Lunaçek: Pa reformën në drejtësi, anëtarësimi në BE në rrezik

Ulrike Lunacek, zëvendës/presidentja e Parlamentit Evropian, anëtare e Grupit të të Gjelbërve në Parlament, flet për Reformën në Drejtësi, Brexit, zgjerimin e Ballkanit Perëndimor, Kosovën, por edhe rezistencën për ndërtimin e digave në lumenjtë e vendit etj.

***

Ekziston deri më tani një debat dhe mosmarrëveshje e madhe midis dy partive më të mëdha në Shqipëri lidhur me çështjen e Reformës në Drejtësi, megjithë prezencën e Brukselit dhe kanaleve të tjera diplomatike. A mendoni se BE­ja do të mund të ishte disi edhe me direkte në mesazhet e veta për politikën shqiptare?

“Progresi i matshëm, veçanërisht në drejtim të vendosjes të ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, reformës në administratën publike dhe të drejtave themelore duhet të vendosen në qendër të procesit të anëtarësimit në BE. Dhe, besimi i qytetarëve në sistemin e drejtësisë është esencial. Unë e vlerësoj bashkëpunimin e ngushtë të Komisionit Parlamentar ad hoc për Reformën në Drejtësi me Komisionin e Venecias. Por, autoritetet shqiptare duhet të marrin në konsideratë rekomandimet e tyre dhe të punojnë në drejtim të një kompromisi për ndryshime të thella në sistemin juridik. Kjo gjithashtu ka të bëjë edhe me pavarësinë e plotë të Drejtësisë, si dhe përgjegjshmërinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve, por edhe në paanësinë e gjykatave veçanërisht Gjykatës së Lartë, Gjykatës Kushtetuese dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Këshilli Evropian duhet t’i japë mbështetjen maksimale Komisionit të Venecias në këtë proces”.

E megjithatë, disa diplomatë të huaj kanë konsideruar që mosmarrëveshjet për Reformën Gjyqësore mund të sjellin shumë pasoja në integrimin e Shqipërisë në Evropë. Në këndvështrimin tuaj, mosaprovimi i Reformës mund të ketë vërtet pasoja për vendin tonë?

“Po, edhe njëherë, jemi shumë të shqetësuar për shtrirjen e korrupsionit në shtresa të ndryshme të shoqërisë, veçanërisht në arsim, mjekësi dhe drejtësi. Adoptimi i strategjisë kombëtare anti­korrupsion 2015­2020 dhe Plani i Aksionit 2015­2017 për këtë problem vazhdon të jetë i mirëpritur. Ajo çfarë ne kemi nevojë është të forcojmë kapacitetet e agjencive për forcimin e ligjit, në mënyrë që të ndërmarrin investigime efektive dhe proactive, të cilat çojnë drejt rezultateve. Unë besoj fort se progresi në Reformën e Drejtësisë gjithashtu do të japë krah zgjerimit të luftës kundër korrupsionit dhe asaj kundër krimit të organizuar si edhe do të ndihë rrugën e Shqipërisë drejt hyrjes në Bashkimin Evropian. Nëse nuk do të ketë progres këtu procesi i hyrjes në BE do të jetë gjithashtu në rrezik”.

Brexit ka zbehur retorikat politike në Ballkan në lidhje me termat e integrimit evropian. Shqipëria duket se vetëm në pak ditët e fundit, e ka shmangur disi procesin e integrimit nga fjalori i politikës. Çfarë motivesh të reja inkurajimi mendon BE­ja t’u prezantoje vendeve të Ballkanit?

“E kuptoj se vota e referendumit për Brexit ka ngjallur shqetësime në gjashtë shtetet e Ballkanit që janë të përfshira në procesin e zgjerimit. Por në praktike, ne jemi ndeshur disa herë me dyshime për BE­në dhe ‘lodhjen’ prej zgjerimit të saj. Vetëm se kjo, deri më tani, nuk e ka zbehur hapjen e kapitujve të rinj në negociatat për zgjerim apo në konkluzionet e marrëveshjes të MSA­së për Kosovën. Vendimi­ Brexit megjithatë shënon fillimin e një periudhe dyshimi brenda vetë BE­së. Britania e Madhe ka qenë një nga mbështetësit më të mëdhenj të zgjerimit, kështu që paqartësia se nëse apo kur do ta lerë BE­në, fatkeqësisht do ta dobësojë gjithashtu mbështetjen për zgjerim brenda BE­së. Megjithatë, jam krenare, që në Konferencën e fundit të Ballkanit Perëndimor në Paris, takimin e tretë në vazhdën e strukturës së Procesit të Berlinit, të gjithë kryetarët e shteteve dhe qeverive po ashtu si dhe ministrat që ishin prezent, theksuan vendosmërinë e tyre për zgjerimin me gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor – me apo pa Britaninë e Madhe”.

Korrupsioni i shfrenuar, varfëria dhe mungesa e vendeve të punës janë disa nga elementët kyç që po e bëjnë Ballkanin të pajetueshëm. A mendoni se do të jetë më e vështirë pas Brexit që të shihet Evropa nga masa e popullit si një model zhvillimi ?

“Jo, sepse ideja e vërtetë që ndjek principet themelore të bashkëpunimit në vend të konfrontimit është ende në thelb të BE­së. Krijimi i vendeve të punës, për shembull nëpërmjet investimit në efiçencën e energjisë dhe riciklimin, ka pasur sukses në shumë pjesë të Bashkimit Evropian. Kjo mund të ndodhë edhe në shumë pjesë të Ballkanit Perëndimor, ndaj ne e synojmë një gjë të tillë. Dhe menaxhimi i punëve të përditshme të Unionit nuk duhet të lihet pas dore, dhe prandaj ashtu siç tha me të drejtë edhe Komisioneri për Zgjerimin dhe Fqinjësinë Johannes Hann, kjo gjithashtu do të thotë që ne duhet të garantojmë vazhdimësi në procesin e zgjerimit. Presidenti i Komisionit Jean­Claude Juncker në fjalimin e tij në sesionin parlamentar të Parlamentit Evropian tha se ‘vota britanike ka këputur disa nga krahët tona të shumta’ . Por fluturimi ynë vazhdon. Ne nuk do ta ndalojmë fluturimin tonë të së ardhmes. Horizonte të reja na presin. Dhe në po fluturojmë drejt horizonteve që janë ato të Evropës dhe të të gjithë planetit. ‘Për mua, horizonti i ardhshëm shtrihet në Ballkanin Perëndimor’”.

Në vijim të kësaj: A mundet që Brexit të shkaktojë një sistem të tërë referendumesh në konceptin tuaj?

“Po, është e mundur që disa shtete anëtare të fillojnë referendume të njëjta. Megjithatë, unë shpresoj që nuk do të ndodhë ashtu si bëri Z. Cameron duke vendosur një pyetje që mund të kishte gjetur përgjigjen edhe brenda partisë së tij për të gjithë fatin e vendit të vet – dhe pa votë parlamentare më parë. Unë gjithashtu mendoj se kaosi britanik, dorëheqja e Cameron, Johnson­it & Farage dhe të mos marurit e përgjegjësisë për çfarë janë besuar të punojnë, është shumë dekurajuese”

Kthehemi në një temë, që lidhet me mjedisin: Ju apeluat vetë pak kohë më parë në lidhje me ndërtimin e digave në Ballkan gjatë vizitës suaj në lumin e Vjosës. Si e konsideroni veprimin final të qeverisë shqiptare e po ashtu dhe të vendeve të Ballkanit në lidhje me digat që janë parashikuar të ndërtohen mbi lumenj ?

“Siç, ju e dini, unë iu bashkova ‘Turit të Lumenjve të Ballkanit’ në Maj, dhe kjo protestë aksion përfshiu kajakistë, politikanë, banorë të zonave ku do ndërtohet dhe mbrojtës të natyrës kundër projekteve të ngritjes së digave mbi lumin e Vjosës në Shqipëri. Unë jam dakord me ekspertët që thonë se është një mrekulli që një lum, si ky, ekziston akoma në Evropë, i fundit syresh që ka rrjedhje të lirë përveç një tjetri të Rusisë­ e kjo përbën një shans të madh për Shqipërinë dhe vetë Evropën. Të bllokohet ky lum do të thotë të bëhet një krim mbi natyrën dhe është një tregues i paaftësisë për të mbrojtur natyrën evropiane. Në deklaratën e vet, lidhur me raportin aktual të Zgjerimit në Prill 2016, Parlamenti Evropian i bëri thirrje qeverisë shqiptare….që të kontrolloje zhvillimin e digave të hidrocentraleve përreth zonave të ndjeshme ambientale si ajo e Vjosës po ashtu dhe në zonat e mbrojtura…..’ të përshtatin cilësinë e Vlerësimit të Impaktit Mjedisor (Environmental Impact Assessments (EIA) me standardet evropiane, të informojnë më mirë si edhe të përfshijnë publikun në procedurat e planifikimit. Deri më tani, këto kërkesa janë injoruar plotësisht për sa i përket projektit të Poçemit. Kështu që, i bëj thirrje kryeministrit Rama dhe qeverisë shqiptare që ta rishikojë pozicionin e saj: Shqipëria është një shtet kandidat për anëtarësimin në BE­në dhe do të ishte fatkeqësi që vlerat më të mëdha të natyrës, të cilat mund të ofrojë vendi, të humbasin përpara syve. Me e pakta që mund të bëhet, është që qeveria duhet të vlerësojë projektin e Poçemit sipas standardeve të BE­së, përpara se të lëshojë licencë për ndërtimin e tij. E ndërsa shteteve të BE­së u kërkohet që të veprojnë sipas porosive të BE­së, lidhur me Watër Framework Directive, këto kritere deri më tani janë arritur dhe madje edhe tejkaluar në vendet e Ballkanit Perëndimor – së pari dhe mbi të gjitha në Shqipëri. Ky avantazh nuk duhet të nënvleftësohet me mendje lehtësi në lidhje me projektet e boom hidrik, ndërkohë që potenciali me i madh fuqia solare është ende komplet e pa zbuluar”.

Kalojmë në aspektin social. A shikoni progres në lidhje me trajtimin e komunitetit të LGBT­së në Ballkan ?

Po, por ka akoma shqetësime serioze në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor për ketë çështje. Përsa i përket Shqipërisë, unë mirëpres një zgjidhje parlamentare në mbrojtje të të drejtave dhe të lirive të personave që i përkasin komunitetit LGBT. Gjithashtu, më erdhi mirë se Pride Event­i i dytë në Tiranë në Qershor u bë pa incidente të mëdha. Rekomandimet e mia janë të njëjta si ato të Komisionit Evropian: Unë diktoj që të gjitha dispozitat që diskriminojnë transvestitët dhe personat me të njëjtin seks, të hiqen nga legjislacioni ekzistues. Dhe ju bëj thirrje autoriteteve kompetente të përmirësojnë klimën e përfshirjes dhe të tolerancës për të gjitha minoritet në vend, duke përfshirë këtu edhe zgjerimin e rolit të Komitetit Shtetëror të Minoriteteve”.

Në aspektin gjeostrategji, a mendoni se Turqia po bën një zgjerim politik në Ballkan? Cila është e ardhmja e saj në BE?

“Unë mendoj se është i dukshëm interesi që Turqia dhe presidenti Erdogan po tregojnë për të pasur një influencë më të madhe politike dhe ekonomike në Ballkanin Perëndimor. Përsa i përket marrëdhënies BE­Turqi është po ashtu e dukshme që të gjitha reagimet kundër të gjithë opozitës nga regjimi i Erdoganit kanë kapur një nivel të ri. Dënimi i gazetarëve me burgim të gjatë për kritikë ndaj qeverisë është një zhvillim shqetësues, ashtu siç ishte shqetësuese edhe heqja e imunitetit të kryetarit të partisë opozitare HDP. Qëllimi i presidentit Erdogan është i qartë që të siguroje mazhorancën e duhur në parlament e që ta lejojë atë të ndryshojë kushtetutën deri në fund dhe të shkoje drejt një sistemi presidencial akoma dhe me autoritar. Të gjitha këto zhvillime duhet ta shtyjnë BE­-në të vëzhgojë edhe me më shumë kujdes drejtimin e politikës në Turqi. Ne, të Gjelbërit, e kemi mbështetur gjithmonë liberalizimin e vizave me popullin turk por plotësimi i 72 kërkesave vendosur nga BE-­ja duhet të jetë një kusht paraprak për ketë. Marrëveshja BE-­Turqi në lidhje me krizën e refugjatëve nuk mund të çojë drejt kushteve qendrore të liberalizimit të vizave e këto të lihen pas dore. Dhe zhvillimet e fundit e bëjnë të qartë se BE­ja nuk mund të mbështetet vetëm në ndihmën e Turqisë për politikën e vet të refugjatëve. Sigurimi i rrugëve legale për kalimin e refugjatëve që të hyjnë në Evropë mbetet zgjidhja e vetme. Njohja e përgjegjësive të të gjitha vendeve të BE­së të pranojnë refugjatë, si dhe shpërndarja e njëjtë e tyre është çelësi për ketë. Menaxhimi i kufijve të jashtëm të BE­së nuk mund t’i delegohet gjithashtu Turqisë. Për shkak se shpërthimi i fundit i presidentit Erdogan ndaj vendosjes se ligjit përsëri na çon aty te fakti se është e gabuar nga ana e BE­në të mbajë shpresat të Turqia për të zgjidhur problemin e refugjatëve”

. Çfarë do të thotë ekzaktësisht normalizimi i plotë i marrëdhënieve Shqipëri­-Kosovë?

“Po ju jap një shembull: Mospranimi vitin e kaluar nga ana e UNESCO­s të anëtarësisë së Kosovës tregoi përsëri bllokadën politike të vazhdueshme të Kosovës nga Serbia në organizatat ndërkombëtare. Kjo shkelje sistematike e parimit të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë si edhe qëllimit për t’i normalizuar këto marrëdhënie plotësisht, e vendos dialogun mes palëve në rrezik. Çështja e UNESCO­s ka vendosur një pikëpyetje sesa efektiv është ky dialog mes palëve. Sepse veprimet e Serbisë vis­a­vis Kosovës në UNESCO nuk ishin të një fryme të mirë. Në të kundërt, disa përfaqësues të qeverisë së Serbisë paraqitën një nivel të lartë të keqdashjes – gjë që është komplet jo ajo me çfarë përfaqësuesit serbë tregojnë kur ulen në të njëjtën tavolinë me përfaqësuesit e qeverisë së Kosovës në dialog. Implementimi do të thotë implementim në çfarë­do­lloj gjëje që është rënë dakord. Të dyja palët duhet ta bëjnë këtë dhe të mos presin për palën tjetër që ta bëjë e para. Serbia duhet të ecë përpara në shkatërrimin e strukturave paralele jo transparente në veri të Kosovës”.

Dhe, a do të thotë kjo se Serbia duhet të njohë Kosovën e detyruar, në mënyrë që të hapë negociatat ?

“Serbia e di që BE­ja nuk do ta bëjë këtë, pas rastit të Qipros, pra, që të pranojë ndonjë shtet si anëtar tjetër, kufijtë e të cilit nuk janë akoma të përcaktuar. Kështu që, jam optimiste se procesi i dialogut do ta sjellë Serbinë në formën që të normalizojë veprimet e saj me Kosovën dhe kjo do të thotë që ta njohë atë. Gjithashtu, unë kam inkurajuar që të pesta shtetet anëtare të BE­së, që nuk janë në konsensus deri më tani, të mos bëjnë më rezistencë duke mos e njohur Kosovën. Në shkurt, Parlamenti Evropian adoptoi raportin tim në Kosovë dhe anëtarët e Parlamentit Evropian përsëri ju bënë thirrje këtyre vendeve anëtare të BE­së të përmbushin zyrtarisht njohjen e Kosovës. Influenca pozitive e BE­së në Kosovë do të jetë më e fuqishme me të gjithë vendet anëtare të BE­së të bashkuara”.

Opozita në Kosovë është shumë e përfshirë dhe kundër ndryshimeve lidhur me Demarkacionin me Malin e Zi. A e dëmton kjo të gjithë procesin e liberalizimit të plotë të vizave për Kosovën ?

“Komiteti i Punëve të Jashtme (AFET) i Parlamentit Evropian (këtë javë) ndërmori hapin e parë në procedurat e E.P.­së dhe qartësisht e pozicionoi veten në favor të liberalizimit të vizave për shtetasit kosovarë. Tani topi është në fushën e Parlamentit të Kosovës dhe të qeverisë. Mua vërtet më shqetëson se nuk ka progres të mjaftueshëm, për sa i përket plotësimit të dy kritereve të fundit: Së pari, kjo është akoma në pritje të ratifikimit të marrëveshjes së kufijve me Malin e Zi në parlament. Por, edhe qeveria e Kosovës duhet të bëjë më shumë progres në regjistrimet në shifra të larta që ka në lidhje me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Kjo rrugë pa krye duhet të mbyllet. Komisioni me tre ekspertë ndërkombëtarë që u krijua nga presidentja e mëparshme ka konfirmuar që kjo marrëveshje është kryer në mënyrë korrekte. Kështu, që duhet të ratifikohet nga Asambleja”.

Si e parashikoni të ardhmen e vendeve të Ballkanit Perëndimor në EU?

“Vendet e Ballkanit Perëndimor janë shtete evropiane: ato janë të rrethuara me shtete anëtare të BE­së përreth tyre. Pajtimi dhe zgjerimi i BE­së mbetet në interesat e BE­së dhe të vendeve kandidate. Unë dhe shumë nga ne në Parlamentin Evropian kemi kritikuar ashpër fjalën e Presidentit të Komisionit Evropian Juncker në 2014 që tha se : ”nuk do të ketë zgjerim të BE­së deri në 2019..”, jo vetëm ngaqë besoj se nuk është realiste por sepse ishte edhe shumë dekurajuese. Unë gjithashtu vazhdoj të mendoj se kundërshtimet bilaterale nuk duhet asnjëherë që të përdoren si një metodë për të bllokuar zhvillimin e atij vendi në rrugën e tij drejt BE­së. Synimi im dhe i BE­së është që të kemi të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të bashkuara në BE. Dhe e di, se normalizimi i marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës nuk mund të arrihet në vetëm një ditë, pasi pengesa mund të ndodhin gjithnjë, por në duhet të vazhdojmë me fuqi dhe intensitet përpara, në interes të të gjithë qytetarëve. Projekti i Paqes Evropiane nuk do të finalizohet pa u bashkuar në BE të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor”.

E fundit: A keni ndonjë vlerësim për performancën e qeverisë shqiptare?

“Do të doja që të vazhdoja ta inkurajoja qeverinë shqiptare, parlamentin dhe partitë politike që të jenë gjithmonë në frymën e reformës dhe të shpejtojnë vënien në zbatim të tyre. Qeveria shqiptare ka nevojë që t’i japë një vëmendje të caktuar përmirësimit të perspektivës për rininë, të investojë në modernizimin dhe reformimin e sistemit të edukimit, me qëllimin që të nxisë punësimin dhe perspektivën profesionale, veçanërisht për të rinjtë. Evropa duhet ta mbajë premtimin e saj për rininë në Ballkanin Perëndimor. Kështu që, unë me shumë kënaqësi mirëpres organizimin e Regional Youth Cooperation Office (RYCO) me qendër në Tiranë, e cila është e një rëndësie shumë të madhe për ripajtimin e vazhdueshëm në rajon, veçanërisht ndërmjet brezit të ri. E fundit, për jo nga rëndësia: E nxis kryeministrin Rama dhe qeverinë shqiptare që ta rishikojë pozicionin e tyre në lidhje me digat e hidrocentraleve: Shqipëria është një shtet kandidat për anëtare në BE dhe si rrjedhim duhet të aplikojë standardet mjedisore të BE­së. Do të ishte fatkeqësi nëse vlera me e madhe natyrore në Evropë të humbiste përgjithmonë dhe Shqipëria ka një përgjegjësi të veçantë dhe rëndësi në këtë drejtim”. “– JavaNews”.

SHKARKO APP