Limoz Dizdari: Ja pse më kërcënojnë
Pak ditë më parë, teksa u hap lajmi se kompozitori Limos Dizdari i cili prej vitesh tashmë jeton në Ksamil, është kërcënuar me jetë, ai ka dhënë një intervistë ku shpjegon edhe pse e kërcënojnë.
***
Një grup intelektualësh kanë nënshkruar një peticion, përmes të cilit i kërkojnë shtetit dhe qartësisht Policisë së Shtetit mbrojtjen tuaj. Nga kush jeni kërcënuar?
Është një akt që pa dyshim e vlerësoj shumë, por nuk bëhet fjalë thjesht për mua, por është një atentat kundër kulturës. Duan të fiket rrezja e kulturës, e dijes. Bëhet fjalë për Qendrën “Dea” në Ksamil, ish Vatra e Kulturës, e cila ishte tërësisht e shkatërruar dhe ku kam ngritur një pinakotekë të pikturës dhe skulpturës, një sallë librash me 8 mijë tituj, dhe studentë të pianos kanë fituar jo vetëm në Akademinë e Tiranës, por edhe në Lion, ata kanë fituar konkurse ndërkombëtare… Kjo është e vetmja qendër kulturore e mbetur gjallë, ndërsa të tjerat (25 të tilla) janë kthyer në hotele e modele. Dhe tani, pas 25 vjetësh, ngrihet dikush dhe thotë që në vitin 1990 e ka blerë atë pronë. Kur i pyet se ku i kanë dokumentet, thonë se nuk kanë, se ashtu ishin kohët, se ikën në Greqi… Por as e kanë hipotekuar. Si mundet që dikush të marrë pronën pa një vendim? Një qytetar i thjeshtë ngrihet dhe të kërcënon se do të të bëj këtë e atë. Në fakt, e mora me shumë qetësi, por pyetja që ngrihet është se ku e gjejnë këta njerëz të thjeshtë, të vegjël, gjithë këtë forcë dhe gjithë këtë guxim, që arrijnë deri në kërcënim.
Keni kërkuar mbrojtje?
Jo, nuk kam kërkuar mbrojtje, por disa ditë më parë, i kam bërë një mesazh Kryeministrit Rama, ku i shkruaja se “Ndihem maksimalisht i kërcënuar. Kërkoj një takim për të përcaktuar të ardhmen time të mëtejshme”. Mos bëj gabim që më dhimbset jeta?!
Cila ishte përgjigjia?
Ai më ktheu përgjigje, se meqë e kishte të pamundur atë ditë, të drejtohesha te sekretari i përgjithshëm, i cili më priti dhe më tha se do të ndërhynte për zgjidhjen e këtij problemi. Por kanë kaluar 89 ditë që atëherë dhe ende nuk di se ç’do bëhet.
Cila është historia e pronës që ju keni në përdorim?
Me vendim 204, të vitit 1992, “Për pasurinë e sindikatave” kjo pronë, ishVatra e Kulturës së Ksamilit, i kaloi Konfederatës dhe Sindikatës së Pavarur. Kryetari i kësaj të fundit e ka shitur disa herë. Pas disa vitesh u ble nga firma rentiere “Silva”. Pas rënies sëfirmave piramidale, ajo u sekuestrua. Unë e kam marrë atë me qira në vitin 2000. Kemi kaluar 5 vjet gjyqe për shkak të pretendimeve të Sindikatës. Me ligjin 8340/1 të vitit 1998, të gjitha pronat bujqësore që i kishin marrë sindikatat dhe konfederatat, kalonin nën juridiksionin e pushtetit vendor, të cilët më dërgojnë një shkresë, sipas së cilës detyrimet unë duhet t’ia kaloja pushtetit vendor. U kërkova të bëja një kontratë të re, por më thanë se prisnin të merrnin në dorëzim listën e pronave. Si gjithçka që zvarritet në këtë vend, kështu ndodhi edhe në këtë rast. Që prej vitit 2010 u jam drejtuar të gjithë ministrave të Ekonomisë që kanë të drejtë privatizimi, edhe ish kryeministrit Berisha. Më kërkuan të bëj një vlerësim sipas normave të shtetit të investimeve dhe të pronës dhe nëse investimet e kalojnë 150% të vlerës së pronës, atëherë ke të drejtë ta bësh blerjen menjëherë. E vlerësova 54 milionë lekë, edhe pse kap shumën e 700 mijë dollarëve. Kanë kaluar vite qysh atëherë dhe asgjë nuk është bërë.
Po tashmë nga kush kërcënoheni?
Pra, pronës i ka dalë pronari? Është një zonjë, që kishte një kafene me 56 tavolina, e cila pretendon se ia ka blerë Ndërmarrjes Tregtare të Sarandës. Po si mund t’ia blinte Ndërmarrjes Tregtare, kur ajo i takonte Ndërmarrjes Bujqësore? Në gjyqin e parë, ku nuk u thërrit asnjë nga palët e interesuara, pra Komuna e Ksamilit dhe Qendra Kulturore “Dea”, ata fituan, pasi me shumë gjasë e kishin “blerë” gjykatësen. Ne e çuam në Gjykatën e Apelit, e cila e hodhi poshtë vendimin e gjykatës. Vendimi i Apelit u çua në Gjykatën e Lartë, e cila la në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit. Kjo ka ndodhur në vitet 2008-2009. “Panorama”.