Joleza Koka: Aktivistët tanë në Stamboll, asnjë lidhje me drogën    

Joleza Koka, Kryetarja e FRESSH-it, flet për “Koja Jonë” mbi ngjarjen ku në autobusin ku po udhëtonte një grup aktivistësh së këtij forumi, nga Tirana në Stamboll u kap një sasi droge. Sipas saj, misioni i të rinjve socialistë së Tiranës kishte për qëllim që të solidarizohej me popullin turk kundër terrorizmit dhe kjo ishte arsyeja e udhëtimit drejt Stambollit. Joleza Koka thotë se anëtarët e FRESSH-it ishin fizikisht prezent në të njëjtin mjet që është ndaluar bashkë me personat e përfshirë në trafikun e lëndës narkotike dhe pasi “këta të fundit fatmirësisht janë ndaluar, FRESSH ka vijuar aktivitetin normal sipas programit,” – shprehet Joleza Koka:

Cila është e vërteta e lajmit se janë ndaluar disa aktivistë të FRESSH-it gjatë një udhëtimi në Stamboll, në një autobus që është ndaluar dhe është gjetur lëndë narkotike?

Një grup prej 35 aktivistësh të FRESSH janë nisur më datë 28 Janar për një udhëtim drejt Stambollit, udhëtim i kryer me një autobus të kompanisë “Fenix Travel & Tours”. Në autobus, përveç 35 aktivistëve të FRESSH, ka pasur edhe 6 udhëtarë të tjerë me destinacion të njëjtë. Pasi është kaluar kufiri mes Shqipërisë dhe Greqisë, ndalesa e parë ka qenë në qytetin e Selanikut, ku pasagjerët kanë kaluar natën në një hotel. Ditën e dytë ka nisur udhëtimi nga Greqia në Turqi dhe në kufirin mes dy vendeve autobusi është ndaluar për t’u kontrolluar. Gjatë kontrollit të mjetit, pasagjerët kanë qëndruar në pikën kufitare, jashtë mjetit. Informacioni i marrë nga autoritetet kufitare ishte se në autobus  dyshohet të jetë gjetur një sasi lënde narkotike e për pasojë shoferi i autobusit, ndihmës shoferi, guida dhe një tjetër person janë ndaluar nga policia. Pjesës tjetër të pasagjerëve, pasi u janë dorëzuar bagazhet, u është vënë në dispozicion një tjetër mjet që i ka dërguar në destinacion, Stamboll. I gjithë grupi i 35 aktivistëve të FRESSH është në Stamboll ku po vazhdon programin e parashikuar. Asnjë prej të ndaluarve nga autoritetet turke nuk i përket grupit të aktivistëve të FRESSH.

Përse një lajm i tillë mendoni se është i lidhur me FRESSH?

Është i lidhur me FRESSH, sepse kanë qenë fizikisht prezent në të njëjtin mjet transporti aktivistët e qytetit të Tiranës dhe personat që fatmirësisht janë ndaluar nga autoritetet përpara arritjes në destinacion.

A keni komunikuar me aktivistë të FRESSH, që ndodhet në Stamboll dhe si e kanë pritur ata këtë lajm?

Po kemi komunikuar. Janë shumë mirë. Momentalisht po bëhen gati për të vizituar qendrën e Stambollit. Kjo është edhe një shenjë solidariteti pas sulmeve të ISIS në këtë qytet. Lufta e vetme kundra terrorit është të mos terrorizohesh.

Cili është qëllimi i këtyre aktiviteteve të FRESSH-it dhe si e ka gjetur viti 2016 Forumin Rinor Eurosocialist në Shqipëri? 

FRESSH ka shtrirje në 61 Bashki të vendit. Unë jam mundur të zhvilloj sa më shumë kulturën e debatit brenda forumit dhe të demokracisë së brendshme. Secili nga drejtuesit apo koordinatorët ka pasur dhe ka mundësinë të vërë në zbatim axhenda lokale përtej atyre kombëtare. I tillë ka qenë dhe aktiviteti i strukturave tona në qytetin e Tiranes. Duke marre shkas nga eventet e 12 janarit në Stamboll, të rinjtë e Tiranës donin të tregonin që terrori nuk mund të tolerohet dhe pikërisht për këtë shkuan të vizitojnë Xhaminë Blu.  Në muajin shkurt, FRESSH-it, në bashkëpunim me forumin tjetër rinor të majtë,  pjesë e Internacionales së të rinjve LRI, do të mirëpresim në Tiranë 150 drejtues politik rinor të majtë në Kongresin Botëror të të Rinjve. Gjithashtu, do të kemi kampionatin e debatit dhe të volejbollit midis gjimnazeve. Klubet universitare gjithashtu kanë axhendat e tyre. Sakaq, po krijojmë bursën e perimeve të qytetit te Tiranes, propozim për ligjin e “Youth Guarantee”, prezantimin mbi analizën zgjedhore që ata vetë kanë bërë. Gjithashtu, po mbledhim ndihma për familjet e përmbytura në Shijak, sikurse po mbledhim propozimet e të rinjve mbi reformën në drejtësi etj.. Gjatë vitit 2016, gjithashtu do të kemi Akademinë Politike, Shkollën Verore, Kongresin e Partisë. Kështu, besojmë se do të jetë një vit i mbarë dhe i bukur.

Ish-Kryeministri Sali Berisha i ka cilësuar skandal këtë rast tha i bindur se trafikun e udhëhiqte nënkryetari i FRESSH, Artur Micko, për të cilin shtoi se ka bekimin e kryeministrit dhe të drejtësisë (për shkak të babait të tij gjyqtar)! Cili është reagimi juaj mbi këtë çështje?

Unë jam edukuar që t’iu liroj vend të moshuarve në autobus, kur shkojnë për të marrë pensionin. Kjo është një gjuhë që për gjeneratën tonë nuk bën më sens, çuni i këtij, kushëriri i atij, apo i dërguari i asaj.

Intervistoi: Aranit Muraçi

SHKARKO APP