Kryemadhi: Rama është i frikësuar nga çështja Tahiri

https://www.facebook.com/Ora.News.RTV/videos/1113900028735118/

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi, në një lidhje në “360 Gradë” në Ora News, shprehet se mbrojtja e Tahirit nga mazhoranca do t’i kushtojë shumë shqiptarëve, teksa shton se Tahiri është një nga hallkat e zinxhirit të krimit të komanduar nga Rama.

Intervista e Kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi, dhënë në emisionin “360 Gradë” në televizionin “Oranews”

Znj. Kryemadhi, nëse mund t’ju bëj një sugjerim si opozitë ju duhet të kërkoni që të krijohet një Komision Parlamentar Antimafia. Sepse çështja “Tahiri” nuk është e thjeshtë por është një çështje që ka të bëjë me antimafian.

Unë mendoj se ju keni mjaft të drejtë. Kjo është një klasë politike me shumë komplekse ndaj të gjitha sugjerimeve të ndërkombëtarëve dhe kemi arritur këtu ku jemi sot që marrim 7-8 iniciativa dhe nuk përfundojmë dot asnjërën. Ambasadorët në Shqipëri ndërrohen çdo 2-3 vite dhe ndërrohen kështu edhe metodologjia e bërjes qoftë të lidhjeve apo edhe përafrimit të legjislacionit. Kështu që në fakt, kjo që thotë z. Myftaraj është shumë e drejtë dhe do të ishte shumë më e ndershme që të bëhej një Komision Antimafia por do të na duhet që të dekriminalizojmë politikën në radhë të parë, na duhet të dekriminalizojmë mediat, të dekriminalizojmë shoqërinë shqiptare, e cila çdo ditë e më shumë po kapet dhe po merret peng jo vetëm nga krimi i organizuar dhe nga bandat por çdo ditë e më shumë po asfiksohet. Nuk po flasim për njerëz të cilët kanë pushtet apo një standard jetese që mund të kalojnë kufirin e një jete normale. Por kemi 80% të shqiptarëve që jetojnë në një varfëri të plotë dhe që nuk garantojnë dot bukën e përditshme.

Opozita nuk ka rast më të mirë për tu unifikuar dhe për t’i shërbyer demokracisë shqiptare. A keni ju një plan për protesta dhe bllokim të parlamentit apo do të vijoni vetëm me fjalë?

Njerëzit duan besim. Të besojnë që kjo opozitë e ka marrë seriozisht rolin e saj për të bërë opozitë të vërtetë, shumë të fortë, shumë aktive. Sa më e tillë të jetë opozita aq më e fortë ndërtohet opozita në Shqipëri. Ne kemi filluar bashkëpunimin të një fronti opozitar kundër krimit të organizuar. Ka filluar axhendën e saj. Ndërkohë po ngrihen grupet e punës të cilat do krijojnë një axhendë pune e cila nuk do të shtrihet vetëm përsa i përket takimeve dhe konferencave të shtypit, por do të shtrihet hap pas hapi në veprimtari dhe në aksion politik sipas kushteve dhe sipas rakordimeve që do bëhet. Jo vetëm me partitë politike që janë pjesë të frontit, por duhet përfshirë shoqëria civile, jo ajo e kapura, po flasim për atë shoqëri civile e cila është e pa kapur.

 Ju thoni, LSI dhe PD, që ky është kryeministër i krimit. Në qoftë se është kështu atëherë opozita duhet ta bllokojë kryeministrin e krimit, dhe qeverinë e krimit me protesta të papara.

Jam dakord, por shoqëria është bërë më moderne, janë bërë më tolerant njerëzit, nuk janë aq agresivë si në ’97 kur digjej gazeta jote. Është tjetër kohë. Sigurisht që njerëzit janë të frikësuar, të intimiduar, të terrorizuar, të varfër. Mos mendoni se njerëzit nuk e shohin dhe nuk e dinë se çfarë po ndodh. Por ka një problem. Problemi është besimi dhe shpresat që kanë humbur shqiptarët te politika shqiptare. Nuk është historia të heqim Edi Ramën dhe të sjellim një Edi Ramë tjetër. Ne këtu po flasim që të kuptojmë se cila do të jetë alternativa që do u ofrojmë shqiptarëve. Banka Botërore ka nxjerrë një njoftim ku thotë: Popujt më të varfër duhet të kenë të paktën dy dollarë për frymë në ditë për familjen e tyre. Në Shqipëri shqiptarë nuk i kanë as dy dollarë për familje. Dhe normale që shqiptarët do përfundojnë në argat të plantacioneve të drogës, sepse ai me 20 dollarë në ditë, por ai bëhet dhe përdorues, dhe ajo drogë shpërndahet në të gjitha shkollat, dhe mendoni një adoleshent që fillon dhe bëhet përdorues i drogës. Mos harro se Shqipëria  zë vendin e parë në botë për përdorimin e kokainës, nesër nuk mund të jetë kurrë një familjar apo një individ që mund të ndërtojë apo t’i shërbejë institucionit të shtetit të tij. Ky është problemi më i madh. Dikur kemi thënë që problemi më i madh për shqiptarët është shkatërrimi i universiteteve, ku i shkatërruan universitetet, shkollat, po varfërojnë njerëzit në mënyrë të atillë që nesër njerëzit të jenë peng i krimit. Nëse shteti nuk merr garancinë e jetës të individit, normal që njerëzit do renden drejt kriminelit që i paguan më shumë.

Ju keni thënë që Rama është një i frikësuar i madh. Do doja një koment telegrafik në lidhje me temën e emisionit tonë: Sa do i kushtoj kësaj mazhorance mbrojta e Saimir Tahirit?

Kjo sepse pasi Rama bëri një takim me bizneset e huaja. Dua t’ju kujtoj që Edi Rama tha se Saimir Tahiri është një dru i shtrembër. Kjo ndodhi pasi Rama i dërgoi mesazhierët e vet Tahirit e Tahiri atij. Sigurisht që Rama është i frikësuar se çështja Tahiri është një nga hallkat e fundit të krimit të drejtuar prej Ramës. Ne nuk jemi as prokuror e as gjyqtarë që të flasim për Ramën apo Tahirin, por jam e bindur që shqiptarët e dinë më mirë se çka ndodhur e se çfarë do ndodhë më tej. Për sa i përket titullit tuaj të emisionit, mbrojtja e Tahirit nuk ia ka kushtuar mazhorancës, por gjithë shqiptarëve. Tahiri është një nga pagatorët e z. Rama. Kjo është një çështje që do i kushtojë brezave të ardhshëm në Shqipëri.

Znj. Kryemadhi, ju si me origjinë dibrane, çfarë ndiet ju kur në Parlamentin Shqiptar, një vajzë 21-vjeçare, dibrane, e bija e një njeriu që ka marrë personalisht nga Edi Rama licencën e drogës për Dibrën, megjithëse nuk është deputete e Grupit Parlamentar të PS-së, votoi për të mbrojtur Saimir Tahirin? Cili është komenti juaj, znj. Kryemadhi?

Unë në fakt u bë disa vite që jam pjesë e politikës. E shikoj që është shumë e vështirë. Kam qenë gjithmonë në resht të tretë apo të katërt, nuk kam qenë asnjëherë në resht të parë. Është shumë e vështirë për të dalë mbi veten tënde, por si grua dhe si nënë mendoj që secili nga ne të mendojë sadopak, jo me mendje, por me shpirt, që të bëjmë diçka për këtë vend. Në radhë të parë do kërkoja nga mediat, nga ish-politikanët, pavarësisht pozicioneve politike të ndryshme që kemi pasur herë pas here, ju kërkoj të bëjmë sadopak për vendin tonë. Nuk ka njeri që nuk ka bërë gabime në jetë, nuk mendoj se ka njeri që nuk është tunduar, por dua t’ju them se në këtë moment ku ndodhet Shqipëria, në këtë udhëkryq ku ndodhet vendi, midis një Kolumbie e tmerrshme dhe Shqipërisë Evropiane, le t’i japim sadopak shansin brezit të ri të rrijë në Shqipëri, të jetojë këtu dhe ta dojë këtë vend. Prandaj kërkoj përfshirjen e të gjithë, aq sa të kemi mundësi, për ta ndryshuar këtë vend. /360grade.al/

SHKARKO APP