëri që nga futbollli e deri te Akademia e Shkencave nuk mungon “interesi” i politikës. Sa mendoni se ka qenë i pranishëm ky “interes” në zgjedhjet në Komunitet?
Me thënë të drejtën politika shqiptare ose më mirë të themi shteti shqiptar që nga Pavarësia deri më sot ka ruajtur laicitetin, ndarjen mes fesë dhe shtetit. Kjo ka qenë gjëja më e mirë që pushtetarët e shtetarët tanë, që kanë ndenjur gjithmonë larg fesë. Sepse qëllimi i tyre ka qenë feja e pavarur si institucion, në organizimin e jetës fetare dhe fetë në Shqipëri organizohen dhe veprojnë konform ligjeve dhe Kushtetutës së Shqipërisë. Marrja me fenë apo politizimi i fesë është një gjë e papranueshme dhe është absurditet. Ky është mendimi im personal dhe këndvështrimi im fetar sepse siç kemi parë përgjatë historisë përdorimi i fesë nga politika ose anasjelltas, kur politika përdor fenë, kjo ka sjellë dëme shumë të mëdha në shoqëri sepse feja ka të bëj me vlerat dhe pëlqimin e mesazhit nga zemrat dhe mendjet e njerëzve dhe feja nuk merret me politikë.
Më lejoni të marrë një shembull, ndoshta jo fort të qëlluar nga vendi fqinj, Italia. Andreotit, një politikani i njohur dikush i thotë “ti nuk beson në Zot, por mban miqësi me kardinalët”. Andreoti i përgjigjet: “Zoti nuk voton, por kardinalët po”. Interesi i politikës ekziston ngaqë besimtarët votojnë dhe natyrshëm që ka interesa, në mos për kontroll, për të ndikuar. Ne shohim/dëgjojmë dhe nuk është se nuk ka munguar ky interes qoftë edhe i tërthortë i politikës për këto zgjedhje.
Ne fetarët flasim gjithmonë konkretisht, jo me gjuhë të tërthortë, siç e thatë edhe vet, sepse njeriu duhet të flaës lirshëm dhe të shprehet në mënyrë të natyrshme. Ne flasim me gjuhë të drejtpërdrejtë. Përderisa nuk ka pasur ndikime apo interes të drejpërdrejtë unë e quaj mëse normale. Ne nuk mund ta dimë se çfarë ka njeriu në mendje dhe në zemër dhe nuk mund ta zbulojmë atë. Por e rëndësishme është që procesi kaloi shumë mirë. Natyrisht myslimanët janë një komunitet i madh, janë edhe taksapagues, dikush mund ta shoh edhe në këndvështrimin e interesit personal. Për mua sa herë nuk hyhet në gjëra të drejtpërdrejta nuk ka problem.
Pra, nuk ka problem nëse nuk ka ndërhyrje të vrazhda, të drejtpërdrejta, të prekshme…
Ndërhyrje të prekshme dhe të drejpërdrejta nuk ka patur dhe nuk ka pse të ketë, sepse ne e dimë se të luash me këtë, të luash me fenë është diçka tejet e papranueshme dhe krijon rrezikshmëri të lartë në shoqëri, duke parë edhe se çfarë ndodh nëpër botë.
Deri më tani ne folëm për ndikimet e mundshme politike apo praninë e vëzhguesve të huaj. Nëse I hedh një vështrim Shqipërisë të pas viteve “90 nga një vend I mbyllur me një ateizëm të imponuar pothuaj çerekshekullor, Shqipëria i hapi të gjitha portat ndaj rrymave dhe ndikimeve të huaja. A ka ardhur koha pas një çerek shekulli për të vendosur porta dhe gardhe për të huajt?
Gabimi më i madh që bëri shteti i asaj kohe, ose diktatura e asaj kohe, ishte shpallja e Shqipërisë vend ateist…
I vetmi vend në botë…
I vetmi vend në botë, por edhe një eksperimet. Dhe ky eksperimet shkaktoi plagë të rënda jo vetëm në Shqipëri, dhe nga këto plagë që morëm, menjëherë sapo u hapën dyert pas ’90-ës, myslimanët si gjithë shqiptarët vrapuan drejt vendeve të tjera. Në disa vende ne jemi shkolluar, kemi kryer studimet tona dhe jo vetëm në sferën fetare, por edhe politike, ekonomike, sociale etj, në të gjitha sferat e jetës. Shqipëria në atë kohë ishte një tokë e zbrazët dhe kishte nevojë për burime të ndryshme, burime të kuadrit dhe gjithçka tjetër. Mbi këtë bazë unë dua të riktheksoj, që falë Zotit, ne kishim njerëz si Sabri Koçi, ndjesë pastë, Zoti e mëshiroftë atë. Ai ishte një ndër rithemeluesit dhe kryesuesit e KMSH-së, së bashku me medresantët e kohës, njerëz që kishin mbaruar Medresenë e Tiranës. Ata riorganizuan jetën fetare në Shqipëri, Komunitetin Mysliman të Shqipërisë. Me këtë rast, pyetja juaj për vendosjen e gardheve, normalisht ne nuk jemi për të vendosur gardhe, por përderisa KMSH ka një traditë, ka një shkollë juridike, juridike në kuptimin për të kryer aktivitetin fetar në Shqipëri, të trashëguar ndër shekuj dhe nuk po flas vetëm për themelimin e KMSH-së, por që kur ka hyrë islami ne kemi shkollën Hanefi, kudo që ne shkollohemi apo diplomohemi, ne do të kthehemi në vendin tonë dhe do të japim kontributin tonë. Dhe unë mendoj që çdo kontribut i kujtdo, sa herë që është brenda kornizave të statutit të KMSH-së dhe frymës së Kuranit, fjalës së Zotit, duke e interpretuar drejt atë, frymës së fjalëve të Profetit, duke i interpretuar drejt ato, ne jemi të hapur.
Si e gjen islami në Shqipëri veten mes traditës dhe ndikimit të huaj?
Islami në Shqipëri nuk ka pse të ndikohet nga të huajt sepse ne kemi një traditë të kahershme dhe këto themele nuk lëkunden lehtë, pavarësisht se ku kemi studiuar apo ku jemi shkolluar. E vërteta është se aty ku njerëzit janë shkolluar kemi të bëjmë me institucione serioze, por ndoshta kur janë kthyer në Shqipëri kanë marrë zakone të vendeve ku janë shkolluar, por që nuk ecën këtu.
E keni ndjerë vet personalisht këtë gjë, kur jeni kthyer pas studimeve?
Nuk them që nuk e kam ndjerë, por nuk ka qenë në atë gradë për t’u alarmuar. Natyrisht që njeriu me kapacitetin e vet, me atë që ka marrë atje mund të ndikohet, por bëhet fjalë për një edukim të marrë në institucione serioze. Ti kthehesh në Shqipëri dhe i kthehesh normalitetit, traditës tënde, vendit tënd sepse islami është si ai burimi i pastër, kudo që ta marrësh ti atë, kudo që ti të shkosh ai është i dobishëm për të gjithë njerëzit sepse islami nuk ka dallim të racave dhe popujve.
Fe universal. Nëse flasim për islamin e jetuar në Shqipëri, islam turk, islam arab- mëruesi i përbashkët janë vlerat universale, por cilat janë veçantitë?
Ky përkufizim islami me emra të përveçëm, islami i jetuar në Shqipëri, islami turk, islami arab, islami perendimor apo diçka tjetër, vetë feja në frymën e saj …
Nuk ka epitete…
Nuk ka epitete…
Nuk ka epitete, por ka realitete…
Realiteti është ky, siç e përmenda më sipër, shkolla juridike Hanefi ose trashëgimia ndërfetare në Shqipëri ndër shekuj ka bërë që shqiptarët të flasin për islamin shqiptar. Unë ndoshta do ta përkufizoja pak më ndryshe dhe kjo mund të jetë më e natyrshme. Të jetuarit e islamit në Shqipëri…
Islami i jetuar në Shqipëri….
Pra, në këtë mënyrë do ta përkufizoja unë dhe jo të flisja për islam turk, arab, etj. Kjo është më e drejta dhe më e mira. Shqiptarët çfarë kanë bërë, pavarësisht praktikantë apo jo praktikantë, myslimanë apo jo myslimanë, kur kanë parë këtë model të përkryer të jetesës apo praktikës së një myslimani, kanë parë që ka qenë e mirëpranuar, e paqtë dhe e dashur, shumë harmonike dhe mbi këtë bazë kanë thënë islami shqiptar. Nuk dua të paragjykoj askënd, thjesht po bëj një rregullim të kësaj shprehje që është përdorur dhe përdoret.
Në fillim të viteve ‘90 ka patur një debat të madh për klerin e ri shqiptar që formohej në vende të ndyshme të Lindjes së Mesme. Ju vetë i përkisni këtij brezi. Tashmë shkollimi fetar sigurohet në Shqipëri….çfarë sjell kleri i formuar në Shqipëri në dallim nga kleri i formuar në vendet e tjera?
Unë dhe në platformën time që kam shpallur në ditën e zgjedhjeve përpara Këshillit të Përgjithshëm kam vënë theksin dhe rëndësinë e Medreseve dhe Universitetit Beder…
Për një kampus universitar për Universitetin Beder…
Po, kjo është gjëja më e rëndësishme që unë dua të riktheksoj. Por kjo nuk do të thotë që ne do të mbyllim dyert dhe të rinjtë të mos shkojnë dhe të shkollohen jashtë, në një vend të caktuar kudo qoftë ai. Sa herë që këta njerëz kur kthehen janë, veprojnë në përputhje të plotë me rregulloren tonë të KMSH-së dhe në përputhje të plotë me ligjet e këtij vendi, me traditën dhe harmoninë e këtij vendi, nuk është asnjë problem që ata të përcjellin mesazhet që kanë.
Nëse vjen një teolog nga një vend i Lindjes së Mesme, jeton disa kohë në Shqipëri, çfarë i bën atij përshtypje dhe çfarë ju thotë ju? Për shembull shiko se po shmangeni ose nuk po interpretoni drejt…
Jo, kushdo qoftë ai teolog, por edhe unë si kryetar I KMSH-së do të thoja të njëjtën gjë, sa herë që unë jam brenda parametrave të frymës së Kuranit, interpretimit të drejtë të frymës dhe fjalës së Zotit dhe interpretimit të drejtë të fjalës së Profetit dhe burimeve të tjera të shkollave juridike e të aktivitetit fetar, në praktikën në Shqipëri, për mua ngado që të vij, është i mirëpranuar. Sepse kemi parasysh që jemi një vend që kemi rregulla, statute, por e kundërta kushdo qoftë ai, jo Bujari si emër i përveçëm, kushdo qoftë, njeriu është I lirë në jetën e vet private, por nuk mund të marrë një pozitë apo detyrë të caktuar që të shërbejë si klerik fetar në Shqipëri, sa herë që është jashtë rregullave që përmenda. Konform rregullave është çështje diskutimi.
“Asgjë e keqe dhe asnjë padrejtësi në islam”. Ky është postulat universal, por çështja e interpretimit është shumë subjektive.
E vërtetë, është subjektive. Të kuptuarit drejt të interpretimit të Kuranit varet edhe nga individët. Qëllimi i tyre është i drejtë, por artikulimi mund të jetë i gabuar. Dhe shpesh herë sot nga artikulimi jo i mirë ka ndodhur që njerëzit të keqkuptojnë frymën e drejtë ose interpretimin e drejtë të Kuranit. Nëse njerëzit interpretojnë versetet kuranore jo drejtë, kjo është e gabuar. Sepse versetet e shenjta kanë kuptim edhe sipërfaqësor, edhe indirekt. Duhet kuptuar qëllimi i atij verseti, për çfarë ka të bëj dhe për çfarë thuhet në çdo aspect të jetës së njeriut, sidomos në kontekstin shqiptar.
Shumë thjesht për një shikues që nuk i përket besimit islam. Ju keni studiuar teologji për interpretimin e Kuranit. Sa e gjeni të lehtë/të vështirë interpretimin e një libri të shenjtë nga shekulli XIV në shekullin e XXI në shekullin e globalizmit, teknologjisë, inteligjencës artificiale?
Kurani është aktual gjithmonë. Sa herë që ai interpretohet drejt…
…është pa kohë…
është pa kohë, ju flet të gjitha kohërave dhe njerëzve. Dhe sa herë që njeriu është brenda këtyre kornizave dhe vazhdon ta interpretoj drejt atë mund të dalin çështje dytësore që nuk janë të shkruara sepse Kurani është një libër përmbledhës. Nuk është një libër filozofik që zbret në detaje. Por gjithmonë interpretimi ose komentimi i Kuranit ka bërë që dijetarët islam të të gjitha kohërave ta komentojnë drejt, me hapin e kohës për nevojat që dalin, që ta zëmë nuk kanë qenë para një shekulli ose para 50 viteve. Pra, Kurani është i hapur gjithmonë sepse përderisa është fjalë e Zotit, Zoti është i gjithëdijshëm. Përderisa është i gjithëdijshëm, ajo fjalë do të jetë deri ditën e fundit, do të jetë një fjalë me të vërtetë autentike përderisa është fjalë e Zotit dhe unë mendoj e gjykoj që çdo njeri, interpretues i Kuranit nuk është një gjë e lehtë, por duhet të jetë tepër i përgatitur që ta përcjellë atë frymë si duhet në shoqëri, qoftë ajo myslimane apo jo myslimane.
Shqipëria ka shumë myslimanë të shekullarizuar. Cilat janë marrëdhëniet e Komunitetit me këtë kategori? Ata jënë besimatër në emër, por jo praktikantë?
Dua të jem i drejtpërdrejt sepse kur flas në emër të fesë duhet të jem shumë i kujdesshëm. Sepse një interperetim i gabuar i imi do të jetë shumë i vështirë për t’u pranuar nga të tjerët. Dua të them se çdo besimtarë mysliman, praktikant ose jo praktikant, i cili pranon parimet themelore te islamit, ai quhet mysliman. Pastaj, marrëdhënia apo raporti i tij me Zotin është çështje tjetër. Që do të thotë, ai pranon, por nuk praktikon. Unë fetarisht nuk kam të drejtën, sipas vijave të Kuranit dhe të Sunetit që ta nxjerrë jashtë feje atë njeri. Nuk kam të drejtë, nuk ma ka dhënë as Zoti, as Pejgameri, a.s i fundit. Mbi këtë bazë, kjo nuk duhet paragjykuar. Gjithmonë ne kemi synimin dhe qëllimin që si lider, si imam, në xhami apo kudo të përcjellim mesazhin në mënyrë të natyrshme. Nëse njerëzit, qoftë në internet ose diku tjetër, nëse e pranojnë, nëse janë mysliman në emër, do të filloj të praktikohet, gjithmonë në vullnetin e tij të lirë. Pra, nuk nxjerrim jashtë kornizave askënd.
Ismali është një fe universal, por në fjalimin tuaj pas zgjedhjes, ju keni thënë: “Do të bëj përpjekjet e mia maksimale për të qenë një shqiptar i mirë”…
Gjithmonë këtë shprehje e kam thënë me vetdije të plotë sepse shqiptari… një “shqiptar i mirë, një qytetar i mirë” kam thënë aty, pavarësisht fesë që ka janë qytetarë shqiptarë dhe mbi këtë bazë me këtë detyrë kaq të madhe të ngarkuar mbi supe, unë jam i detyruar ta përfaqësojë atë denjësisht dhe si qytetar shqiptar dhe si mysliman.
Islami flet për individin e mirë, për familjen e pastër për shoqërinë e drejtë, por jo për …atdheun dhe kombin….Si e gjen veten Islami në Shqipëri në shekullin e 21?
Me të vërtet islami e ka nisur që në gjenezë, flet për individin, për familjen. Familja është pjesa më themelore e shoqërisë njerëzore, është bazamenti, është qeliza kryesore. Islami flet dhe për individin, dhe për familjen, dhe për shoqërinë, por edhe për atdheun. Ne e dimë shumë mirë që profeti Muhamed a.s, Zoti qoftë i kënaqur me të, kur në mënyrë të panatyrshme u dëbua nga Meka dhe ai kishte lindur në Mekë; e dëbuan kundërshtarët e kohës dhe ia u detyrua të shkoj në Medinë, ai u kthye duke thënë “o Mekë, ti je shumë e dashur për mua. O vendlindje, je shumë e dashur për mua. Unë normalisht nuk do të largohesha në një vend tjetër dhe nuk do të doja që të ikja, por u detyrova t’ju braktis, pra më detyroi populli im që t’ju braktis dhe inshallah do të kthehem një ditë”.
Si teolog si e shpjegoni që popujt përzënë profetët e tyre dhe nuk është përzënë vetëm profeti Muhamed. Janë përzënë edhe profet të tjerë…
Popujt përballë fesë, pranimit të mesazheve të Zotit, nuk po them që kanë qenë inferiorë, por për arsye interesash të ngushta kanë sulmuar profetët, jo të gjithë, një pjesë, sepse mesazhi është i drejtpërdrejt, duke nisur që nga profeti i parë, Ademi a.s deri te Muhamedi a.s. kjo është një sprovë për profetët, por kjo është sprovë dhe për besimtarët në të njëjtën kohë. E kisha fjalën që atdheu është shumë i rëndësishëm në jetën e besimtarit, sidomos në këndvështrimin islam. Atdheu i jep të drejtë një njeriu, kushdo qoftë ai, mysliman apo jo myslimanë, besimtarë apo jo besimtarë, që të jetoj në vendin e tij i sigurtë. Të jetë i siguruar nga pasuria, të jetën i sigurtë për vetenj, sepse njeriu është i shenjtë dhe shpirtin nuk ia merr askush përveç Zotit dhe gjithçka tjetër që ai të ndjehet komod dhe i sigurtë në vendin e tij për të jetuar. Dashuria për atdheun është frymëzim nga besimi.
“Fe” do të thotë këshillë, në mos gaboj, një hadith i profetit. Si kuptohet/përkthehet kjo këshillë në Shqipëri?
Fe do të thotë këshillë thotë profeti a.s. Ne myslimanët kemi kartën e moralit për t’ju shpjeguar besimtarëve këto vlera që përmban feja në vetvete. Ne nuk kemi asgjë në dorë përveç anës shpirtërore. Edhe vet institucioni ka këtë lloj natyre të një detyre shpirtërore. është i detyruar që këtë këshillë ta përcjellë në mesin e njerëzve sepse feja është një këshillë që ju flet zemrave. Ama, duke u folur zemrave ndriçon edhe mendjet me dituri. Dhe ne e dimë shumë mirë që dituria në islam dhe fjala e parë që thuhet është “lexo në emër të Zotit, I cili të ka krijuar”. Zoti na urdhëron neve të lexojmë, të edukohemi të mësojmë dhe pastaj të përcjellim këshillat e mira në mes të njerëzve.
Po flisnim për marrëdhëniet e fesë me shtetin dhe ju edhe në fjalimin që mbajtët sapo u zgjodhët e përmendët shtetin shqiptar. Ka një marrëveshje të shtetit shqiptar me komunitetet fetare. A ka vend për përmirësim në këtë marrëveshje?
Natyrisht, çdo marrëveshje qe bëhet në një kohë të caktuar ka vend për përmirësime. Këtë do ta shohim në të ardhmen, por gjithsesi unë falenderoj shtetin shqiptar dhe qeverinë shqiptare që kanë bërë një marrëveshje mes komuniteteve tradicionale në Shqipëri, pra tradicionale e kam fjalën në shekuj. Kjo ka të bëj shumë sepse Shqipëria është multifetare dhe kjo është një gjë e ditur nga ne dhe opinioni dhe kjo marrëveshje ka bërë shumë mirë që komuniteti organizon jetën fetare në Shqipëri, sidomos në rastin konkret ai musliman, kisha katolike, kisha ortodokse, protestantët ose kisha ungjillore dhe komuniteti bektashian kanë të drejtë e tyre për të organizuar vetë jetën e tyre fetare brenda kornizave statuore të tyre të pavarura duke mos harruar kushtetutën e Shqipërisë dhe ligjet e vendit tim.
Ka një debat, jo vetëm në Shqipëri, për edukimin fetar në shkolla. Jeni ju që fëmijët krahas mësimit të shkencës të marrin edhe edukimin fetar?
Normalisht, kur shohim në Shqipëri, folëm më parë që Shqipëria ka kaluar një periudhë të gjatë të zbrazuar nga parimet fetare, por pas viteve ‘90, siç shohim edhe në rajon edhë në Europë dhe në botë, lënda e edukatës fetare nuk ka qenë dhe është vendosur. Ne shpresojmë në të ardhmen. është normale që një kërkesë ta bëjmë në një kohë të caktuar kur të jenë plotësuar edhe disa kushte të caktuara. Ne jemi pro kësaj.
Çfarë nënkuptoni me “kushte të caktuara”?
E kam fjalën për çështjen e kuadrit dhe elementëve të tjerë. Edukata fetare, ose informacioni fetar i përmbledhur që mund të jepet në shkollat publike do të jetë një tekst i shkruar mirë dhe i konceptuar drejt, pa ndërlikuar gjërat- e rëndësishme është të shkojë mesazhi tek njerëzit. Ne e kemi patur traditë në kohën e Zogut dhe më parë, që lënda fetare ka qenë pjesë e arsimit laik. Por natyrisht ka edhe një gjë tjetër- harmonia është shumë e rëndësishme dhe duhet të mos ndërlikojmë.
Ju keni thënë në fjalën tuaj pasi u zgjodhët që detyrë parësore do të jetë ruajtja dhe forcimi i harmonisë dhe dialogut ndërfetar në Shqipëri. çfarë mendoni ju se e rrezikon harmoninë dhe tolerancën fetare në Shqipëri?
Kjo është një pyetje mëse e normale që i shtrohet një drejtuesi fetar. Por unë duke parë trashëgiminë time të paraardhësve të mi, në kohëra të ndryshme dhe në kontekste të ndryshme e kam theksuar shpesh me vetëdije: ky është një realitet: harmonia fetare në Shqipëri e trashëguar nga paraardhësit tanë, qoftë edhe nga liderët fetarë, unë e quaj një çik më shumë, që do të thotë e shtrirë edhe në jetën shoqërore te njerëzit, unë e quaj aq të shenjtë dhe aq të rëndësishme saç është siguria kombëtare për vendin tim po aq e rëndësishme është edhe harmonia ndërfetare në vendin tim dhe më gjerë- jo vetëm mes fetarëve, por gjithë njerëzve që jetojnë në këtë vend. Shqipëria- dihet shumë mirë që është një model i përkryer dhe shquhet për këtë vlerë. Ka qenë një gjë shumë e bukur që në strukturat ku ne do të integrohemi ata janë falenderues dhe na kanë përgëzuar për ruajtjen dhe trashëgiminë që kemi. E kemi shprehur kudo dhe do ta mbajmë këtë gjë. Në fjalën time kam shprehur besimin e plotë: që do ta ruajmë (harmoninë).
Kur shikon Parlamentin në Shqipëri, kur shikon një aksion të policisë, kur shikon të rinj në rrugë, kur sheh njerëz që grinden për një vijë uji dhe për një gardh, temperamenti mesdhetar, natyra….
Klima….
Klima, nuk duhet të kesh shkrepse për të ndezur zjarrin e zemërimit dhe të revoltës. Duke patur parasysh këtë kontekst. Nuk jemi tolerant pothuaj për asgjë dhe jemi tolerant për një gjë thelbësore për njeriun që është feja…
Feja është çështje zemre, pra njeriu kur i ka besuar asaj ai di të pranojë tjetrin ashtu siç është- jo ta tolerojë, por të harmonizojë gjërat që kanë të bëjnë me punën, me familjen dhe kudo qoftë ai. Të jetë njeri komod dhe korrekt sepse vetë besimi në vetvete është korrektesë. Nëse ti thua: unë kam besuar një fe të caktuar dhe nuk je korrekt me veprimet që ti bën dhe kryen me të tjerët ti bie ndesh me natyrën e fesë. Unë mendoj që çdo fe ka kontributin e vet në këtë çështje. Dhe unë mendoj se kjo harmoni duhet të përçohet edhe në sferat e tjera të shoqërisë për të mirën e popullit tonë.
Deri më tani ne kemi folur tanimë prej dekadash për harmoninë dhe bashkëpunimin mes feve të ndryshme në Shqipëri. Por, a ka konkurrencë mes feve për …besimtarë?
Unë nuk mendoj se duhet të ketë konkurrencë…
Konkurrencë të shëndetshme të themi….
Nuk mendoj se duhet me qenë kështu sepse vetë feja në natyrën e saj, në frymën e saj- gjithmonë kur fton besimtarin e fton në mënyrë të natyrshme, dhe të bindur. Nëse nuk vjen i bindur, me zor, me detyrim – nuk pranohet, sidomos sipas besimit islam. çdo njeri – thotë Zoti- kush të dojë le të besojë, kush të dojë le të mos besojë. Nëse një njeri është i bindur me logjikën e tij, me mendjen e tij, me atë që i ka dhënë Zoti sepse ai logjikon gjërat, i mendon gjërat, i hulumton gjërat…dhe aty ku zemra e tij rreh, aty ai beson. Përderisa Zoti na ka dhënë liri absolute….
…për të zgjedhur….
Për të zgjedhur, se feja është çështje zemre. Nuk jemi ne që njerëzit t’i bëjmë apo t’i kthejmë me zor, por kemi për detyrë ne edhe sipas kontekstit fetar, qoftë kontekstit tim, qoftë edhe kontekstit të fevetë tjera që ne t’i ftojmë në fe- pra t’ua përçojmë atyre mesazhin e drejtë, t’ua përçojmë atyre këto vlera që i flasin zemrës, pastaj zemra dhe mendja e tij është ajo që do të vendosë se ku do të shkojë..
Le të flasim për një çështje që është prezente: islamofobia. çfarë e ushqen islamofobinë në Shqipëri?
Më shumë këtë e quaj si në Shqipëri ashtu edhe në botë, mund të ketë fobira, njerëzit janë të lirë, por gjithsesi unë them se kjo vjen më shumë nga mos njohja e Islamit. Po ta njihnin pak më shumë frymën e islamit, duke mos parë vetëm veprimet e myslimanit, unë do mendoja që edhe ajo fobi sado e vogël që është do të zhduket, nuk do të ekzistojë më. Por siç dihet në këtë çështje janë edhe ndikimet globale. Siç dihet islamofobia, nuk ka vetëm fobi ndaj myslimanëve, por ka edhe fobira ndaj grupimeve të tjera.
Islamofobia ka të bëjë më shumë me politikën dhe jo me fenë- a duhet luftuar në truallin e politikës për ta hequr këtë fobi?
Nuk mendoj ashtu. Njeriu është i lirë në këtë botë duke ruajtur kufijtë e vet, kur shprehet, sepse liria e shprehjes është e garantuar qoftë me ligjet e vendit qoftë me ligjet ndërkombëtare, unë nuk mund t’ia mohoj askujt fobinë, por ama nuk mund të inkurajoj askënd që të ketë fobi ndaj një gjëje. Nuk mund të bëj një sugjerim të tillë sepse kjo bie ndesh me parimet e mia fetare. Njeriu është i lirë, shpreh mendimin e vet, por gjithmonë duhet me qenë shumë i kujdesshëm me këto gjëra.
Islami politik – si traditë islami në Shqipëri nuk ka përqafur politikën përmes partive apo shoqatave, nuk kemi patur parti që kanë shkuar në votime (ka qenë një rast që nuk ka kaluar testin e zgjedhjeve), ndërsa në vendet e tjera, parti me program fetar kanë konkurruar dhe janë në qeveri apo në opozitë – si e shihni ju islamin në Shqipëri do të vijoj të mbajë traditën dhe distancën nga politika apo do të afrohet për të ndikuar politikën….
është normale një pyetje e kësaj natyre, por kjo kërkon përgjigje koncize. Islami është fe me vlera universale, që nga liria e shprehjes, liria për të jetuar i lirë, por mbi të gjitha islami nga askush nuk duhet të merret dhe të zbritet në suazat e një partie ideologjike kushdo qoftë ajo, kjo është gjëja më e keqe që mund t’i bëhet Islamit. Siç shtruat edhe pyetjen më parë, në Shqipëri asnjëherë nuk ka qenë dhe nuk do të jetë dhe ajo nuk qëndron që thatë ka patur një rast që nuk kaloi- ne do të ruajmë traditën tonë shekullore që feja të merret me punët e veta. është mëkat shumë i madh që ta zbresim atë në suaza politike, është shumë e dëmshme për jetën shoqërore. Ne do ta ruajmë atë me një siguri shumë të lartë që të mos përzihemi.
Individët janë të ndryshëm në shoqëri. Ka besimtarë dhe jo besimtarë. Unë po flas për institucionin që përfaqësojmë. Individët janë të lirë, të shkollohen, të mësojnë, të merren me çështje të ndryshme. Po flas për individët e emëruar që janë në juridiksionin tim dhe punojnë për të përcjellë mesazhin e islamit në shoqëri. Kjo është e ndaluar edhe me statutin tonë, por është e ndaluar edhe nga feja. Ne e dimë që fetë në Shqipëri… shteti është laik.
Është i ndaluar krijimi i partive politike me bazë fetare…
Nuk e di mirë, është e ndaluar me ligj apo jo, por ne si institucion as e kemi lejuar dhe as do ta lejojmë, sa kohë që jemi në këtë detyrë dhe këtë pozicion.
Raporti me shekullarizmin: çfarë mendoni kur dëgjoni apo shikoni në rrjete sociale hoxhallarë apo imam që thonë: mos festoni 7-8 marsin apo festën e Vitit të Ri, mos festoni këtë e mos festoni atë…
Unë e përmenda që askush nuk ka të drejtë të zbresë Islamin në diapazonin e tij aq sa ai e ka. Kjo është çështje interpretative. Islami, po ka dy festa siç janë Bajrami Madh ose Bajrami i Vogël ose Kurban Bajrami dhe Fitër Bajrami që kanë edhe pjesën e adhurimit brenda, janë festa edhe fetare, por kjo nuk do të thotë që Islami ndalon ose pengon, festat siç përmendët edhe ju, që t’i për sakrificën e nënës, që ajo ka bërë për fëmijën e vet , që t’i ta urosh atë, ose për sakrificën e një mësueseje që janë edukatorët …që ti ta urosh atë. Po nëna fillon në fillim, është edukatorja e parë në shoqërinë në familje dhe pastaj janë ata të tjerë që gjithsecili nga ne në sfera të ndryshme dalim dhe japim mesazhet tona. Nuk ka ndonjë pengesë këtu, ose siç është festa e Pavarësisë, ose festa e çlirimit, ose festa të tjera. Nuk ka arsye që një njeri të thotë.. Po kemi dy festa fetare që janë fetare, siç kanë festa edhe komunitetet e tjera, por ne jetojmë në Shqipëri dhe jo vetëm pse jetojmë në Shqipëri, është krejt e natyrshme të urosh nënën, të urosh mësuesin apo dikë tjetër për diçka që ka arritur. Ndoshta ne nuk i falenderojmë dot të gjithë, por mund të shtoja edhe diçka. Islami ka edhe diçka tjetër: përveç ditës së Mësuesit apo ditës së Nënës, duhet treguar përkujdesje dhe kujdes i veçantë për mësuesin dhe nënën gjithmonë jo vetëm në një ditë të caktuar…
Pra të jetë 8 mars çdo ditë e vitit?
Patjetër, data është kulmi që e kujton një herë në vit, por gjithmonë njeriu duhet të jetë respektues, qoftë ndaj Nënës, qoftë ndaj Mësuesit, qoftë ndaj kujtdo individi- kushdo qoftë ai.
Kthehemi tek një çështje që ka qenë shumë e ndjeshme në Shqipëri.Një numër prej afro 150 shqiptarësh nga Shqipëria u nisën në Siri që në muajt të parë të konfliktit për të luftuar edhe me nxitje politike ka patur edhe një xhami në mos gaboj, ka patur debat politik, por besoj se ka patur edhe debat mes besimtarësh… Nëse do të ketë ngjarje/situata të ngjashme – cili do të jetë qëndrimi juaj?
Kjo pyetje me shumë interes ndoshta, por pavarësisht faktorëve dhe rrethanave që erdhën qoftë edhe nga jashtë, përmendet edhe “pranvera arabe”, por nuk duhet harruar cili ka qenë qëndrimi i KMSH-së, që në fillesën e kësaj ngjarje apo thirrjeve qofshin të brendshme, qofshin të jashtme KMSH në mënyrë zyrtare ka informuar opinionin publik, që nuk ka të drejtë askush për të shkuar në një vend X, kushdo qoftë ai vend, sepse edhe fetarisht jemi të detyruar që asnjë individ, apo grupim nuk duhet të shkojë të luftojë në asnjë vend, pa lejen e vendit tim. është shteti shqiptar ai që në momente të caktuara, qoftë për rrethana të brendshme, qoftë për rrethana të jashtme, siç janë kontigjentet paqësore që shkojnë në NATO, është ai që vendos, nuk vendos unë. Dhe ne i kemi sqaruar në mënyrë tepër të qartë…
Në këtë rast NATO është çështje politike. Po kur flitet për xhihad….?
Absolutisht! Ne e kemi sqaruar në mënyrë të qartë, që nuk duhet të shkohet. As fetarisht nuk e ke të lejuar të shkosh atje. Po e përsëris as fetarisht. Pavarësisht çfarë ndodh atje, një amulli tejet e madhe ajo është çështje e tyre e brendshme. Kjo është ajo që unë doja të thoja dhe…në këtë pikë siç pyete: cili do të jetë qëndrimi ynë: kushdo qoftë, dhe po flas për imamë që janë drejtues nëpër xhamiat në Shqipëri, kushdo qofshin ata, unë nuk e di që ka ndodhur, ju e thatë që ka ndodhur – mesa di unë ka patur vetëm një rast dhe shteti shqiptar mori masat, por çdo imam që është në drejtimin e këtij institucioni, nëse bën një veprim të kësaj natyre, detyra ime dhe e stafit tim është menjëherë aq sa kam fuqi ta largoj nga ai vend. Pastaj merren të tjerët me këtë çështje…
S(A) ka alarmizëm kur flasim për radikalizimin fetar?
Radikalizmi fetar, është sëmundje e globalizimit, por radikalizëm ka edhe në sferat e ndryshme. Unë nuk besoj që në Shqipëri ka radikalizëm fetar, por e kam thënë edhe njëherë tjetër: askush nuk është imun. Ne do të marrim masat për çdo gjë. Ne kemi të drejtë dhe detyrë të pasyrojmë drejt mesazhet e fesë dhe të islamit, por dua të shtoj që njerëzit përveç mesazheve që ne përcjellim, njerëzit përmes rrjeteve sociale ndikohen anëekënd botës jo vetëm në Shqipëri por kudo nga këta njerëz që janë radikal fetar apo radikal të grupimeve të tjera.
Ju e përmendët që sot individi është edhe nën presionin e internetit… cila është.sfida e imamëve dhe e juaja në epokën e facebook-ut dhe instagramit?
Sfida jonë është që ne, qoftë në tribunat tona apo rrjetet sociale, ne kemi një kartë për të përcjellë intepretimin e drejtë, pastaj varet kush e merr atë. Njeriu është i lirë. Ne kemi për detyrë për ta thënë dhe shprehur qartë, dhe për ta praktikuar drejtë. Pastaj ndikimet apo presionet që vijnë nga jashtë apo nga brenda nga individë të caktuar, pra që nuk kanë përgjegjësi fetare- kjo është një çështje e tyre. Ne si institucion kemi për detyrë që ne të pasqyrojmë sa më drejt, të demonstrojmë sa më mirë intepretimin e fesë time, apo të fesë në Shqipëri.
Po e rimarr edhe njëherë postulatin: asnjë e keqe, asnjë padrejtësi në Islam, e lehtë për ta shpallur, por sa e vështirë është për ta interpretuar dhe realizuar?
Nuk është e vështirë. Duhet patur parasysh vullneti njeriut. Sa herë që feja ime më orienton që unë të jem i drejtë në shoqëri, që unë të shpalos vlerat në shoqërinë time nuk besoj se kjo ka vështirësi. E rëndësishme është që individi kushdo qoftë, dhe sidomos njerëzit që kanë detyra funksionale siç jemi ne, duhet të jemi të gatshmë që të përcjellim drejt atë që posedojmë, dhe flas gjithmonë për sferën fetare sepse ajo më takon mua.
Le të flasim pak për raportin me bamirësinë: hadith i profetit: ata që japin ta hapin më shumë dorën, ata që marrin ta mbledhin më shumë grushtin, një tjetër shprehje nuk jam i sigurtë është në Bibël a Kuran thotë se kur ta jap diçka dora e djathtë nuk duhet ta shohë dora e majtë.
Është thënie profetike, në kuptimin metaforik gjithmonë, që do të thotë që njeriu nuk duhet të mburret kur jep diçka për dikë në nevojë.
A duhet bamirësia të jetë publike?
Patjetër, le të jetë edhe publike. E rëndësishme është dhe jo vetëm inkurajohet por është detyrim edhe në fe që kur njeriu posedon pasuri duhet ta shpërndajë me të tjerët. Kurani na thotë: “ndihmohuni me njëri tjetrin në mirësi dhe devotshmëri dhe jo në armiqësi dhe grindje”. Kjo është shumë e rëndësishme në jetën tonë sociale për të kuruar këto plagë dhe Kurani dhe feja islame dhe fetë e tjera gjithmonë inkurajojnë solidaritetin dhe ndihmën ndaj të tjerëve- qoftë kjo publike apo jo, i rëndësishëm është synimi dhe qëllimi për të shëruar plagët sociale në shoqërinë time.
Kur po flisnim për xhaminë si rast që bënte thirrje për konfliktin në Siri, pyetja është: a janë të gjitha xhamitë nën juridiksionin dhe kontrollin e KMSH?
Po, normalisht ky debat ka qenë edhe më parë. Të gjitha xhamitë e ndërtuara, të gjitha objektet e kultit të të gjitha feve, por sidomos xhamitë e ndërtuara në Shqipëri pas vitit ‘90, dihet në Shqipëri historia e ndërtimeve të gjitha janë nën juridiksionin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë përveç një xhamie,..që do të thotë nën juridiksionin e KMSH është gjë tjetër dhe të legalizuara është gjë tjetër. Legalizimi është një proces që e ka shteti në dorë dhe disa janë legalizuar, të tjerat presin që t’i legalizojmë dhe unë në platformën time e kam patur që këto vitet në vijim të marrim të gjithë titujt e pronave dhe pronësitë e xhamive, kurse në juridiksionin e KMSH-së është vetëm një xhami që dihet, është përmendur edhe më parë te Unaza e Re.
E vetmja xhami …
Nuk është e jona. Nuk ka qenë dhe nuk është.
Për pak muaj nis muaji i shenjtë i Ramazanit, xhami e Madhe, Xhamia e Namazgjasë, do ta kenë besimtarët gati këtë vit?
Xhamia e Madhe ka qenë projekt i paraardhëseve tanë që në vitin 1934, njerëzit janë falur aty në shesh për Bajram dhe për ditën e premte, ditën e xhuma. Kjo xhami shpresojmë që të mbarojë brenda këtij viti. është pjesa e dekoracionit ose e kaligrafisë, ose e zbukurimeve të brendshme që merr kohë. E rëndësishme është që po realizohet një ëndërr e besimtarëve myslimanë në Shqipëri, siç u realizuan ëndrrat e gjithë bashkëatdhetarëve të mi, të feve të tjera, po flas për Kishën Katolike, Kishën Ortodokse për Bektashianët dhe të tjerët dhe kjo është një gjë tepër e mirë për Shqipërinë ku ne jetojmë. Më mirë vonë se kurrë. E rëndësishme është se kjo po kryhet dhe do të jetë në nivelin përfaqësues dhe dinjitoz.
Pjesë e xhamisë është edhe muzeu ndërfetar….
Normalisht…
E keni pjesë të platformës tuaj finalizimin e këtij muzeu…
Patjetër dhe aty do të ndërtohet edhe muzeu ndërfetar, që do të shpalosë vlerat tona kombëtare dhe fetare, do të dëshmojmë që jemi unik dhe në harmoni të plotë me njëri- tjetrin.
Kohët ndryshojnë. Njerëzit jetojnë me kohën. Këto kohë ku do ta shohim më shumë Bujar Spahiun, në televizione, në portale e rrjete sociale apo xhami?
Paraqitja ime publike dhe ajo më themelore është se ne do të jemi prezent me ligjëratat tona pikësëpari në xhami, ditën e premte dhe në aktivitetet tona të ndryshme përveç kësaj dite në gjithë Shqipërinë, por ndërkohë që patjetër nuk do të shmangemi nga rrjetet sociale për të shpalosur mendimin dhe vlerat e fesë dhe të institucionit që unë përfaqësoj.
Ju keni vite në KMSH dhe dekada si teolog. Nëse dikush ju pyet për një shqetësim që ka një besimtar mysliman sot…
Në ç’kuptim
Në xhami pikasni një person që është i shqetësuar, por nuk është i vetëm me këtë shqetësim…
Shqetësimi i besimtarëve, është mëse normale që njerëzit të kenë shqetësime, natyrisht që ata duan, nëse janë me synimin e pastër ata duan që funksionimi i këtij institucioni së bashku me të gjithë institucionet që përfaqëson, e kam fjalën për xhamitë dhe shkollat- pra shqetësimi është që të gjithë të jenë në lartësinë e duhur. Unë gjithmonë i ftoj besimtarët kudo qofshin ata që të jenë besimtarë të drejtë, të dobishëm, për veten e tyre, për familjen e tyre dhe për vendin tonë ku ne jetojmë. Shqetësimi më i madh unë dua ta bëj si kundërpyetje: njeriu gjithmonë pikësëpari duhet të shoh veten që të jetë një njeri i ndershëm dhe i sinqertë në publik dhe kudoqoftë- pikësëpari në marrëdhënien me Zotin dhe pastaj në marrëdhënie me të tjerët. Kur marrëdhënia, raporti me Zotin është i drejtë ajo do të reflektojë detyrimisht edhe në raport me të tjerët.
Kur flasin për besimtarët, ata përveç jetës shpirtërore kanë edhe jetën publike. Këshilli ndërfetar i Shqipërisë më 27 shkurt ka bërë thirrje politikës shqiptare për dialog dhe vetëpërmbajtje, si dhe për zgjidhje të konfliktualitetit të tejzgjatur, i cili po thellon dhe më shume varfërinë e shqiptareve, ikjen e tyre, dobësimin e institucioneve demokratike në vendin tonë, si dhe po dëmton rëndë imazhin e Shqipërisë përpara botës. Këto janë fjalë shumë të forta. Në deklaratë theksohet “duhet të këmbëngulim fort te virtyti i shpresës, që po plagoset dita ditës, duke i bërë thirrje të gjithë faktorit politik të lërë mënjanë dhunën verbale apo fizike, përçmimin e kundërshtarit politik, e të gjejnë medoemos zgjidhje në dobi të të gjithë shoqërisë shqiptare… “politikanët shqiptarë i shohim, si traditë të pranishëm në komunitet, sidomos në rastet e festave fetare. Sa mendoni se ju dëgjon politika sidomos në këtë mesazh të fundit që keni dhënë, para pak javësh?
Normalisht ky mesazh, edhe mesazhet para kësaj siç ishte rasti për çeljen e negociatave, janë dhënë nga Këshilli ndërfetar që është një mekanizëm shumë i rëndësishëm në marrëdhëniet tona, për të shprehur mendimin tonë, jo për çdo problem, por për probleme të rëndësishme që ka në Shiqipëri. Nuk e di sa e dëgjojnë fjalën tonë, por ne kemi detyrimin për të shprehur mendimin tonë konstruktiv…..
Pas prononcimeve tuaja a ndjeni në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë ndonjë reagim, ndonjë shqetësim?
Nuk besoj se jemi në gjendje për ta matur, por besoj se ka ndjeshmëri dhe reagim, por e themi me besimin e plotë se në Shqipëri, në kohëra të ndryshme jemi shprehur që interesat e përbashkëta janë më të mëdha se çdo interes tjetër. Mbi këtë bazë ne shprehemi qoftë si Këshill ndërfetar, qoftë si komunitete fetare për të mirën e këtij vendi…
Ju e keni pikë të programit tuaj dhe thoni se do të vijoni të mbështesni aspiratat e vendit në rrugën drejt integrimit në BE. Kjo është politike nuk është fetare?
Politike mund ta merrni ju, mund ta marrin edhe të tjerët, por unë e them edhe nga ana fetare dhe e besimit tim që sot në një botë të globalizuar dhe në një vend që gjeografikisht i përket Europës, pavarëissht hapave dhe kohës sa ka zgjatur procesi aderimit, unë shpresoj që të mos zgjasë shumë dhe të bashkëjetojmë paqësisht në një mjedis vëllazëror, secili në identitetin e tij fetar, në kulturën e vet- por kemi shumë gjëra të përbashkëta, flas në aspektin njerëzor dhe jo vetëm në aspektin fetar, për të shpalosur me njëri-tjetrin dhe këtë e kam thënë me vetdije të plotë që Shqipëria të aderojë në familjen e vlerave të përbashkëta, siç janë popujt e BE-së….
Si e gjen veten komuniteti në këtë përplasje rrymash….globalizimi, përballë identitetit lokal, interneti, ngrohja globale, nuk kanë lidhje vetëm me Shqipërinë, por ndikojnë në jetën e gjithësecilit. Si e gjen veten feja në këtë vrull moderniteti?
Feja në vetvete ka shpirtin e fortë për t’u përballur ndaj vrulleve ose sfidave dhe ndikimeve të ndryshme për të shprehur qartë mesazhin e vet, sepse mesazhi i fesë nuk është një demonstrim, por është një mesazh që ul tensionet e zemrës së njeriut. Mbi këtë bazë, çdo sfidë që na përball sot me botën e globalizuar, roli i feve është i patjetërsueshëm, pavarësisht.., sfidave të radikalizmit etj…institucionet fetare kudo në botë, kanë qëndruar dhe i kanë bërë ballë ndikimeve. Tani, çështja e botës virtuale, normalisht jemi në një botë të globalizuar, ndikohen njerëzit, por ne kemi për detyrë për t’i shprehur dhe për t’i jetuar vetë këto gjëra që njerëzit të mos ndikohen nga fenomenet negative, nga qasjet përçarëse e nxitëse, të çfarëdollojnatyre qofshin ato.
Ju sot keni takuar drejtuesin e Komunitetit Mysliman të Maqedonisë. Doja t’ju pyesja, nëse mund ta përdor si shprehje për marrëdhëniet e islamit të jetuar në trojet shqiptare, në Kosovë, Mali I Zi, Maqedoni, Preshevë apo gjetkë. Më bëri përshtypje që sot në mëngjes drejtuesi I Komunitetit Mysliman në Maqedoni tha që e shohim Komunitetin Mysliman në Shqipëri si nënë, e shohim si qendër që …
Normalisht, e vërtetë është. Kryetari i Komunitetit Mysliman të Maqedonisë, i nderuar Sulejman Rexhepi.. gjithmonë shqiptarët në të gjitha trojet ku ata jetojnë Shqipërinë e kanë parë si amë dhe jo vetëm në aspektin fetar, por edhe në aspektin kombëtar dhe kjo është mëse e natyrshme dhe unë e vlerësoj shumë atë. Kontributi ynë, marrëdhëniet tona, raportet tona do të ecin edhe më tej, jo vetëm brenda myslimanëve, por edhe me komunitete të tjera fetare në këto troje, ku shqiptarët jetojnë dhe më gjerë, jo vetëm me shqiptarët.
Ju përmendët Shqipërinë si nënë… doja t’ju pyesja kur ju dëgjoni shprehjen e Pashko Vasës “feja e shqiptarit ëshë shqiptaria”, çfarë ju shkon në mendje?
Më shkon në mendje që Pashko Vasa, si mendje ndritur në kontekstin kohor ka shprehur një shprehje shumë të rëndësishme në lidhje me rrethanat që Shqipëria po jetonte, që gjithsecili në fenë e vet, por ama të mblidhemi së bashku, të unifikuar në kauzën tonë kombëtare, duke lënë mënjanë jemi myslimanë, jemi katolikë… feja është çështje zemre, të bashkohemi së bashku. Unë e shoh edhe aktuale dhe mund ta përkufizoja apo interpretoja pak më ndryshe. Sa herë që rrethanat të jenë të ndryshme… kjo shprehje më duket aktuale, që ne të jemi të unifikuar, të bashkuar për kauzën tonë, të Shqipërisë tonë. Unë kështu e përkthej këtë shprehje të ndjerit dhe të nderuarit.