Majlinda Bufi: Drejtimi i duhur për sfida të reja

 

Intervistë me zonjën Majlinda Bufi – kandidate për kryetare e Bashkisë Roskovec

 

Majlinda Bufi, kandidate për kryetare e Bashkisë Roskovec, në një intervistë për “Koha Jonë” flet për programin e saj për zhvillimin e kësaj bashkie. Ajo thotë se problemet në këtë zonë nisin që nga infrastruktura, mungesa e tregjeve për shitjen e produkteve në zonat rurale si dhe mungesa e një plani afatgjate ku do të bazohen  gjithë investimet.

Intervistoi: Thoma Goga

 

Dorëzuat mandatin e deputetit për të marrë përgjegjësi më të mëdha. Cilat janë motivet?

Angazhimet e mia politike sollën që unë të jem sot në krye të kësaj gare. U bënë vite që prej1993-it kur unë mora përgjegjësitë e para në politikë. Ishte atëherë një kohë kur unë ndoshta spontanisht u përfshiva, kur edhe vetë nuk e kuptoja se çfarë po bëja tamam. Vitet kalonin dhe unë rritesha brenda saj, sigurisht duke u përplasur me shumë gjera që patjetër kanë ndikuar në këtë që unë jam sot. Të jesh deputete, përfaqësuese politike e mijëra banorëve në institucionin më të lartë vendimmarrës në vend, sigurisht që është bukur, të bën të ndiesh e plotësuar nga ana politike. Nuk e kisha menduar ndonjëherë që unë do të isha në vend të atyre njerëzve ose një nga ata për të cilat unë pak kohë më parë kisha punuar, kisha luftuar me të tjerë. Ndoshta është në natyrën time që unë i marr gjerat me shumë përgjegjësi dhe nuk gjej qetësi derisa të shoh të përmbushur një kërkesë apo detyrë që unë i kam vënë vetes. Krejt tjetër gjë është të jesh në krye të bashkisë. Do të thotë të jesh përditë me ta, me problemet e tyre, me hallet, me shqetësimet e tyre. Por të gjesh zgjidhje për këto që unë përmenda më sipër, të drejtosh dhe në fund të jesh pjesë e zgjidhjes, ky është privilegji i të qenit bashkë me njerëzit, herë si një e tërë, e herë tjetër si partnere të cilët pa njëri tjetrin nuk bëjnë dot .

 

Si bijë e Roskovecit që jetoni në këtë zonë; ç`përbën në fakt vendlindja për ju?

 

Nuk ka gjë më të bukur dhe të veçantë kur shikon një realizim të punës tënde. Zakonisht artistët, krijuesit ndihen mirë kur veprat e tyre vlerësohen nga shikuesit, sidomos kur kalon koha dhe kjo vepër në vend që të zbehet, por vlerësohet edhe me shumë . Ashtu edhe lidhja me vendlindjen, sa më shumë që kalon koha, aq më shumë ajo bëhet më e fortë. Unë këtu jam lindur, këtu kam kaluar fëmijërinë, krijova familjen dhe po këtu kam lindur dy fëmijët e mi Ivën 13 vjeç dhe Marvin 12 vjeç.

 

 Çfarë e shtyu Majlindën drejt kësaj sipërmarrjeje?

 

Unë besoj se njerëzit tanë do dinë të bëjnë vlerësimin. Në darkë atje duke parë televizorin, duke dëgjuar ndoshta një debat që zhvillohet mes kandidatësh, ndoshta edhe duke lexuar këtë intervistë, unë besoj se ata, votuesit e mi, do të bëjnë një gjykim të drejtë. Të futesh në garë, do të thotë të guxosh. Por në rastin tim, kur unë isha deputete dhe kthehem këtu, kjo është më shumë se kaq. Një fjalë thotë “që fati është me guximtarët”.Zakonisht unë dallohem për sipërmarrjet e guximshme. Dy herë anëtare e këshillit të bashkisë në Roskovec, një herë anëtare e këshillit të Qarkut në Fier, që prej 2005 – ës, kryetare e partisë socialiste po aty. Unë kam guxuar në vitin 1997 së bashku me tim shoq, ekonomist në profesion, t’i futeshim biznesit në atë kohë, kur ndoshta të tjerët na quajtën të marrë. Edhe ky është guxim, apo jo?! Pikërisht ndryshimi i këtij komuniteti në drejtimin pozitiv, kjo është sipërmarrja e radhës.

 

Zgjerimi i hartës së bashkisë sjell të tjera sfida, si do t’i përgjigjet një grua punëve të shumta në krye të kësaj bashkie?

 

Sigurisht pas reformës administrative – territoriale , bashkia tashmë është rritur jo vetëm në siperfaqe gjeografike me njësitë vendore përreth, në numër banorësh, në burime natyrore kaq të domosdoshme dhe të vlefshme për zhvillimin e zonës, por është rritur edhe në problematika, në karaktere dhe në zakone. Unë jam tip këmbëngulës dhe nuk tërhiqem kollaj kur i vë vetes një objektiv. Vështirësitë dhe pengesat më bëjnë më të fortë. Zona nuk është e lehtë, në kuptimin e punëve që ka përpara. Aty ende nuk janë plotësuar kërkesat bazë për një jetesë normale. Ende banorët e fshatrave nuk kanë rrugë për të kaluar, nuk kanë zgjidhur problemin e furnizimit me ujë të pijshëm, në disiplinimit të ujërave të zeza, nuk ka shërbim pastrimi. Ka fusha të tëra që nuk punohen, nuk kanë ujë për vaditje, nuk kullohen në dimër, ka prodhime të vaji të ullirit të pashitur. Por kjo nuk do të thotë që në programin tim nuk janë përfshirë projektet sociale për zhvillimin e jetës komunitare, për të rinjtë, për gratë dhe vajzat, për moshat e treta. Në vitin 2011 kam qenë pjesë e një projekti njëvjeçar të Këshillit të Europës për qeverisje vendore në Ballkan. Është në vizionin tim ta kthej atë zonë në identitetin e saj kulturor, zakonor dhe të traditës. Ka patur një kohe kur jeta kulturore ka qenë e pasur, ka patur këtu grupe artistike; kur kam qenë në gjimnaz kam frekuentuar shumë shpesh bibliotekën e qytetit, ka një kishë të vjetër në Kurjan e në Strum që e vetëm studiuesit e dinë se ku janë. Kështu e mendoj veten në krye të bashkisë, në krye të gjithë punëve në atë zonë.

 

 Ku janë shtyllat më të forta që mbështet Majlinda kandidimin e saj?

 

 Së pari është lidhja  që kam me zonën dhe njerëzit këtu. Për vite të tëra më njohin si organizatore, aktiviste dhe deri tani në fund si deputete. Aq shumë vite, sa nganjëhrë më duket se kam lindur brenda kësaj politike lokale. Dhe e dyta vendosmëria dhe këmbëngulja. Unë jam shumë e vendosur dhe nuk tërhiqem kollaj përballë vështirësive. Sfida ime nuk është fitorja në këtë garë, por menaxhimi i nesërm i gjithë problematikave dhe gjetja e zgjidhjeve më të mira në funksion të zhvillimit të zonës .

 A është avantazh përfaqësimi i partisë në pushtet në zgjedhjet lokale?

 

Në kushte ideale të një shoqërie demokratike në mentalitet dhe funksionim ligjor, është mirë që votuesit të votojnë njeriun, vlerat. Unë besoj se shoqëria jonë me gjithë problemet e veta dhe pragmatizmin e pranishëm sidomos në zonat rurale, po i afrohet këtij standardi. Unë jam për vlera . Unë jam dhe besoj në këtë parim. Por gjithashtu mendoj që realiteti i sotëm nuk i shpëton dot kësaj tjetrës. Po është avantazh kur je përfaqësues i partisë në pushtet .

 

 Duke qenë dhe grua, çfarë do të bëjë Majlinda për gratë dhe vajzat në bashkinë e re që të fitojë edhe mbështetjen e tyre?

 

Unë besoj fort në mbështetjen që kam tek gratë dhe vajzat në zonën time. Përmendet shpesh çështja gjinore si çështje e grave. Unë nuk mendoj kështu. Kjo është çështje e shoqërisë, është një proces ku përfshihen të gjithë aktorët dhe faktorët dhe si i tillë do kohën dhe instrumentet e veta që të bëjë ndryshimin. Shpesh dhe shumë fort kam luftuar për mbështetjen e grave. Jo vetëm për kuotat e përfaqësimit gjinor në vendimmarrje, si një instrument diferencues për momentin në shoqërinë tonë, por edhe për mjaft çështje të tjera që në fakt gratë kanë. Ka gra që dhunohen, gratë paguhen shumë më pak se burrat, ka punë që bëjnë gratë që nuk paguhen fare. Vajzat dhe gratë se pari duhet të bëhen aktive, pjesëmarrëse, të jenë pjesë e vendimmarrjes. Vetëm duke qenë aty ku merren vendimet, të gjitha së bashku mund të bëjmë më shumë për njëra- tjetrën.

 

 Cili është mesazhi juaj për votuesit kudo që të jenë?

 

Unë së pari i falënderoj për besimin që më dhanë në 2013 –të dhe njëherësh kërkoj me shumë përulësi, por me besim të plotë mbështetjen e tyre për këtë mandat në krye të bashkisë. Banorët shohin tek unë drejtimin e duhur për miradministrimin dhe mirëmenxhimin e shërbimeve, taksave lokale dhe të ardhurave, por edhe për të të qenë më pranë tyre duke përmbushur misionin që nisa si deputete.

 

 

SHKARKO APP