Ish-drejoresha e Arkivit të Shtetit: Ka dokumente për përdhunimin e grave në burgjet komuniste
Historiania e njohur dhe ish-drejtore e Arkivit të Shtetit, Nevila Nika në një intervistë për Opinion.al se ka dokumente qw faktojnë përdhunimin e femrave nw burgjet e diktaturës. Sipas saj, në kohën e diktaturës, gratë në biruca edhe janë përdhunuar, edhe pse shton se ‘jo gjithçka faktohet, pasi askush nuk ishte i interesuar të linte gjurmë”. Denoncimin e këngëtares Alida Hisku, edhe pse pati kunhdwrshtime, Nika thekson“Alida Hisku tha të vërtetën!”. Nika tregon se në kohën kur ishte drejtore e Arkivit të Shtetit (2008-2013) nga Burgu i Sigurisë së Lartë që ndodhet pranë ka dëgjuar ulërimat e grave që dhunoheshin.
Ajo çka ka nxitur sërish debate kohët e fundit është dhuna në kohën e komunizmit. Kjo mori shkas nga një interviste e Alida Hiskut e cila thoshte se ishte përdhunuar nga hetuesit brenda në biruce… Ju keni studiuar për atë periudhë të historisë. Si mendoni a ka ekzistuar ky fenomen….pra a përdhunoheshin gratë e arrestuara?
Lexova intervistën e znj. Hisku dhe e përgëzoj për guximin dhe qytetarinë e saj për të denoncuar publikisht një prej krimeve më të shëmtuara të periudhës së regjimit komunist, atë të dhunimit të grave e vajzave në burgje e kampe internimi. Ka kaluar gati një çerek shekulli nga rënia e regjimit dhe shumë pak është folur për fatin e gruas shqiptare në atë periudhe.
Znj. Hisku ka treguar të vërtetën!
Edhe pse Kodi Penal dhe ai i Procedurës Penale nuk e parashikonte përdorimin e torturës fizike e psikologjike, të gjithë ne tashmë e dimë se ato janë përdorur masivisht në vendet e dënimit. Raste si ai i znj. Hisku ka patur, pasi jo të gjithë ata persona që kanë punuar në organet e drejtësisë të asaj periudhe kanë vepruar konform ligjeve të kohës. Përdorimi i torturave nga më të ndryshmet ka qene norme si për gratë ashtu edhe për burrat. Ju kujtoj këtu se në vitet e para të pas luftës, në mjaft burgje të vendit qelitë ishin të përbashkëta, pra burra e gra në një qeli.
Disa artistë që e kane jetuar atë periudhe por edhe kanë qenë të dënuar e kanë mohuar, si Maks Velo për shembull. Ndërkohë të tjerë e kane pohuar. Si shpjegohet ky diversitet mendimesh?
Mendime të ndryshme midis artistesh apo ish të burgosurish politike është krejt normale të ketë. Gjykoj se ata që e mohojnë e kanë gabim, fenomeni ka ekzistuar, sidomos për ata mbi të cilët rëndonin akuza me karakter politik, por nuk përjashtohen edhe ato për krime ordinere.
Cilat kane qene format kryesore të presionit që ushtroheshin ne diktature ndaj të burgosurve politikë?
Forma më e rëndomtë e presionit ka qenë familja, të afërmit të dashurit e personit të arrestuar. E njëjta gjë ndodhte edhe me familjaret jashtë mureve të burgut e kampit. Frika injektohet në të gjitha variantet, dëbimi, internimi, largimi nga puna, shkolla etj etj.
A ka dokumente që vërtetojnë përdhunimin? Nëse jo dokumente, ndonjë fakt tjetër që e bën të besueshme këtë dëshmi?
Dokumente ka, jo për të gjitha rastet kuptohet sepse askush nuk ishte i interesuar të linte gjurme, qoftë edhe për rrahjet shtazarake që ju bëheshin gjatë hetuesisë. Kuptohet se sot mbas kaq vitesh është e vështirë ta provosh me fakte shkencore, pra nga mjekë e laboratorë kriminalistike se çfarë ka ndodhur.
Në këto kushte jemi para faktit se vetëm dëshmitë e të mbijetuarve të atij ferri janë dëshmi e gjallë e të pakundërshtueshme.
Unë, kam punuar për shume vite në Arkivin Qendror Shtetëror (tek Burgu i Sigurisë së Lartë) dhe ende sot kujtoj me dhimbje ulërimat e një gruaje që vinin nga burgu i Tiranës. E pra, kanë kaluar shumë vjet por nuk mundem ta harroj. Së fundi, dua të shtoj se gruaja shqiptare ka vuajtur të tilla ngjarje edhe në vendet e punës e kudo. Me gjithë fjalët e mëdha për emancipimin tone, jeta e një gruaje ne Shqipërinë e para ‘92 nuk ishte fushe me lule.