Keti Bashhysa, një mëkatare me këmbë në tokë…

Intervistoi: Albina Gjergji

Gjithmonë kam menduar, se nën lëkurën e një rebeleje, flenë tingujt e një shpirti të butë. Të një zemre plot ngjyra, që në pamundësi për ta bërë botën të shohë me sytë e saj, herë pas here shpërthen mbi padrejtësitë si një vullkan i fjetur. I tillë është edhe personazhi i mëposhtëm, protagoniste e një jete pasionante, të vrullshme, të bukur, zhgënjyese, por të mbushur edhe me energji pozitive që burojnë nga vetë ajo. Keti Bashhysa në profesion është violinçeliste edhe pse personalisht s’e kam kosideruar vetem aq. Ajo është edhe aktorja e bukur, kërcimtarja joshëse, gazetarja e moderatorja që gjithmonë ka diçka në mendje; projekte, të cilat jo rrallë herë edhe i janë ndërprerë për arsye banale. Por, mbi të gjitha Keti është Keti, femra e cila nuk bën kompromise me të pavërtetën. Ajo preferon ta jetojë jetën e saj ashtu siç vjen, siç di dhe siç do. Përtej çdo kostoje që mendësia – shpeshherë mbytëse – ta imponon. E dashuruar pas instrumentit të Violinçelit, Bashhysa sot është pedagoge e kësaj lënde në qytetin e Durrësit, ku edhe ka lindur dhe është rritur. E bija e aktorit të njohur, Cen Bashhysa, në intervistën, dhënë për gazetën Koha Jonë, ajo na rrëfen veten në raport me violinçelin, skenën, televizionin, dashurinë dhe… jetën!

Ish studente e Violinçelit, sot profesioniste dhe mësuese lënde. Teksa ktheheni pas në kohë, shikoni ndonjë ndryshim në lidhjen tuaj me këtë instrument Keti?

Ndryshe nga periudha e studimeve, marrëdhënia ime me violinçelin nuk është si një detyrë dhe përgjegjësi ndaj pedagogëve, por një marrëdhënie dashurie dhe një përgjegjesi karshi publikut që më ndjek.

Bijë aktori, njërit prej emrave më të njohur të Teatrit “Aleksandër Moisiu” në Durrës, ndoqët një rrugë tjetër nga ajo e babait. Pse jo aktrimin, por muzikën?

Ishte zgjedhja e babait tim në fat, duke parë edhe aftësitë e mia, duke qenë dhe adhurues i muzikës klasike. Ai e bëri këtë zgjedhje.

Ama aftësitë tuaja aktoriale duhet thënë që vihen re dukshëm, teksa luani në violinçel; qoftë me plastikën e portretit, ashtu edhe më lëvizjet e harmonizuara në varësi të veprës që interpretoni. Mendoni se do shkëlqenit edhe në këtë sferë, po aq sa në violinçel po t’i ishit futur Dramaturgjisë?

Në fakt kur unë luaj në violinçel, nuk aktroj. Jam kaq e sinqertë me të, e ndjej kaq shumë… Grimasat, ose ndonjë lëvizje e lehtë e trupit vjen natyrshëm… ndoshta ritmi, tipi i muzikës. Por, po t’i kisha hyrë Dramaturgjisë, do ta pëlqeja pa do ta bëja dhe kur unë bëj diçka që më pëlqen, jap shpirtin tim.

Instrumentiste, aktore dhe… këngëtare. Kjo ishte Keti që pamë në skenën e Durrësit pak javë më parë, ku ju mbajtët një recital të titulluar, “E Dehur”. Na flisni pak për suksesin dhe emocionet që i morët asaj mbrëmjeje ju dhe publiku durrsak?

“E dehur” ishte spektakli i tretë për mua, ku unë kam interpretuar në zhanrin e aktrimit, këngës dhe baletit. E them pa modesti që aktrimi është një pikë e fortë e imja, falë genit nga babai im dhe bashkëpunimit tim vetëm me profesionistë. Unë nuk di ta përshkruaj me fjalë emocionin që marr nga publiku, thjesht ndjej se po më ndodh një mrekulli. Ndërsa për emocionet që unë trasmetoj tek publiku them, “Faleminderit Zot që më ke bërë kjo që jam”! Investoj dhe unë paska për t’i dhuruar njerëzve energji pozitive.

Dehja juaj më ëmbël; ajo e tingujve, e dashurisë, apo e verës?

Unë dehem nga tingujt, nga dashuria, nga vera. Po ç'rëndësi ka se ç'dehje është? E ëmbël, e trishtë, e frikshme… të dehesh nga motive kaq të bukura është joshëse gjithsesi.

Dehet vetmia në një shpirt rebel Keti?

Në një shpirt rebel, vetmia është vrastare! Dehet ky shpirt nga vetmia për të mos qenë vetëm. Pak paradoksale, por shpirtrat rebelë janë më shumë të ndjeshëm.

Keti, apo Violinçeli, kush është më joshës, sensual në lojën me njëri-tjetrin?

Është një marrëdhënie. Forma e violinceclit është sensual dhe ky instrument mes këmbëve të një femre josh. Ne të dy nuk garojmë në joshje dhe sensualitet, ne thjesht shkrihemi me njëri-tjetrin.

Ngjashmëria juaj me këtë instrument, në tingull dhe formë?

Ëoë! Palestrohem kaq shumë për të arritur linjat perfekte të cellos. Ka formën e trupit të një femre, pra ngjasojmë. Edhe në tingull. Ashtu herë i ëmbël, here i fortë, i gëzueshëm, i trishtueshëm, i kadifenjtë, ose i çjerrë… pse jo?

Kanë gjini instrumentët Keti dhe ç’raport keni me njëri-tjetrin, ka dominancë mes jush?

Instrumentin varet si e percepton. Ia jep ti gjininë. Herë më duket si mashkull, ku unë i përkëdhelem, apo i bej kapricio. Herë më duket si një bebe që më duhet ta marr me të mirë, herë si nje mikeshë e trishtuar, herë si një i/e çmendur. Dominojmë të dy njëri-tjetrin. Nuk rrimë dot larg me periudha të gjata.

Për ta lënë pak mënjanë violinçelin, ju keni provuar edhe në Gazetari, ku vite më parë keni drejtuar një emision në TVSH. Çfarë ju lidh me ekranin dhe si e kujtoni atë eksperiencë?

Kam punuar disa vite në TVSH si gazetare përgatitëse dhe moderatore e emisioneve të mëngjesit. Ishte periudhë e bukur dhe me shumë punë, por me sukses. Kjo periudhë vjen krenare në kujtimet e mia dhe e di pse?! Sepse e kam ezauruar kënaqësinë që të jep ekrani në bazë vlerash, si pasojë e punës dhe jo në bazë dekoltesh, ose minifundesh.

Zhanri që ju tërheq më shumë në Gazetari?

Temat sociale më pëlqejnë. Jam marrë me to në periudhën time si gazetare. Edhe Gazetaria politike më tërheq deri diku.

Si e shikoni median sot, raporti i saj me të vërtetën dhe jo të vërtetën?

Në raport me të vërtetën, media sot për mua është e pabesueshme. Mediat më duken sikur janë bërë monopol i një grupi, apo politike të caktuar.

“Politikanët përballë Ketit”, ka qenë një ide emisioni që do të mbante firmën tuaj para disa kohësh. Ç’u bë më këtë projekt dhe a vazhdon të jetë pjesë e ambicies tënde?

Po ka qenë një projekt i tillë, por që për x arsye nuk u realizua. Gjithsesi, politikanët përballë meje kanë qenë në emisionet që unë drejtoja dikur në TVSH dhe jo të gjithë e kanë ndjerë veten mire (qesh). Nuk vazhdon të ekzistojë më tek mua ambicia për këtë projekt.

Përballë pyetjeve ngacmuese të Ketit, si mendoni se do të reagonin politikanët tanë?

Varet nga tipi i politikanit. Përballë pyetjeve të mia, dikush nuk është ndjerë aspak mirë. Varet nga vlerat e politikanit.

Çfarë nuk duroni dot tek politikanët e sotëm?

Mashtrimin dhe pazaret që bëjnë.

Ekspresive, e ndjeshme, ironike, shpërthyese, melankolike, e drejtpërdrejtë, optimiste… po pesimizmi zë vend ndonjëherë tek ju?

Pesimizmi është pjesë e jetës. Kam momentet e mia të pesimizmit, por që më zgjasin shumë pak. Nuk kam kohë me tepricë t'ia fal pesimizmit.

Mjaft aktive edhe në rrjetet sociale, si e konsideroni kohën e kaluar me miqtë online?

I jap aq kohë sa mua nuk më prish punë. Facebook është një rrjet social i pa censuruar, ku shkëmbehen mendime mes njerëzve, debate, etj..

Beson në krijimin e një raporti real nga Facebook-u?

Jo. Nuk besoj. Unë i besoj të prekshmes, të shikuarit në sy, zërit live. Unë i besoj konkretes.

A ka një moto shpirti i një uragani si ju Keti? Cila është ajo?

Motoja ime ështe: kur nuk ke mundësi të bësh mirë, të paktën mos bëj keq, por nëse të lëndojnë me të padrejtë, mos i lër kusur.

Ndonjë projekt konkret, i cili vazhdon të gatuhet në mendje e që do të bëhet publik?

Një tjetër spektakël. Shumë ndryshe i perceptuar kësaj here. Do jetë një surprizë tejet e këndshme. Mendoj dhe shpresoj pas 5-6 muajsh.

Keti e dashuruar, në një marrëdhënie dashurie?

Jam në përshtjellim ndjenjash, por ama… unë e dua dashurinë.

Çfarë do t’ju largonte nga një mashkull?

Indiferenca dhe mungesa e përkushtimit ndaj meje.

Keni lënduar ndjenjat e ndonjë mashkulli?

Jam një mëkatare me këmbë në tokë…

SHKARKO APP