Kujdes kur merremi me edukimin e fëmijëve tanë!

 

Sociologu Gëzim Tushi, në një intervistë për “Koha Jonë” flet për sfidat e eudikimit të fëmijëve dhe sesi duhet që sistemmi arsimor tu përshtatet zhvillimeve të reja.

Intervistoi Fran GJOKA

Keni një jetë të tërë në fushën e arsimit dhe të studimit pedagogjik. Sa është e vërtetë thënia se “fëmija është pasqyrë e prindit”. Sa vlen kjo shprehje sot?

Teza se fëmija është në çdo rast “pasqyrë e prindit”, nuk mund të interpretohet në mënyrë fataliste si një ekaucion i determinuar social, edukativ dhe pedagogjik. Sepse kjo tezë është e vërtetë, por nuk është tërësisht e vërteta. Megjithatë duhet theksuar, se ndikimi i drejtpërdrejtë apo edhe i tërthortë i figurës së prindërve mbi personalitetin e fëmijëve është vërtetuar nga koha, si një ndikim racional dhe emocional me peshë sociale dhe gjurmëlënie edukative të madhe.

Fëmijët padiskutim janë pasqyra jonë (e prindërve të tyre). Kjo do të thotë se nuk ka sens fakti që shumë prindër ankohen për fëmijët e tyre. Është tjetër kur ankohen se punojnë me ta, por nuk arrijnë rezultatet e dëshiruara apo të pritura.

Po tregoj një fabul për të justifikuar këtë tezë. Është proverbial dialogu midis prindit dhe gafores fëmijë. Sipas fabulës një herë një gafore e madhe po pyeste të voglin e saj se pse ecte shtrembër. I vogli i përgjigjet: Po unë që kur kam lindur ju kam parë juve që keni ecur në këtë mënyrë. E si mund te eci unë ndryshe ? Besoj se morali është fare i qartë.

 

Si duhet kuptuar ekuacioni edukativ në raportet prind-fëmijë?

Unë gjithnjë ngul këmbë në idenë time, se “stofi edukativ” që endet në familje është vendimtar, për të ndërtuar “kostumin” edukativ të personalitetit të fëmijëve. Dhe kjo bëhet e mundur kur ndërtohen marrëdhënie të drejta midis prindërve dhe fëmijëve, kur secili luan rolin sipas pozicionit që ka. Demokratizimi familjes shqiptare që po ndodh në shoqërinë shqiptare, është një mundësi e mirë për të “trashur” stofin edukativ të familjes, sepse mundëson marrëdhënie më të drejta horizontale midis prindërve dhe fëmijëve.

Por kjo ndodh kur ky ekuacion social dhe pozicion edukativ kuptohet dhe zbatohet drejt. Megjithatë në kohën postmoderne gjërat kanë ndryshuar dhe sentenca që fëmija është pasqyrë e prindërit jo gjithnjë është funksionale. Sepse ndikimi i faktorëve të jashtëm ekstrafamiljarë, shpesh ka më shumë ndikim se faktorët e brendshëm edukativë dhe fuqisë së prindërimit. Personalisht mendoj se duhet ta ridimensionojmë pak konceptin determinist dhe mekanicist, se “fëmija është pasqyrë autentike” e prindit. Për shumë arsye sot nuk është tërësisht kështu. Në sociologjinë dhe pedagogjinë e kohës sonë, ngulet këmbë në tezën se fëmijën e formon së tepërmi mjedisi ku rritet. Në këto kushte është më mirë të ndërgjegjësohemi edhe për të vërtetën tjetër, sipas të cilës në kohën postmoderne, të edukosh një fëmijë nuk do të thotë ta mësosh të të ngjajë ty, por duhet mësuar ashtu si duhet të jetë në jetë.

Shmangiet, devijancat nga “stofi i familjes” dhe viktimizimi nga edukata dhe ndikimi i rrugës bën që shpesh herë fëmijët të “thyejnë pasqyrën” e prindërve të tyre ose ta pasqyrojnë veten në mënyrë të “deformuar”. Fëmijët po bëhen preh e stimujve të jashtëm si televizori, interneti, kompjuteri, droga, alkooli, cigaret, etj. Kjo është një situatë që duhet marrë në konsideratë e duhet vlerësuar shumë në kohën e sotme. Kjo është arsyeja pse shumë prindër ndodhen të befasuar kur kuptojnë se puna e bërë dhe sistemi edukativ i ngritur brenda familjes nuk ka dhënë rezultatet e pritura. Akoma me keq ka dhënë kundër efekte!

 

Po çfarë duhet bërë në këto kushte?

Janë shumë gjëra që duhen bërë. Sepse një nga gjërat që po ngatërrojmë keq në sferën  edukimit të fëmijëve, ka të bëjë me defiormimin e raporteve dhe përgjegjësisë edukative në lidhjet midis familjes, institucioneve shtetërore të edukimit apo ndëshkimit dhe vetë fëmijëve.

Nuk është fjala për të mohuar vlerën e ndikimit të këtyre strukturave bazë të edukimit, vlerën që kanë sidomos lidhjet dhe bashkëpunimi tyre kompakt në trekëndëshin midis prindit, femijës dhe insitucioneve sociale dhe edukative të shtetit. Nga studimet dhe analizat e mia socio-edukative kam konstatuar se prindi i përgjegjshëm, i ndjeshëm interesohet nga afër për edukimin e fëmijës së vet, ndërsa prindërit fajtorë përpiqen t’i gjejnë dobësitë e prindërimit me fëmijët e tyre jashtë vetes.

Problemi është se në shoqërinë tonë po ravijëzohet një lloj njëanshmërie edukative, që synon shmangien dhe largimin e përgjgjegjësive nga familja dhe që sjell reduktimin mekanik të kësaj kërkese vetëm mbi shkollën dhe insitucionet e tjera të shtetit. Kjo është absurde, e padrejtë dhe kundërproduktive. Një prind që ka probleme familjare apo të marrëdhënieve me edukimin e fëmijëve, apo që mendon dhe kërkon që vetëm shkolla dhe shteti të zgjidhë problemet e tij edukative, do të thotë se ai është një njeri i shkretë, i bërë për të ardhur keq.

Dobësimi i mjeshtërisë së edukimit prindëror, është e lidhur me mentalitetin populist sipas të cilit, sido që të vejë puna fëmijët do rriten në një mënyrë apo në një mënyre tjetër. Kjo do të thotë që prindërit lundrojnë në det të hapur pa patur fare busull edukative. Janë dy qëndrime të kundërta. T’i drejtosh edukativisht fëmijët apo t’i lësh ata të rriten vetvetiu. Në të gjitha rastet përgjegjësia prindërore është kruciale sepse të edukosh fëmijën në të gjitha rastet do të thotë që kurdoherë të bësh të pamundur për ta drejtosh në rrugën e duhur.

Është postulat edukativ i cili nuk duhet harruar, se në se roli i familjes vlerësohet ajo kthehet në një parajsë për bashkëshortët dhe fëmijët e tyre.

Si është lidhja shkollë familje në shoqërinë e sotme shqiptare?

 

Personalisht mendoj se në situatën edukative dhe në sjelljet e fëmijëve, adoleshentëve dhe të rinjve tanë ka ndikim negativ të dukshëm, ulja e rolit dhe misionit tradicional të dy institucioneve kryesore të edukimit dhe sigurisë morale të shoqërisë, sic janë shkolla dhe familja. Nuk është as qëllimi as koha dhe vendi i duhur për të diskutuar problemet e brendëshme të këtyre dy institucioneve, as për të bërë vlerësime gjithpërfshirëse për raportin delikat, midis qëndrueshmërisë konservatore të tipologjisë institucionale të shkollës dhe familjes dhe fleksibilitetit temporal, midis natyrës konservatore dhe aftësive sociale adoptuese të tyre.

Për kohën dhe mendimin modern bashkëkohor, këto mbeten dy institucione edukative me vlerë të pazëvendësueshme, fondamentale, të cilat së bashku me shoqërinë civile, përbëjnë “shtratin edukativ” social-pedagogjik, në të cilin fëmija, nxënësi, prindi dhe mësuesi bëjnë “kalimin” tek njëri tjetri të traditës, kulturës, edukatës, kodeve morale të shoqërisë.

 

Ju flisni edhe për një lidhje midis tyre dhe shoqërisë civile?

 

Po jam për një lidhje më të fortë të “triadës” së institucioneve themeltare edukative, të fuksionimit sinkron të tyre. Shpesh ka qëndrime metafizike e tradicionaliste, që vlerësojnë apo mbivlerësojnë artificialisht njërin apo tjetrin institucion. Kjo ndarje mekanike, ky coptim i roleve sintetike dhe sinkretike të shkollës dhe familjes, i lidhjes së tyre organike me shoqërinë civile, nuk është vetëm “handicap” teorik socio-pedagogjik, por mbi të gjitha është një non sens, që sjell pasoja empirike në punën e interferuar të këtyre institucioneve bazë të shkollimit dhe edukimit. Sepse ndan paderjetësisht rolet dhe përgjegjësitë që kanë këto hallka në procesin unik, afatgjatë, të veprimtarisë së integruar të familjes shkollës dhe shoqërisë civile për shkollimin, kulturimin dhe edukimin qytetar të nxënësit dhe studentit.

“Trekëndëshi i madh”, i pazëvendësueshëm: familje, shkollë dhe shoqëri civile, përbëhet nga tre “leva të fuqishme” të ndikimit socio-edukativ dhe pedagogjiko-kulturor mbi të rinjtë, sidomos në periudhën e të nxënit intensive, përmes veprimit të menjëhershëm, të sinkronizuar dhe të sintetizuar të edukimit përmes institucioneve të tilla si familja, shkolla dhe organizatat autoritare të shoqërisë civile.

As familja e shkëputur nga shkolla, por as shkolla e ndarë nga familja, dhe të dyja së bashku të vecuara nga shoqëria civile, nuk mund të kenë  aftësi cudibërëse. Në se duam që të rritim eficiencën dhe efikasitetin e këtyre institucioneve, “sui generis” edukative në shoqërinë tonë, duhet të gjejmë dhe të vemë sa më parë në zbatim “formulën” e veprimit të sinkronizuar të familjes, shkollës dhe shoqërisë civile, për të “rindërtuar” atë mekanizëm që forcon ndikimin e pamjaftueshëm që vjen nga “kapacitetet e veçuara”, nga separatizmi edukativ i veprimtarisë pa lidhje vepruese, organike të familjes, shkollës dhe shoqërisë civile.

Ne jemi në një situatë, sipas mendimit tim, në të cilin evidentohen qartë “veprimet e përcara”, të shkëputura, të pasinkronizuara me njëra tjetrën të shkollës, familjes dhe shoqërisë civile. Ne tashmë jemi të detyruar të reflektojmë duke kuptuar dëmet e mëdha socio-edukative që kemi, vështirësitë që po hasim në punën e familjes, shkollës dhe shoqërisë, për shkak të mungesës së veprimit të sinkronizuar institucional, të punës së përbashkët të tyre, për të sjellë pasoja pozitive mësimore, edukative dhe sociale.

 

A mund të përmirësohet procesi edukimit?

 

Sa shumë të vonohemi në kuptimin e vlerës që kanë transformimi i ideve, institucioneve bazë të edukimit dhe formimit si familja dhe shkolla, aq më shumë do të jemi të penguar, të vonuar në rrugën e veshtirë, të ndërtimit të shoqërisë demokratike, të relacioneve qytetare ekuivalente me ato europiane. Mungesa e vëmendjes në procesin e transformimit të familjes dhe shkollës sonë, përbën pengesën, ndoshta më të madhe në kultivimin e vlerave të reja, për të cilat ka nevojë modelimi dhe funksionimi i shoqërisë sonë.

Këto lidhje reciprokisht ndikuese, me sens pozitiv apo negativ të familjes, shkollës duhet të jenë të vlerësuara, në qëndër të vëmëndjes së punës së mësuesve, prindërve, nxënësve. Në këtë sfidë të re ne kemi problemet tona, kemi traditën, të kaluarën historike e politike, nivelin e zhvillimit të institucioneve publike e private të edukimit. Bashkë me to kemi si pengesë serioze, një gjendje përgjithësisht kaotike të shoqërisë.

Shkolla ndërkaq është në reformim dhe natyrsht që ka problemet e veta në rrugën e modernizimit të saj. Familja shqiptare nga ana e vet, “lëkundet” në valët e një procesi kontradiktor, duke i reduktuar funksionet edukative, duke përqëndruar në mënyrë të njëanshme forcat dhe resurset kryesore në garantimin e kushteve të ekzistencës, të mirëqënies së pjestarëve të saj. Nuk është fare pozitive situata që dëmton idenë se ka rënë vlera e familjes dhe shkollës si institucione, që mund të ndikojnë dhe të ndryshojnë, modelet e vjetra të sjelljes së fëmijëve në procesin e vështirë të kalimit të tyre nga fëmijë në qytetar, nga “nënshtetas” në “individ social”.

Nje bashkim midis familjes dhe shkollës është lidhje organike që sjell vlera, ide e transformime social pozitive. Asgjë e mirë nuk mund të krijohet pa kontributin e përbashkët të familjes dhe shkollës. Familja, shkolla shqiptare, në bashkëpunim me organizimet e shoqërisë civile, grupet e interesit, shoqatat, organizatat joifitimprurëse dhe joqeveritare, institucionet e besimit fetar, me fjalë të tjera, të gjithë “repartet e organizuara” të shoqërisë tonë, duhet të tregojnë vendosmëri konstante, në drejtim të kultivimit të mënyrës së jetesës qytetare. Mënyra e jetesës, përmirësimi i sjelljes se njerëzve në shoqëri, është bërë detyrë e parë, prioritare, objekt me rëndësi të vecantë për to.

Familja, shkolla dhe shoqëria civile janë struktura “të dënuara” që të punojnë sinkron, në lidhje korrelative, duke bashkuar kontributet specifike. Pa këtë lidhje, është e vështirë të priten rezultatet e dëshiruara në procesin e edukimit të njerëzve dhe përmirësimin e standarteve të qytetërimit tonë.

SHKARKO APP