Klinti…në hapat e një kantautori të ardhshëm

I apasionuar pas muzikës, që në vitet e para të jetës, Klinti Çollaku një nga finalistët e edicionit të shtatë të “The Voice”  ka treguar se beson tek fitorja e kësaj të premteje.

18 vjeçari nga Peqini, aktualisht banues në Tiranë  ka emocionuar publikun me performacat e tij dhe materialet e veçanta muzikore nga hitet shqiptare para viteve ’90 në  muzikën bashkëkohore të ditëve të sotme.

Edhe pse i kontestuar herë pas herë nga anëtarët e jurisë, ai ia ka dalë të ketë mbështetjen e publikut duke e çuar drejt atë finales.

Në një intervistë dhënë për ATSH-në, Klinti e ka cilësuar përvojën e tij në “The Voice”  si një shkollë  më vehte, çka sipas tij do t’i shërbejë për të ardhmen artistike.

Për të, muzika është inspirimi më i madh ndaj ai ka nisur hapat e para të një kantautori të ardhshëm. Prej kohësh ai merr mësime pianoje dhe kitareje.  Gjithashtu, Klinti ka kompozuar melodinë dhe tekstin e një balade.

Disa vargje nga balada e tij:

Në mjergullën time ti jeton pa frikë

Errësirës sime ti i jep dritë

Se ti je gjithcka..

Klinti njihet ndryshe edhe si mbështetës i kauzave të ndryshme sociale, si mbështetja që ka dhënë herë pas here për fëmijët me sindromën down. Ai është veçuar nga të gjithë konkurrentët si artisti që i ka dhënë origjinalitet performancave të tij.

Më poshtë gjendet intervista e plotë:

-Kur e zbulove talentin tënd për të kënduar ?

Muzika ka qenë pjesë e imja që në vitet e para të jetës. E doja shumë muzikën, dëgjoja shumë muzikë dhe tërë kohën e lirë e kaloj me muzikën. Fillova të mar pjesë në koncerte në qytetin e Peqinit duke hedhur hapat e para si artist. Më pas për të zhvilluar talentin tim u shpërngula në Tiranë.

-Ti je një nga finalistët e “The Voice”. Kush mendon se është konkurrenti më i fortë për ty në finalen e madhe? 

Në “ The Voice” gara është e fortë. Si konkurrente më të fortë shoh Anxhelën sepse sipas meje ajo transmeton emocione.

-Ti je cilësuar si një nga artistët më të rinj që ke emocionuar publikun gjatë tëre edicionit të “The Voice” edhe pse ke pasur kundërshti nga një pjesë e jurisë. Megjithatë mbështetja e publikut ka qenë e madhe ndaj teje. A ka pasur ndonjë moment kur je “dekurajuar” për shkak të kritikave ?

Mendoj se kritikat më kanë bërë më të fortë dhe të sjell në të gjitha netët live edhe në gjysëm finale performanca më të përsosura (reagimet e publikut kanë qënë pozitive dhe më çuan drejt finales).

-Duket sikur ke një marrëdhënie të veçantë me trajnerin tend, Alban Skënderaj.  Sa e vërtetë është kjo ?  

Albani në rradhë të parë është një njeri me shpirt të madh dhe një artist i kompletuar. Ai më ka mbështetur shumë dhe për këtë ka falenderimet e mia më të sinqerta.

-Pas përfundimit të këtij kompeticioni, cilat janë projektet e ardhshme? 

Shpresoj shumë që këtë garë ta fitoj unë sepse kjo është ëndrra ime më e madhe. Pas përfundimit të “The Voice” të nis një karrierë të vërtetë prej këngëtari dhe të realizoj albumin tim të parë.

-A beson se do të jesh zëri fitues ? Nëse po, kujt do tja dedikoje fitoren? 

Shpresoj që publiku të më zgjedhi mua, të ndjejë muzikën që unë bëj. Nësë fitoj, fitoren do tja dedikoja zotit, familjes e tërë mbështetësve të zjarrtë.

Trajneri i tij, Alban Skënderaj ka kërkuar veçanërisht nga fansat mbështetje për Klintin, përmes postimeve e videove të performancave të konkurrentit në rrjetin social “Facebook”. 

Më herët, artisti i mirënjohur Ardit Gjebrea përmes një statusi në rrjetin social Facebook ka shkruar se ky konkurrent e ka emocionuar me performancën e tij “Kur braktis atë që do”.

“Më emocionoi ky djalë, duke i dhënë shumë origjinalitet interpretimit të këngës “Kur braktis atë që do”. Klint! “, ka përfunduar Gjebrea. /a.g/

SHKARKO APP