Liri Belishova: Komunizmi, një ylber që s’e kapëm dot kurrë

Liri Belishova është sot 90 vjeç. E ndodhur në një moshë të vogël në momentin kur luftohej për çlirimin e Shqipërisë, ajo rrëfën idealet e rinisë së kohës së saj. Motivin për të luftuar. Por edhe zhgënjimet e një sistemi ndryshe nga ajo që kishte menduar dhe pritur. Në një intervistë për TCH, ajo e krahason Hoxhën me Çausheskun dhe ndihet e keqardhur me pushkatimet në masë për eleminimin e rivalëve të sistemit totalitar. Megjithëse ka jetuar gjatë, ajo ka parë pak ditë të bardha në jetën e saj.

***

Zonja Liri, në vitin 1939 ishit vetëm një fëmijë, si e kujtoni atë kohë?

Nuk kisha mbushur as 13 vjeç. Ato demonstrata spontane të rinisë kundër okupacionit patën rëndësi, se propaganda fashiste ishte që populli shqiptar, i pakënaqur nga Ahmet Zogu, i kërkonte Italisë ta shpëtonte nga ky sundimtar.

Si ishte lufta, çfarë mbani mend nga ajo kohë?

Rezistenca në qytet, kur vajzat merrnin pjesë në mbledhjet antifashiste dhe dilnin në demonstratë. Unë syrin e kam humbur në demonstratë.

Po shoqet tuaja i mbani mend, kanë ngelur disa prej tyre sot?

Nga ish-shoqet e mia jetojnë Nexhmije Hoxha dhe Vito Kapo. Më kanë vdekur shoqet, një e nga një.

Çfarë mendonit pas luftës?

Gjatë luftës na u vranë shumë shokë e shoqe. Filluan edhe shumë diluzione. Mendonim se komunizmi do të ishte një shoqëri e drejtësisë, e mirëqënies. Një ylber që rendëm pas tij por s’e kapëm dot kurrë.

A keni ndonjë dhembje të veçantë për dikë që është pushkatuar pas luftës?

Më ka ardhur keq për vëllezërit Kokalari. Ata ishin njerëz demokratë dhe patriotë dhe vrasja e tyre më ka bërë shumë përshtypje.

A mund ta krahasoni Hoxhën me dikë tjetër?

Tani është kollaj të flasësh për Enver Hoxhën, me Çausheskun ndoshta.

Edhe ju jetuat gjatë dhe jetoni ende, çfarë ju ka mbajtur gjallë deri tani?

Kur të arrini në moshën time do më kuptoni. Edhe unë çuditem dhe them, paskam qenë shumë e fortë. Por nganjëherë mendoj se do të kishte qenë më mirë të kisha vdekur.

SHKARKO APP