Lambert Jorganxhi: Shumë plagjiaturë e pak origjinalitet, kompozitorët të mbajnë përgjegjësi

Nga Albina Gjergji

“Harresa të përket”, kështu titullohet prodhimi i radhës, dalë këto ditë nga studio e kompozitorit të njohur, Lambert Jorganxhi dhe lançuar në kanalet muzikore shqiptare. E interpretuar nga një vokal jashtëzakonisht i veçantë siç është ai i Senad Rrahmanit, kjo baladë deri më tani është komentuar si një këngë e karakterizuar nga origjinaliteti. E në një kohë, kur nga kjo e fundit ka mbetur shumë pak, sidomos në tregun muzikor duhet thënë që, për nga përzgjedhja e bashkëpunëtorëve edhe këtë herë artisti Lambert Jorganxhi ka goditur në shenjë. Senad Rrahmani njihet si ish-finalist i “X Factor Albania 3” dhe zëri i tij është absolutisht ndër më të veçantët që kanë nxjerrë konkurset shqiptare, ndërsa Lambert Jorganxhi është padiskutim një talent i njohur në fushën e muzikës. Në intervistën e mëposhtme, Jorganxhi na tregon më shumë për këtë bashkëpunim e jo vetëm. Ai na flet edhe për bashkëpunimet që ka pasur ndër vite, si dhe na jep opinionin e tij për nivelin e muzikës së sotme shqiptare.

“Harresa të përket” është projekti më i fundit jetësuar nëpërmjet këngëtarit, Senad Rrahmani dhe punës suaj si kompozitor. Mund të na thoni si erdhi tek ju ky bashkëpunim Lambert?

Me Senadin jemi miq dhe kolegë, që nga koha e “X Factor 3”, ku kam punuar në produksion si “vokal coach” dhe në orkestracione. Senadi ka qenë finalist i vendit të dytë, një vokal që la gjurmë në atë “X Factor”. Që atëherë lamë një projekt që të bashkëpunonim për një material, por diçka që duhej të dilte në momentin dhe kohën e duhur.

Senadi është një nga vokalet më cilësore në tregun shqip-folës, i cili premton shumë në të ardhmen. E zgjodhët ju si artist, apo ai juve?

Padyshim ai është një nga vokalet më të mirë dhe më premtues. Unë e quaj vokal “alla Eugent” për shtrirjen që ka e siç e thashë më lart kishim lënë një ide për të bashkëpunuar për këngën. Senadi kishte një mendim që të këndonte një baladë pop-rock. U ula në piano dhe kompozova diçka që të kishte melodinë për diçka të vërtetë dhe kështu u bë. Bashkë me autorin e tekstit, Roni Florian Zyka kënga u finalizua siç duhej në titullin “Harresa të përket”.

Mbi ç’kritere i përzgjidhni bashkëpunëtorët dhe cili është tipari thelbësor që ju tërheq tek një artist?

Normalisht bashkëpunimet vijnë në mënyrë të përzgjedhur, ose dhe spontane. Pikas gjithmonë zërat që kanë shtrirje dhe vokalet potente. Besoj se për ditët e sotme janë vokale të mirë ata që japin emocion në një këngë dhe dinë ta transmetojnë këtë gjë dhe pse jo… të dinë ta shesin në mënyrën e tyre. Vokalet stil për mua kanë një veçanti, sepse janë zërat që kërkohen më shumë në treg.

Emri juaj tashmë është i njohur në vend, kjo jo vetëm falë punës suaj, por edhe bashkëpunimeve mqë keni realizuar e artistë të famshëm. Ata nga ju, apo ju nga ata; kush ka marrë më shumë nga njëri-tjetri?

Të punosh me artistë të mirëfilltë është një privilegj, por këtë e kam arritur në sajë të punës sime këmbëngulëse. Këngën që krijoj ia përshtas vokalit në mënyrë të tillë, që ato të jenë në harmoni me njëra-tjetrën. Duke bashkëpunuar me njëri-tjetrin edhe unë kam përfituar nga ata dhe anasjelltas.

Meqë përkon me periudhë festivalesh, pse nuk e prezantuat në ndonjë festival këtë këngë?

Menduam që në fillim, që ky produksion të ishte i realizuar në videoklip dhe jo për festivalet. Menduam që të ishte diçka ndryshe dhe kënga te merrte formën e klipit që të mediatizohej më shumë.

Ç’mendim keni për festivalet tona?

Në fakt tregu muzikor është pak i ç’ekuilibruar sot. Çdo ditë dalin produksione dhe këngëtarë të rinj, por më shumë gabime bëhen nga ata që prodhojnë këngë, siç janë kompozitorët për shembull, të cilët duhet të mbajnë përgjegjësi për çka i ofrojnë publikut, sepse në një farë mënyre edukojnë, keqedukojnë brezat. Sot interneti jep mundësi të pafundme dhe unë shoh shumë plagjiatura e pak muzikë origjinale. Besoj se një këngëtar nuk bëhet nga studio, por nga talenti i tij. Mendoj se, duke qenë se janë shumë profesionistë që kompozojnë ata bëjnë ndryshimin në treg.

Jeni natyrë ambicioze Lambert dhe a kërkoni perfeksionin në një punë që merrni përsipër?

Në radhë të parë jam kritik i punës që bëj, por gjithmonë mundohem të bëj më të mirën. Megjithatë them se pikë së pari jam i përgjegjshëm dhe i përpiktë në punën që bëj. Besoj se korrektësia është gjëja më e mirë në një bashkëpunim.

Kritiku juaj më objektiv?

Kritiku kryesor është babai im Rikard Jorganxhi, dirigjent i cili gjithmonë është kritik ndaj punës e këngëve të mia. Gjithmonë ai ka një mendim më shumë në lidhje me muzikën.

Ka pasur një moment kur ju ka lodhur puna me artistët?

Çdo punë ka lodhjen e vet, por natyrisht ka edhe kënaqësinë e saj. Deri këtu ku kam arritur është dashur një punë shumë e madhe dhe këmbëngulëse e si kudo edhe në këtë fushë ka momente diziluzionimi, por gjithmonë jam me parimin, “jepi Çezarit atë qe i takon Çezarit”.

A kanë huqe artistët dhe nese po, si e gjeni gjuhën e përbashkët?  Po ju si artist, jeni i qetë, apo zevzek?

Gjithmonë në një bashkëpunim gjej gjuhën e përbashkët me këngëtarët dhe intrumentistët. Sigurisht secili ka mendimet dhe idetë e veta, por me qetësi mundohem të krijoj frymën e bashkëpunimit. Normalisht kam edhe kërkesat e mia, por gjithsesi në të mirën e punës.

Na flit për projektin më të suksesshëm që ke pasur deri me pati?

Me këngëtarë kam pasur shumë suksese në disa materiale. Si në rastin me Sheila Haxhirajn tek, “Ndjej”. Myfarete Laze në “Më jep jetë”. Klajdi Musabelliu në “Vetëm të të besoj”, me Rezarta Smajën, Emi Bogdon, Filonid Aliun, etj..

Projekti i radhës që ke në dorë?

Këto kohë po merrem me disa produksione të reja për disa këngëtare, por një këngë e re po vjen në stilin rock me një nga këngëtarët më të mirë që kemi. Jemi duke punuar për këtë projekt.

Me kë do doje të bashkëpunoje në vazhdimësi?

Kam shumë ide. Për këngëtaret që do të doja të bashkëpunoja janë disa. Dëshirën e kam të bashkëpunoj me vokalet rock, pse jo edhe me zërat kosovarë. Me Eugent Bushpepen, Flaka Krelanin, etj. dhe gjithashtu mendoj të sjell këngë sa më origjinale.

 

 

SHKARKO APP