Klea & Rebeka: Dy shqiptaret nga Australia, konkurrente bukurie në Malësi
Të lindura e të rritura në një kontinent të largët, por me genin e shqiptarizmit ngjizur në gjakun dhe shpirtin e tyre. Dy vajza të reja në dukje, vetëm 18 vjeç, por që me krenari pohojnë se e mbartin atë në çdo sekondë të jetës së tyre. Jemi duke folur për Klean dhe Rebekan, binjaket që jetojnë në Adelaide të Australisë, por që befasojnë me dëshirën e tyre për të marrë pjesë në një konkurs bukurie që zhvillohet në Malësi të Madhe të Shqipërisë, prej nga buron edhe origjina e tyre. “Ne e duam Shqipërinë dhe kemi shumë qejf të shkojmë atje. Babain e kemi me origjinë nga Lojha e Malësisë së Madhe dhe kjo është arsyeja që kemi dëshirë të konkurrojmë, se jemi malësore. Pse jo?”, pohojnë ato gjatë një interviste të posaçme për “Koha Jonë”, duke rrëfyer më tej edhe detajet e një jete në dukje mijëra kilometra larg Shqipërisë, por në të njëjtën kohë, gjithmonë pranë saj ….
Për të gjithë ata që nuk ju njohin, kush janë Klea dhe Rebeka?
Ne jemi dy motra binjake, 18 vjeç (me 7 minuta diferencë) dhe jetojmë në Adelaide, Australi.
Dimë që ju keni lindur në Australi. A mund të na tregoni disa detaje më shumë rreth jetës suaj?
Ne kemi lindur në Melburn, por që në moshën 3-vjeçare jetojmë në Adelaide për arsye të shkollës, ai është qytet edhe më i qetë. Kemi shkuar në një shkollë katolike vajzash për 13 vjet, derisa kemi marrë diplomën në vitin 2014. Tani ne jemi në vitin e parë të Universitetit. Hera e fundit që kemi shkuar në Shqipëri është kur ishim 15 vjeç, kemi kaluar kohë të bukur dhe kemi bërë shumë qejf. Kemi shumë respekt për popullin shqiptar. Ne e duam Shqipërinë dhe kemi shumë qejf të shkojmë atje. Shumë njerëz mendojnë se kemi lindur në Australi dhe kemi liri për gjithçka, por këto nuk jemi ne, kemi zgjedhur një jetë sipas traditës sonë. Morali dhe vlerat tona janë ndryshe. Prindërit tanë na kanë mësuar se çfarë është e mirë dhe çfarë është e keqe. Sikundër, ata na kanë mësuar që të jemi edhe vetvetja. Besojmë se kjo është më e mira. Kur e dëgjon prindin, gjërat kurrë nuk mund të shkojnë keq. Na kanë mësuar gjithashtu se është më mirë kur njeriu bën zgjedhjet e tij në jetë, sepse në qoftë se dikush të detyron si duhet të veprosh, atëherë ky nuk është personi që ti je me vërtetë.
Ju kanë ftuar të merrni pjesë në një konkurs bukurie në Shqipëri (Malësi të Madhe). Pse pikërisht atje, çfarë lidhje keni ju me këtë vend?
Lidhja është origjina e babait tonë. Në fakt, të dy prindërit tanë kanë lindur në Shqipëri, ku mamin e kemi nga Lezha, por babain e kemi me origjinë nga Lojha e Malësisë së Madhe dhe kjo është arsyeja që kemi dëshirë të konkurrojmë, se jemi malësore. Pse jo?
Keni lindur në Australi, por shkruani një shqipe të pastër dhe e flisni mirë atë. Në familje, ju flisni në gjuhën shqipe?
Prindërit tanë kanë folur vetëm në gjuhën shqipe me ne, teksa e kanë ditur që ne do ta mësonim gjuhën angleze në shkollë. Për ne, është pak e turpshme të mos dish gjuhën e prindërve, sidomos sepse janë të dy shqiptarë. Në shtëpi më shumë flasim shqip, por edhe kur komunikojmë me të afërmit tanë online, apo në telefon.
A ndjeheni krenare për origjinën tuaj dhe a mundoheni ta përcillni këtë te miqtë tuaj?
Zemrat tona janë “Kuq e Zi” . Sigurisht, ne jemi krenare për origjinën tonë! Fakti se kemi lindur në Australi dhe që i jemi shumë mirënjohëse për të gjitha mundësitë e saj, nuk na bën kurrë të mohojmë faktin që jemi shqiptare.
Ju jeni dy vajza të bukura. Po përveç fushës së studimeve, çfarë ju pëlqen tjetër? A merreni me modë?
Ne jemi binjake dhe pak a shumë na pëlqejnë të njëjtat gjëra. Që të jemi të shëndetshme, bëjmë edhe shumë aktivitete argëtuese, të tilla si patinazh, ngjitje në mal, ping-pong, joga etj.. Për 4 vjet, Rebeka ka qenë kapitene shahu e shkollës dhe e kemi përfaqësuar atë nëpër evenimente të ndryshme shtetërore në gjithë Australinë. Marrim pjesë edhe në konkurse mode, por këto i ndajmë gjithsesi nga shkolla, sepse shkollën e kemi prioritet. Bukuria zgjat pak vite, kurse edukimi për gjithë jetën. Ne gjithashtu e duam shumë edhe muzikën shqiptare, ku këngëtarët që pëlqejmë më shumë jan GPM Creu, Shpat Kasapi, Xheki edhe Shkumbin Ismaili.
Si është një ditë e zakonshme për ju, a ju pëlqen të visheni me rroba firmato, apo në garderobën tuaj ka veshje të ndryshme, edhe të zakonshme?
Kemi qejf rrobat që janë unike, me stil të lartë dhe femërore. Na pëlqen Versace dhe Armani e nuk ka rëndësi çmimi. Nëqoftëse diçka është e bukur, është e bukur.
Po parfumi juaj i preferuar, cili është?
Lady million, Paco Rabanne, DKNY, Be Delicious.
Mund të na thoni planet që keni për të ardhmen?
Klea:Edhe pse kam një pasion të madh për modën dhe modelimin, për mua, studimet mbeten si gjëja më e rëndësishme. Unë jam duke përfunduar një diplomë Bachelor të Psikologjisë (Honours) në Universitet dhe në të ardhmen dëshiroj që të bëhem psikologe mjeko-ligjore. Më pëlqen të merrem me bamirësi, kam shumë dëshirë t’i ndihmoj të tjerët. Nëqoftëse keni mundësinë dhe aftësinë për të ndihmuar njerëzit që kanë nevojë, pse jo?
Rebeka:Aktualisht jam duke ndjekur studimet 4-vjeçare paralel në drejtësi dhe tregti. Kam qëllim të bëhem avokate në çështje penale dhe të emigracionit. Më pëlqen të bëhem e tillë, sepse kam dëshirë të ndihmoj njerëzit që të gjejnë drejtësi. Gjithashtu, ëndrra ime është të bëhem një “High fashion model”.
Mesazhi juaj për lexuesit e Gazetës “Koha Jonë”?
E falenderojmë këtë gazetë, për mundësinë që na dha dhe ju urojmë suksese në punën tuaj aq të bukur. “We hope you enjoy reading about us. God bless you all”.