Ish-Komandanti i FNSH-së, Levanaku: Ministri Tahiri, të mos bëj politikë me mua!
Ish-Komandanti Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë në Tiranë, FNSH, Osman Levanaku, i cili mban gradën Komisar, thotë se është shkarkuar padrejtësisht nga detyra rreth dy vjet më parë dhe jo vetëm kaq, por denoncon edhe akuzat e padenja në adresë të tij që janë lëshuar kohët e fundit nga ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri. Ai bën një kronologji të tërë karrierës së tij 18-vjeçare në Policinë e Shtetit, para se të shprehë indinjatën e largimit të padrejtë, siç e konsideron edhe me arsye politike, apo edhe të akuzave të padenja që janë lëshuar politikisht për të sulmuar kundërshtarët nga ministri Tahiri, por duke përdorur emrin e tij. – “Në vitin 1993, kam filluar punë në Policinë e Shtetit dhe jam liruar nga detyra në vitin 97’, pas ardhjes në pushtet të Partisë Socialiste. Në vitin 1998, kam filluar punë si oficer sigurie pranë kreut të opozitës së asaj kohe, Sali Berisha. Këtë detyrë e vazhdova deri në vitin 2006, kur edhe u largova nga Garda për t’u emëruar Zv. Komandant i Ndërhyrjes së Shpejtë. Pas një viti në këtë detyrë, jam emëruar Komandant i Ndërhyrjes së Shpejtë, Tiranë, dhe fitova gradën Komisar. Ndërkohë, përveç se kam konkurruar, edhe kam pritur vitet përkatëse për të fituar gradën. Po ashtu gjatë këtyre viteve kam arritur edhe kualifikime në vende të ndryshe të Europës dhe SHBA-ve. Jam trajnuar në Departamentin e Shtetit Amerikan, trajnime që i kanë ndër të paktët emra sot në Policinë e Shtetit. Jam trajnuar tre muaj në Austri, me paratë e qeverisë austriake, për t’i shërbyer Policisë së Shtetit. Gjatë këtyre viteve kam marrë vlerësime në të gjitha kurset e kryera nga “Pameca”. Për 3.5 vjet mora gradën “Drejtues i Lartë” i policisë së Shtetit. Gjithmonë, duke konkurruar dhe punuar për të marrë gardat dhe sot jam çuditërisht i shkarkuar dhe më keq akoma, edhe i akuzuar,” – thotë ndër të tjera në një reagim për gazetën “Koha Jonë”, ish-Komandanti i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, Osman Levanaku:
Cili është reagimi dhe pretendimi juaj, pas shkarkimit nga Policia e Shtetit, që e konsideroni të padrejtë?
Unë sot jam një ndër drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit, që jam i liruar nga detyra. Dhe si ka mundësi që në Policinë e Shtetit ka njerëz që jo vetëm që nuk i kanë grada të tilla, mos të flasim më tej për 18 vjet eksperiencë pune dhe kontribut në polici. Por çuditërisht lirohem nga detyra. Si ka mundësi z. Tahiri që vazhdoni të më akuzoni në seancat parlamentare dhe në daljet publike, në një kohë kur më keni kërkuar edhe falje para katër muajsh, për shkarkimin e padrejtë. Dhe pasi nuk rikthehem në detyrë, tani dilni dhe më akuzoni publikisht se unë nga roje i Partisë Demokratike, jam emëruar më pas në polici.
Përse besoni se ka ardhur shkarkimi juaj?
Shkarkimi mendoj se ka ardhur për motive politike. Ministri më ka parë apo konsideruar më tepër si një “bodyguard” të ish-kryeministrit, Berisha. Ndërkohë, që unë në gjithë kohën që kam ushtruar detyrën, kam bërë detyrën time shtetërore, dhe faktet tregojnë se nuk kam bërë asnjë edhe një shkelje të vetme. Gjithë kjo lidhet me punën e shkëlqyer që kam kryer në repartin e Ndërhyrjes së Shpejtë. E mora këtë repart kur kishte të vrarë e të plagosur dhe e dorëzova, pa asnjë të gërvishur. Kemi qenë në çdo moment, para çdo rreziku që u kanosej qytetarëve duke i ardhur në ndihmë secilit prej tyre, sa herë ka qenë nevoja. Dhe jemi “shpërblyer” me një “firmë”,
A jeni drejtuar gjykatës, pas shkarkimit?
Për shkarkimin tim të padrejtë, sigurisht jam detyruar dhe i jam drejtuar më pas gjyqit. Nuk kisha asnjë mëdyshje dhe kam fituar të dy seancat në dy shkallët e gjyqësorit, si dhe mora pagat që më takonin nga shkarkimi i padrejtë. Pra, kjo, vërteton dhe dua ta sqaroj para tërë opinionit publik se shkarkimi im ishte i padrejtë dhe pa asnjë arsye. Dhe për më tepër jam zëvendësuar nga njerëz pa shkollë, pa grada, pa asnjë kualifikim, pa pasur asnjë lidhje me Policinë e Shtetit. Jam zëvendësuar nga njerëz që ishin më herët thjesht numërues votash në Partinë Socialiste, si për shembull Arban Bare e me radhë. Ndërkohë që zëvendësohem me këtë lloj kategorie njerëzish, akuzohem nga ministri në sy të publikut dhe ofendohem se kam qenë kohe i PD-së. Me ç’të drejtë!
Thoni se keni fituar gjyqin pas shkarkimit, dhe keni vite të tëra pune në polici e po ashtu keni fituar edhe gradat, ndërkohë pas shkarkimit a keni kërkuar të riktheheni sërish në detyrë?
Po, kam qenë dhe jam gati gjithnjë të rikthehem dhe të kontribuoj në Policinë e Shtetit. Këtë ia kërkova edhe ish-drejtorit të Policisë së Shtetit, Artan Didi. Ai jo vetëm që e vlerësoi punën time disavjeçare, por edhe e konsideroi shkarkimin tim të padrejtë. Më është drejtuar tekstualisht, se “më erdhi keq që të dëgjova emrin teksa akuzoheshit publikisht nga ministri.” Dhe më la të kuptoja se nuk kishte asgjë në dorë të më rikthente. Kam kontaktuar edhe me ministrin Tahiri, i cili më herët më dha të drejtë, kurse tani nuk më përgjigjet më, madje del dhe lëshon akuza personale ndaj meje. Ajo që më habit është fakti se kur ministri nuk është në gjendje t’i përgjigjet me argumente akuzave politike të kundërshtarit, përse duhet të merret dhe të përgojojë emrin tim, dhe pse gënjen kaq hapur, publikisht! E vërteta, e thjeshtë: Jam shkarkuar pavarësisht se kam gradat përkatëse dhe fitova dy gjyqe, kurse nga ana tjetër në Policinë e Shtetit, ministrit sot nuk i bën fare përshtypje se ka njerëz pa shkollë.
Përveç shkarkimit nga Policia e Shtetit, shpreheni se jeni i indinjuar edhe nga fakti që emri juaj përmendet publikisht nga ana e ministrit…
Patjetër, sikurse unë besoj se edhe çdo qytetar tjetër i këtij vendi do të ndihej i tillë! Dhe në vend që të ndreqë këtë padrejtësi, ministri shkon dhe e thellon edhe më tej atë. Ministrin personalisht jam përpjekur ta kontaktoj, duke i parashtruar të drejtën time që më takonte, por deri diku nuk prisja ta zgjidhte. Sot që flasim, ç’ndodh? Në vend që ta korrigjojë atë, e thellon edhe më shumë dhe bën një tjetër padrejtësi më të madhe, duke më akuzuar politikisht. Dhe nuk bën gjë tjetër veçse shpif, sepse vitet e punës, gradat dhe rezultatet, flasin ndryshe, për një të drejtë të pakontestueshme.
Ka pasur oficerë të tjerë të shkarkuar nga Reparti i Ndërhyrjes së Shpejtë?
Në repartin që kam drejtuar, janë shkarkuar 7 oficerë të lartë me një të rënë ta lapsit, që më pas ashtu si edhe unë kanë fituar të gjithë gjyqin. Jemi paguar edhe pas shkarkimit nga taksapaguesit shqiptarë dhe është dy herë keqardhje për vendin, sepse njëkohësisht paguhen edhe ata që janë në detyrë, njerëz pa shkollë, të cilët siç e thashë nuk kanë lidhje me policinë. Dhe më keq akoma, kjo duket se nuk i intereson fare ministrit Tahiri. E vërteta është se pas këtyre lëvizjeve, atij nuk i del asgjë nga xhepi dhe kështu nuk ka as ndonjë interes dhe as ndonjë shqetësim se ku shkojnë paratë publike.
Dhe me bindjen që jeni shkarkuar padrejtësisht madje i fyer publikisht, për ta mbyllur, cili është mesazhi juaj i fundit?
Zoti ministër, a nuk jeni i kënaqur ende që më larguar padrejtësisht nga Policia e Shtetit? A nuk u kënaqur që keni larguar po ashtu edhe pesë pjesëtarë të tjerë nga të afërm të familjes sime? Dhe e dini se të gjithë kemi fituar dhe jemi në të drejtën tonë, me vendim të gjykatës! Opinioni publik duhet të dijë se ashtu si ne janë larguar edhe me qindra e mijëra të tjerë dhe shumica prej tyre e kanë fituar më pas gjyqin. Atëherë, përse nuk më lini të qetë tani, më lini pra, në punët e mia. Mos kujtoni se për të fituar kapital politik, apo për interesat tuaja personale, mund të bëni çdo gjë kundër nesh? Dhe si përfundim do t’i lutesha zoti ministër për hir të postit, mos gënjeni para publikut, si deri tani dhe më shumë se kaq!
“Shkarkimi i 40 policëve të FNSH, pas operacionit të Lazaratit”
Osman Levanaku, denoncon edhe veprimin aspak të denjë të drejtuesve aktualë të Policisë së Shtetit që 40 forca të FNSH-së, të cilët i shkarkuan padenjësisht, pas operacionit të Lazaratit. – “Dua të përmend edhe një rast, që lidhet me padrejtësitë dhe fytyrën e vërtetë të drejtuesve aktual të policisë. Në operacionin e një viti më parë në Lazarat, ministri Tahiri, pasi i falënderoi forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë që morën pjesë në atë operacion, një e nga një me një SMS, dy ditë para Vitit të Ri, janë shkarkuar plot 40 prej tyre. Pra, u tregua jo vetëm një pabesi, por nuk i lanë të hanin të qetë as Vitin e Ri,” shprehet Levanaku.
“Gradat dhe vlerësimet ndërkombëtare, sot shumëzohen me zero”
Osman Levanaku, në karrierën 18 vjeçare në Shqipëri, tregon se përveç gradave më të larta që mori në Policinë e Shtetit, është pajisur me certifikata të ndryshme në aktivitete prestigjioze të vendeve të BE-së dhe SHBA-së, që vlerësojnë punën dhe aftësitë e tij, gjatë këtyre viteve. Në Austri, Greqi, Zvicër dhe deri në SHBA, qoftë edhe nga vlerësimi i marrë më herët nga “Pameca” , por si të mos mjaftonin gradat që ka fituar gjatë viteve të karrierës në Shqipëri, “ato papritur janë shumëzuar me zero,” – shprehet ish-drejtori i FNSH-së Tiranë dhe vendim tim e kanë zëvendësuar me “njerëz pa shkollë dhe pa punuar asnjë ditë në polici”.
Intervistoi: Aranit Muraçi