Klajda Gjosha: Prishja e Ministrisë së Integrimit dhe prioritetet e BE-së

Klajda Gjosha, ish-ministre e Integrimit dhe deputete e LSI-së, pohon se kushtet e reja që Këshilli i Europës ka vendosur për Shqipërinë për hapjen e negociatave janë të lidhura me përformancën e qeverisë. Në një intervistë për gazetën “Telegraf”, deputetja e LSI-së, pranon se kjo maxhorancë nuk e ka vullnetin për intrgrim, dhe se reformat e saj integruese janë propagandë politike, sikundër ka kthyer edhe reformën në drejtësi në një reformë politike. Gjosha tregon spekticizëm për ecurinë e negociatave të qeverisë tonë me Greqinë për marrëveshjen me Detin, ngaqë qeveria nuk informon as parlamentin, dhe ironikisht “uron” që “të mos kemi tradhëti kombëtare!”

Znj.Gjosha a mund të plotësojë Shqipëria 13 kushtet e BE për hapjen e negociatave pa bashkëpunim dhe konsensus të mazhorances dhe opozitës?

Pjesa më e madhe e kushteve të vendosura nga Këshilli Evropian janë të lidhura me performancën e qeverisë dhe të institucioneve. I vetmi kusht ku kërkohet konsensusi me opozitën është në miratimin e reformës zgjedhore, ku opozita ka qënë gjithmonë e gatshme të kontriboj, por është hasur pafund në pengesat dhe mungesën e vullnetit të mazhorancës.

A shikoni Ju që Mazhoranca të ketë vullnet politik, derisa sjell në parlament p.ligjin për Gjyqtarët dhe prokurorët, i cili rrëzon gjithë reformën në drejtësi e votuar kjo reformë me konsensus të plotë?

Mazhoranca deri në këto momente e ka ngitur gjithçka mbi propagandën politike. Projektligji për Magjistratët e rinj minon rëndë reformën e votuar me konsensus 2 vite më parë, pasi ai legjitimon institucionet e vjetra dhe shumë të kontestuara si KLD. E gjithë reforma në drejtësi  ka devijuar nga koncepti ligjor dhe kushtetues, duke u kthyer në reformë politke.

Ju si e shpjegoni që Komisioneri Hahn kërkoi në Tiranë të votohet ky ligj i mazhorancës?

Qëndrimet e Komisionerit varen shumë nga mënyra se si është informuar dhe mazhoranca nuk nguron asnjëherë të keqinformojë dhe të manipulojë realitetin.

Pse Komisioneri Hahn nuk foli në Tiranë për korrupsionin, për Krimin, kur BE pikërisht për këto shkaqe penalizoi Shqipërinë më 28 qershor 2018?

Unë mendoj se Komisioneri ishte shumë herë më i qartë në kërkesat e tij, madje, duke cituar në mënyrë të kujdeshme kushtet e vendosura nga Këshilli. Por, në fund të fundit, tashmë çdo gjë varet nga performanca e qeverisë. Kjo e fundit, nëse nuk e ka kuptuar përgjegjësinë që ka, çdo gjë do të jetë në kurriz të qytetarëve shqiptarë.

Ju si e shpjegoni që Ambasadorja e BE në Tiranë dhe Komisionieri i Zgjerimit Hahn raportojnë progres të reformave të integrimit në Shqipëri, ndërkohë shtetet kryesore si Gjermani Franca Hollanda kanë krejtësisht mendime të kundërta?

Është shumë normale që Komisioni të jetë inkurajues dhe mbështetës në këtë proçes. Mendoj që të gjithë ne kemi nevojë për këtë. Procesi që ndodh në realitet është shumë herë më strikt dhe kërkues se ajo që shikojmë në publik.

Çfarë donte të thoshte Komisionerit Hahn në Tiranë që Shqipëria të dërgojë njerëz të duhur për Negociata?

Do të thotë që ky proçes ka nevojë për ekspertizë dhe profesionalizëm. Nuk mund të jetë kurrësesi moment për qoka dhe për njerëz eksperimental që nuk njohin gjuhën dhe ligjet e unifikuara evropiane. Nga ana tjetër ka nevojë për njerëz që dinë të negociojnë dhe që dinë të kujdesen për prioritetet kombëtare.

Ju si e shpjegoni që në Qeverisjen e Dytë kryeministri Rama zhbëri Ministrinë e Integrimit?

Ishte mesazh i qartë se integrimi nuk ishte më prioritet i kësaj qeverie. Inatet partiake nuk mund të kthehen në urrejtje për administratën. Ky ka qënë një nga gabimet më të mëdha të Kryeministrit, pasi bashkë me Ministrinë humbën shumë profesionistë të zotë, që e kishin themeluar atë institucion.

A duhet në kētë periudhë kur Shqipëria negocion me BE për hapjen e negociatave, kryeministri Rama njëkohësisht të afrohet dhe të mbështetet shumë  tek Erdogani?

Turqia është një partner i mirë për Shqipërinë dhe investitor i rëndësishëm. Nuk duhen ngatërruar çështjet me njëra tjetrën. Rëndësi ka që Shqipëria të pozicionohet qartë në perspektivën e saj europiane.

Sipas jush pse Qeveria nuk informon as Parlamentin se çfarë konkretisht negocion me Greqinë?

Kjo është një pikëpyetje e madhe edhe për ne dhe sa kohë nuk ka transparencë me Parlamentin dhe publikun, dyshimet janë shumë të mëdha. Ne jemi treguar tejet të duruar për të pritur detajet e marrëveshjes. Uroj të mos kemi tradhëti kombëtare!

Pse Ambasadorët në Tiranë dhe BE nuk flasin fare për mosfunksionimin e Gjykatës Kushtetuese dhe për zgjedhjen antikushtetuese të Kryeprokurores së Përkohshme?

Për këtë duhen pyetur ambasadorët. Mbase ata e kanë një përgjigje për shqiptarët.

Opozita e ka kritikuar Vetting-un që është selektiv. A mendon Opozita se nëse vjen në pushtet do ta zhbëjë këtë Reformë në Drejtësi?

Nuk ka qënë asnjëherë opsion zhbërja e reformës, por rikthimi në shinat e kushtetuetshmërisë. Reforma është miratuar me konsensus të plotë dhe themeli i reformës qëndron aty. Çështja është të zbatohet me korrektësi dhe duke i qëndruar me besnikëri Kushtetutës dhe ligjeve.

SHKARKO APP