Kryebashkiaku i dënuar në Itali: Gabova si çdo emigrant…

Emri i kreut të bashkisë së Mallakastrës, Agron Kapllanaj u lakua në media si një ndër kryebashkiakët e dënuar nga drejtësia për vepra të ndryshme penale, kjo pas plotësimit të formularëve të vetë deklarimit në kuadër të zbatimit të ligjit të dekriminalizimit.

Duke e pranuar ndëshkimin që ka marrë nga drejtësia italiane, ai tregon si ka qenë e vërteta e dënimit dhe gjobës prej 200 euro.

Statusi i plotë

Të dashur miq, Detyrimi moral që kam ndaj jush dhe të gjithë publikut, më bën t’ju sqaroj historinë time të publikuar në media këto ditë. Ligjërisht, unë e kam përmbushur detyrimin tim duke plotësuar të gjitha të dhënat e kërkuara në formularin e vetëdeklarimit për dekriminalizimin. Unë nuk fola menjëherë pasi u bë publikimi i të dhënave të mia në media sepse nuk doja që fjala ime të tingëllonte si justifikim dhe për këtë arsye, po ju drejtohem sot. Besoj që sot sqarimi im do të lexohet ftohtë nga të gjithë dhe secili prej jush ka mundësinë të më gjykojë pastër dhe pa emocion.

Unë nuk dua të jap asnjë justifikim. As nuk dua të them se nuk i mbaj mend detajet apo arsyet. Detyrimi im moral është që publiku meriton ta dijë, përsa kohë kam dalë të kërkoj para një viti besimin e tij dhe që me shumë bujari ma dha këtë besim.

Si shumë shqiptarë të tjerë, në vitin 1991, mes shumë vështirësive, emigrova në Itali, ku jetova 10 vjet, gjer në vitin 2000. Në vitin 1995, pasi kurseva disa para nga puna dhe për shkak të moshës së re që kisha, bleva një makinë të përdorur në Firenze. Sigurisht që padituria apo edhe dëshira e tepruar e moshës, për të patur makinën, më shtyu në nxitim ta blija nga një individ Italian, i cili dokumentat e makinës i kishte të falsifikuara. Iu gëzova makinës së blerë, pa ditur, për rrengun që më ishte punuar.

Në datën 26.07.1995, më ka ndaluar në rrugë patrulla e policisë rrugore dhe nga kontrolli i dokumentacionit rezultoi që dokumentat ishin të falsifikuara, edhe pse unë isha në posedim të mjetit me të gjitha çelësat e saj. Më kot ishin sqarimet që unë dhashë pranë autoriteteve italiane për atë çfarë kisha pësuar. Një ditë më vonë, u ndodha pa makinen e blerë dhe pa lekët e kursyera që kisha paguar për ta blerë këtë makinë. Vazhdova të qëndroj e të punoj në Itali deri në vitin 2000, kur u ktheva në Shqipëri përgjithnjë. Më vonë rashë në dijeni se autoritetet policore italiane më kishin proceduar për atë incident, që në vitin 1995. Megjithëse unë kam jetuar në Itali në atë periudhë, nga viti 1995 deri në vitin 2000 nuk kam qenë në dijeni dhe nuk kam njoftuar se si kishte rrjedhur çështja. Vitin e kaluar, teksa ishte duke u diskutuar çështja e dekriminalizimit, bëra kërkimet përkatëse dhe më rezultoi se në vitin 2003, pra plot 8 vjet nga ai incident dhe 3 vjet pasi unë kisha lënë përfundimisht Italinë, ndaj meje ishte dhënë një vendim dënimi me dy vjet burgim të pezulluar (që nuk vuhet nëse nuk bën shkelje) dhe me 200 euro gjobë. Kam shkuar disa herë në Itali, qoftë për çështje pune, qoftë për çështje personale. Asnjëherë nuk më është vënë në dijeni ky fakt. Nuk jam arrestuar dhe nuk jam burgosur asnjë ditë të vetme. Megjithatë, në çdo rast unë pranoj se është përgjegjësia ime e plotë që nuk e ndoqa personalisht procedurën gjyqësore.

Është kjo një përgjegjësi totalisht e imja, për të cilën jam i gatshëm të mbaj cfarëdo mase, ligjore dhe morale. Kam kërkuar besimin e qytetarëve, duke iu premtuar atyre shembullin e punës dhe të moralit. Këtë kam besuar se kam treguar përsa kohë që kam qenë kryetar Komune dhe tashmë prej 1 viti, edhe Kryetar i Bashkisë Mallakastër. Bashkëqytetarët e mi kanë të drejtën të jenë në dijeni se cili është njeriu, që i kanë besuar drejtimin e Bashkisë së tyre. E sigurt është një gjë që iua kam premtuar dhe që nuk do rresht asnjë ditë së treguari. Ata nuk kanë në krye një njeri që i turpëron në dinjitetin e tyre.

Gjithsesi, ngjarja është ajo çka ju tregova më sipër. Unë kam depozituar sipas ligjit në KQZ vetëdeklarimin së bashku me dokumentet e tërhequra nga gjykata italiane dhe Ministria italiane e Drejtësisë. Vlerësimi tashmë i mbetet autoriteteve dhe publikut.

SHKARKO APP