Lambert Jorganxhi: Duhet të bësh gjithmonë atë që bën më mirë
Intervistoi: Sidorela Lepuri
Pak ditë kompozitori i njohur Lambert Jorganxhi solli për publikun videoklipin e tij të radhës të titulluar “Art Tango”, një produksion në bashkëpunim me Elton Ballën, Ergys Halilin dhe Ergi Papadhimitrin. “Mesazhi që përcjell video Art Tango është një mesazh për muzikën dhe për artin. Në përgjithësi për njerëzit që inspirohen, që kanë optimizëm dhe guxim për të ngritur muzikën përpara. U dedikohet dhe njerëzve që kanë shpresën dhe besimin në vetvete”, kështu na tregon kompozitori. Në një intervistë për gazetën “Koha Jonë”, Lamberti flet për bashkëpunimet, Top Festin si një kompeticion muzikor, festivalet në përgjithësi, si edhe planet e tij të ardhshme artistike.
Lambert, pak ditë më parë keni publikuar videoklipin “Art Tango”, një kompozim muzikor instrumental i juaji, realizuar bashkë me tre artistë të tjerë. Si erdhi ky bashkëpunim?
Videoklipi Art tango është një nga produksionet e mia më të fundit. Duke qenë se këngët janë të shumta në treg mendova të bëj një Instrumentale, të cilën ia dedikoj artistëve dhe muzikës. Bashkë me miqtë e mi Ergi Papadhimitri në violinë, Elton Balla në firzamonikë dhe Ergys Halili në perkusion menduam që muzikën ta luanim live që rrallë herë ndodh nëpër video. Risia e Art Tangos qëndron në faktin se është nga të pakta Tango që janë të kompozuara deri më sot.
Meqënëse jemi tek bashkëpunimet. Si i zgjidhni njerëzit që bashkëpunoni?
Në çdo material që bëj për festival, ose për video zgjedh këngetarët me cilësor që të përshtaten me produksionin që kam bërë. Bashkëpunimet ndonjëherë janë dhe të rastësishme, përshembull nga ofertat, ose materialet spontane kanë dalë dhe gjëra më të bukura. Disa nga këngëtaret e talentuar që kam bashkëpunuar janë: Emi Bogdo, Rezarta Smaja Marjeta Billo, Sheila Haxhiraj, Klajdi Musabelliu, Gerta Mahmutaj, Andi Stafuka etj… dhe me të madhen Myfarete Laze.
Keni menduar për ndonjë bashkëpunim tjetër në të ardhmen?
Përsa i përket projektit Art Tango do jetë një bashkëpunim në vazhdimësi, do të ketë kompozime të reja dhe kanë cover me këngëtarë në versionin tonë. Këto do të bëhen po në formën e videos dhe do të luhen në version akustikë.
Zakonisht çdo klip muzikor mbart në vetvete një mesazh, të cilin publiku mund ta interpretojë në bazë të perceptimeve individuale. Çfarë mesazhi përcjell videoja instrumentale “Art Tango”?
Mesazhi që përcjell video Art Tango është një mesazh për muzikën dhe për artin. Në përgjithësi për njerëzit që inspirohen, që kanë optimizëm dhe guxim për të ngritur muzikën përpara. I dedikohet dhe njerëzve që kanë shpresën dhe besimin në vetvete.
Cilat kanë qenë komentet e para nga miqtë tuaj, kolegët apo edhe artëdashësit pas publikimit të videos?
Komentet dhe mendimet për këtë realizim kanë qenë pozitive dhe më vjen mirë që shumë njerëz e kanë kuptuar idenë e kësaj Instrumentaleje, sepse ngjan dhe shumë si një këngë. Nëpër rrjetet sociale, si edhe në media kemi marrë shume komente pozitive dhe për këtë më vjen mirë.
Pak ditë më parë u mbajt finalja e Top Fest. Në gjykimin tuaj si profesionist i muzikës, cili është mendimi për Top Fest si një kompeticion muzikor?
Sa i përket Top Festit është një nga festivalet më moderne që ka ekzistuar dhe kam qenë pjesëmarrës për disa vite rresht. Një nga festivalet më me tendencë për përkrahjen e artistëve të rinj, por vitet e fundit prurjet e pakta filluan ta zbehin këtë festival. Po ashtu edhe ndërhyrja e klaneve. Por besoj se ka për të mbetur një nga festivalet më bashkëkohore.
Për më shumë se 10 vite si kompozitor keni marrë pjesë në festivale të ndryshme. A janë në nivelin e duhur festivalet që organizohen në Shqipëri?
Çdo festival, ose kompeticion që organizohet në rradhë të parë është një lançim dhe një promo për të gjithë artistët. Disa festivale kanë mënyrën e perceptimit dhe lançimit ndyshe. Për shembull, Festivali i TVSH i jep mundësinë artistëve të këndojnë live dhe kënga luhet live, pra është një vlerë, ku emocioni i çdo kënge del në pah. Besoj se do na duhen më shumë festivale live dhe çdo gjë live.
Jeni zhgënjyer prej tyre?
Nga çdo gjë ka suksese, por dhe zhgënjime. Besoj se çdo artist po të punojë dhe vetëm të punojë me çdo mundësi të tij ka për të ecur gjithmonë përpara. Edhe kur më është tërhequr ndonjë këngë kam kthyer faqen dhe kam bërë një më të bukur.
Keni menduar ndonjëherë që, përveçse të kompozoni edhe të këndoni?
Besoj se është më mirë të bësh gjithmonë atë që bën më mirë. Sa për të kënduar nuk besoj. Jam më mirë në fushën e kompozimit dhe i lë këngëtarëve të këndojnë muzikën që bëj.
Dhe së fundmi, mund të na tregoni për planet artistike të ardhshme?
Planet artistike mendoj se janë të shumta. Do jenë disa videoklipe për disa këngëtarë të rinj nga X Factor, The Voice, projekti me grupin e Art Tango dhe shumë gjëra që do vijnë më pas. Do të kem dhe një bashkëpunim me një nga super zërat që janë kohët e fundit në treg. Së shpejti, shumë gjëra të reja.