Kryetari i Shoqatës së Komunitetit Malazez në Shqipëri: Ligji për minoritetet të zbatohet sipas standarteve të Bashkimit Evropian
Intervistë me Kryetarin e Shoqatës së Komunitetit Malazez në Shqipëri (ZCGA) z. Marinko Culafic, ekskluzivisht për Argumentum.al
Autoritetet shqiptare kanë hartuar një ligj shumë të mirë sipas standarteve të Bashkimit Evropian, por nga ana tjetër ky kuadër ligjor për mbrojtjen e të drejtave të pakicave kombëtare vazhdon të jetë larg zbatimit në praktikë, kështu shprehet në një interviste ekskluzive për argumentum.al, Krytari i Shoqatës së Komunitetit Malazez në Shqipëri, z. Marinko Culafic
Shoqata e Komunitetit Malazez në Shqipëri(ZCGA) është e krijuar menjëherë pas aprovimit me ligj të minoritetit malazez. Pas krijimit, shoqata e Komunitetit Malazez në RSH u njoh menjëherë nga Drejtoria e Diasporës të Malit të Zi. Vete kryetari i kesaj shoqate z.Marinko Culafic është djali i një emigranti politik jugosllav i ardhur në Shqipëri në vitin 1953. Familja jonë ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në qëndresën antifashiste gjatë Luftës së 2-të botërore në Malin e Zi. Vetëm nga fisi Culafic në këtë luftë dhanë jetën 13 dëshmorë, shprehet z. Culafic
Sa i përket minoritetit malazez, i cili u njoh zyrtarisht pak kohë më parë, Z.Culafic thekson se ky minoritet ka ekzistuar gjithmonë në Shqipëri, por për arsye historike duke qenë se Mali i Zi pas shpërbërjes së Jugosllavisë në fillim të viteve ’90 ishte pjesë e federatës Serbo-Malazeze, ky minoritet është njohur deri vonë si pakicë serbo-malazeze.
Termi “pakicë serbo-malazeze” tashmë i përket të kaluarës, kur Mali i Zi dhe Serbia ishin bashkë në një shtet të vetëm. Sigurisht që është e papranueshme edhe nga ana ligjore përderisa ligji shqiptar i vitit 2017 i njeh tashmë si minoritete më vete,vijon z.Culafic në intervisten e tij.
Ndërsa lidhur me ekzistencen e dy shoqatave të tjera malazeze, “Alba-Montenegro” dhe “Dukla”. Zoti Culafic shprehet se ,“vetëm të bashkuar do të mundemi të përballemi me sfidat që na presin në kuadër të regjistrimit të ri të popullsisë ose i njohur ndryshe si Censusi që do zhvillohet këtë vit, por edhe për të kërkuar fuqishëm të drejtat tona si pakicë kombëtare në kuadër të ligjit për minoritetet”.
Intervistoi: Marjana Doda
Argumentum.al: Pakica malazeze u njoh nga Ligji shqiptar për pakicat kombëtare, si një nga 9 pakicat kombëtare. Hap i madh ky për komunitetin malazez. Çfarë pritshmërie ka komuniteti malazez në Shqipëri pas këtij legjitimiteti?
Po është e vërtetë që Pakica malazeze u njoh edhe ligjërisht si pakicë më vete në tetor të vitit 2017 nga parlamenti shqiptar (një vendim ky që duhesh marrë që në vitin 2006 kur Mali i Zi fitoi pavarësinë) bashkë me 8 minoritete të tjera. E vërteta është se minoriteti malazez ka ekzistuar gjithmonë në Shqipëri, por për arsye historike duke qenë se Mali i Zi pas shpërbërjes së Jugosllavisë në fillim të viteve ’90 ishte pjesë e federatës Serbo-Malazeze, ky minoritet është njohur deri vonë si pakicë serbo-malazeze.
Për sa i përket pritshmërisë që kemi si komunitetit, dua theksoj këtu që ende presim që ligji i ri për mbrojtjen e pakicave kombëtare në Republikën e Shqipërisë i miratuar nga parlamenti shqiptar në kuadër të kushteve të vendosura nga Bashkimi Evropian të mos ngelet vetëm në letra. Për momentin ky kuadër ligjor është ende larg implementimit dhe zbatimit të plotë. Këtu mund të marr si shembull edhe vonesën e pashpjegueshme të krijimit të Komitetit të ri të pakicave, ku ligjërisht do të kemi dhe një përfaqësues për pakicën malazeze.
– Cilat janë problematikat që has ky komunitet në vendin tonë?
Problemi kryesor aktual është se ne ende si minoritet nuk kemi as edhe një përfaqësues në institucionet shtetërore përderisa po zvarritet zbatimi në praktikë i ligjit për pakicat kombëtare. Në lidhje me këtë ligj, kemi dy aspekte të kundërta në realitet. Nga njëra anë autoritetet shqiptare kanë hartuar një ligj shumë të mirë sipas standarteve të Bashkimit Evropian, por nga ana tjetër ky kuadër ligjor për mbrojtjen e të drejtave të pakicave kombëtare vazhdon të jetë larg zbatimit në praktikë. Megjithatë si shoqatë e Komunitetit Malazez vazhdojmë përpjekjet tona për të zgjidhur problemet që hasim si një minoritet i sapo njohur ligjërisht.
-z. Marinko, Ju jeni kryetar i një shoqate relativisht të re por që në një kohë të shkurtër arriti t’i dëgjohet zëri dhe të bashkojë të gjithë malazezët në Shqipëri. Mund të na flisni më shumë, cili është objektivi i kësaj shoqate.
Shoqata ZCGA u krijua menjëherë pas miratimit me ligj të pakicës malazeze. Ishte një iniciativë personale e imja dhe nëpërmjet rrjeteve sociale arritëm të mblidheshim një grup qytetarësh shqiptarë me origjinë malazeze nga Elbasani, Tirana dhe Durrësi dhe të krijonim shoqatën e Komunitetit Malazez në Republikën e Shqipërisë. Brenda një kohe të shkurtër u bëmë të njohur permes aktiviteteve të zhvilluara por megjithatë kemi ende mjaft punë për të realizuar bashkimin e të gjithë qytetarëve me origjinë malazeze që jetojnë në territorin e Shqipërisë. Një nga objektivat kryesore, përveç bashkimit dhe përfaqësimit të interesave të qytetarëve shqiptarë me origjinë malazeze, është edhe zbulimi, mbrojtja, promovimi dhe zhvillimi i zakoneve, gjuhës, muzikës, artit, folklorit dhe kulturës malazeze. Ruajtja dhe promovimi I diversitetit kulturor bëjnë pjesë në parimet themelore të Bashkimit Evropian.
-z. Marinko, kohët e fundit është vënë re që keni qenë mjaft aktiv me aktivitete dhe takime të rëndësishme deri në instancat më të larta për të promovuar minoritetin malazez në Republikën e Shqipërisë. Mund të na tregoni më hollësisht në lidhje më këto takime?
Në fillim, të tregohem i sinqertë isha pak skeptik nëse si shoqatë do arrinim të realizonim objektivat e programit tonë. Por organizimi serioz dhe realizimi me sukses i aktiviteteve, dhe promovimi i tyre në media, portale dhe rrjetet sociale e tejkaloi çdo parashikim. Paralel me aktivitetet kulturore sidomos gjatë vitit që kaloi kemi pasur edhe disa takime të rëndësishme me funksionar të lartë të shtetit shqiptar.
Këtu dua të veçoj takimet me presidentit e Republikës së Shqipërisë, z. Ilir Meta dhe ministren e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, zj. Elisa Spiropali. Në këto takime janë vënë në dukje marrëdhëniet shumë të mira midis Malit të Zi dhe Shqipërisë dhe rolin e minoriteteve si ura lidhëse midis dy vendeve tona. Kemi parashtruar edhe problemet dhe vështirësitë që hasim si një minoritet i ri dhe morëm premtimin që në të ardhmen pakica malazeze do ketë gjithmonë mbështetjen e këtyre institucioneve.
-Para disa kohësh në Elbasan erdhi një ekip i RTCG (Radio Televizioni i Malit të Zi) i cili realizoi dhe një reportazh në lidhje me Ju dhe historikun e familjes tuaj. Mund të na tregoni diçka edhe për publikun shqiptar rreth familjes tuaj dhe sidomos gjyshit tuaj i cili është një figurë historike mjaft e njohur në Mal të Zi?
Unë jam djali i një emigranti politik jugosllav i ardhur në Shqipëri në vitin 1953. Familja jonë ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në qëndresën antifashiste gjatë Luftës së 2-të botërore në Malin e Zi. Vetëm nga fisi Culafic në këtë luftë dhanë jetën 13 dëshmorë dhe midis tyre edhe halla ime Polka e cila sapo i kishte mbushur 15 vjeç. Emrat e tyre gjenden të skalitur në lapidarin e ngritur në bashkinë e Andrijevicës. Shtëpia jonë në fshat u dogj nga gjermanët dhe shumë shpejt u rindërtua nga ustallarët shqiptarë të Gucisë. Kjo edhe për meritë të reputacionit të mire që gëzonte gjyshi im Milovan Culafic, i cili gjatë luftës njihesh ndryshe si komandant Tatko (Baba). Pas luftës, gjyshi ka pasur mjaft pozicione të rëndësishme në Malin e Zi, ka qenë deputet dhe deri në vitin 1948 sekretari i 1-rë i Andrijevicës. Pas prishjen së marrëdhënieve midis Titos dhe Stalinit (rezolucioni i Informbyrosë i vitit 1948), Tatko i cili bënte pjesë në grupin e kundërshtarëve të Titos, përfundoi në burgun famëkeq të Golio Otokut i cili ishte ndërtuar në një ishull të shkretë të Dalmacisë. Ketu fillon dhe golgothaja e familjes time. Gjyshja ime dhe një xhaxha vdesin nga torturat e UDB-së. Pasi del nga burgu në vitin 1953, gjyshi merr babanë tim dhe xhaxhain e vogël Boron dhe arratisen nëpërmjet Vermoshit për në Shqipëri. Atëhere zgjodhën të jetojnë në Elbasan për arsye se atje ishte dhe shkolla më e mirë në Shqipërti për kohën, shkolla “Normale”. Është një histori e gjatë të cilën u përpoqa ta përmbledh me disa fjali.
– Në fillim të këtij viti u përkujtua tragjedia malazeze në Shëngjin ku humbën jetën 400 emigrantë nga Mali i Zi që vinin nga kontinenti Amerikan, më 6 janar të vitit 1916. Përse është një datë kaq e rendësishme për komunitetin malazez ?
Në 6 janar të këtij viti përkujtuam për të dytin vit rradhas tragjedinë e Shëngjinit, e njohur ndryshe si “Titaniku malazez”. Kjo është një datë e rëndësishme jo vetëm për komunitetin malazez, por për tërë popullin dhe diasporën malazeze. Një ngjarje e trishtë e ndodhur në vitin e largët 1916, kur anija Brindizi e mbushur me emigrantë malazezë që vinin nga kontinenti amerikan ndeshi me një minë nënujore shumë pranë portit të Shëngjinit dhe ku mbetën të vrarë rreth 400 qytetarë amerikanë dhe kanadezë me origjinë malazeze.
Për nder të viktimave të kësaj tragjedie është ngritur dhe një lapidar në qendër të Cetinjës. Dua të theksoj se këtë ngjarje e bëri të njohur për herë të parë për publikun shqiptar shoqata jonë e Komunitetit Malazez në Shqipëri nëpërmjet aktiviteteve të organizuara në kuadër të përkujtimit të kësaj tragjedie.
-Cila është marrëdhënia juaj me malazezët e Shkodrës dhe shoqatat malazeze në atë qytet?
Në Shkodër ekzistojnë edhe dy shoqata të tjera malazeze, “Alba-Montenegro” dhe “Dukla”. Duke qenë një minoritet relativisht i vogël në numër, synimi im si kryetar i ZCGA-së është ndërtimi i urave lidhëse me këto shoqata në të mirë të pakicës kombëtare malazeze në territorin e Shqipërisë. Vetëm të bashkuar do të mundemi të përballemi me sfidat që na presin në kuadër të regjistrimit të ri të popullsisë ose i njohur ndryshe si Censusi që do zhvillohet këtë vit, por edhe për të kërkuar fuqishëm të drejtat tona si pakicë kombëtare në kuadër të ligjit për minoritetet. Në kuadër të këtij bashkëpunimi, para pak kohe patëm një takim të frytshëm në Shkodër me kryesinë e Alba-Montenegro, në zyrën e kësaj shoqate.
-Kujtojmë se në festën e krishtlindjeve pakica serbo-malazeze kërkoi krijimin e shkollave serbe në Shkodër nëpërmjet kryetarit të kësaj shoqate. Cili është qëndrimi juaj për këtë rast?
Të sqarojmë diçka këtu. Termi “pakicë serbo-malazeze” tashmë i përket të kaluarës, kur Mali i Zi dhe Serbia ishin bashkë në një shtet të vetëm. Nëse ky term vazhdon të përdoret nga persona të veçantë, kjo bëhet besoj për çështje nostalgjie apo edhe për interesa të caktuar politike dhe ekonomike. Sigurisht që është e papranueshme edhe nga ana ligjore përderisa ligji shqiptar i vitit 2017 i njeh tashmë si minoritete më vete. Duhet që edhe gazetarët të jenë më të informuar kur të shkojnë për të bërë reportazh në organizime të tilla që janë larg realitetit dhe që nxisin nacionalizmin, populizmin dhe gjuhën e urrejtjes.
-Ku janë të shtrira pakicat malazeze dhe a keni një numër zyrtar të këtij komuniteti në vendin tonë?
Pakica malazeze shtrihet kryesisht në rrethin e Shkodrës, të cilët kanë ekzistuar gjithmonë aty dhe historikisht kanë nxjerrë dhe figura të spikatura që kanë dhënë kontributin e tyre në të gjitha fushat në këtë qytet. Gjithashtu një numër i madh familjesh malazeze gjenden edhe në qytete të tjera në Shqipërisë si Elbasani, Lezha, Tirana, Durrësi, Fieri, Korça etj., kryesisht si familje emigrantësh politikë të ardhur pas Luftës së 2-të Botërore. Dua të theksoj këtu që komuniteti malazez ka qenë gjithmonë një komunitet i respektuar kudo që kanë jetuar dhe punuar, dhe kanë dhënë kontributin e tyre si pjesë e pandarë e shoqërisë shqiptare. Ka pasur mjaft intelektualë, profesorë të nderuar, mjekë, artistë por edhe sportistë. Nuk mund të lë pa përmendur emra të njohur në sportin shqiptar si vëllezërit Milutin dhe Vicens Kercic në ekipin e futbollit të Skënderbeut në Korçë, Marina Culafic dhe Diana Soskic në basketboll, Mirko Culafic në hendboll etj.
Në lidhje me numrin e malazezëve në Republikën e Shqipërisë ende nuk kemi një numër të saktë pavarësisht se sipas censusit të vitit 2011 numri zyrtar është 366, një numër ky plotësisht i pavërtetë në realitet.
-Nga Censusi i fundit për popullsinë realizuar në vitin 2011 nga (INSTAT), më 1 tetor 2011 popullsia banuese e Shqipërisë ishte 2 821 977 banorë, ku 82,58 për qind janë shqiptarë, ndërsa nga pakicat përmendim malazezët me 0,01 për qind. A jeni dakort ju me këtë përqindje? Si do jetë kjo përqindje në Censusin e ri?
Siç e theksova pak më sipër numri zyrtar 366 është shumë larg numrit real të qytetarëve me origjinë malazeze në territorin e Shqipërisë. Censusi i vitit 2011 ka qenë mjaft problematik. Ndërkohë që në formularin e Censusit ekzistonte pyetja opsionale mbi origjinën etnike të qytetarit, paralelisht qeveria nxorri vendimin për aplikimin e gjobave për të gjitha përgjigjet e pasakta mbi origjinën etnike të cilat nuk përputheshin me të dhënat në regjistrat e gjendjes civile. Kjo procedure është konsideruar si presion mbi zgjedhjen e lirë të çdo personi për përkatësinë e tij etnike. Shpresoj që procesi i regjistrimit të popullsisë që do të zhvillohet këtë vit të jetë më transparent dhe pa “kleçka” ligjore. Nga ana tjerët do koordinojmë veprimet tona me shoqatat simotra në Shkodër dhe ambasadën malazeze në Tiranë për të sensibilizuar të gjithë qytetarët shqiptarë me origjinë malazeze që të deklarojnë pa frikë dhe paragjykim origjinën e tyre etnike.
-Ka një përplasje mes komunitetit serbo-malazez në shqiperi. Kujtojmë Ambasadorin malazez në Tiranë, Ferhat Dinosha ku është shprehur se në Shqipëri nuk ka pakicë serbo-malazeze, por vetëm pakicë malazeze Si qëndron e verteta ndërmjet këtyre dy minoritetëve në Shqipëri?
Në fakt nuk do ta quaja “përplasje” sepse tashmë malazezët e Shqipërisë kanë përfaqësuesit e vet të njohur dhe nga Podgorica zyrtare. E respektoj mendimin e ish-ambasadorit malazez në Tiranë, z. Dinosha i cili ka dhënë një kontribut të veçantë në marrëdhëniet midis dy vendeve tona, por personalisht nuk do të doja të shprehem më shumë në lidhje me këto problematika, për të mos tejkaluar kompetencat e mia si kryetar shoqate në lidhje me ligjin shqiptar që tashmë i njeh të dy këto pakica si pakica më vete. Nuk e di nëse ka shtet tjetër në Evropë, ku të njihen ligjërisht si pakica kombëtare grupe njerëzish që pretendojnë të kenë origjinë etnike nga vende që nuk janë në kufi me shtetin përkatës. Besoj se më kuptoni se çfarë dua të them.
-Përvec punës tuaj si kryetar i kësaj shoqate ,nga ana qeverise malazeze ,cila është mbështetja që kjo pakicë ka në vendin tonë? Po nga ana e politikës shqiptare cfarë pritshmërie keni?
Ne jemi një shoqatë e re e krijuar menjëherë pas aprovimit me ligj të minoritetit malazez dhe deri tani pothuajse të gjitha aktivitetet i kemi zhvilluar duke u mbështetur kryesisht në mundësitë tona. Pas krijimit, shoqata e Komunitetit Malazez në RSH u njoh menjëherë nga Drejtoria e Diasporës të Malit të Zi, të cilët janë përpjekur brenda edhe mundësive që ata kanë të na mbështesin. Sigurisht që pritshmëritë tona për mbështetje janë më të mëdha nga qeveria malazeze, me qëllim që të realizojmë programin tonë në lidhje me aktivitetet vjetore.
Nga ana e qeverisë shqiptare ende nuk kemi asnjë mbështetje, edhe pse në takimet që kemi pasur me përfaqësues të institucioneve shtetërore është shprehur gjithmonë vullneti i mire për të na mbështetur si institucion. Lajmi I fundit për hapjen e negociatave midis BE-së dhe Shqipërisë është një lajm shumë i mirë për të gjithë ne dhe shpresojmë që ligji për minoritetet të mos vazhdojë të ngelet vetëm në letër.
-Po me institucione të tjera malazeze a bashkëpunoni ju si shoqatë?
Po patjetër! Që në hapat e para të krijimit të shoqatës sonë kemi patur një bashkëpunim të ngushtë me Amzën Malazeze, një nga institucionet më të rëndësishme kulturore në Malin e Zi. S’mund të lë pa përmendur këtu mbështetjen që kemi pasur nga përfaqësuesit e këtij institucioni për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, z. Miroljub Orlandic dhe z. Blagoje Zlaticanin. Gjithashtu, në kuadër të aktiviteteve tona, kemi pasur marrëdhënie të mira bashkëpunimi me Drejtorinë e Diasporës të Malit të Zi të kryesuar nga drejtori i përgjithshëm z. Predrag Mitrovic si edhe me bashkinë e Barit dhe të Ulqinit. Një mbështetje mjaft të rëndësishme për promovimin e aktiviteteve tona kemi pasur edhe nga RTCG (Radio-televizioni i Malit të Zi) por edhe nga portalet malazeze.
-Z. Marinko, cili është programi i shoqatës ZCGA për aktivitetet në vazhdim?
ZCGA ka një program vjetor për të realizuar aktivitetet e veta. Tashmë kemi një përvojë 2-vjeçare në organizimin e aktiviteteve specifike në lidhje me afirmimin e pakicës malazeze në Shqipëri, duke afruar rreth vetes të gjithë të interesuarit në bazë të respektit të duhur për dallimet e tyre fetare, gjuhësore, gjinore etj. Edhe për vitin 2020, programi ynë është mjaft i pasur, me manifestime përmes të cilave do të përkujtohen datat e rëndësishme nga historia malazeze por edhe me aktivitete që do të promovojnë marrëdhëniet shqiptaro-malazeze në të gjitha sferat e jetës publike në Shqipëri dhe Malin e Zi. Mund të përmend këtu disa nga aktivitete kryesore siç janë: 1) Përkujtimi i tragjedisë në portin e Shëngjinit ku në vitin 1916 u mbytën 394 civilë malazezë të cilët po vinin nga Amerika (këtë aktivitet e realizuam me sukses në 6 janar të këtij viti) 2) Kremtimi i ditës së shënuar të Shën Vladimirit të Duklës që festohet në mënyrë tradicionale çdo vit më 3 dhe 4 qershor. 3) Festimi i 21 majit, Ditës së Pavarësisë të Malit të Zi. 4) Festimi i 13 korrikut, ditës së krijimit të shtetit të Malit të Zi etj.
/argumentum.al/