Kreu i Këshillit të Qarkut Kukës flet për “Koha Jonë”: Surroi nuk e meriton titullin “Nderi i Qarkut”

Abdulla Domi, Kryetar i Këshillit të Qarkut Kukës, thotë se intelektuali dhe publicisti i njohur Veton Surroi nuk e meriton mbajtjen e titullit “Nderi i Qarkut Kukës”. Në një prononcim për gazetën “Koha Jonë”, Domi thotë se vendimi u morr pas një letre që dy qytetarë të Kukësit i kanë dërguar këtij Këshilli. Sipas tij, Surroi ka bërë deklarata kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Pyetje: Z. Domi, ditën e sotme Këshilli i Qarkut ka marrë vendimin për heqjen e titullit “Nderi i Qarkut Kukës” për z. Veton Surroi. Cila është arsyeja e këtij vendimit?

Abdulla Domi: Po është e vërtetë, ka pasur një vendim për heqjen e titullit “Nderi i Qarkut Kukës”. Vendimi ka ardhur pas propozimit të dy intelektualëve të njohur të Qarkut Kukës, një mjek dhe një gazetar i njohur. Argumenti lidhet me qëndrimet që ka mbajtur Veton Surroi kundër Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Pyetje: Cilat janë këto qëndrime të Z. Surroi kundër UÇK-së?

Abdulla Domi: Zona e Kukësit ka një ndjeshmëri të veçantë për luftën e UÇK dhe është normale që morën një vendim të tilla. Janë disa qëndrime të z. Surroi kundër UÇK-së, të cilat ai i ka shprehur dhe në libra, si “Këmbët e gjarprit” dhe të tjerë.

Pyetje: Vendimi ishte unanim në Këshill kundër Surroit?

Abdulla Domi: Po, vendimi ishte unanim dhe të gjithë anëtarët e Këshillit të Qarkut ishin dakord që Surroi nuk mund të mbajë më këtë titull vlerësimi në emër të Qarkut të Kukësit.

Pyetje: Është njoftuar z. Surroi për heqjen e titullit?

Abdulla Domi: Akoma nuk është njoftuar! Ne do presim konfirmimin nga Prefekti. Vendimi i Këshilli të Qarkut do të zbardhet dhe në zbatim të ligjit për pushtetin vendor do të dërgohet të prefekti. Më pas do të ndiqet dhe procedura, ku z. Surroi do të njoftohet se nuk është më mbajtës i këtij titulli.

M.Xh/Koha Jonë/

https://arkiva.kohajone.com/skandali-i-rilindjes-ne-kukes-i-heq-titullin-qytetar-nderi-veton-surroit/

SHKARKO APP