Kërpaçi: Protestat e vetmja rrugë për largimin e kryeministrit që rrënoi ekonominë e familjeve shqiptare

 

Deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Floida Kërpaçi theksoi në një intervistë për televizionin FAX NEËS se protestat janë e vetmja rrugë dhe e vetmja zgjidhje për të larguar kryeministrin Rama bashkë me qeverinë e tij, të cilët kanë shkatërruar ekonominë, jetën dhe të ardhmen e familjeve shqiptare. Kërpaçi tha se qytetarët shqiptarë kanë vendosur ti thonë “boll më” kryeministrit Rama dhe protestat masive të tyre do të sjellin largimin e këtij kryeministri të papërgjegjshëm. “E thonë qytetarët, të cilët tashmë nuk e duan më Edi Ramën, i kanë thënë boll më Edi Ramës, i kanë kuptuar mashtrimet që ai u ka bërë dhe në momentin e parë duan ta largojnë dhe ti hapin rrugën një alternative të re, që  të sjelli zhvillim dhe progres në shtëpinë tonë ku të gjithë duam të jetojmë”, tha deputetja e LSI-së, Floida Kërpaçi.

 

 

Pjesë nga Intervista

Do të ketë një protestë kombëtare në kryeqytet, por çfarë do të ndodhë përpara kësaj date?

Në fakt protestat janë një aksion i vazhdueshëm që nuk mund të përcaktohen as nga një datë dhe as nga disa data, sepse siç ju e keni raportuar dhe e keni parë, protestat kanë qenë të vazhdueshme dhe të përditshme. Sepse problemet që kanë qytetarët shqiptarë janë të tilla dhe mënyra se si Edi Rama dhe qeveria e tij po qeveris sot, ua ka bërë jetën të pamundur. Po shohim sot se 79% e të rinjve duan të largohen dhe janë të pashpresë për të qëndruar në Shqipëri. Po shohim që mijëra qytetarë të tjerë po mbledhin plaçkat dhe po largohen nga Shqipëria. Pse po ndodh kjo? Sepse e para janë mashtruar nga Kryeministri. Në 2013 u tha që do të hapeshin 300 mijë vende të reja pune dhe në fakt një gjë e tillë jo vetëm që nuk ndodhi, por edhe 300 mijë shqiptarë janë larguar nga Shqipëria. Të ndodhur në një situatë të tillë të pashpresë dhe të mashtruar nga propaganda dhe nga premtime të pambajtura nga Kryeministri, sot ndodhemi në një situatë ku qytetarët shqiptarë përditë janë duke protestuar, minatorët nga njëra anë, naftëtarët, studentët, grupime të tjera, të cilat po çohen dhe po i thonë boll më këtij Kryeministri, sepse në fakt nuk mban më. Ekonomia e familjeve shqiptare është varfëruar jashtëzakonisht shumë. Me zor po përballojnë për të shtyrë muajin. Dritat dhe uji janë bërë të papërballueshme, kostoja e jetesës është bërë jashtëzakonisht shumë e lartë dhe të ndodhur në një situatë të tillë të mjerueshme, protesta është e vetmja rrugë dhe e vetmja zgjidhje për të luftuar këtë qeveri dhe për larguar Edi Ramën bashkë me qeverinë e tij që kanë shkatërruar jetën e familjeve shqiptare.

 

 A do të bashkohet opozita në protesta edhe në qytete, aty ku ka problematika reale përditë?

Padiskutim! Protestat kanë qenë edhe sot. Ju i keni ndjekur që naftëtarët kanë protestuar në qytetin e Fierit, ashtu siç kanë dalë dhe kanë protestuar edhe në qytete të tjera. Kështu që protestat do të jenë të vazhdueshme dhe do të vazhdojnë jo sepse e themi ne, por do të vazhdojnë sepse e thonë problemet e qytetarëve shqiptarë, e thonë qytetarët, të cilët tashmë nuk e duan më Edi Ramën, i kanë thënë boll më Edi Ramës, i kanë kuptuar mashtrimet që ai u ka bërë dhe në momentin e parë duan ta largojnë dhe ti hapin rrugën një alternative të re, që  të sjelli zhvillim dhe progres në shtëpinë tonë ku të gjithë duam të jetojmë. Sot Edi Rama ka vendosur dhe ka instaluar një sistem që është sistemi i antivlerave. Është sistemi ku qytetarët shqiptarë që janë të ndershëm, që duan të punojnë, që duan të jetojnë këtu me të gjitha mënyrat e tyre, nuk mund të jetojnë, sepse Kryeministri dhe qeveria e tij mbështesin sistemin e antivlerave, një sistem i cili përkrah një grusht njerëzish edhe i shërbejnë këtij grushti njerëzish. Ne kemi parë se si Kryeministri i shërben një grushti njerëzish dhe punon vetëm për këta dhe nuk i shërben qytetarëve të thjeshtë.

Çfarë është menduar për protestën e datës 16 shkurt? Do të jetë një protestë që do të zgjasë? Do të ketë një çadër? Çfarë është menduar për organizimin?

Padiskutim që data 16 shkurt është një kumbim politik për një vazhdimësi të protestës dhe për ti thënë jo këtij Kryeministri , për të vazhduar protestën deri në largimin  e tij. Ashtu sikurse ne e kemi thënë edhe në deklaratat e tjera. Se si do të vazhdohet kjo protestë ne do të jemi në komunikime të tjera, por bashkë me qytetarët, bashkë me ata që e vuajnë në jetën e tyre të përditshme se sa keq po qeveris Edi Rama, do ta vendosim dhe do të jeni dhe ju në dijeni për protestën. Por gjëja më e rëndësishme që duhet të diskutojmë në gjykimin tim, nuk është as data, as ora, as mënyra, as strategjia dhe asgjë tjetër. E vetmja gjë që ne duhet të diskutojmë janë problemet e qytetarëve shqiptarë, sfidat me të cilat ata përballen çdo ditë, pamundësia për të jetuar dhe për të pasur një jetë normale në Shqipëri. Mua si te re kjo gjë më shqetëson. Më shqetëson që kur flas me familjarët e mi, me njerëzit e mi, me shokë dhe bashkëmoshatarët e mi  nuk duan të jetojnë në Shqipëri dhe ndihen të pashpresë në vendin tonë. Kjo gjë aq sa më shqetëson edhe më revolton dhe prandaj mendoj që është një moment kulminant në vendin tonë dhe të gjithë duhet të çohemi, të gjithë duhet të reagojmë dhe të gjithë bashkë me problemet që ne kemi, të bashkohemi me kauzën për ti thënë jo këtij Kryeministri, sepse ai është përgjegjësi kryesor i problemeve që kemi ne si qytetarë, i problemeve për një ekonomi të rrënuar në vendin tonë, i problemeve për largimin masiv të të rinjve, i problemeve në sistemin arsimor të rrënuar, i problemeve që kemi shëndetësinë më pa standarde dhe vetëm shëndetësi falas nuk kemi nga ajo që ka premtuar dhe ka deklaruar Kryeministri jonë. Prandaj për t’i thënë PO këtij momenti, ku të gjitha problemet tona kanë vetëm një zgjidhje, të largojmë Edi Ramën. Duhet të bëhemi të gjithë bashkë dhe të çohemi të protestojmë pavarësisht kërcënimeve dhe shantazheve që Rama ka bërë ndaj studentëve, ndaj gjimnazistëve me anë të drejtoreshave që i shërbejnë atij si makineta, janë më të ulëtat. Por ai tregon se kështu funksionon shteti për të. Ai e merr shtetin, e vjedh, bën çfarë të dojë, prandaj është një moment i rëndësishëm.

SHKARKO APP