Kejdi Mehmetaj: Rritja e LSI, panik për partitë e tjera. Ja pse dalim forcë e parë

Kandidatja e LSI-së në Tiranë, i beson energjisë dhe përkushtimit të të rinjve në listat e kësaj force. Kejdi Mehmetaj në një interv istë për GSH.al shprehet se politika është e mbushur me të pasur që përdorin paratë për të marrë vota, duke prodhuar konflikte që e lënë mbrapa Shqipërinë. Kryeministri, i cili nuk bën një bilanc të punës së tij, apo një kryetar opozite i cili nuk arrin dot të artikulojë të njejtat shqetësime të cadres, sipas saj janë në panik nga rritja e LSI-së.

Si ka qenë kjo fushatë për Kejdin dhe për LSI-në?

Për mua kjo është fushata e pestë në të cilën jam e angazhuar në mënyrë të drejtëpërdrejtë dhe e kam ndjerë që është fushata që po zhvillohet me më shumë arrogancë. Është fushata që i ndjej qytetarët tejet të zhgënjyer. Habitem gjithashtu se si nga kolegët e partive të tjera vazhdoj dëgjoj të njejtën gjuhë arrogante në interes të pushtetit dhe nuk kam dëgjuar një plan apo ide.

Dëgjoj lider partish të vetëkënaqur dhe në të njejtën kohë të frikësuar nga humbja e pushtetit dhe i shoh si tregojnë mungesë të seriozitetit përballë qytetarëve, që vazhdojnë ti përdorin për fasada eletorale dhe për live në facebook.  Për ne si LSI fushatë do të thotë vetëm pak më shumë intensitet në takimet që kryejmë cdo ditë me qytetarët dhe mbështetësit tanë, jo vetëm kur u kërkojmë votën, por mbi të gjitha për të dëgjuar dhe zgjidhur hallet e tyre. Qytetarët duan të dëgjojnë ç’po bëjmë ne për ta dhe cilat janë planet për vazhdimin. Për mua kjo është një fushatë e bukur, pasi është fushatë e mbushur me takime dhe ide. është fushata e xhinseve dhe atleteve, e mendësisë dhe frymës së re që ne, kandidatët e rinj të LSI, duam ti japim politikës shqiptare.

LSI po bën një fushatë pozitive, pasi mesazhi dhe programi ynë është i thjeshtë dhe i qartë: Një shans për të gjithë. Një shans për edukim cilësor. Një shans për vende të reja pune dinjitoze dhe të mirëpaguara. Një shans për të zhvilluar ekonominë e vendit.

Kemi dëgjuar shpesh të flitet se do të dilni forcë e parë, përse jeni kaq të bindur, flasin sondazhet për këtë, apo është më tepër një slogan fushate?

Unë jam e bindur se LSI do të jetë forcë e parë këto zgjedhje dhe këtë bindje e marr në rradhë të parë nga qytetarët që takoj çdo ditë. Ata e përkrahin punën tonë dhe si e thashë më sipër, lehtazi mund të bëjnë diferencën ndërmjet frymës tonë pozitive dhe arrogancës nga ana tjetër.

Do të jemi forcë e parë pasi në listat tona të kandidatëve për deputet ka dhjetra të rinj e të reja të cilët janë plot pasion dhe idealizëm në punën e tyre. Ne kemi përfaqësim real të të rinjve, jo duke luajtur me numra e fjalë, por duke i renditur të parët në listat tona në të gjithë vendin.

LSI do të jetë forcë e parë, pasi LSI forcë e parë do të thotë më shumë shanse për të gjithë, duke ulur taksat e duke rritur vendet e punës. LSI forcë e parë, pasi me LSI në qeverisje vendi do të jetë më i qetë, do të jetë në punë e do të ecë shpejt në rrugën e zhvillimit.

Ndërkohë shumë janë përfolur dhe të rinjtë që janë pjesë e listave të LSI, si i ke parë këto kritika?

Mendoj se kritikat na bëjnë mirë, na bëjnë të jemi më të përgjegjshëm dhe të përulur. Ajo që nuk më pëlqen është paragjykimi, pasi të gjithë vajzat e djemtë që janë kandidatë të LSI janë të shkëlqyer në përditshmërinë e tyre dhe ne jemi krenarë që janë pjesë e LSI dhe që kanë marrë përsipër të jenë pjesë e vendimarrjes.

Sot klasa politike shqiptare është e mbushur me persona me rekorde kriminale. Eshtë e mbushur me të pasur të cilët përdorin paratë për të marrë vota dhe më pas parlamentin për të përfituar tendera për të shtuar pasurinë personale. Edhe ata që duket sikur bëjnë politikë, në vetvete prodhojnë konflikt dhe e kanë lënë Shqipërinë mbrapa për vite me rradhë. Unë besoj se të rinjtë që ne kemi kandidatë do e ndryshojnë mënyrën si bëhet politika në Shqipëri, duke e kthyer atë në funksion të qytetarëve dhe në shërbimin ndaj tyre.

Besoj se të rinjtë mund ta bëjnë këtë pasi nuk kanë frikë nga e shkuara, janë idealistë dhe të guximshëm, janë të shkolluar dhe me mendësi të hapur. Në listën e Tiranës përshembull ne kemi Klajdën të parën, e cila është shkolluar në universitetet më të mira të Britanisë së Madhe dhe një nga ministret më të suksesshme të katër viteve që lam pas. Kemi Floidën, Endritin, Erionën dhe të rinj të tjerë që na kanë përfaqësuar denjësisht në Këshillin Bashkiak të Tiranës duke u bërë iniciatorë të plot vendimeve dhe nismave.

Kemi Rean dhe Dejanën të cilat janë anëtare të Senatit Akademik të Universiteit të Tiranës. Pra mendoj se të gjithë së bashku bëjmë një ekip që e do Shqipërinë dhe do të punojë për të ecur më shpejt drejt zhvillimit.

Para katër vitesh ju ishit deputetja më e re në Kuvend, tanimë çfarë këshille keni për të rinjtë që do të vijnë?

Nuk e di nëse është e përshtatshme të jem unë ajo që jap këshilla, pasi bashkë kemi punuar edhe gjatë kohës që unë isha në parlament, por do u thoja se duhet të vazhdojmë punën dhe të tregohemi të përgjegjshëm për besimin që na është dhënë. Ndaj nesh ka shumë pritshmëri ndaj duhet të jemi një model i mirë për ata mijëra të rinj të tjerë të cilët po na mbështesin në përditshmërinë tonë.

Keni besim tek ta, edhe pse pa eksperiencë?

Asnjëri prej tyre nuk është pa eksperiencë apo rastësisht nëpër lista. Secili ka kontributin dhe angazhimin e tij brenda strukturave të LSI por edhe në komunitetet ku jetojnë dhe zhvillojnë aktivitetet e përditshme. Kam besim dhe siguri në energjinë dhe përkushtimin që tregon cdo njëri prej kandidatëve të LSI në Tiranë dhe gjithë Shqipërine.

Si i sheh Kejdi moshatarët e saj, sa i besojnë politikës?

E shoh se janë të lodhur dhe shpesh skeptikë, por e ndjej se janë të vendosur të na mbështesin këto zgjedhje sepse ndihen të përfaqësuar qoftë në listat tona po ashtu edhe në programin që kemi prezantuar.

Marrëveshja PS-PD, si e vlerësoni?

Së pari dua tju them se jam e gëzuar që më në fund edhe opozita u bë pjesë e fushatës, si e kemi thënë disa herë, për LSI zgjedhjet pa opozitën do ishin një farsë e pakuptimtë. LSI dhe kryetari i saj në atë kohë Z.Meta u investuan shumë për zgjidhjen e krizës që u krijua.

Thamë hapur dhe pa frikë se ishim të gatshëm të dorëzonim të gjithë mandatet tona politike. Falë insistimit tonë dhe presionit pozitiv nga Presidenti i zgjedhur Z.Meta, palët u ulën në tryezën e diskutimeve. Po ashtu disa herë z.Vasili si kryetar i LSI ka mbajtur qëndrime të forta duke kërkuar bashkëpunim dhe zgjidhje.

Unë shpresoj shumë që shtatë ditët e shtuara dhe ministrat teknik të munden të zgjidhin problemet e ngritura nga opozita mbi drogën, korrupsionin dhe paratë e krimit të përfshira në fushatë. Ajo që për mua ka më shumë rëndësi është që do të zhvillojmë zgjedhje demokratike, me pjesëmarrjen e të gjithë palëve dhe që pasi të kryehen këto zgjedhje të jenë të gjithë pranuara.

A është dobësuar LSI nga pakti mes Ramës dhe Bashës?

LSI cdo ditë bëhët më e fortë nga mbështetja e dukshme që merr nga qytetarët. Falë thjeshtësisë dhe seriozitetit që tregojmë në komunikimin me ta mbështetja rritet. Rritja e LSI ndihet edhe nga paniku që ka kapur partitë e tjera, të cilat shqetësimin kryesor nuk e kanë tek qytetarët dhe cdo bëjnë për ta, por si e si të merren me LSI.

E kanë të kotë, madje po kthehen në qesharakë. Unë nuk e di se si mund të merret seriozisht një kryeministër i cili nuk bën një bilanc të punës së tij dhe nuk flet për një projekt të ri, por gjithë ditën tregon barcaleta nga një tavolinë në një tjetër.

Apo një kryetar opozite i cili nuk arrin dot më të artikulojë të njejtat shqetësime të cadrës së para dy javëve. Megjithatë, këto janë të parëndësishme për LSI. Ne jemi të fokusuar në kontaktin e drejtëpërdrejtë me qytetarët dhe se nëpërmjet programit tonë qeverisës do të krijojmë për ta më shumë shanse.

Sa do ti mungojë Ilir Meta në këtë fushatë LSI?

Ilir Meta vazhdon të jetë anëtar i Lëvizjes Socialistë për Integrim dhe si i tillë edhe pjesë e kësaj fushate. Ne jemi të bindur se me Ilir Metën President dhe LSI forcë të parë vendi do të shohë ditë qetësie dhe progresi.

Vota për LSI këto zgjedhje do të përkthehet në votë për një drejtim të ri në qeverisje i cili do të ulë taksat e do të hapë vende të reja pune. Do të gjallërojë ekonominë dhe do të përmirësojë sistemin arsimor. Vota për LSI do të përkthehet në përfaqësim dinjitoz e shumë punë për Shqipërinë.

 

SHKARKO APP