Irena Kita, mes avokatisë dhe botës së modës

Intervistoi: Sidorela Lepri

Një juriste që i pëlqen të vishet bukur dhe që spikat për stilin e saj të veçantë dhe elegant të të veshurit. Gjithmonë në formë dhe e kuruar në detaje, fashion bloger-ja e njohur Irena Kita, tregon për marrëdhënien e saj me modën. “Mendoj se ka lindur që herët në fëmijëri dhe mori karakterin e vet në periudhën kur unë kam qenë adoleshente, periudhë në të cilën u largova nga Shqipëria, për të studiuar Juridik pranë fakultetit të Bologna-s”, tregon Irena gjatë bisedës sone me të. Më tej, në një intervistë për suplementin “Koha Tjetër”, ajo ndan me lexuesit plot detaje nga bota e modës, si edhe tregon për tendencat kryesore dhe ngjyrat që do të dominojnë në sezonin e vjeshtës. Në mbyllje të intervistës, Kita jep edhe disa këshilla se ku dhe kur nuk duhet të gabojmë me veshjet në këtë sezon.

Një juriste e cila ka një marrëdhënie tepër të ngushtë me modën. Si lindi dhe është zhvilluar ky pasion tek ju?

Mendoj se ka lindur që herët në fëmijëri dhe mori karakterin e vet në periudhën kur unë kam qenë adoleshente, periudhë në të cilën u largova nga Shqipëria, për të studiuar juridik pranë fakultetit të Bologna-s.

Gjithmonë në formë dhe e kuruar në çdo detaj. Cili është stili juaj i preferuar i të veshurit?

Shumë faleminderit! Përpiqem (qesh). Stilin tim mund ta përcaktoj klasik të ndërthurur me sportiv dhe anasjelltas. Ky lloj përcaktimi lidhet ngushtë me pasionet e mia të mëdha sportin dhe fashion.

 

Çfarë nuk do të vishnit asnjëherë?

Dicka që nuk i shkon fizikut tim. Sado e bukur mund të jetë një rrobë, duhet të njohim edhe limitet e saj me përshtatjen fizike. E para nuk do ndjehesha mirë me veten dhe e dyta nuk dua të bëhem qesharake në ambientin social, në të cilin gjithkush prej nesh merr jetë.

Keni plot ndjekës në llogarinë tuaj në instagram. Cili është raporti juaj me to?

Mendoj se kam një raport të mirë. I jam shumë shumë mirënjohës atyre që më mbështesin në pasionet e mia dhe më shkruajnë vazhdimisht. Shpeshherë i falenderoj që më dhurojnë kohën e tyre duke më shkruajtur në instagram.

 

Edhe pak ditë na ndajnë nga ardhja e stinës së vjeshtës. Na tregoni se cilat janë disa nga tendencat kryesore të kësaj vjeshte?

Kjo do jetë një stinë e mrekullueshme.  Do të shohim veshje që përcjellin shumë feminilitet me anë të tubinove, të fustaneve, dantellës, fustaneve të gjata, tailer, etj.. Kapotat do të vijnë në gjatësine max-i dhe oversize, duke e bërë femrën më misterioze në veshjen e brendshme. Nuk do mungojnë fundet me pala, pantallonat treçerekëshe, jumpsuits, printet animale dhe stampimet gjeometrike. Gjithashtu do të shohim look një ngjyrësh si total Black, komplet i bardhë, ose komplet i kuq. Aksesorët do të vazhdojnë të jenë të mëdhenj dhe të dukshëm, duke futur këtu edhe çantat e dorës. Veshja do të plotësohet deri në detaje, duke shtuar syzet, dorashkat, getat me hoje të mëdha, etj.. Përsa i përket çizmeve do të hasim atë shumë të gjata deri mbi gju, model i cili përfshiu shumë pasarela mode ku personalisht më pëlqen shumë Dior.

 

Po përsa i përket ngjyrave që do të dominojnë?


Do dominojnë nuancat e ngrohta për të sfiduar temperaturat e ulëta që do vijnë. Do të hasim shumë ngjyrat e tokës, të gjitha nuacat e kafes, të zezën, të bardhën, grinë, blunë e errët, etj.. Nuk do mungojnë e zeza dhe e bardha, të kombinuara me ngjyra dhe tendencë. Për darkën do të mbizotërojnë detajet e florinjta dhe veshjet transparente.

 

Shpeshherë gabohet me kombinimin e aksesorëve shtesë. Çfarë duhet të kemi parasysh në krijimin e kombinacioneve të tilla?

 

Mendoj se një veshje që në vetvete është e ngarkuar nuk mund të kërkojë aksesorë shtesë, apo shumë të ngarkuar. Në veshjet, në të cilat aksesorët janë të domosdoshëm si qershia mbi tortë, mund të vendosim një palë vathë të mëdhenj, ose një varëse të dukshme (në këtë rast duke eliminuar madhësinë e aksesorëve tek vathët), me qëllim që të kemi një look sa më të bukur.

 

Mund të na jepni disa këshilla, ku nuk duhet të gabojmë me veshjet në këtë periudhë?

Përpiquni të jeni gjithnjë në harmoni me veshjen dhe eventin, ose vendin ku do të shkoni. Jeni gjithmonë të pastër dhe do të shndrisni përherë. Kujdes me aksesorët, pasi do dukeni si pema e vitit të ri. Ato duhet të jenë sa më të përshtashëm me veshjen. Këpuca, ose sandalja është po aq e rëndësishme sa veshja. Përpiquni ta keni atë në harmoni me veshjen, ose nëse doni të godisni pikërisht tek pjesa e poshtme e këpucës, ose sandales, qëndroni tek një look totalisht njëngjyrësh dhe të thjeshtë. Përpiquni që të qëndroni pranë trukut natyral paraditeve pa u ngarkuar shumë

Sipas jush, çfarë nuk duhet të mungojë asnjëherë në garderobën e një femre?

Një fustani i zi, i cili të nxjerr menjëherë nga situata, një palë xhinse, këmishë e bardhë, një çantë dhe një palë sandale.

Nga ajo çfarë mund të keni konstatuar, a vishen bukur shqiptarët?

Unë për kaq sa shoh në Tiranë, mendoj se kanë filluar të priren drej tendencave europiane, por duhet të pranojmë që jemi akoma shumë larg stilit dhe sharmit europian, pasi duke qenë në ballkan, jemi më shumë të prirur të përqafojmë stilin “bullgar”, i cili për mendimin tim shkon drejt vulgares si në veshje, truk dhe prezantim.

Të ndalemi tek moda në vendin tonë, si e shihni evoluimin e saj vit pas viti?

Padiskutim që po dhe të jem e sinqertë jam shumë e kënaqur kur shoh njerëz të veshur bukur, pastër e me stil.

Dhe së fundmi, të vishesh bukur është thjesht çështje garderobe e parash, apo më shumë se kaq, çështje stili?

Janë disa gjëra që janë të lindura dhe ca të fituara me kohë, nëqoftëse vërtetë i dëshiron. Kështu e shoh unë edhe stilin, si një dhunti të lindur dhe të fituar. Përsa i përket marrëdhënies me paranë duhet ta pranoj që rrinë shumë afër me njëra-tjetrën. Të dish të vishesh bukur kërkon një buxhet të caktuar, i cili mund të fillojë nga më baziku e deri ku arrin mundësia, por mund të ndodhë edhe e kundërta që mund të kesh lekë dhe të mos kesh stil. Në këtë rast ndërhyjnë specialistët e imazhit, të cilët në botë janë shumë të kërkuar, me qëllim që të kurojnë imazhin e personazhit deri në detaje, gjithmonë të përshtatur ngushtë me karakterin dhe personalitetin e tij.

 

SHKARKO APP