Keltis Kruja: Shqipëria si Lazarati
Flet deputeti i PD-së, për “Koha Jonë”, Keltis Kruja: Shqipëria është kthyer në Lazarat, anekënd vendit ka kanabis, ku ruhet me njerëz të armatosur
Intervistoi: Redjon Shtylla
“Rendi në vend po kalon kohë të vështirë, janë rritur vrasjet, kanosjet dhe shpërthimet”, kështu është prononcuar deputeti i PD-së, Keltis Kruja në intervistën e dhënë për “Koha Jonë”. Si anëtar në komision e Mbrojtjes Kombëtare, Kruja është shprehur se: “Autorë që vishen me uniformë policie, vetëm në këtë vend është parë”, dhe për sa i përket investimit që ka ndërmarrë Ministria e Brendshme për vendosjen e kamerave të trupit te forcat policore, ai ka theksuar se: “Kjo qeveri nuk e ka as vullnetin as dëshirën për të luftuar korrupsionin sepse është e zhytur në të dhe tashmë e ka kthyer në politikë qeverisëse këtë të fundit”. Shumë deputetë të PD-së dhe aleatët e tyre janë shprehur se, janë të hapur për koalicion me partitë që e shohin PD-në, si rruga për të sjellë një qeveri më të mirë. Në këtë pikë, deputeti Kruja, të vetmit, të cilët i sheh në aleancë me PD-në sot, janë shqiptarët, ata, të cilët ditë për ditë po rrënohen nga kjo qeverisje. “Në bindjen time çdo marrëveshje që cenon parimet e aleancës së PD-së me qytetarët shqiptare do ishte fatalitet për PD-në”, ka shtuar më tej Kruja. Maqedonia i hap rrugën ndryshimit të ligjit mbi kontrollin e drogës dhe substancave që do të lejojë përdorimin për qëllime mjekësore brenda territorit të saj. Edhe në vendin tonë është diskutuar shumë për këtë pikë dhe shumë zëra që janë në Kuvendin e Shqipërisë, janë pro legalizimit. Deputeti Keltis Kruja, është i bindur se legalizimi është tashmë prezent, sepse; “Ndërkohë që Lazarati na u servir si beteja përfundimtare dhe u përdor për reklamë qeverisëse, sot e gjithë Shqipëria është kthyer në Lazarat. Sipërfaqe të tëra janë mbjellë anekënd vendit dhe ruhen madje, edhe me njerëz të armatosur”.
Z.Kruja, projekti i fundit i Ministrisë së Brendshme për vendosjen e kamerave të trupit tek forcat policore, si ka ardhur kjo ide në Komisionin e Sigurisë Kombëtare dhe çfarë pritet nga ky vendim. Sipas jush, a do ta ulë ndjeshëm korrupsionin kjo metodë?
Ky projekt nuk ka kaluar në Komisionin e Sigurisë Kombëtare është thjesht shfaqja e radhës nga ana e ministrit të Brendshëm dhe Kryeministrit, ndërkohë që, korrupsioni galopant nga të gjitha anët, deri në nivelet e larta të qeverisë. Kjo qeveri nuk e ka as vullnetin as dëshirën për të luftuar korrupsionin sepse është e zhytur në të dhe tashmë e ka kthyer në politikë qeverisëse këtë të fundit. Të proklamosh që do luftosh korrupsionin te policët e rrugës dhe te qytetarët e thjeshtë ndërkohë që, pothuaj të gjithë ministrat dhe vetë Kryeministri janë të zhytur në skandale korrupsioni e lidhje me segmente kriminale është më tepër se ironi.
Akuzat e opozitës janë të shpeshta ndaj ministrit Tahiri, por a ka shkuar çështja në institucionet përkatëse, apo mbeten ende akuza partiake nga selia e partisë?
Akuzat tona nuk janë vetëm akuza, por fakte të pakundërshtueshme, të cilat i ka konfirmuar edhe vetë ministri në deklaratat e tij. Makina personale e ministrit është përdorur nga njerëz të dyshuar për trafik droge dhe ministri ka deklaruar që është e vërtetë dhe i ka kushërinj të largët. Asnjë procedurë qoftë edhe formale verifikimi nuk është kryer nga policia për këtë skandal. Ministri vetë ka deklaruar që ka pritur e përcjellë në zyrën e tij njerëz të akuzuar për vrasje madje i ka dhënë edhe kafe për ta marrë me të mira që të rrëfehen. Më thoni ju a ka vend në botë, ku ministri i Brendshëm pret kriminelë në zyrë për t’i “edukuar”?! Kemi denoncuar për lidhje shumë të forta të ministrit me banda shumë të rrezikshme kriminale lidhje këto, që i sigurojnë këtyre bandave qetësinë në aktivitetin e tyre. Të gjitha këto ne i kemi thënë publikisht dhe kemi kërkuar me forcë të hetohen madje, kemi inkurajuar dhe inkurajojmë institucionet përkatëse të veprojnë pa humbur kohe për të zbardhur këto që fakte që përmenda e sigurisht edhe shumë të tjera.
Kruja, duke qenë dëshmitarë të ngjarjeve të fundit kriminale mjaft të rënda, si e logjikoni që rendi po cenohet dhe është marrë komisioni përkatës së bashku me opozitën dhe qeverinë për të diskutuar strategji se si të ndalë krimet dhe të sjellë një rend më të sigurt?
Situata e rendit në vend është dramatike. Fillimviti e gjeti Shqipërinë me një bilanc tragjik, të përgjakshëm. Në fakt, situata e rendit në Shqipëri ka ardhur në degradim këto dy vjet e gjysmë të qeverisjes së rilindjes. E them këtë sepse në Shqipëri nuk rilindi as rendi as siguria as policia siç premtoi Kryeministri. Përkundrazi në Shqipëri rilindën u riaktivizuan dhe madje u veshën me pushtet bandat më të rrezikshme kriminale. Më lejoni të sjell në vëmendje atentatet gati të përditshme me tritol, të cilat tronditën mbarë opinionin publik grabitjet e bujshme të bankave e për të ardhur sot te gjobëvëniet grabitjet e vrasjet e stilit tipik mafioz e deri te masakra e fundit në Elbasan. Kriminelë të veshur me uniformë policie që grabisin e vrasin mu në mes të qytetëseve kryesore të vendit, ky është bilanci i rendit dhe sigurisë sot. Ne e kemi thënë edhe në komision edhe në sallën e Kuvendit që zgjidhja imediate është largimi i ministrit të Brendshëm nga detyra dhe çlirimi i Policisë së Shtetit nga elementët e inkriminuar të emëruar këto dy vite.
E shihni Shqipërinë si një vend tranzit për kalimin e refugjatëve? Po për emigrantët Shqiptarë që po kthehen nga vendet e BE-së, a ka qeveria një plan konkret për ti mbështetur ata, si i keni parë ju si pjesë e kuvendit?
Duhen marrë masat nga qeveria dhe të gjitha institucionet që Shqipëria të mos kthehet në një vend tranziti. Por siç dihet tashmë Shqipëria është kthyer në një vendburim i emigracionit drejt vendeve të BE-së. Nuk ka asnjë plan konkret nga qeveria për të mbështetur shqiptarët që po kthehen, po është e qartë që qeveria me “reformat” që ka ndërmarrë ka një plan konkret për të përzënë shqiptarët nga vendi i tyre.
Përsëri në media ka informacione në lidhje me lëndët narkotike, që arrestohen persona apo grupe. Duhet të theksojmë se qeveria përfundoi me operacione me sukses, atë në Lazarat e atë në Veri. Përsëri ka tregtim të kësaj lënde narkotike. Nëse do ta rikthejmë përsëri debatin që edhe deputetë brenda PD-së janë pro legalizimit, a është kjo mënyra më e mirë?
Ne vlerësojmë çdo përpjekje për të luftuar kultivimin e kanabisit. Madje e kemi inkurajuar policinë edhe në rastin e ndërhyrjes në Lazarat. Por ndërkohë që Lazarati na u servir si beteja përfundimtare dhe u përdor për reklamë qeverisëse, sot e gjithë Shqipëria është kthyer në Lazarat. Sipërfaqe të tëra janë mbjellë anekënd vendit dhe ruhen madje, edhe me njerëz të armatosur. Elementë të inkriminuar në radhët e policisë që mbajnë edhe poste drejtuese janë të lidhur ngushtë me këtë aktivitet kriminal. Në dijeninë time asnjë deputet i PD-së nuk është pro legalizimit dhe në bindjen time, por edhe të PD-së ky fenomen luftohet vetëm duke këputur të gjitha lidhjet kriminale me Policinë e shtetit, duke filluar që nga ministri i Brendshëm.
PD-ja kërkon zgjedhje të parakohshme, por shumë zëra brenda partisë kërkojnë një koalicion me partitë që janë në qeverisje. Kjo shihet edhe në qëndrimet e juaja, sulmohet vetëm Rama. A ekziston një mundësi që PD-ja të ketë marrëveshje me LSI-në apo me FRD-në?
Aleanca më e rëndësishme e PD-së sot është me shqiptarët, me ata, të cilët ditë për ditë po rrënohen nga kjo qeverisje, me ata, të cilët po vidhen e po nëpërkëmben çdo orë me koncesionet e tenderat qeveritare. Ne e konsiderojmë qeverisjen e kësaj maxhorance si të dështuar në çdo aspekt e sigurisht përgjegjësinë më të madhe për këtë e ka Edi Rama si kreu i ekzekutivit. PD-ja dhe opozita janë alternativa e vetme qeverisëse sot dhe padyshim gëzojmë mbështetjen e shumicës dërrmuese të qytetareve shqiptare. Në bindjen time çdo marrëveshje që cenon parimet e aleancës së PD-së me qytetarët shqiptarë do ishte fatalitet për PD-në.
Në dhjetor, ju si opozitë kërkuat zgjedhje të parakohshme dhe rrëzimin e qeverisë në tre protesta. Premtuat se do të rinisnit gjatë fillimvitit. Çfarë i ndryshoi planet?
Ne i qëndrojmë kërkesës për zgjedhje të parakohshme si një premisë për të rikthyer vendin në normalitet politik social dhe ekonomik. Jemi duke ndërmarrë aksionet e nevojshme politike me synim pozicionimin e vendit në zgjedhje të parakohshme, me një qeveri teknike. Vetëm kështu Shqipëria do ketë zgjedhje të lira e të ndershme, dhe qytetarët shqiptarë do të mund t’i japin vetes mundësinë të zgjedhin qeverinë që meritojnë.