Marsela Çibukaj: Sot ka pak art dhe shumë improvizime

Intervistoi: Sidorela Lepri

Jemi mësuar ta shohim dhe dëgjojmë prej katër sezonesh, teksa këndon mbrëmjeve në emisionin “Top-Show”, në Top-Channel. Por jo vetëm kaq. Këngëtarja Marsela Çibukaj është shumë e përfshirë kur bëhet fjalë për muzikë të mirë. “Për mua, çdo vit do të thotë rritje profesionale dhe me siguri kënaqësi, pasi tashmë ndihem pjesë e kësaj familje”, rrëfen Çibukaj mbi ekperiencën e saj në këtë emision. “Do jem prezente edhe në këtë sezon, i cili po starton”, na tregon më tej Marsela. Në një intervistë për suplementin “Koha Tjetër”, këngëtarja tregon për angazhimet e saj përtej muzikës, jetën e përditshme, pasionet për udhëtimet, si edhe ndan qëndrimin personal lidhur me prurjet e reja muzikore në vend.
“Më vjen shumë keq që ka shumë pak art dhe shumë improvizime, si “pseudokëngëtar/e” që prezantohen madje me boom të madh tek publiku, me këngë si në tekste dhe në realizim skandaloz shpeshherë”, thotë ajo.

Prej kohësh jemi mësuar t’ju shohim dhe dëgjojmë mbrëmjeve në Top-Show. Sa të suksesshëm do ta cilësonit këtë sezon?

Tashmë është sezoni i katërt për mua që jam pjesë e stafit të gjerë të Top-Show nën drejtimin e Alban Dudushi. Sezoni që shkoi ishte një nga sezonet më të gjatë të këtij emisioni, i cili padiskutim kërkon punë dhe energji. Për mua, çdo vit do të thotë rritje profesionale dhe me siguri kënaqësi, pasi tashmë ndihem pjesë e kësaj familje.

Meqënëse jemi tek kjo pjesë, do të vazhdojmë t’ju shohim sërish mbrëmjeve në Top-Shoë edhe sezonin që po vjen?

Po, do jem prezente edhe në këtë sezon, i cili po starton. Do të ketë plot argëtim, supriza dhe padyshim profesionalitet.

Një artist është gjithmonë në kërkim të eksperiencave dhe mundësive të reja. Ju kemi parë të angazhuar plotësisht, por si do ta vlerësonit këtë eksperiencë në një emision televiziv?

Për mua është një eksperiencë që më dhuron shumë vit pas viti. Ndihem shumë e vlerësuar dhe e lirë të shprehem në mënyrën më natyrale, ashtu siç jam edhe vetë unë edhe jashtë emisionit. Kam kohë të mjaftueshme për të kultivuar muzikën time dhe objektivat e mia në muzikë në çdo moment.

Të punosh në një televizon që konsiderohet më i madhi në vend ka avantazhet dhe disavantazhet e saj. Avantazhet dihen, po disavantazhet?

Përderisa është më i madhi në vend, nuk e mendoj se ka disavantazhe. Të jep mundësinë të jesh në ekranin më të ndjekur brenda dhe jashtë vendit, kjo do thotë të jesh më afër me publikun dhe ku ka më mirë? (qesh)!

Mund të ndani me ne disa nga momentet më të bukura të punës suaj?

Kam patur shumë momente të bukura gjatë këtyre sezoneve (qesh). Një kujtim i bukur do mbetet mbrëmja, emisioni i fund-sezonit që kaloi, ku përveç haresë ndihej pak edhe keqardhja që nuk do takoheshim më deri në shtator. Momente për mua me vlerë humane, por edhe profesionale ishte kur e ftuar në emision znj.Ermonela Jaho më puth dhe më komplimenton për vokalin dhe për emocionin që arrija të trasmetoja tek ajo dhe tek publiku. Ose kur këtë bashkë me Kamelën dhe Eugentin performuam me Blues Brothers Original Band. Kur për Krishtëlindje skena ishte e mbushur plot me fëmijë dhe unë këndova ulur mes tyre, dukej sikur fjala “paqe” mund të ishte konkrete dhe e realizueshme në çdo vend të botës e plot të tjera (qesh).

Gjithmonë e kuruar deri në detaj në çdo dalje televizive. Sa i rëndësishëm është për ju imazhi televiziv?

Është i rëndësishëm, pasi është mënyra se si paraqitemi tek të tjerët. Akoma më i rëndësishëm me siguri për ne që jemi në ekran dhe që shumë njerëz ndikohen nga ne. Prandaj insistoj tek origjinaliteti dhe tek veçantia, edhe pa shpenzuar shumë. Diçka e thjeshtë të zbukuron më shume se xixat dhe zhveshjet e tepruara.

Keni një stil shumë të veçantë në veshje dhe grim. Frymëzoheni nga diçka, apo dikush?

Me siguri që e vogël kam patur edhe unë idhujt e mi, nga të cilët jam frymëzuar, Erika Badu, Lauryn Hill, Billie Holiday, gratë afrikane që shihja në Romë, muzika që kam dëgjuar dhe udhëtimet që kam bërë. Gjithçka më frymëzon, e rëndësishme është të ndihem vetvetja dhe asnjëherë e forcuar nga moda, apo look-u që na imponon koha që jetojmë.

Ju kemi parë që udhëtoni shpesh. I keni pasion udhëtimet, apo i shihni si një mundësi për të bërë njohje të reja, qoftë edhe në aspektin profesional?

Më pëlqen të pi kafenë, ose çajin në vende të ndryshme të botës. Më pëlqen ta shijoj atë teksa shoh një pallat, ose monumentë të lashtë dhe me histori, më pëlqen të dëgjoj nëpër rrugë njerëz që flasin një gjuhë tjetër, që kanë të tjera tradita dhe ritual, tjetër kulturë. Më bën të ndihem si “bijë e çdo vendi, qytetare e gjithë botës”, më bën të ndihem e lirë.  

Kur bëhet fjalë për personazhe të njohur e të dashur nga publiku, kurioziteti më i madh është si janë ato në jetën e përditshme. Si është një ditë e juaja?

Kam ndryshuar pak me moshën. Nuk jam më gjumashe (qesh), zgjohem herët, bashkë me qenin tim Flexi, si do të thonin në jug “psonisim” për mëngjesin dhe për drekën. Teksa merrem me ndonjë gjë për të sistemuar në shtëpi, dëgjoj motrën dhe prindërit në Itali. Pas darke, gjatë sezonit të Top-Show, jam e angazhuar në emision. Darkave kur nuk jam vetë nëpër live, më pëlqen të shijoj shtëpinë dhe filma në tv. Ndonjëherë takohemi me miqtë për ndonjë drake, ose darkë së bashku.

Marsela, përveç muzikës, me çfarë merreni tjetër?

Po përfundoj studimet në Fakultetin e Juridikut, pak provime më ndajnë nga diplomimi.

Shpeshherë jeta private e artistëve, është ajo me të cilën spekulohet më shumë. Mund të na tregoni diçka për jetën tuaj private?

E çfarë mund të tregoj? (qesh) Ndoshta doni të dini nëse jam romantike, në pritje të realizohet ajo përralla që na tregonim kur ishim të vogla midis princit të bukur dhe princeshës, po përgjigja është po (qesh). Doni të dini nëse ky princi ekziston? Ndoshta po, ndoshta jo është përgjigjia. Jemi në studim e sipër të situatës (qesh)!

Jeni frekuentuese e jetës së natës?

Jo, sidomos prej disa kohësh nuk më tërheqin shumë lokalet dhe zhurma e jetës së natës. Preferoj qetësinë e shtëpisë, ose një udhëtim qoftë edhe të vogël.

Si e shihni muzikën në Shqipëri, kur shohim çdo ditë kaq shum prurje?

Pse më ngacmoni me këtë argument? (qesh) Jam shumë kritike ndaj çfarë quhet “muzikë”, “hit”, “videoklip”, etj. në Shqipëri. Më vjen shumë keq që ka shumë pak art dhe shumë improvizime si “pseudokëngetar/e” që prezantohen, madje me boom të madh tek publiku, me këngë si në tekste dhe në realizim skandaloz shpeshherë. Të ishte për mua shumë nga videoklipet (disa herë shumë afër pornografisë) dhe nga këto “hit-e” nuk duheshin trasmetuar, sepse janë bosh, nuk përmbajnë një mesazh. Nuk lënë asgjë sot kur i dëgjon dhe nuk do dëgjohen kurrë në një të nesërme.

Do t’ju shohim së shpejti me ndonjë këngë të re?

Jo, kam vendosur të mos prezantoj asnjë këngë single të  re, por ashtu siç e do historia e diskografisë botërore, dua të punoj fort dhe të prezantohem tek publiku me albumin tim, në mënyrë që publiku të ketë mundësinë të kuptojë më mirë esencën e idesë sime mbi muzikën dhe me muzikën.

Cilët janë artistët shqiptarë, apo të huaj, që ju frymëzojnë me muzikën e tyre?

Në Shqipëri, duke e filluar nga e kaluara dhe legjendarja Vaçe Zela, Nexhmije Pagarusha, ëmbëlsira e Eli Fara, eleganca e Parashqevi Simakut, veçantia e Aleksandër Gjokës, etj.. Në ditët e sotme mund të veçoj për shpirtin e artistit që rrezaton si në skenë ashtu dhe jashtë skenës, artisten Elina Duni. Të huaj pastaj pafund, Bessie Smith, Nina Simone, Amy Winehouse , W.Houston, M.Jackson, Led Zeppelin, Pink Floyd, Bob Marley, Jimi Hendri dhe plot të tjerë.

Dhe së fundmi, planet e ardhshme artistike?

Siç e thashë edhe më sipër, planet e mia fokusohen tek realizimi i albumit. Publikisht e them, që kur të jetë gati një kopje do të mbërrijë me siguri edhe në redaksinë tuaj (qesh).

SHKARKO APP