Intervista/ Kush e spiunoi Ernest Troshanin? Kardinali rrëfen jetën e tij

Pasi mbushi 88 vjeç, Ernest Troshani rrëfehet për jetën e tij, këtë herë si kardinal. Në emisionin e Roland Qafokut, “Debati në Channel One”, kardinali i shpallur një javë më parë nga Papa Françesku në Vatikan, tregon fakte që nuk njihen më parë. “I kam falur armiqtë. Jam lutur për Enver Hoxhën”, shprehet ai në intervistën e rrallë.

ROLAND QAFOKU

18 tetori është një ditë e rëndësishme për ju. 88 vjet më parë keni lindur. Ju uroj gëzuar ditëlindjen dhe shëndet të keni!

Faleminderit për urimin! Në fakt, 18 tetori është një ditë e shënueme. Kam lindur më 18 tetor 1928. Ishte koha e Zogut, kur nuk kishte regjistra të saktë dhe nëna ma ka lënë ditën e Zonjës së Këshillit të Mirë të Shkodrës. Ajo lutet dy herë për këtë ditë, më 26 prill, por si zakonin bujar që ka shqiptari në pranverë, në prill, nuk ka shumë ushqime dhe lutet edhe në vjeshtë, më 18 tetor, sepse ka më tepër prodhime.

Si ndiheni 88 vjeç, kur lajmin më të mirë në jetën tuaj e morët pak ditë përpara kësaj ditëlindjeje, kur Papa Françesku ju zgjodhi kardinal?

Ka qenë impresion i çuditshëm. Më kishin vënë vendin te Papa në mbledhje. Ndenjëm bashkë gati një orë, s’më ka zënë gjë në gojë. Më datë 9, po shërbeja në Itali, sepse kam qenë si gjithë të tjerët për shërbime fetare, kur më thanë që të ka dhënë Papa titullin e nderit kardinal. Nuk u besova as syve e as veshëve. Kur hapa celularin, pashë të dhënat që dha radio “Maria”, me emër me të gjithëve. Atëherë u detyrova të besoja se ishte një emërim shumë i nderuar në një moshë shumë të shtyrë, pavarësisht se me shëndet jam shumë mirë. Papa Françesku ju dha titullin kardinal nderi.

Tani ju jeni kardinal nderi. A mund të na shpjegoni çfarë është ky titull?

Po. Pyetje e drejtë. Unë si kardinal nderi nuk mund të zgjedh kënd, por as nuk mund të zgjidhem, për shkak të moshës së avancuar. Vetëm ata kardinalë që janë 80 vjeç e poshtë votojnë, ata që janë mbi 80 vjeç nuk votojnë. Pra, unë marr pjesë në aktivitete të Vatikanit, por nuk mund të votoj dhe të votohem.

A do të merrni pjesë ju Hirësi në aktivitete të ndryshme në Vatikan dhe kur do të jeni atje?

Këtë nuk e di. Këto i vendos i Shenjti Papë. Por gjithmonë duhet të jem me detyrë për të ndriçuar shpirtrat e njerëzve, në mënyrë që ata të jetojnë në harmoni bashkë me të madhin Zot.

I nderuar Hirësi, veladoni i kardinalit është një simbolikë që juve ju dallon. Kur do t’ju shohim të veshur me këtë veladon?

Me petkun?

Po.

Më kishin thirrur dhe herë të tjera në Vatikan, por edhe në qytete të tjera të Italisë. Para pak ditësh isha në Firence, ku ka 50 mijë shqiptarë. Atje kam një nip timin, djalin e vëllait, i cili më shoqëroi. I mbajta dy fjalë për promovimin e librit që kishte bërë drejtori i gazetës më të madhe të Vatikanit. Ndër personalitete të tjera të mëdha ishte edhe kardinali i Firences. Mbajta dy fjalë për thjeshtësinë dhe të drejtën fetare që duhet të ushqejë çdo njeri. Mbrëmë më mori në telefon nipi dhe i kishte thënë kardinali a mund ta blej unë petkun, i cili kushton rreth 1500 euro. Unë mbeta pa mend. I shpreh falënderimet më të mëdha.

Hirësia juaj Kardinal, a mund të na tregoni cila është familja juaj?

Unë kam një vëlla. Është mjek. Jo pse është im vëlla, por besoj se e di shumica e Shqipërisë se diagnozat që ka lëshuar ai janë të vërteta. Ai ka dy djem inxhinierë, njëri në Torino të Italisë dhe tjetri në Gjermani, si dhe një vajzë, profesoreshë e gjuhëve të huaja në Torino. Këta janë familja ime e ngushtë, sepse familja ime e madhe janë të gjithë njerëzit. Unë kam qenë gjithmonë i të gjithë njerëzve në male, në lutje, në pajtime gjaqesh.

Keni qenë vëllezër e motra të tjerë?

Prindërit e mi, babai im ka vdekur i dënuar në minierë, në Spaç, më 1974. Nëna vdiq në vitin 1981, edhe ajo ishte e dënuar. Kemi qenë 6 fëmijë, 3 kanë vdekur në moshë të vogël, fëmijë. Në vitin 1989 vdiq i madhi, në mënyrë të papritur nga infarkti.

Fëmijët e tjerë si kanë vdekur?

Ata të tre qysh në fëmijëri. Dy kanë qenë 2-3 vjeç, tjetri ka qenë 21 vjeç. Vdiqën nga varfëria, si koha që ishte. I madhi vdiq në vitin ‘89, pa dalë ende hapja e fesë.

Cili ka qenë momenti kur vendosët t’i përkushtoheshit fesë dhe përse e morët këtë vendim?

Duhet kuptuar thellë diçka. Feja është mësuesja e madhe e bashkimit të të gjithë popujve, bashkimit të ideologjisë me qëllim begatinë dhe iluminimin e njerëzve. Për t’i ndihmuar njerëzit të duan njëri-tjetrin dhe Zotin në të gjitha mënyrat. Ky është synimi kryesor. Dhe tjetra, njeriu jeton në kushte që s’e di kur vjen as kur kalon në këtë jetë. Këtë boshllëk të madh e eliminon feja. Pastërtia dhe dashuria janë kryesoret nga virtytet. Këto kanë qenë arsyet që më bënë t’i përkushtohesha fesë.

Si është jeta e një meshtari si ju?

Si meshtar? U jam kushtuar krejt vlerave hyjnore dhe të jem sa më afër popullit në çdo vend, për t’i afruar sa më shumë te drita e të madhit Zot. Bëj meshën, lutjet e posaçme, filloj shërbimet kur më thërrasin me celular kudo që të jem.

E përdorni celularin për punët tuaj si meshtar?

Po, kam edhe “Facebook”. Më thërrasin prej Amerike, Australi dhe ua bëj lutjet. Me “Facebook” komunikoj me ata që janë larg në Boston, në Florida, në Firence, kudo që të jenë.

Cila ka qenë lutja më e veçantë që ju kanë kërkuar për t’ua bërë?

Feja duhet të shkojë aty ku nuk mundet shkenca, mjekësia, sepse feja është mrekulli. Nëse nuk është mrekulli, është ideologji që kalon dhe mbaron.

A keni qenë pjesë e ndonjë mrekullie që e keni lutur dhe ka ndodhur?

Mrekullinë e bën i madhi Zot, por na ka thënë Krishti po ju jap pushtetin të shkelni mbi gjarpërinj. Fjalët e Krishtit, e birit të Zotit, shpëtimtarit të njerëzimit për t’i dhënë paqen, qetësinë shpirtërore, iluminimin njerëzimit.

Po ju vetë Hirësi, nga lutjet tuaja, a keni parë që ka ndodhur ndonjë mrekulli e Zotit, për shembull, me ndonjë të sëmurë apo me dikë në nevojë?

Këto i bën Zoti, por janë me qindra.

Mund të na tregoni ndonjë histori?

Duhet të flasin vetë ata të cilëve u ka ndodhur. S’ka kuptim të flas unë. Por mund të them se ka pasur nëna që nuk kanë pasur fëmijë, nuk i kanë ndihmuar mjekët e Londrës dhe vendeve të tjera e pasi kam bërë lutjen, u është plotësuar dëshira brenda muajit.

Si jua kthejnë njerëzit në formë falënderimi?

Ajo është dhuratë e Zotit, jo e imja, edhe unë vetë habitem. Është nëna e Krishtit që i bën këto mrekulli. Thjesht duhet të jenë të pastër. Moralin në qime të flokut, s’ta fal.

Sa të lidhur me Zotin janë shqiptarët?

Gjithkund ka të mirë fort dhe njerëz negativë. Aty ku është thjeshtësia e bujaria, aty është feja e gjallë. Për bujari më kanë thirr në shërbime në shumë vende. Bujarinë që ka shqiptari të tjerët nuk e kanë. E kanë, por shqiptarët e kanë diçka më të fortë.

Hirësi, a rrëfehen shqiptarët?

Po, të gjithë. Bota moderne është drejt braktisjes së Zotit. Kjo është vërejtje prej qiellit, kthehuni nga Zoti. Po ju tregoj një histori. Në Iran populli kishte braktisur fenë. Një profet u thotë kthehuni nga Zoti se brenda 4 ditëve po nuk u kthyet nga Zoti, do të bjerë zjarr nga qielli dhe do të shfaroseni. Darius, mbreti i Persisë së atëhershme, urdhëron gjithë mbretërinë të kthehet nga Zoti dhe Zoti i fali të gjithë.

Dihet tashmë, Hirësi, që në vitin 1967 ishte Shqipëria që e braktisi fenë. Çfarë  i ndodhi si pasojë popullit shqiptar?

Duhet t’i ndajmë gjërat. Shpirtërisht shqiptarët nuk donin ta braktisnin fenë. Një faktor vendimtar nga partia në pushtet ishte i detyruar, por jo se e ka braktisur.

Hirësi, a mund të na tregoni momentin tuaj të arrestimit?

Unë jam arrestuar para se të mbyllej feja. U vra John Kennedy. Unë jam arrestuar 3 javë më pas, natën kur bëra meshën në Shkodër për vdekjen e tij. Dy ishin akuzat, e para: I ke thënë popullit të duan Krishtin dhe e dyta, isha i abonuar në një revistë sovjetike. E morën revistën, e çuan në gjyq për të përforcuar dënimin. Në fakt, në meshë kishte plot njerëz, gjithë rinia, në Shkodër, në Barbullush dhe kudo. Kishte thënë Papa që të gjithë kishat katolike duhej të bënin një meshë për presidentin e parë katolik roman të SHBA-së. Si e morët vesh lajmin e vrasjes së Kennedy-t? Nga Papa Pali 6, pasi Kennedy ishte i pari president katolik roman, të gjitha kishat bënë meshë në nder të tij. Unë këtë meshë e kryeva si të gjithë të tjerët.

Por për pushtetin e asaj kohe kjo ishte një arsye për të akuzuar për agjitacion. Ata thoshin si e grumbullon ti popullin në kishë?

Është fakt që çdo katund e i gjithë qyteti ka qenë në atë kishë, pra në nëntor 1963. Pas kësaj jam arrestuar.

A ju kanë torturuar gjatë qëndrimit në burg?

Sa isha në birucë, kishin dëshirë të më bënin të flisja kundër fesë e eprorëve të mi. Por unë nuk e bëra këtë.

Ju jeni shprehur që një njeri i afërm juaji ka folur për ju dhe falë atyre që ai ka thënë te Sigurimi, juve ju kanë arrestuar.

I ka falur Zoti të gjithë për fenomenet që ndodhin. Kisha pastë mëshirë për të gjithë.

Si mund të arrijë një njeri të falë atë që e ka futur në burg?

Krishti ka thënë të duam edhe armiqtë, t’i falim e të lutemi edhe për ta.

A jeni lutur ju për armiqtë?

Po, jam lutur.

Për kë jeni lutur? Jeni lutur për Enver Hoxhën?

Jam lutur.

Dhe si shkoi historia juaj pas spiunimit të njeriut të afërm?

Ai që foli për mua ishte mik, jo njeri i gjakut. Ishte major, ushtarak. Më kishin vënë mikrofon spiun dhe unë nuk dija gjë. Në një moment ky më thotë se këta janë kriminela, duan të zhdukin kishën. Pastaj më pyeti ç’thua ti për ta? Unë iu përgjigja, po ti e ke një fije kulturë fetare, a nuk ka thënë Krishti t’i falim armiqtë? Jeta është e shkurtër. Unë dua t’i shoh të gjithë në iluminimin që ka bërë gati Krishti. Zoti i uroftë udhëheqësit të punojnë për begatinë e popullit.

Hirësi, a kanë ushtruar dhunë ndaj jush gjatë qëndrimit në hetuesi dhe më pas në burg?

Në mënyrë që të flisja, më shtrënguan prangat aq fort, sa të më fryheshin damarët dhe që të kaloja në infarkt. Në një moment e panë që po vdisja, më hodhën një kovë ujë të ftohtë dhe shpëtova, nuk vdiqa.

E mbani mend njeriun që ju ka bërë këtë torturë?

Kanë kaluar 53 vjet. Janë të kaluara ato. Zoti i faltë të gjithë!

Nëse sot do ta kishit përballë këtë torturuesin tuaj ç’do t’i thoshit?

Gjithçka për mëshirën, për dashurinë, për të madhin Zot.

Autori i gjithë këtyre ishte Enver Hoxha dhe ju jeni lutur edhe për armikun.

Janë të kaluara. Pastë mëshirë i madhi Zot. Historia flet vetë, ne si fe kërkojmë vetëm falje dhe mëshirë.

Si ishte jeta juaj e burgut? A kishte tortura të tjera për ushqim, për punë të rëndë?

Vetë fjala dënim i koncepton të gjitha këto. Për 3-4 vjet ishim në Rubik, më pas në Laç, më pas në Elbasan dhe pastaj në minierën e Spaçit. Atje punonim në galeritë e nëntokës dhe prodhonim bakër. Paga ishte 10-12 mijë lekë në muaj me rrogat e asaj kohe, por ne na jepnin vetëm 1-2 mijë lekë të vjetra. Paratë e mbetura nga rroga ime shkonin në Ministrinë e Brendshme. Kur e çonin bakrin, kishin një kontratë me çekët, pasi mbaroi kontrata me çekët, u lidh kontrata me gjermanët e Lindjes. Gjermanët në krye të vitit na sillnin edhe 5 kuintalë ar. Kur i pyesnin se çfarë ishte ky ar, thoshin se bakri ynë kishte edhe përmbajtje ari dhe nuk na e mbanin sepse kontrata ishte vetëm për bakrin, ndërsa çekët nuk na e kthenin.

Hirësi, a ju takonte njeri në burg?

Po, familja.

Çfarë ju sillnin në burg?

Nuk kishin ç’na sillnin familjet. Por ushqimi ishte i mirë.

Sa vite punuat aty?

Aty kam punuar gati 12 vjet. Ishim 600 veta, të burgosur, hynim dilnim si kokrra e mollës të gjithë. Na ruajti i madhi Zot, është dora e Zotit.

A i kryenit në burg të gjitha ritet fetare gjatë ditës?

Unë bëja meshën latinisht, 20-25 minuta në qeli, sepse në galeri ishte e pamundur.

A keni qenë ju kur u bë rebelim i madh në Spaç, në maj të viti 1973?

Në maj 1973 u bë njëfarë gjoja revolte. Mua më akuzuan se prifti i ka ngritur peshë të burgosurit. Feçorr Shehu, që ishte ministër i Brendshëm, i kishte kontrolluar të gjitha, na mblodhi të gjithëve dhe ka thënë: “Të djegim gjallë Dom Ernestin”. Unë isha i dënuar me 12 djem të tjerë katolikë, me akuzën se kishim organizuar revoltën. Por ata i thanë, nuk kemi frikë askënd, por mos e dënoni Dom Ernestin për këto letra, për këto shpifje. Atëherë më ra nga shpatullat e më dha dorën. Për të dytën herë më ka shpëtuar nga pushkatimi dora e Zotit dhe dora e Feçorrit.

Ishit pjesë e asaj që të hiqnit yllin nga flamuri?

Unë vetë u habita.

Me cilët të burgosur të tjerë që tashëm njihen në publik keni qenë aty?

Ka ndonjë tek-tuk të rrallë, se jam munduar që edhe në burg të rri larg se atëherë të kapte Sigurimi dhe të pyeste se çfarë kishim biseduar, çfarë keni thënë e të tjera si këto.

Hirësi, a keni pasur frikë kur ishit në burg?

Në Spaç, kur kam qenë unë, ka pasur djem të rinj, që në dëshpërim i kanë thënë rojës “më vrit”. Të rralla këto lloj historish, por kanë qenë.

Si u ndjetë kur qeveria organizoi ceremoni dhe vetë kryeministri Edi Rama ju priti në Rinas, kur erdhët nga Vatikani, pasi morët titullin kardinal?

Unë kreva shërbimet si gjithmonë atje në Vatikan dhe Itali, pastaj u ktheva për të vazhduar shërbimet këtu. Kur zbrita në Rinas, më thanë prit se kemi pak punë, unë prisja të vinte ndonjë gazetar, por kur pashë kryeministrin, u habita. E falënderova, ne jemi të gjithë vëllezër, bij të të madhit Zoti.

Hirësi, si ka mundësi që në historinë e shtetit shqiptar nga 33 kryeministra, ne nuk kemi asnjë kryeministër katolik? Edi Rama, aktuali, është i pagëzuar, por jo me prejardhje.

Nuk jam marrë kurrë me këto. Por çdo pushtet vjen prej Zotit.

Si jetoni ju dhe si është ekonomia juaj?

Po si të jetoj. Unë nuk kam as shtëpi.

Po ku jetoni?

Në shtëpinë e vëllait. Kam jetuar 50 e ca vjet me qira më parë.

Në Shkodër kemi edhe kishën e xhaminë, edhe myslimanë, edhe të krishtere, ç’domethënë kjo për ju?

Jemi të gjithë bijtë e të madhit Zot, feja është bashkim.

Shqiptari rron më mirë tani apo më parë?

Nuk krahasohet me më parë.

Çfarë vesesh duhet të heqë populli shqiptar?

Duhet të binden të duan njëri-tjetrin në të gjitha mënyrat e të duan Zotin, ajo sjell ekonomi e gjithë të tjerat. Ne jemi shtegtarë, sot për nesër. Së pari, të ndihmohet familja, pastaj të mos shkojë as fija e flokut dëm, të ndihmohen të varfrit dhe ata në nevojë.

Në nëntor do shpallen martirë të fesë katolike 38 priftërinj shqiptarë. Përse ndër këta 38 nuk është emri i Patër Anton Arapit? A lidhet kjo me faktit që komunistët e akuzuan për bashkëpunim me gjermanët?

Mund të ketë edhe të tjerë, por unë nuk jam në dijeni. Meqë ra fjala për Patër Anton Harapin di vetëm këtë gjë që gjatë kohës që ai ishte regjent u ka thënë gjermanëve se nuk do të hidhte asnjë firmë për pushkatim të askujt. “Ne jemi vetëm për shpëtim” ka thënë ai. Më kujtohet se në vitin 1946 kur u pushkatua Patër Antoni, ishim duke u lutur, fiks në minutën që është pushkatuar ai, është dridhur dhe tronditur kisha në Shkodër.

Vërtetë?

Po, po e vërtetë. Isha aty unë në kishë. Janë dridhur muret e kishës kur po e pushkatonin. Gjashtë vite e kam pasur Patër Antonin drejtor të kolegjit Françeskan. Ai u pushkatua në Tiranë në zonën e Kodrës së Priftit bashkë me Lef Nosin dhe kryeministrin shkodran Maliq Buishati, por eshtrat e tyre, pra edhe të Patër Antonin nuk janë gjetur.

Por si ka mundësi që nuk është në listë e 38 martirëve të fesë katolike?

S’e di përse nuk është në listën e martirëve.

SHKARKO APP