Joleza Koka: PS-ja fiton zgjedhjet edhe vetëm

INTERVISTA/Kryetarja e FRESSH-it flet për “Koha Jonë” pak ditë para Kongresit të Internacionales së të Rinjve Socialistë në Tiranë

Intervistoi: Aranit Muraçi

Kjo fundjavë do të mbledhë në Tiranë  240 kryetarë të forumeve rinore të majta nga e gjithë bota. Drejtuesit e të rinjve socialistë dhe atyre të Lëvizjes Socialiste për Integrim do të jenë së bashku për të pritur rininë social-demokrate nga e gjithë bota në kryeqytetin shqiptar. Kryetarja e FRESSH-it, Joleza Koka, në një intervistë për “Koha Jonë”, ka thënë se në këtë kongres do të jenë të pranishëm edhe dy krerët e partive të majta që qeverisin aktualisht vendin, Edi Rama dhe Ilir Meta. Sakaq, në muajin mars do të mblidhet Kongresi i Partisë Socialiste për të zgjedhur kryetarin e ri. Joleza Koka sqaron të ardhmen e saj pas polemikave që e shoqëruan gjatë kohëve të fundit lidhur me një fjalim që mbajti në një nga takimet e FRESSH-it, ku edhe u tha se nuk do të rikandidonte për një mandat tjetër. Ajo flet edhe për mundësinë e rikonfirmimit të Kryeministrit Edi Rama, në krye të PS-së:

Joleza, gjatë fundjavës, 240 kryetarë të forumeve rinore të majta nga e gjithë bota, do të jenë të ftuar në Tiranë në Kongresin e Internacionales Socialiste. Cili është qëllimi i këtij kongresi?

Internacionalja Socialiste e të Rinjve është organizatë e atashuar pranë Internacionales Socialiste. Lëvizja e punëtorëve sjell së bashku rininë social-demokrate dhe organizatat studentore në betejën për demokraci dhe të drejtat e njeriut bazuar tek liria, barazia dhe solidariteti. Kongresi këtë vit ka në fokus “Ndërtimin e Paqes” dhe “Ndryshimin e Sistemit”. Bota po përballet me shumë sfida – pabarazinë, varfërinë dhe luftën. Megjithatë, mundësia për të ndryshuar botën është në duart tona. Ne, si të rinjtë, jemi krijuesit e politikave të sotme dhe të së ardhmes. Ne duhet të luftojmë për një botë në paqe, pa luftëra, një botë që e vë njeriun dhe të drejtat e tij përpara pushtetit dhe përfitimit. Lufta është një nga katalizatorët kryesor për varfërinë që po përjetohet sot nga miliona njerëz, duke shkaktuar zhvendosjen e komuniteteve në mbarë boten dhe është duke nxitur, gjithashtu, krizën aktuale të refugjatëve. E vetmja mënyrë për të zhdukur luftën është të njohim njëri –tjetrin dhe  të bashkëpunojmë me njëri- tjetrin për të ndërtuar paqen duke luftuar për barazinë dhe të drejtat e njeriut. Vetëm duke bashkëpunuar mund të bëjmë ndryshimin. Kongresi Botëror IUSY është ngjarja jonë më e rëndësishme globale, ku ne mblidhemi për të vlerësuar vitin që lamë pas, zgjedhim drejtuesit tanë dhe vendosim axhendën për të ardhmen.

Në Kongresin e të rinjve të Internacionales Socialiste që do të mbahet në Tiranë, përveç të rinjve socialistë do të jenë edhe ata të Lëvizjes Socialiste për Integrim?

Mundësimi i zhvillimit të këtij Kongresi në Shqipëri ka ardhur falë bashkëpunimit shumë të mirë midis drejtuesve të FRESSH-it, drejtuesve të LRI-së dhe mbështetjes së partive respektive mëmë.

Ndërkohë, a janë të ftuar në këtë kongres dy liderët e së majtës Rama dhe Meta. Ju si drejtuese e FRESSH-it, e konfirmoni pjesëmarrjen e tyre?

Po, janë ftuar dhe kanë konfirmuar pjesëmarrjen në ceremoninë e hapjes së punimeve të kongresit.

U kontestuat gjerësisht në media apo edhe në rrjetet sociale pas një fjalimi që mbajtët kohë më parë, gjatë anëtarësimit të të rinjve të FRESSH-it. Bëtë edhe një sqarim për keqkuptimin e asaj që donit të thoshit, por që prej asaj kohe keni nxjerrë një konkluzion më të qartë se ç’ndodhi në të vërtetë?   

 Unë besoj fort që të rinjtë nuk duhet të frymëzohen nga tekste këngësh që promovojnë dhunë, eksese dhe përfitime të shpejta, por të bëhen analitikë dhe të lexojnë libra. Një lajm tjetër që bëri zhurmë javën e shkuar në rrjetet sociale ishte dhe largimi nga jeta i Umberto Ecos, i cili ndër të tjera ka thënë “L’internet ha promosso lo scemo del villaggio a portatore di verità” që do të thotë se: “Interneti ka promovuar idiotët e fshatit si mbartës të së vërtetës.”

Pas fushatës së anëtarësimeve të reja në PS, sa është aktualisht numri i tyre dhe a janë arritur pritshmëritë ose të themi objektivat që i kishte vënë vetes forumi që drejtoni aktualisht?

Fushata e anëtarësimeve po vazhdon. Në fakt forumi ka qenë në fushatë anëtarësimi përgjatë gjithë stinëve. Ka një numër shumë të madh të rinjsh që janë afruar në Partinë Socialiste. Ajo që tregojnë numrat është se një pjesë e mirë e të rinjve preferojnë të regjistrohen direkt në parti. Kemi shumë punë për të bërë akoma për të ndryshuar perceptimin dhe motivet pse të rinjtë bëhen pjesë e partive politike. Mund të them me kënaqësi se është shtruar një terren shumë i mirë, që mund t’i lejojë edhe atyre të rinjve që nuk vijnë për përfitime imediate për të shprehur idetë dhe talentin e tyre. Do të bëjmë çmos që këta të rinj të kenë një rritje të shëndetshme në forum dhe në PS.

Në muajin mars është vendosur të mbahet Kongresi i Partisë Socialiste. A jeni ju e gatshme të kandidoni  për një mandat tjetër në krye të FRESSH-it?

Kongresi i FRESSH-it është i shkëputur nga ai i PS-së. Ne do të kemi delegatët tanë në Kongresin e PS-së. Ndërkohë po përgatitemi për kongresin tonë, i cili mund të zhvillohet në qershor ose në shtator. Deri atëherë kemi kohë për të vendosur.

Zyrtarisht ende nuk ka asnjë emër  kandidat për Kryetarin e ri të Forumit Rinor EuroSocialist. Ndonjë propozim, apo qoftë edhe ndonjë emër konkret në garë?

Ky është ekzaktësisht ndryshimi që duhet të bëjmë. Lufta e të rinjve që merren me politikë nuk mundet kurrsesi të kufizohet rreth një gare me pak emra. Fokusi ynë është institucionalizimi i forumit. Forumet me shumë  e shumë vite histori se ne, kanë struktura si kongresi, këshilli i përgjithshëm, presidiumi, komitete rajonale, grupe pune e klube tematike, institucionin e sekretarit të përgjithshëm, komision kontrolli e trupa arbitrare. Marrëdhëniet midis strukturave rregullohen me statut dhe respektohen afatet e takimeve periodike. Më i rëndësishëm se emrat e përveçëm është procesi.

 Aktualisht dallimi mes forumit rinor të partisë që ju drejtoni dhe atij demokrat, me të cilin rivalizoni më tepër, është më i fortë në shifra, apo në cilësi?

Për shifra as nuk krahasohemi. Për sa i përket cilësisë nuk gjej dot asnjë shpjegim logjik se si një aktivist politik mund të shkulë një gardh në Liqenin Artificial të Tiranës dhe ta tërheqë zvarrë përgjatë gjithë qytetit deri tek dera e bashkisë. Bëmat e tyre janë të padëgjuara. Këtë herë e tejkaluan edhe sulmin me shkarpa druri ndaj bunkerit.

 Jemi futur në vitin e fundit të qeverisjes pas mandatit të fituar nga e majta. Nga entuziazmi apo zhgënjimi që tregojnë të rinjtë socialistë nëpër forume, ju besoni se PS-ja mund t’i fitojë zgjedhjet e ardhshme parlamentare qoftë edhe pa ndonjë koalicion qeverisës?

Po, pa diskutim PS-ja fiton në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017. Me statistika lajmet e këqija shpërndahen 6 herë me shpejt se lajmet e mira. Të zhgënjyerit janë më të zëshëm, por janë më të shumtët në numër entuziastët.

Kongresi i muajit mars do të mblidhet për zgjedhjen e Kryetarit të ri të Partisë Socialiste.  Ju personalisht mendoni se Kryeministri dhe kryetari i partisë Edi Rama ka ndonjë rival brenda PS-së, për ta humbur garën?   

Brenda PS nuk ka një garë reale për kryetar partie, Edi Rama është kryetar i padiskutueshëm sot. Asnjë kryeministër nuk ka rival brenda partisë së tij. Prandaj dhe shumica e partive e kanë apriori që në momentin që je kryeministër je automatikisht dhe kryetar partie dhe anasjelltas, në rast humbjeje të zgjedhjeve nuk rikandidon. Ky është mendimi im personal dhe mendimi i një pjese të madhe të të rinjve të forumit. Nuk do të doja ta shikoja kryeministrin e vendit tim paradite duke bërë betejë për të gjithë qytetarët e pasdite duke kërkuar miratimin e një pjese te tyre me tesera PS- je. Do të krijonte një dikotomi jo efiçente dhe pa sens logjik.  Gjithsesi, ky është një vendim që do të merret nga kongresi.

SHKARKO APP