Kreshnik Spahiu: Dy ministra më kanë kërcënuar me vdekje

Flet kryetari i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu. Ja prapaskenat dhe jeta e një politikani që thote se pushteti në Shqipëri e kërcënoi dhe i bllokon aktivitetet politike.

Mbyllni një vit të ngjeshur në politikë, sa impenjativ ka qenë sezoni që lamë pas për ju?

Sezoni politik që lamë pas është njolla më e errët në historinë shqiptare. Gangsterizimi i politikës, parlamentit dhe qeverisjes vendore nuk kanë ndodhur që nga koha e Ismail Qemalit, madje as Enver Hoxha nuk e mbushi pushtetin me kriminelë ordinerë. Shqipëria shënoi eksodin më të madh të azilantëve që emigrojnë drejt Perëndimit pas 25 vitesh. Afro 100.000 shqiptarë emigruan vetëm në 6 muaj përafërsisht sa popullsia e 5 qyteteve të vogla.

Ndër të tjera ky ishte dhe një vit me zgjedhje, si e patë fushatën e këtij viti?

Në Shqipëri nuk zhvillohen zgjedhje, sepse populli voton dhe qeveria numëron. Ishte një rezultat i paravendosur në tavolinë dhe që ne e paralajmëruam më parë. I bëmë thirrje PD-së që të bojkotonte, por fatkeqësisht ata gabuan rëndë dhe sot faturën po e paguan elektorati i djathtë.

A vazhdon të jetë Aleanca KuqeZi në opozitë me të gjithë politikën shqiptare?

Jo, Aleanca KuqeZi është në opozitë vetëm me qeverinë. Nuk mendojmë se është momenti të bëjmë opozitën e opozitës, sepse në këtë moment politik Shqipëria ka nevojë për opozitë të fortë dhe realisht sot opozita ka dalë e shkatërruar nga zgjedhjet. Goditja që mori PD-ja në zgjedhje ishte tejet fatale dhe do jetë me pasoja në të ardhmen. Do ishte e padrejtë t’i jepnim edhe ne goditje kur problemi në Shqipëri nuk është opozita por qeveria. PS-ja qeveris Shqipërinë, PD-ja ka më shumë se dy vjet që është larguar.

Keni miq politikanë. A ka nga ata që ju kanë mënjanuar pas deklaratave të forta që keni bërë në media?

8 media në Shqipëri janë të urdhëruara nga kryeministri Rama për të bllokuar çdo intervistë timen apo aktivitet të Aleancës Kuq e Zi.  Nga një vlerësim në 2011 dhe 2012 si njeriu i vitit dhe hero i shqiptarëve, pas refuzimit që i bëmë koalicionit me Edi Ramën nga 2013-2015 na bllokuan dhe dalim si “armiq”.

Politikanët e kujt krahu keni më shumë miq, me kë ju shohin më së shumti?

Kam mik çdo politikan që nuk ka bërë burg për drogë, vrasje, prostitucion. Nuk më shkon fare muhabeti me deputetët që kanë blerë nga 5 diploma false, apo me komunitetin e deputetëve dhe ministrave “gay”. Përveç këtyre kategorive, pothuajse gjithë të tjerët i kam miq.

Njiheni si personi që nuk bëni kompromise. A jeni i njëjtë edhe në jetën tuaj të përditshme?

Po, e vërtetë që nuk preferoj të bëj kompromise me askënd që nuk e meriton besimin. Në jetë kam ecur me sakrificë dhe s’lejoj të përdorem apo të më bëjë kush presion, qoftë në politikë apo jetën e përditshme. Kompromiset duhet të jenë parimore dhe mendoj se kjo është vlera që u mungon parlamentit dhe qeverisë shqiptare.

Çfarë e zbut ‘egërsinë’ e Kreshnikut?

Vajza ime, dashuria, muzika, sporti dhe besimi në Zot.

Dukeni shumë i ashpër në atë që thoni, të paktën në televizion. A jeni i tillë edhe në të përditshmen tuaj?

Ndoshta, por e kam të vështirë të jap një gjykim për veten. Miqtë thonë që jam tolerant dhe jo arrogant.

Keni marrë kritika apo kërcënime teksa kërkonit me ngulm që të bëhej testi i drogës nga politikanët shqiptarë?

Po, nga dy ministra që janë përdorues të rregullt të kokainës.

Nëse realisht do të bëhej ai test, cilët politikanë do të dilnin si përdorues të lëndës narkotike, keni ndonjë emër konkret?

Sajmir Tahiri dhe Edi Rama.

INA

SHKARKO APP