Kamela Islamaj: Dikur… i gjithë populli ushtar, sot të gjithë këngëtarë

Kamela Islamaj: Dikur… i gjithë populli ushtar, sot të gjithë këngëtarë 

 

Intervistoi: Sidorela Lepri

Muzika e vërtetë dhe me vlera duket se gjatë viteve të fundit është zbehur nga pseudokëngëtarët, të cilët më shumë sesa këndojnë ekspozojnë lakuriqësinë e tyre. Por përpos këtij fakti, ka ende nga ata këngëtarë që bëjnë diferencën. E padyshim një ndër to është edhe këngëtarja Kamela Islamaj.
Prej vitesh, jemi mësuar ta shohim dhë dëgjojmë, teksa këndon live mbrëmjeve në emisionin “Top-Show”. Por jo vetëm kaq, ajo është kudo ku luhet muzikë e mirë, e për më tepër muzikë e stilit të saj.
Me çiltërsinë dhe realizmin që e karakterizon, mënyrën e saj të veçantë të të thënurit gjërat ashtu sikurse i mendon, Kamela tregon për suplementin “Koha Tjetër”, se sezoni që shkoi ishte një sezon plot emocione dhe suksese. Përpos angazhimeve në “Top-Show”, “Voice of Albania”, koncerteve apo aktiviteteve, këngëtarja punon edhe si mësuese në një shkollë private.
Një një intervistë për “Koha Jonë”, Islamaj rrëfen për karrierën e saj, planet e ardhshme në muzikë, raportin me koncertet, familjen dhe miqtë.
Në mbyllje të intervistës, ajo ka edhe disa këshilla për të gjithë artistët e rinj.

Zakonisht në mbyllje të çdo sezoni pune e në nisje të një sezonit të ri bëhen bilancet lidhur më mënyrën sesi ka shkuar. Si ishte ky sezon për ju në tërësinë e tij?

Në tërësinë e tij ishte me ulje-ngritje. Qëllimi ishte që të nxirrja një këngë, por duke parë sesi po shkon muzika në Shqipëri, hoqa dorë. Nga ana tjetër ishte një sezon plot emocione dhe suksese. Isha pjesë e ekipit fitues të “Voice of Albania”. Ishte arritje tepër e madhe dhe mbi të gjitha të bënim një gjë të mirë me muzikë të mirë. Po ashtu gjatë këtij viti, kam filluar të shkruaj edhe muzikë vetë. Kjo është diçka shumë pozitive.

Do jeni sërish pjesë e stafit të “Voice of Albania” edhe për këtë vit?

Jam pjesë e stafit që merret me parapërgatitjet. Unë dhe Landi merremi me këngëtarët përpara se të dalin në televizor. Është një përgatije shumë e madhe dhe e lodhshme, por njëkohësisht shumë e bukur, pasi punon me njerëz që kanë dëshirën për të ecur përpara.

Kamela, jemi mësuar të të shohim mbrëmjeve në Top-Shoë për vite radhazi. Po përsa i përket këtij sezoni do të vazhdojmë të të shohim sërish?

Po, sigurisht. I mblodha të gjitha fuqitë për të rifilluar sezonin e ri (qesh) dhe tani gati. Kam dëgjuar muzikë të mirë, me qëllim që edhe të parashtroj muzikë akoma më të mirë.

Përveçse të gjithë angazhimeve që përmendëm më lart, me çfarë merreni tjetër?

Merrem më shumë gjëra në fakt (qesh). Jam mësuese në një shkollë private që ka lidhje me muzikën dhe është një nismë e cila ka nisur shumë bukur, pasi fillimisht ishin 4 mësues dhe 3 studentë, por tani kemi arritur një numër relativisht të madh.

A jeni angazhuar me koncerte gjatë periudhës së verës?

Kam ndërthurur edhe punën edhe pushimet bashkë. E mira jonë është që çdo mundësi për të kënduar është edhe një mundësi për të pushuar (qesh).

Dhe meqënëse jemi tek koncertet, si i keni raportet me to?

Të them të drejtën unë jam pak selektive në këtë pjesë. Nuk më pëlqen të shkoj kudo dhe të bëj gjithçka. E rëndësishme është të ndjehem mirë kur këndoj e të mos kem surpriza. Duke qenë se unë bëj edhe një muzikë më specifike, nuk mund të shkoj kudo. Kësht që jam e detyruar të jem selektive.

Duke qenë se e kishit nisur një këngë dhe vendosët të hiqnit dorë, do ta realizoni gjatë vitit që po vjen?

Unë kam 10 këngë të miat dhe më pëlqejnë të gjitha, por e kam bërë pushim këto kohë, derisa kuptova se në çfarë rryme dua të qëndroj. Tani i kam idetë më të qartë dhe kam kuptuar së më çfarë dua të merrem realisht.

Albumi muzikor është një plan i afërt?

Ajo varet. Nuk jam e mendimit që albumi bëhet për një muaj, por merr të paktën një vit apo më shumë kohë.

Keni menduar të prezantoni me ndonjë këngë në festivalet dhe kompeticionet muzikore që po afrojnë?

Jo, jam skeptike (qesh).

Shohim vazhdimisht kaq shumë prurje muzikore. Si do ta komentonit këtë fakt?

Unë kam një shprehje që e përdor shpesh: Dikur kishim të gjithë popullin ushtar dhe sot të gjithë këngëtar (qesh). Ka këngëtarë shumë të mirë, por ka edhe të tjerë të cilët nuk kanë ndonjë vlerë muzikore.

Këndoni një rrymë muzikore që ndoshta nuk është edhe aq e përhapur në vendin tonë. Na tregoni diçka më shumë.

Unë e kam filluar pak kondra muzikën, në krahasim me atë çfarë bëjnë këngëtarët përgjithësisht, duke qenë se e kam filluar nga jazz, më pas tek blues, për të kaluar tek rock, e tani jam tek kjo pjesa electrofang dhe arenbi.

Po ashtu, spikatni për stilin e veçantë të veshjeve. Nga se frymëzoheni?

Që në fillim veshja ime ishte pak e “çuditshme” për kohën, por edhe sot e kësaj ditë jam në të njëjtën linjë të veshuri (qesh).

Sa e rëndësishme është për një artist të identifikohet me stilin e tij?

Ajo është gjëja më e mirë që mund të ndodhë, pa patur nevojën ti referohet dikujt. Por duhet ta pranojmë që të gjithë i referohemi dikujt. E rëndësishme është të zgjedhim modelet e duhura.

Çfarë melodie ka dashuria për ty?

Sikur të ta përshkruaja me një rrymë më mirë (qesh). Një melodi të ndjerë dhe të bukur.

Çfarë do të thotë familje për ju?

Familja është shumë e rëndësishme për mua dhe kam një lidhje tepër të fortë, pavarësisht distancës. Por kur largohesh e vogël, mësohesh disi me këtë fakt, pasi unë kam ikur nga Korça që në moshën 16 vjeçare. I vizitoj shumë shpesh dhe më merr malli. Fakti që jetoj me motrën më bën ta ndjej edhe më afër familjen.

Si është raporti yt më motrën?

Është njeriu më i afërt për mua, mikja ime më e mirë dhe kritikja më e mirë, sepse edhe ajo është muzikante vetë (qesh).

Pas familjes edhe miqësia është po aq e rëndësishme. Çfarë do të thotë miqësi e vërtetë për Kamelën?

Më pëlqen të kem shumë njerëz afër vetes dhe nuk di të rri vetëm. Kam miq shumë të mirë, pasi është shumë e vështirë të gjesh njerëz të mirë në ditën e sotme. Sigurisht, rrethi i miqve të mi më të mirë, është shumë i vogël.

Jeni zhgënjyer ndonjëherë prej tyre?

Po, si çdokush tjetër. Çdonjeri ka të mirat dhe të këqijat e veta.Nuk duhet të idealizojmë askënd, por ti pranojmë siç janë.

Miqtë më të mirë i keni jashtë muzikës apo kolegë?

Edhe në profesion, edhe jashtë saj.

Keni dashur ndonjëherë të hiqni dorë nga muzika?

Jo, pavarësisht lodhjes apo fryrjeve të momentit, duke parë sesi ecën muzika, por të heq dorë asnjëherë. Nuk do të merresha me asgjë tjetër përveçse muzikës, pasi kjo është edhe fusha që kam studiuar. Por edhe mësimdhënia më pëlqen.

Kur bëhet fjalë për jetën personale të personave të njohur tregohen tepër diskretë. Duket se edhe ju keni qëndruar në këto linja. Përse kjo zgjedhje?

Mua nuk më pëlqen që jeta ime personale të jetë publike dhe jo sepse ka diçka për të fshehur. Cdo njëri që është afër meje nuk ka nevojë përse të jetë i eskpozuar, paso mjafton që e ekspozuar jam unë. Kështu që për këtë arsye të thjeshtë kam zgjedhur ta mbaj larg medias.

Si është një ditë e Kamelës?

Sikurse ajo e çdo njeriu tjetër, vetëm se oraret tona janë paska ndryshe.

Keni një filozofi ose moto për jetën?

Mundohem ti marr gjërat me shumë sportivitet dhe të jem shumë praktike.

Dhë së fundmi, cilat janë disa nga këshillat që do të jepnit për të gjithë artistët e rinj?

Mos hiqni dorë dhe mos u dekurajoni asnjëhërë. Rruga e artit është me shumë brryla, por nëse ke një karakter të fortë dhe dëshiron shumë ta bësh diçka, vazhdoje pa u ndalur. Është e rëndësishme të kesh një identitet dhe të mos bëhesh si gjithë të tjerët.

SHKARKO APP