Jonida Shehu: Marrëdhënia ime me teleshikuesin … një bashkëbisedim
Marrëdhënia e saj me teleshikuesin ka qenë përherë një bashkëbisedim. E duket se ka mbetur po e tillë edhe në drejtimin prej disa muajsh të “Pasdite”-s në Top-Channel, për moderatoren e njohur, Jonida Shehu. “Qysh në fillimet e mia në televizion e gazetari, marrëdhënia me teleshikuesin ka qenë një bashkëbisedim. Aq më tepër, në formate me të ftuar ku biseda është bërthama e programit”, rrëfen ajo në një intervistë të posaçme për “Koha Jonë”. Gjatë së cilës flet edhe për aspekte të ndryshme të përditshmërisë së saj, por edhe për vetë jetën si të tillë. “Këto kohë jam duke përpunuar moton e re për jetën: “Jeto çfarë ke, pa pritur kopshtin e Edenit”. Kështu nuk jeton me pritshmëri dhe çdo gjë të bukur që ndodh, e konsideron si një dhuratë të çmuar”, citon ajo. Teksa na zbulon më tej edhe disa nga preferencat e saj, sikundër është të lexuarit. “Marrëdhënia ime me librin është një marrëdhënie dashurie”, nënvizon Jonida Shehu. Për të vijuar edhe me vlerësimin që ajo personalisht gëzon ndaj të ftuarve që ka përballë në çdo edicion të emisionit “Pasdite”. “Sa shumë më vijnë në mendje dhe të gjithë interesantë në historinë e tyre. Nuk ndaj dot njërin nga tjetri, sepse për motive dhe arsye të ndryshme, për të treguar historinë e tyre apo për të folur për histori tonat, kanë qenë interesante për t’u shënuar në memorie. Por të gjithë bashkë më kanë përsëritur një leksion të hershëm, se jeta vlen në çdo formë dhe çdo detaj të sajin”, thekson gazetarja e njohur …
Intervistoi: Sidorela Lepuri
Jonida, keni mbyllur sezonin e parë të “Pasdite”-s në Top-Channel. Si shkoi ky sezon, duke marrë parasysh që e vazhduat emisionin në gjysmë të vitit?
Në gjykimin tim, ky ishte një sezon fantastik. Unë e kam marrë në dorë diku në shkurt dhe në këta 6 muaj ka pasur shumë gjëra të reja në “Pasdite” në Top-Channel, moderator, skenografi, tematikat e personazheve, të cilat mua vetë më kanë bërë të mos e ndjej kohën që shkon.
Ishte i vështirë për ju drejtimi i emisionit të “Pasdite”-s dhe të ecnit në të njëjtën linjë të nisur?
Pa modesti, por s’mund të them që ishte e vështirë pas 12 viteve eksperiencë dhe sigurisht, që liria apo besimi i producentëve është pjesë e komoditeteve të këtij profesioni dhe unë i kisha qysh në fillim.
Çfarë mendoni se e bën të veçantë prezantimin tuaj?
Nuk di të të shpjegoj veçanti lidhur me prezantimin, sepse unë nuk e shoh si kaq të thatë këtë punë. Qysh në fillimet e mia në televizion e gazetari, marrëdhënia me teleshikuesin ka qenë një bashkëbisedim. Aq më tepër, në formate me të ftuar ku biseda është bërthama e programit. Për veçantinë që më pyet, ajo është tek çdokush. E veçanta tek unë, është se jam unë (qesh).
Mund të na tregoni për personazhet më karizmatikë në këtë sezon?
Sa shumë më vijnë në mendje dhe të gjithë interesantë në historinë e tyre. Nuk ndaj dot njërin nga tjetri, sepse për motive dhe arsye të ndryshme, për të treguar historinë e tyre apo për të folur për histori tonat, kanë qenë interesante për t’u shënuar në memorie. Por të gjithë bashkë më kanë përsëritur një leksion të hershëm, se jeta vlen në çdo formë dhe çdo detaj të sajin.
Si i përzgjidhni temat për emisionin dhe si paraqitet bashkëpunimi me gazetarët pas kuintave?
Ka një puls për përzgjedhjet. Redaksia është e madhe, gazetarët propozojnë, autori miraton dhe i gjithë ky brumë përgatitet duke vënë dorë të gjithë me ide dhe këndvështrime, deri në produktin final. Gjëja më e rëndësishme është që pulsi, i cili matet për pëzgjedhjen e tematikave, nuk rreh vetëm kah shitjes masive, por pa cilësi. Audienca në frymën tonë duhet të njohë diçka të vlefshme, të marrë një shembull të mirë apo të informohet për diçka që intereson. Publiku duhet kultivuar dhe i duhet treguar çfarë ndodh rreth tij, pa abuzuar me instiktin e kuriozitetit bosh.
Sa i rëndësishëm është imazhi në ekran?
Ekrani është imazh dhe jo vetëm, por është imazh. Me imazhin e kuruar në çdo detaj të një produkti televiziv, ti edukon shijet e publikut, përveçse i mban për t’u treguar atë çka ke përgatitur për ta.
Tani që keni marrë pushimet, ku po i kaloni dhe me kë?
Pushimet këtë vit kanë qenë më spontane se herët e tjera, pa plane të mirëorganizuara, por me miq dhe familjarë.
Sa e rëndësishme është për ju të punoni në një televizion që konsiderohet si më i madhi në vend dhe pse?
Sigurisht që të punosh në televizionin më të madh në vend është përgjegjësi. Shikueshmëria është absolute, teleshikuesit presin maksimumin nga logoja, prandaj është një ankth i përditshëm për të qenë në lartësinë e duhur.
Duke qenë se puna e prezantueses nuk është vetëm ajo çka duket në ekran, por shkon edhe përtej, sa kohë e lirë ju mbetet për veten dhe miqtë?
Në krahasim me angazhimet e tjera televizive, të cilat përfshnin edicionet qendrore të lajmeve çdo ditë dhe autorësinë e programeve që drejtoja, koha e lirë tani është më e madhe. Por gjithsesi, për ata pak miq të mirë që kam pasur dhe kam, koha ishte edhe atëherë, e sigurisht edhe tani.
Sa të rëndësishëm janë miqtë në jetën tuaj?
E konsideroj veten me fat, sepse nuk jetoj dot pa miq dhe njerëz në jetën time. Nuk më pëlqen vetmia. Besoj se është e qartë që miqtë dhe familja janë gjithçka, gjithë esenca e jetës.
Kush është një mik i denjë për ju?
Miqtë e denjë janë ata që të respektojnë, që të kuptojnë, që kanë vetëm interes shpirtëror. Po ashtu, miqtë e denjë janë ata që pavarësisht kohës kur i takon, ndjesitë kanë mbetur të njëjtat, e shumë e shumë të tjera (qesh).
Aktivitetet kulturore në vend, sa i ndiqni?
Në sa mundem, brenda shijeve të mia.
Marrëdhënia me librin?
Marrëdhënia ime me librin është një marrëdhënie dashurie.
Cila është motoja juaj, domethënë keni një filozofi për jetën?
Këto kohë jam duke përpunuar moton e re për jetën: “Jeto çfarë ke, pa pritur kopshtin e Edenit”. Kështu nuk jeton me pritshmëri dhe çdo gjë të bukur që ndodh, e konsideron si një dhuratë të çmuar.
Dhe së fundmi, a mund të na tregoni planet e ardhshme për sezonin e ri televiziv? Do të ketë ndonjë ndryshim?
Jo, nuk është biseduar akoma për ndryshime. Nuk besoj. Do të vazhdojë rruga që ka nisur.