Ledia & Gloria, dy vajzat e “Vendit Sekret” (FOTO)
Ledia & Gloria, dy vajzat e “Vendit Sekret”
Intervistoi: Sidorela Lepri
Kur bëhet fjalë për dyqane veshjesh, jemi mësuar të shohim fasada plot shkëlqim dhe ambiente sa më moderne e të ekspozuara që tërheqin vëmendjen tonë çdo ditë duke na ftuar ti vizitojmë. Por ka edhe njerëz që mendojnë ndryshe. Piktorja Ledia Konstandini së bashku me piktoren Gloria Boba kanë ideuar një dyqan të vogël veshjesh, por tërësisht origjinal dhe i vetmi në llojin e tij në kryeqytet.
Veshje të ndryshme të punuara plot stil dhe kreativitet, këpucë, çanta dhe plot aksesorë të tjerë të punuara të gjitha me dorë, janë disa nga produktet të cilat gjendet në këtë dyqan të quajtur “Vendi Sekret”.
Gloria, njëra nga themelueset, tregon në një intervistë për suplementin “Koha Tjetër”, sesi lindi shkëndija fillestare për hapjen e këtij dyqani, trendet që mbizotërojnë, klientelën që e frekuenton si edhe vështirësinë për të gjetur materialet e duhura për veshjet.
“Ndonjëherë hasim vështirësi, sepse klientët presin shumë, por në përgjithësi e kemi përballuar.”, rrëfen Gloria.
Më tej, ajo na tregon se të dyja bashkë janë kujdesur për çdo detaj, duke nisur që me dizenjimin e veçantë të fasadës e deri tek përzgjedhja e veshjeve.
“Vendi Sekret”, një vend që tashmë nuk është dhe aq sekret. Si lindi shkëndija fillestare për hapjen e këtij dyqani veshjesh?
Para 2 vitesh, diku në mendjen tonë ne kishim ndërtuar një dyqan prej kohësh (qesh). Por tani u bë thuajse 1 vit e gjysmë që unë dhe Ledia e menaxhojmë më së miri “Vendin Sekret”, i cili pak nga pak është zbuluar.
Veshje të ndryshme të punuara plot stil dhe kreativitet, këpucë, çanta dhe plot aksesorë të tjerë unik, mund të gjenden tek “Vendi Sekret”. Na tregoni diçka më shumë për këtë dyqan…
Kjo ka qenë idea jonë. Të hysh dhe të humbasësh në larmishmërinë e ngjyrave, dekoreve, formave të çuditshme dhe unike. Është nje proces i cili kërkon impenjim dhe ditë të tëra pune, si gjetja, personalizimi i tyre, fotografimi, etiketat të cilat dhe ato marin një pjesë të caktuar të kohës. Kjo sepse cdo gjë është e ricikluar dhe gati për t’u servirur në atë që tani e ka një emër “Vendi Sekret”.
Ka një klientelë të caktuar që zgjedh të vishet nga “Vendi Sekret”, duke marrë parasysh stilin e veçantë të veshjeve dhe aksesorëve të tjerë?
Tani u bë kohë e gjatë dhe sigurisht dyqani ka një kliente besnike, por çdo ditë ai zbulohet nga dikush, i cili që në momentin e parë prezantohet për ta ruajtur shoqërinë e tij me vendin që sapo ka zbuluar. Veshjet kanë një lloj stili, janë deri diku të guximshme, por duke qenë që dyqani ka dhe aksesorë është thuajse e pamundur të dalësh pa blerë. Gjithmonë ka diçka për dikë, qoftë ky dhe një libër.
Pothuajse dy herë gjatë javës ne veshim modelet duke i kombinuar veshjet, realizojmë sete fotografike vetë dhe më pas i reklamojnë në rrjetet sociale.
Cilat trende të veshjeve dominojnë kryesisht?
Veshjet janë kryesisht të viteve 60/70 edhe deri në ditët e sotme. Stil pak i gjerë, por i kombinuar mirë. Kjo bën që veshja të mos jetë e madhe apo e marrë borxh, por e rehatshme.
Po ato që kërkohen më shumti?
Veshjet që kërkohen më së shumti janë veshjet të cilat kanë forma të egzagjeruara dhe njekohësisht dekore unik. Pra, aty nuk vijnë të kërkojmë diçka që e kanë në mendje, aty vijnë për të gjetur diçka që akoma se kanë në mendje.
“Vendi Sekret” është i vetmi dyqan në llojin e tij në kryeqytet. Nga çfarë u frymëzuat për hapjen e tij?
Me vjen mirë që degjoj që është i vetmi (qesh). U frymëzuam nga pasioni i të dyjave për veshje të tilla, si edhe për t’i dhuruar kryeqytetit një ambjent praktik të gjetjes së tyre.
Si i përzgjidhni elementët me të cilat punoni veshjet dhe aksesorët?
Atëherë çdo gjë që ka të bëjë me ngjyrat dhe bie në sy menjëherë, ky është elementi që ne kapemi tek veshjet. Sa për aksesorët mundohemi vazhdimisht të bëjmë aksesorë të ndryshëm duke mos i përsëritur, një koleksion dhe aq. Më tej mendohemi për koleksionin e rradhës, por sa herë qe ne gjejmë kohë. Aksesorët përgjithësisht kanë elemente piktoreske. Me duhet të pranoj që nuk ka veshje të shëmtuar, ka veshje të pakombinuara bukur.
Është e vështirë për ju të gjeni gjithmonë materialet që kërkoni?
Ndonjëherë hasim vështirësi, sepse klientët presin shumë, por në përgjithësi e kemi përballuar.
Fasada e jashtme e dyqanit është ajo çfarë të bie menjëherë në sy, ku pikasin shprehjet kaq të njohura tashmë nga fotografitë e shumta si “Omg, I’m so retro”, “The old is the neë” si edhe ngjyrat tepër të këndshme. Jeni marrë personalisht me të gjitha këto detaje?
Po çdo gjë është e bërë nga unë dhe Ledia. Detajet janë ato që bëjnë diferencën dhe ne i dashurojmë detajet, sekret profesional ky (qesh). Jemi të dyja piktore dhe kështu që nuk kishte si të ndodhte ndryshe.
Të ndalemi pak tek ju. Gloria, për çfarë studioni?
Unë sapo jam diplomuar në Akademinë e Arteve të Bukura, për pikturë/ tekstil dhe modë.
Me çfarë merreni tjetër?
Deri para 2 muajsh meresha dhe me shkollën, por ia dola mbanë (qesh). Aktualisht vetëm me vendin secret. Jam duke menduar për të tjera projekte, por derisa ti realizoj do të jenë sekret dhe ato.
Cilat janë pasionet e tua më të mëdha?
Piktura ka qenë primare deri para disa vitesh, por tani dhe moda duke qenë se vitet e fundit devijova. Gjithashtu dhe fotografia, të cilën mundohem ta praktikoj tek vendi i vogël secret.
Dhe së fundmi, meqënëse sezoni i vjeshtës ka trokitur, cilat do të ishin disa nga sugjerimet tuaja lidhur me mënyrën sesi mund të vishemi dhe çfarë trendesh duhet të “përqafojmë”?
Më pëlqen shumë vjeshta si sezon. Akoma nuk e kam kuptuar pse, por një gjë e di, jam fanse e xhaketave dhe është periudha më e mirë për t’i përdorur. Edhe nëqoftëse është vapë duhet ta keni gjithmonë një të tillë me vete, në një dorë çantën, në tjetrën xhaketën. Duke qenë se vjeshta sjell zymtësi, kjo dihet lulet nuk çelin, por e kundërta, njerëzit i përshtaten shpeshherë stinës.
Le të jetë kjo stina ku lulet çelin në garderobën tuaj dhe ju dukeni plot humor dhe të qeshur, pa dalë nga stili juaj personal, shtojini pak më shume ngjyra veshjes tuaj. Le të kemi pak verë vizualisht këtë vit.