Jani Marka: Klasa politike, përgjegjëse për situatën

 

Jani Marka: Klasa politike, përgjegjëse për situatën

Është lajmi kryesor i ditës së sotme në të gjitha mediat, studentët protestojnë dhe sulmojnë Kryeministrin Rama me vezë. Ngjarja ka ndodhur paraditen e sotme, teksa z.Rama ishte në ambientet e Fakultetit të Shkencave Sociale. Incidenti i krijuar, solli dhe arrestimin e tyre. Protesta po vazhdon edhe në këto momente. Në këtë intervistë për "Koha Jonë" Profesori dhe njëkohësisht anëtar i lëvizjes për Universitetin, Jani Marka shprehet se: "Të mos bien pre e propagandës së qeverisë që e bën qimen tra për një vezë, e nuk shikon që trau është i shtrirë përditë në universitet".  

Intervistoi: Redjon Shtylla

Z.Jani, për çfarë protestuan sot studentët, përpara Fakultetit të Shkencave Sociale?

Në fakt studentët, nuk protestuan vetëm sot por kanë dy vjet që protestojnë, pa ndërprerje kundër reformës në arsimin e lartë, e cila në këndvështrimin e studentëve, dhe të pedagogëve e tregterizon shumë universitetin publik, rrit tarifat e bën shumë të papërballueshëm për studentët. Çon fonde publike në atë private, cenon autonominë, shton burokracinë e një sërë elementësh të tjerë. Të gjithë këto ne i kemi kundërshtuar fort, sidomos në pranverën e vitit të shkuar, me 4-5 protesta e kemi qenë me qindra studentë, për të cilën kryeministri nuk e vuri ujin në zjarr për të na pyetur njëherë, se cilat ishin shqetësimet tona derisa e miratoi dhunshëm projektligjin në korrik të këtij viti, e që në shator u kthye nga Presidenti dhe kaloi përsëri pa marrë parasysh që Presidenti e ktheu. Lëvizja për Universitetin, nuk e ka braktisur idenë e saj për një arsim publik, të lirë dhe jo privilegj e që të jetë i përballueshëm për të gjithë qytetarët. Qeveria ka shfaqur gjithmonë arrogancë dhe veprimi i sotëm ka qenë, thjesht një kontakt midis studentëve që u informuan që në fakultet do të vinte z.Rama dhe kanë vepruar ashtu siç e patë.

Ishte e duhur sjellja e studentëve duke sulmuar z.Rama me vezë?

Goditja me vezë diçka simbolike, nuk cenon asnjë gjë për Kryeministrin, përkundrazi ajo që është dhunë e pastër është ajo qeveritare ndaj qindra mijëra familjarëve të Shqipërisë që nuk i paguajnë dot fëmijëve shkollimin e tyre. Kjo është dhunë dhe kjo vezë simbolike, ngrihet përkatësisht kundër kësaj dhune, të këtij pushteti që po e shkatërron universitetin publik.

A do ta kalojnë natën në komisariat studentët e arrestuar?

Në dijeninë time, avokatët janë brenda dhe nuk na kanë dhënë ndonjë informacion, nuk kam informacion të saktë. Kjo i takon policisë, ne do të rrimë këtu derisa të lirohen, kjo është e sigurt.

A do të vazhdojnë protestat në ditën në vazhdim, si kjo e sotmja?

Natyrisht që protestat, do vazhdojnë e që kjo e sotmja ishte diçka spontane dhe nuk është që ishin parashikuar protesta, në kuptimin që aksioni për të vazhduar betejën në fakultet, nuk do të ndalojmë dhe pse ka kaluar në ligj. Natyrisht që protesta mund të ketë në vijim, varet nga situata, por aktivistët e lëvizjes nuk kanë ndërmend të tërhiqen, sepse kjo lëvizje emancipuese, kjo kauzë është gjithëpërfshirëse për Universitetin.

Te kjo kauzë shihet një mbështetje e pakët nga ana e studentëve, sot në protestë ata ishin vetëm disa veta dhe si e vlerësoni mos pjesëmarrjen e qindra studentëve të tjerë?

Kjo është shoqëria shqiptare, kjo lidhet me nivelin e emancipimit të të gjithë qytetarëve. Përveç kësaj në vendin tonë kemi patur shumë ngjarje madhore për të cilat duhet protestuar, që për gërdecin, 21-janarin, e nuk është protestuar as për ato ngjarje, kështu që, numri nuk është i vogël sepse në pranverën e këtij viti kanë protestuar me qindra studentë, dhe në total pak mijëra të cilët përfaqësojnë një numër shumë të madh nga pakënaqësitë, që kanë për ligjin e universitetit.

Në rrjete sociale edhe politika ka reaguar, si i keni parë qëndrimet e tyre?

Ne si lëvizje kemi bërë gjithmonë përgjegjës, klasën politike, dhe kjo ka qenë një reformë që ka nisur nga qeveria Berisha në vitin 2010, është kundërshtuar dhe atëherë nga një grup studentësh, po këta që janë po sot këtu, një pjesë e mirë e këtyre. Kështu kaloi te qeveria Rama, dhe ky këndvështrim, kjo është reformë e gjithë kësaj klase ndaj popullit, ku PD-ja ka interesa të ndryshme, e që i përdor thjesht për interesat e saja, partiake e populiste. Duket qartë dhe këndvështrimi që politika i ka bërë këto dy vite projekt ligjit, shumë e vagët, e zbehtë edhe premtimi që do ta çonin në gjykatë kushtetuese nuk po bëhet realitet.

Çfarë mesazhi keni, për studentët, familjarët e tyre dhe për të gjithë qytetarët?

Këta studentë po protestojnë për studentët që do të vijnë nesër, se këta e kanë të qartë se do ti mbyllin studimet e tyre në këto kushte në vështira dhe me tarifa të kripura, çka e bën këtë lëvizje me vlera emancipuese dhe universale për brezat që do të vijnë dhe ne kërkojmë që qytetarët ta shikojnë me vëmendje dhe të mos bien pre e propagandës së qeverisë që e bën qimen tra për një vezë, e nuk shikon që trau është i shtrirë përditë në universitet.

SHKARKO APP